3.5 milionë euro për klasat “inteligjente” pa internet

Autor: Enkel Xhangoli, Nertila Dosti

Projekti për kryerjen e mësimit përmes tableteve elektronike u mbështet nga dy qeveri, por rezulton i pazbatueshëm për shkak të mungesës së infrastrukturës në shkollat shqiptare. 

Stiven P. është nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë dhe për pasojë pesë nga lëndët mësimore në klasën e tij duhet t`i kryente përmes tableteve elektronike.

Por, pavarësisht kësaj, gjimnazisti në klasën e 11-të tregon se gjatë dy viteve të fundit ka arritur t`i shohë ato pak dhe t`i përdorë akoma edhe më pak, sepse, pothuajse gjithmonë, tabletet qëndrojnë në kuti.

“Tabletet janë vetëm sa për pamje. Nuk funksionojnë. Shumë prej tyre nuk karikohen. Mësueset përtojnë t`i nxjerrin nga kutitë dhe këtë vit nuk kemi bërë fare mësim me to”, – thotë Stiven, duke shtuar se vitin e kaluar i kishin përdorur në klasë vetëm tri herë.

Ndërkaq, një projekt ambicioz i Ministrisë së Arsimit nisur në vitin 2013 parashikonte që tabletet elektronike të përdoreshin në mënyrë të përditshme nga 47 mijë nxënës, në 60 gjimnaze në të gjithë vendin.

Për realizimin e tij qeveria shqiptare ka marrë një kredi prej 3.5 milionë eurosh nga banka austriake, UniCredit, në maj të vitit 2014, me justifikimin e përfshirjes së teknologjisë në ato që i quante 120 klasa “inteligjente”.

Projekti kishte si qëllim që nxënësit e gjimnazeve në të gjithë vendin të mund të zhvillonin mësimin e disa lëndëve shkollore përmes tableteve elektronike, të cilat kërkojnë lidhje me internetin për të funksionuar.

Një investigim i PSE tregon se, tre vjet nga nisja e projektit nxënësit e gjimnazeve në Tiranë e rrethe nuk mund të zhvillojnë mësim përmes tableteve të blera.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, 2015-2016, qeveria premtoi se në 60 gjimnaze të vendit do të niste një etapë e re modernizimi. Rreth 47 mijë nxënës në 120 klasa me 5, 850 tablete të shpërndara nuk do të kishin më “nevojë” për librin, pasi atë do ta gjenin të digjitalizuar në tablete.

Çdo shkollë pilot do të furnizohej me dy laboratorë digjitalë, të cilët do të përfshinin: projektor interaktiv, 40 tablete për nxënësit, 15 tablete për sallën e mësuesve dhe 3 laptopë për mësuesit.

Kryeministri, Edi Rama, u shfaq entuziast në gjimnazin “Sami Frashëri” në vitin 2015, kur deklaroi se deri në vitin 2018 çdo klasë gjimnazi në Shqipëri do të pajisej me tablete.

Por, një vit e gjysmë nga ky premtim, nxënësit e një prej gjimnazeve më të mirë të kryeqytetit, “Sami Frashëri”, nuk i përdorin dot tabletet, kryesisht për mungesë të internetit.

Projekti që do të përfshinte teknologjinë në orët mësimore të gjimnazeve e ka zanafillën në maj të vitit 2013. Në atë kohë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, nënshkroi një marrëveshje kredie me UniCredit Bank Austria AG për një shumë prej 2.5 milionë eurosh.

Pas rotacionit politik të qershorit të vitit 2013, projekti u ndërpre për të rinisur në maj të vitit 2014. Qeveria e re mendoi që këtij fondi t`i shtonte edhe një milion euro të tjera.

Mungesa e infrastrukturës dështoi projektin

Në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë përveç Stivenit edhe shumë nxënës të tjerë pohojnë se, mungesa e internetit i kthen në stoli tabletet, me të cilat ishte planifikuar të zhvillohej mësimi.

“Mësuesi nuk mund të përfshinte testin në to, pasi tabletet nuk lidheshin me kompjuterin kryesor. Nga 30 tablete që mund të ishin në klasë, vetëm një prej tyre punonte e lidhej me internetin”, – thotë një tjetër nxënës i kësaj shkolle që kërkon të mos identifikohet.

Në këtë gjimnaz ka edhe nga ata nxënës, të cilët nuk kanë asnjë informacion se si një “klasë inteligjente” mund të funksionojë. Nga 16 klasa paralele të një viti, vetëm tri prej tyre janë përzgjedhur të zhvillojnë mësim përmes tableteve.

Projekti i modernizimit të sistemit arsimor në Shqipëri përmes e-edukimit parashikonte krijimin e 120 klasave inteligjente në 60 gjimnaze, 43 në zonat e mëdha urbane dhe 17 në zonat rurale.

Për të garantuar efikasitetin e projektit Ministria e Arsimit gjithashtu deklaroi në prill të vitit 2015 se ka trajnuar rreth 4000 mësues.

Por, për mësuesit ky trajnim nuk duket se ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë se disa nxënës i thanë PSE se shpesh i ndihmojnë mësuesit në përdorimin e pajisjeve teknologjike.

