687 mijë dollarë të shpenzuara, biblioteka digjitale mbetet ende problem për studentët

Eljon Mulgeci, student i Fakultetit Ekonomik, vijon ciklin e studimeve master në Universitetin e Tiranës. Ai është mes dhjetëra studentëve nga universitete të ndryshme në vend, që njoftuan në platformën “Sinjalizo” problemet e bibliotekës digjitale. Papërdorshmëria dhe mosinformimi për ekzistencën e platformës janë dy nga pikat më të dobëta të U-Library.  Biblioteka digjitale funksionon prej 3 vitesh dhe është pjesë e premtimit të paktit për universitetin,  megjithatë që prej krijimit të saj, vështirësitë për gjetjen e materialeve që përshtaten me kurrikulat mësimore janë dukshëm prezente.

“Biblioteka digjitale u kërkua me ngulm nga studentët, por hasi shumë vështirësi në aplikim. Si fillim kur u krijua mungonin punimet shkencore. Problemi vijoi me pjesën që nuk u diskutua më për këtë platformë dhe shumë studentë nuk kanë njohuri rreth ekzistencës së saj” shprehet Mulgeci për “Sinjalizo”.

Edhe Lediana, studente e Universitetit Politeknik në Tiranë kujton se krijimi i bibliotekës digjitale në universitete ishte mes kushteve të “paktit për universitetin”, vendosur pas protestës studentore. Diçka e tillë duhet të ishte realizuar dhe të aksesohej prej qershorit 2019.

Si fillim u premtua që do të përfshiheshin shkrime akademike të pedagogëve shqiptarë dhe të huaj, literatura të ndryshme për degë të ndryshme studimi, revista shkencore etj. Por ajo që u premtua nuk u bë kurrë”, ankohet studentja.

E pyetur rreth mangësive që ka evidentuar në këtë platformë, Lediana tregon se problemi kryesor është aksesimi, që do të thotë në pjesën dërrmuese platforma është jashtë funksionit. Përsa i përket literaturës mësimore dhe botimeve të profesorëve ajo shprehet se nuk ka arritur të sigurojë materiale të kurrikulës mësimore dhe se shumicën e rasteve këto botime i kanë blerë.

“Realisht kjo bibliotekë digjitale nuk më ka ndihmuar përgjatë periudhës shkollore, pasi asnjëherë nuk kam gjetur në këtë platformë zgjidhje për materialet që kam pasur nevojë”, tregon studentja e Universitetit Politeknik në Tiranë. Gevio ndan të njëjtin shqëtësim.

“Biblioteka digjitale nuk përshtatet me atë çfarë ne kërkuam. Kjo pasi në këtë platformë nuk është e thjeshtë të gjesh materialet që të nevojiten. Pasi regjistrohesh në bibliotekën online kupton se shpeshherë aksesi është i limituar, gjithashtu nuk ka një shumëllojshmëri librash të cilat mund të jenë ndihmës për kurrikulat mësimore. Edhe ato materiale që arrijmë të gjejmë është shumë e vështirë për ti përdorur pasi dalin me probleme. Nuk hapen faqet, shpesh shkronjat shfaqen të çorientuara”.

Screenshot, biblioteka digjitale u-library, gjuhët e huaja me të cilat mund të navigosh në këtë platformë

Nga ana tjetër edhe institucionet shkollore vlerësohen pasive gjatë proçesit të informimit të gjerë.

 “Në universitet nuk na kanë thënë asgjë për ekzistencën e kësaj bibliotekë digjitale, unë e kam dëgjuar nga studentë të tjerë shokë të mi, që ka një bibliotekë të tillë. Deri më sot çdo material që më është dashur apo libër shkollor që më është kërkuar e kam blerë, do ishte mirë të kishim akses online të kurikulave mësimore”, shprehet për “Sinjalizo” Lazarino, student në universitetin e Shkodrës.

Projekti për krijimin e bibliotekës digjitale

Pakti për Universitetin u hartua pas protestës studentore të organizuar përgjatë muajit dhjetor të vitit 2018. Në këtë dokument përfshihet angazhimi për të trajtuar kërkesat studentore për kushte më të mira të studimeve, përmirësim të cilësisë, integritet akademik, transparencë dhe llogaridhënie në arsimin e lartë. Kërkesa numër 7 e studentëve në kuadër të këtij pakti, konsiston në ndërtimin e bibliotekave me standarte europiane dhe me libra universitare online falas për studentët në gjuhën shqipe.

Kërkesa për një bibliotekë online me standarte evropiane u diktua nga kostoja e lartë e çmimeve të librave. Njëherazi edhe nga ngërçi përballë të cilit u gjendën studentët që nuk aksesonin botimet shkencore dhe që u përballën me sfida për të realizuar detyrat e kursit dhe për të kryer kërkime shkencore brenda IAL-ve.

Në  raportin e monitorimit të vitit 2022 të publikuar nga Qëndresa Qytetare, preken premtimet e qeverisë për arsimin gjatë vitit të parë të qeverisjes “Rama 3” . Në kuadër të Paktit për Universitetin shkruhet se “biblioteka online përmban një numër të lartë të materialeve shkencore në gjuhë të huaj, megjithëse kjo platformë kushtoi 687.825 USD studentët nuk arrijnë të gjejnë informacion që përkon me kurrikulat e tyre mësimore dhe nuk aksesojnë asnjë libër apo material shkencor në gjuhën shqipe”.

Rigels Xhemollari, përfaqsues i Qëndresës Qytetare tregon për “Sinjalizo” se ky projekt pavarësisht kostove të larta nuk i erdhi në ndihmë studentëve, pasi sipas tij në përmbajtjen e bibliotekës digjitale nuk figurojnë materiale që lidhen me përmbajtjen e kurrikulave universitare.

Biblioteka Digjitale ishte nje premtim i qeverisë në kuadër të Paktit për Universitetin me qëllim reduktimin e kostove të blerjes së librave të studentëve. Qëllimi për të zëvendësuar literaturën fizike nuk u arrit dhe kostoja e bibliotekës nuk i përgjigjet dobisë që i solli botës akademike. Fakti që një pjesë e mirë e studentëve nuk kanë njohuri për ekzistencën e saj është sepse nuk disponon përmbajtje që mund të përbëjnë interes për studentët”, u shpreh Xhemollari.

Historia e një biblioteke që “i humbën”librat

Biblioteka digjitale u prezantua nga kryeministri dhe ministrja e arsimit, sportit dhe rinisë, në muajin prill 2019 me qëllimin për të adresuar problematikën e kostove të blerjes së librave. Krahas kësaj u pretendua edhe aksesimi i plotë prej studentëve në botimet shkencore. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, kjo bibliotekë krijon akses ndaj kërkuesve shkencorë në 50 mijë revista shkencore, 193 mijë libra akademikë dhe 30 module për të mësuar vetë një gjuhë të huaj. Çdo student apo pedagog mund ta aksesojë bibliotekën online përmes një llogarie unike dhe një fjalëkalimi. Investimi total nga buxheti i shtetit për bibliotekën digjitale është 687.825 USD pa TVSH, një investim që përfshin periudhën midis viteve 2019 – 2022.

Rifinancim i projektit

Nga nisja e këtij projekti, Rrjeti Akademik Shqiptar, që është institucioni lider për ngritjen e bibliotekës elektronike i thotë “Sinjalizo”, se biblioteka digjitale e kishte kohën e implementimit deri në tremujorin e parë të këtij viti. Të pyetur nga “Sinjalizo” RASH deklaron edhe natyrën e platformave, ku nuk mungojnë as gjuhët e huaja.

Biblioteka elektronike është implementuar në 01 Prill 2019 me kohëzgjatje 3 vjeçare deri më 31 Mars 2022. Fondi i akorduar nga MAS, sipas përcaktimeve kontraktore dhe miratimit të paketës në përdorim nga Asambleja e Anëtarësisë e Qëndrës RASH, e përbërë nga universitetet publike dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, është në vlerën 687, 825 US$. Brenda kësaj shume për 3 vite përfshihej aksesi në dy platforma, së pari në arkivat e biblotekës digjitale të EBSCO’s si edhe aksesi në platformën e mësimit online të gjuhëve të huaja “Roseta Stone” me 30 gjuhë të huaj nga lektorë që i kanë ato “native language”, thuhet në përgjigjen e RASH.

Screenshot, pjesë nga përgjigja e RASH, përmbajtja e bibliotekës digjitale

Por pavarësisht detajeve të vendosura në dispozicion për “Sinjalizo”, RASH  thekson se në platformë nuk gjendet literatura dhe leksione në gjuhën shqipe. “Duhet të jenë autorët e librave dhe literaturave që vendosin ti publikojnë në EBSCO librat, artikujt, disertacionet apo punimet shkencore bazuar në të drejtën e autorit”, thuhet më tej për “Sinjalizo”. Sipas Rrjetit Akademik Shqiptar, biblioteka përmban kryesisht materiale akademike (punime, artikuj shkencorë) si dhe libra në format elektronik (e-library), nga databaza të cilat i vë në dispozicion EBSCO.

Ndërsa deklaron se kjo bibliotekë aksesohet nga të gjithë universitetet publike në vend, RASH specifikon për “Sinjalizo” se aktualisht figurojnë të regjistruar në këtë platformë 126.810 studentë dhe 8.100 staf akademik.

Screenshot, pjesë nga përgjigja e RASH, përmbajtja e bibliotekës digjitale

vendimin nr. 621, datë 22.10.2021 për miratimin e strategjisë kombëtare për arsimin 2021–2026 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sigurimi i aksesit në biblioteka digjitale rezulton sërish e përfshirë me institucion udhëheqës RASH, me afat fillimi 2022 dhe kosto indikative 127,500.

Screenshot Programi buxhetor i MASR-së, arsimi i lartë 2021-2026

“Sinjalizo” iu drejtua Ministrisë së Arsimit për të mësuar nëse është planifikuar një rifinancim për bibliotekat digjitale U-Library. Ky institucion e delegoi kërkesën për informacion pranë Rrjetit Akademik Shqiptar, i cili shkruan për “Sinjalizo” se aktualisht ka marrë një kërkesë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vijimin e shërbimit e cila është ende në shqyrtim.

Bazuar në fondin e përcaktuar në dispozicion dhe kërkesave specifike për akses në arkivat e EBSCO’s nga universitetet anëtare të RASH, do ti dërgohet një kërkesë për rinegocim EBSCO nëse do të ketë një vendimmarrje paraprake nga Asambleja e RASH ku përfaqësohet MAS dhe rektorët e çdo IAL publike. Periudha e zbatimit do të jetë duke filluar nga janari 2023 e në vijim bazuar në vendimmarrjen e Asamblesë”, shkruan RASH ndërsa thekson se ky projekt do të përfshijë sërish akses në literaturë shkencore të huaj: libra, revista, artikuj, disertacione dhe teza masteri e më gjerë.

Sërish për gjuhën shqipe dhe kurrikulat shkollore RASH parashikon se “kjo është vendimmarrje e vetë IAL dhe autorëve, nëse ajo do të jetë pozitive nga ana e tyre atëherë do të negociohet me ofruesit e shërbimit të bibliotekës digjitale edhe shqyrtimi i mundësisë së përfshirjes së kësaj literature në arkivat përkatëse shkencore”.

Pikëpyetjet mbi bibliotekën digjitale

Profesori i Asocuar, Albano Zhapaj e konsideron nismën për krijimin e bibliotekës digjitale si jo të domosdoshme. Sipas tij kjo platformë është e nevojshme, por jo e pazëvendësueshme.

“Unë gjykoj që biblioteka digjitale është dytësore, parësore janë librat hard copy. Biblioteka digjitale natyrisht mund të ketë qenë e domosdoshme në kohën e pandemisë ku studentët nuk mund të dilnin dot dhe duhet të kishin aty materialet. Universitetet kanë probleme më serioze sesa biblioteka, deri vitin e kaluar që unë kam qenë drejtor i kurrikulave në Universitetin e Tiranës, në rektorat mungonin kompjuterat, kishte specialistë që nuk kishin kompjutera në zyrë, ose i kishin me parametra shumë të dobët. Pra stafi ndihmës që do të ndihmojë profesorët, degët, strukturat e tjera ndihmëse, nuk janë me materialet e duhura teknologjike që të punojnë”, thekson Zhapaj.

Sipas profesorit çdo degë duhet të ketë platformën e saj digjitale, ku pedagogët dhe studentët të kenë mundësi të aksesojnë me të dhënat e marra nga universiteti. Por duhet të evitohet që materialet të merren nga universitetet e tjera, apo nga studentë të cilët e kanë përfunduar ciklin e studimeve. Profesori Zhapaj shton vecantitë e një biblioteke digjitale dhe aksesimin e saj nga kushdo.

“Problemi është që nuk mund të detyrohet autori që ta hedhë librin e tij online, pasi mund ti ketë dhënë të drejtat shtëpisë botuese, pra çështja është shumë e komplikuar”, këmbëngul profesori që shton se kjo bibliotekë duhet të vendosë si kusht të drejtën e autorit.

Lektori shton se në këtë platformë, materialet duhet të jenë të skanuara dhe jo në formatin ëord apo pdf.

“Nëse materialet tona nuk janë të skanuara, mund të merren dhe kështu krijohen plagjiaturat, përvetësimi i pronësisë intelektuale etj. Për mua biblioteka digjitale duhet të jetë për materiale ndihmëse dhe çdo pedagog duhet të ofrojë tekstin përkatës”.

Screenshot, biblioteka digjitale U-Library

Profesoresha e Asocuar, Majlinda Keta, shprehet për “Sinjalizo” se biblioteka digjitale nuk është e lidhur thjesht dhe vetëm me protestën studentore. Sipas lektores, pas protestës dhe sidomos pas kalimit të mësimit online kjo bibliotekë ka dhënë rezultat.

Universiteti i Tiranës në faqen zyrtare orienton studentët drejt përdorimit të dy tipeve të bibliotekave online që ne kemi. Shfrytëzimi i një biblioteke online kërkon që një student në kushtet e banesës së tij, pranë fakultetit apo universitetit ku ka zgjedhur të studiojë, të ketë aksesin e interesit dhe të lidhjes me internet”, thotë lektorja e filozofisë së edukimit në Universitetin e Tiranës teksa shtoi, se ende për studentin shqiptar është sfidë mospasja e pajisjeve të cilat nevojiten për të studiuar online.

Lektorja Keta sygjeron që për studentët që pajisen me kartë, duhet tu vendoset në dispozicion një laptop apo një kompjuter, duke i ndihmuar të rinjtë që të konkludojnë punë cilësore në bibliotekën online.

“Të studiosh apo të shfrytëzosh një bibliotekë online, nuk bëhet dot nga celulari, është e pamundur për shumë arsye, duke filluar që nga shërbimi i cilësisë së shikimit deri te lodhja e syve dhe për më tepër më shumë do të bëj dëme se sa do ti sjellë përfitime studentëve”, shprehet lektorja Majlinda Keta.

Një tjetër element që lektorja vendos në dukje lidhet me kurrikulat studentore. Sipas lektores Keta, “kurrikulat studentore, ato të titullarëve të lëndëve, duhet të mbajnë në mënyrë të detyrueshme edhe aksesin mbi konceptin e universitetit digjital. Këto mund të jenë pjesë e bibliotekës online por mund të jenë edhe shumë forma të tjera digjitale siç janë pasazhe filmash, rrëfim ekspertize, interpretime të të folur publik mbi çështje të cilat lidhen me disiplina të ndryshme universitare”.

Por nëse është apo jo funksionale biblioteka, Ali Jashari, si pedagog në Universitetin e Korçës përgjigjet pozitivisht.

Në këto platforma kryesisht futen studentët e masterit, ata që kanë për të mbrojtur tema diplome, por edhe pedagogët për kualifikimet e tyre sidomos ato që mbrojnë doktoraturën. Gjëja positive është që aksesi në këtë platformë është pa pagesë, unë mendoj se kjo është një lehtësi dhe pasuri shumë e madhe që ne nuk e kishim më përpara”, shprehet Jashari.

I pyetur nëse materialet që botojnë vetë pedagogët hidhen në këtë bibliotekë digjitale, lektori shprehet: “Materialet tona që botojmë, por edhe botime të tjera, hidhen në faqen e universitetit dhe të gjitha gjenden online duke ofruar mundësinë që të shfrytëzohen nga çdo lloj studiuesi”.

Premtimi dhe problematikat mbi nismën e ndërmarrë

Protesta e madhe studentore e dhjetorit të vitit 2018, shpalosi një sërë pakënaqësish lidhur me cilësinë e arsimit në Shqipëri. Këto pakënaqësi u renditën në 8 pika kryesore të cilat iu parashtruan Ministrisë së Arsimit si kërkesa që nuk negociohen. Një ndër kërkesat kishte të bënte me ndërtimin e një biblioteke online sipas standarteve europiane dhe pasjen e librave në gjuhën shqipe dhe falas.

Eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti tregon për “Sinjalizo” se biblioteka digjitale ishte një premtim i Ministrisë së Arsimit dhe kryeministrit Rama, për të bindur studentët pas protestave se qeveria do të ofronte mundësi më të mira. Sipas tij, premtimi i bibliotekës, sikundër kampuset universitare, mbetën vetëm në letër.

“Ministria akordoi fillimisht 500 mijë euro, fati i të cilëve nuk dihet dhe me siguri destinacioni i bibliotekës ka ndryshuar rrugës. Studentët kanë shumë pak për të mos thënë aspak njohuri rreth ekzistencës së kësaj biblioteke. Me siguri do t’ia hedhin fajin dhe përgjegjësinë universiteteve. Kjo do të ishte e tepërt, pasi universitetet duhet të mbështeteshin me fonde dhe infrastrukturë moderne, për ta bërë të realizueshme këtë premtim. Pra duhet të ndërtoheshin apo përshtateshin salla të mëdha leximi me kushte komode, me kompjutera, internet pa limit dhe 24 në 24, sikundër ndodh në universitetet e botës së qytetëruar”.

I pyetur rreth mangësive që kjo bibliotekë digjitale ka dhe çfarë duhet ofruar për tju ardhur në ndihmë studentëve, eksperti shprehet se pedagogëve duhet tu krijohej mundësi që përmes një aplikacioni te mund të hidhnin leksionet, detyrat për studentët.

“Biblioteka nuk është thjesht një vullnet i mirë, por një grup veprimesh e masash që do të shoqëroheshin edhe me fonde të rëndësishme monetare. P.sh, si do të merreshin vepra, apo materiale digjitale nga autorë të huaj? Kush do të paguante për dhënien e së të drejtës për përdorim? Kush do të mbroj të drejtat e autorësisë së pedagogëve, studiuesve apo shkencëtarëve brenda dhe jashtë vendit?” e mbyll Mehmeti.