“Ka zysha, që edhe pse janë trajnuar, kërkojnë ndihmën tonë për të përdorur tabelën elektronike dhe tabletet. Ato nuk i kushtojnë shumë rëndësi përdorimit të tableteve dhe i neglizhojnë”, – thotë një nxënëse që nuk do të identifikohet.

Gjimnazi “Ismail Qemali” është një nga shkollat me reputacion të mirë në kryeqytet, por edhe aty prej një viti e gjysmë tabletet elektronike nuk përdoren.

“Ne përsëri me librin bëjmë mësim. Tabletet “ngecnin” nga mungesa e internetit”, – thotë për PSE një nxënëse në vitin e dytë në këtë gjimnaz.

Drejtoria Arsimore e Tiranës ka shpërndarë gjithashtu 25 tablete në gjimnazin “Eqrem Çabej”, në qershor të vitit 2016.

Sot ato gjenden në një prej magazinave të shkollës për shkak të mungesës së aksesorëve dhe kjo konfirmohet nga drejtori i këtij gjimnazi, Gëzim Koçiu, për PSE.

“Tabletet nuk mund të lidhen me njësinë qendrore. Tabela elektronike mungon. Ne nuk kemi mundësi financiare t`i mbulojmë këto shpenzime. Po presim investimin nga Drejtoria Arsimore”, – tha ai.

Mësuesja e Informatikës në këtë gjimnaz thekson për PSE se, tabletet qëndrojnë të pahapura në magazinën e kësaj shkolle deri në plotësimin e kushteve teknike për përdorimin e tyre.

“Nuk kemi as klasë të përshtatshme për vendosjen e tyre, pasi mungojnë prizat. Tabletet janë marrë dhe aktualisht ndodhen në ambientet e magazinës së shkollës”, – thotë ajo.

Drejtoria Arsimore në Tiranë pranoi për PSE se gjimnazi “Eqrem Çabej” nuk është ende pjesë e shkollave të projektit me klasa digjitale, ndonëse në të janë shpërndarë materialet bazë.

“Në këtë shkollë nuk janë shpërndarë të gjitha pajisjet për të bërë të mundur zhvillimin e mësimit në formatin digjital… (projekti) nuk mund të bëhet brenda një viti në të gjitha shkollat e mesme të Tiranës, pasi kosto është shumë e lartë, por ai do të shtrihet në vite”, – theksohet në përgjigje.

Në gjimnazet e qyteteve të tjera të vendit situata me tabletet paraqitet edhe më problematike.

PSE ka kontaktuar nxënës në qytete si Elbasani, Fieri dhe Gramshi. Emëruesi i përbashkët është: tablete ka, por nuk përdoren.

“Në shkollë janë vetëm dy klasa të pajisura me tablete. Nxënësit ndërrohen çdo vit.

Njëra prej klasave nuk ka internet dhe ne nuk arrijmë të punojmë me tabletet”, – thotë D. Aliaj nga Fieri.

Të njëjtën gjë thonë edhe nxënësit e shkollës “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe ata të gjimnazit “Shefqet Guzi” në Gramsh.

PSE ka kërkuar informacion zyrtar në bazë të ligjit “Për të Drejtën e Informimit” nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve për mbarëvajtjen e procesit.

“Projekti ka përfunduar në 60 shkolla në rang kombëtar: faza e investimeve në infrastrukturën e laboratorëve të këtyre shkollave, e cila mundëson aplikimin e teknologjive bashkëkohore të integrimit të tableteve në arsim”, – shkruhet në përgjigjen e ministrisë.

Shkresa nuk detajon 60 shkollat e përzgjedhura për këtë projekt, të cilin e konsideron të suksesshëm.

Interesit të PSE iu përgjigj zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila shpjegoi qëllimin e projektit, por jo problemet që janë hasur gjatë implementimit të tij.

Ajo tha se, “synohej që nxënësit dhe mësuesit, jo vetëm që duhet ta marrin informacionin në kohën e duhur, por edhe në mënyrë bashkëkohore”.

PSE ka kontaktuar edhe me drejtuesen e projektit, Ornela Koleka, e cila nuk ishte e gatshme të jepte informacion për ecurinë e tij.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ishte edhe nismëtari i këtij projekti, në një prononcim për PSE e konsideron të pajustifikueshëm shtimin e kredisë së marrë nga Unicredit Bank Austria AG me një milion euro.

“Ne këtë projekt e kemi lënë në fazën e negocimit. Projekti do të niste me klasat e dhjeta në disa lëndë e më pas do të shtrihej në të gjitha vitet”, – tha ish-ministri.

Qeveria tashmë ka nisur të shlyejë kredinë prej 3.5 milionë eurosh.

Sot nuk mund të thuhet me siguri se të paktën njëra “klasë inteligjente” funksionon plotësisht.

Kjo, pavarësisht lehtësisë me të cilën është alokuar një shumë e konsiderueshme për një projekt, i cili tentoi të përfshinte teknologjinë e avancuar në mungesë të infrastrukturës bazë, mbështetëse.

Projekti ambicioz i Ministrisë së Arsimit, i mbështetur nga dy qeveri, duket se ishte vetëm një proces tenderimi inteligjent.

Fatmirësisht, ende nuk është provuar që “inteligjenca” e klasave shqiptare të ketë lidhje me tabletet elektronike.


Fotografitë nga Fortesa Latifi, Nertila Dosti dhe Enkel Xhangoli 
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter