Abuzim e dhunë. Kaq shumë ligje për fëmijët, por ende mbeten të pambrojtur

Pikturë e një vajze të mitur në qendrën “Strehëza Edlira Haxhiymeri”

“Unaza të shtrenjta, gurë të çmuar dhe disa qindra euro mjaftojnë për të mbytur nuancat e jetës në blu të errët. Nuk është vetëm metaforë ngjyrash, por jeta e një vajze, e një gruaje që këmbehet lehtë mes dy duarve meshkujsh. Një nga toka, një nga qielli. Mesazhi është qartë: tutori mbyt çdo forcë për të kundërshtuar dhe çdo formë dhune nuk njeh moshë.”

Abuzuesi më i fundit që përfundoi në burg në 15 nëntor është një 53-vjeçar, i cili përfitoi nga besimi që i dhanë dy miqtë e tij, burrë e grua me njëri – tjetrin dhe që pasi hyri në shtëpinë e tyre abuzoi seksualisht vajzën e moshës 11 vjeç. A. T u soll siç sillen abuzuesit dhe maniakët, duke u afruar me të rriturit e duke bërë dhurata për fëmijët, të tillë që të fitojë edhe besimin e tyre. Më pas, kur e abuzoi fëmijën, e kërcënoi se do ta vriste në rast se do t’u tregonte të tjerëve. Prindërit panë fëmijën të trembur, që përpiqej të mos komunikonte derisa ajo shpërtheu dhe i tha të ëmës: “Mos e sillni më atë person në shtëpi”. Fëmija aktualisht raportohet nga policia e kryeqytetit se gjendet nën shërbim të specializuar. Nën kujdesin që mos të identifikohej e mitura, gjykata e Tiranës e mbajti seancën ndaj të akuzuarit A.T. me dyer të mbyllura. 53-vjeçari sipas dosjes që disponon “Sinjalizo” akuzohet për “ kryerje të marrdhënieve seksuale me persona të mitur” , neni 100 i Kodit Penal dhe procesi që e pret përpara do të jetë jo vetëm një ballafaqim provash , por edhe një dëshmi e viktimës së abuzuar që për shkak të moshës së mitur nuk do të përballet me të, por do të parashtrohet dëshmia që e mitura dha nën asistencën e psikologëve.

Një histori  e trishtë si dhjetëra të tjera

Ndodhej poshtë banesës sime. Më tha se ishte rastësi dhe më kërkoi të dilnim shëtitje. E refuzova, por këmbënguli dhe më siguroi se nuk do më ndodhte asgjë e keqe, ndaj pranova”,- kjo është dëshmia e një tjetër të miture, mosha 14-vjeçare, e cila një vit më parë u përballë në gjykatën e Tiranës me abuzuesin e saj. Ajo ra në grackën e maniakut nga jeta virtuale.

Një kërkesë miqësie në rrjetin social “Instagram” mundësoi shkëmbimin e bisedave të para mes saj dhe 20-vjeçarit E. Dedaj, marrëdhënia e të cilëve brenda dy javëve shkoi deri në intimitet.

 “E mitura shpjegon se kanë shkuar të dy bashkë në drejtim të një kodre në kryeqytet, larg njerëzve dhe tregon se duke folur ka filluar t’i afrohet , ajo e ka larguar por E* ka insistuar dhe është afruar duke arritur t’i prekë pjesë të ndryshme të trupit, pastaj i ka ulur tutat dhe ka nisur të kryej marrëdhënie me forcë”,- thuhet në dosjen e kësaj çështjeje në gjykatë, ndërkohë që dëshmia e 20-vjeçarit për përgënjeshtrim u rrëzua nga ekzpertiza mjekoligjore që vërtetonte se e mitura rezultonte e defloruar për mbi dy javë. Përveç abuzimit seksual e mitura është përballur dhe me dhunën fizike të mamasë së saj, e cila pasi i ka kërkuar vajzës t’i rrëfejë për ngjarjen “e ka gjuajtur me shuplaka dhe më pas të dyja kanë shkuar të bëjnë kallëzimin në polici”, – thuhet në dosjen e gjykatës.

Por ky, nuk është rasti i vetëm i abuzimit seksual me të mitur që u regjistrua në gjykatën e Tiranës vitin që lamë pas. Sipas të dhënave të siguruara me anë të përgjigjes me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se gjatë vitit të kaluar 73 fëmijë janë dhunuar seksualisht. Ndërkohë 155 janë përfshirë në dhunë fizike. Policia e Shtetit bëri të ditur me anë të gjuhës së shifrave për “Sinjalizo” se “përsa u përket autorëve të veprave penale, janë evidentuar të dëmtuar gjatë vitit që lamë pas 22 vajza dhe 3 djem”. Ndërkohë, gjatë periudhës 1 Janar- 30 Qershor të këtij viti janë evidentuar të dëmtuar 9 vajza/ gra dhe 2 djem/burra.

Të izoluar dhe të abuzuar

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rastet e të gjitha formave të dhunës, qoftë fizike, seksuale apo psikologjike janë rritur gjatë viteve të fundit.  Në vend janë regjistruar 29 fëmijë të përfshirë në dhunën seksuale gjatë vitit 2019, ndërkohë një vit më pas, kur dhe vendi kaloi në lockdown, numri i rasteve ka njohur një rritje mbi dyfishin e vitit paraardhës duke shkuar në 65. E njëjta prirje vërehet edhe në rastet e dhunës fizike dhe asaj psikologjike. Konkretisht, gjatë vitit 2020 në Shqipëri janë regjistruar të dhunuar fizikisht 128 fëmijë, ndërkohë që në vitin 2021 janë përfshirë në dhunë fizike 155 të mitur.

Tabela e të dhënave të marra nga Ministria e Shëndetësisë

Sociologu Ergys Mërtiri thotë për “Sinjalizo” se lockdown-i është përmendur si ndikues në rritjen e rasteve të abuzimit seksual me të miturit në disa vende të botës dhe mund të ketë ndikuar gjithashtu në Shqipëri.

Një arsye për rritjen e rasteve të abuzimit mund të jetë çlirimi nga shumë paragjykime që mund t’i kenë mbajtur të fshehta ngjarjet në vitet e mëparshme”,- thotë Mërtiri duke theksuar se zbutja e paragjykimeve ndikon në rritjen e denoncimeve “ndryshe nga më parë, kur numri i rasteve të padenoncuara mund të ketë qenë edhe më i madh”.

Ergys Mërtiri, sociolog

Një faktor tjetër mund të jetë dhe trendi i rritjes së prirjeve perverse të sjelljes seksuale, për shkak të rritjes së pranisë së seksualitetit në jetë e përditshme, e konstatuar kjo, si në shtimin e pranisë së lakuriqsisë dhe imazheve të seksualitetit në ekrane, në reklama, në sjelljen e përditshme”, – numëron Mërtiri duke nënvizuar se përhapja e gjerë e rrjeteve sociale “ka shkurtuar rrugët e kontakteve të abuzuesve me viktimat”.

Ndërkohë, për psikologen Doklea Hadërgjonaj rritja e rasteve të deklaruara lidhet edhe “me rritjen e besimit tek marrja e masave për abuzuesin”. “Tani ka nisur edhe një lëvizje për fuqizimin, emancipimin e grave por është pak në krahasim me atë që duhet të bëhet”.

Psikologia Hadërgjonaj thotë për “Sinjalizo” se të miturit viktima në të shumtën e rasteve kërkojnë ndihmë tepër vonë.  “Viktima fillimisht përballet me abuzimin emocional se ‘e ka kërkuar vetë’ duke bërë që të mos shprehet dhe pas disa kohësh, ndonëse kalon një dhimbje të jashtëzakonshme”,- thotë ajo. Të dhënat e rasteve të zbuluara tregojnë se fëmijët e abuzuar pikasen nga psikologët.

Doklea Hadërgjonaj, psikologe

Fëmijët kanë probleme në sjellje, fillojnë të marrin rezultate të ulëta në mësime, nuk arrijnë të përqëndrohen”,- shton ajo duke nënvizuar se mësuesit e fizkulturës janë dhe ata që mund t’i dallojnë pa shumë vështirësi shenjat në trupin e fëmijëve.

Në ambientin ku unë punoj, arrij të numëroj 5-6 raste të abuzimit seksual në vit. Ndër to dhe raste kur fëmijët vijnë nga familje intelektuae ”,- tregon Hadërgjonaj.

Psikologia thekson  se janë më të larta rastet kur fëmijët dhunohen psikologjikisht ose kur janë të neglizhuar nga prindërit. Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit me anë të përgjigjes së kërkesës për informacion, gjatë periudhës 1 Janar- 30 Nëntor të këtij viti në ambientet e shkollave publike në vend janë konstatuar nga mësuesit dhe punonjësit psiko-socialë vetëm dy raste të dyshuara për ngacmim seksual. “Në të dyja, të dyshuarit janë mësuesit”,- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, ku shtohet se masat e marra ndaj mësuesve mund të jenë pezullim deri në përfundim të hetimit për rastet e dyshuara, si dhe ndërprerje të kontratës së punës, raportim tek organet ligjzbatuese në rastet kur dyshimet rezultojnë të vërteta nga hetimet.

Nga studimet e mikeshave të mia psikologe është konstatuar se në zonat ku mundësitë ekonomike janë më të vogla, ku shoqëria është më e mbyllur dhe më pak e arsimuar, rastet janë më të shumta, gati-gati 2-3 fish më të mëdha se ato që kam hasur unë”,- shton Doklea Hadërgjonaj, e cila thekson se mungesa e bashkëbisedimeve të fëmijëve me prindërit për marrëdhëniet seksuale mbetet ende tabu.

Përpara nisjes së këtij viti të ri akademik, në faqen zyrtare ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Evis Kushi, prezantoi si risi shtimin e psikologëve në shkolla duke u ardhur në ndihmë shëndetit mendor të nxënësve. Ministria e Arsimit bën me dije për “Sinjalizo” se “në mbështetje të urdhrit nr.313, datë 22.10.2020 ‘Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar dhe procedurat e emërimit, pezullimit dhe largimit në shërbimin psiko-social’, i ndryshuar” numri i punonjësve psiko-socialë është dyfishuar duke shkuar deri më 634 punonjës. Por kjo shifër nuk është bindëse për psikologen Hadërgjonaj.

Kam parë heqjen e tyre nga shkolla, ofrimin e shërbimit të tyre në dy shkolla paralelisht dhe në këto kushte kam parë të bëjnë një punë të përciptë, saqë vetëm paraqiten dhe largohen. Nuk kanë raste kujt t’i referohen”,-përfundon ajo duke theksuar se puna e një psikologu është të bëjë intervista rutinë, të gjurmojë dhe të jetë prezentë nga fillimi deri në fund të procesit mësimor në shkolla.

Kush i mbron fëmijët?

Ndërkohë që institucionet shtetërore numërojnë qindra raste të ushtrimit të formave të ndryshme të dhunës tek të miturit, UNICEF me anë të një raporti të publikuar në Maj të këtij viti konstaton nga studimi i kryer prej tyre se “Fëmijët që trafikohen nga anëtarët e familjes dhe viktimat që trafikohen nga një partner intim, duket se janë në rrezik më të madh për t’u ritrafikuar nga i njëjti autor”, duke përcaktuar se trafikimi kryesisht ndodh me synim shfrytëzimin seksual. “Megjithatë, nëpërmjet shërbimeve mbështetëse gjithëpërfshirëse, viktimat mund të ndihmohen ta kalojnë traumën dhe të marrin vendimin që të ndërpresin çdo kontakt me trafikantin, duke ulur kështu cënueshmërinë e tyre ndaj ritrafikimit”,- thuhet në raport. Por kush i mbron të miturit në Shqipëri?

Altin Hazizaj, një ndër themeluesit e “Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri” tregon për “Sinjalizo” se studimi “Zërat e të Mbijetuarve”, realizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ECPAT International “tregoi se thuajse asnjë nga fëmijët dhe adoleshentët që i kishin mbijetuar dhunës seksuale në Shqipëri nuk kishte patur akses në shërbime profesionale për trajtimin e pasojave të dhunës apo edhe informacionit sesi të mbroheshin nga dhuna seksuale”.  Sipas këtij studimi, viktimat kanë marrë shërbime të pjesshme, aspak të koordinuar, shpesh të cunguar ose në një kohë të shkurtër.

Altin Hazizaj nga “Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri”

Kjo ndodh sepse nuk ka protokolle dhe standard bazë e të detyrueshme për çdo institucion dhe profesionit për t’i zbatuar, ndaj edhe rastet asnjëherë nuk ndiqen njësoj”,- thotë Hazizaj i cili shton se “vetëm një pjesë shumë e vogël e fëmijëve marrin shërbimet më bazë. Por jo të gjitha shërbimet e domosdoshme që një individi i duhen për t’u rehabilituar nga pasojat që dhuna seksuale dhe një krim i tillë shkakton tek fëmija”.

Nga monitorimi i të dhënave që ne i bëjmë raportimeve që vijnë nga NJMF-të apo Policia na rezulton se janë të paktën 100 raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve”,- përfundon Hazizaj, sipas së cilit “këto shifra përbëjnë vetëm majën e ajsbergut”.

Marsela Allmuça nga qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri” thotë se abuzimi seksual është një nga format e dhunës me bazë gjinore dhe shumica e vajzave, grave që strehohen përkohësisht në qendër vijnë nga familje me realitet të tillë.

Është një formë e kamufluar shpeshherë që nuk pranohet”,- thotë ajo duke shtuar,- “Rastet e fëmijëve që janë të abuzuar seksualisht nuk kemi pasur, por kemi pasur raste të vajzave që kanë qenë të abuzuara seksualisht nga familjarët ose jo. Të gjithë fëmijët që vijnë në qendër vijnë së bashku me nënat e tyre dhe ne mesatarisht në vit kemi 30-40 fëmijë që marrin shërbime rezidenciale në qendër”,- tregon Allmuca, që thekson se nga viti 1998, qendra siguron strehim, shërbime psikologjike për gratë, vajzat dhe fëmijët.

Institucionet shtetërore ende të pafuqishme për të mbrojtur fëmijët, problemi fillon që në legjislacionin penal

Mbrojtja e fëmijës me ligj ofrohet nga Bashkia, dhe nëse Kryetari i Bashkisë nuk ka ngritur Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe nuk ka punësuar personat e duhur, atëherë ai mban përgjegjësi ligjore për këtë”,- thotë Hazizaj, i cili shton se ende nuk po shihet një punë serioze nga ana e bashkisë dhe policisë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale duke ngritur shërbimet parandaluese në nivel komunitar.

Ndaj dhe shumica e rasteve që raportohen janë raste ekstreme, ku dhuna ka vite që ka ndodhur e që janë përfshirë shumë të rritur në dhunimin seksual të një apo disa fëmijëve”,- shton ai duke nënvizuar se deri më tani “gjykatat arrijnë të dënojnë vetëm 42% të krimeve seksuale ndaj fëmijëve”.

Sipas Hazizaj, problemi i mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimet seksuale në Shqipëri fillon në legjislacionin penal.

Nëse për ne si ekspertë, dhunë seksuale ndaj fëmijëve konsiderohet çdo veprim që i rrituri ndërmerr duke përdorur fëmijën si objekt për arritjen e kënaqësisë së tij seksuale, për ligjvënësin në Shqipër,i dhunë seksuale konsiderohet vetëm penetrimi me dhunë i fëmijës”,- tregon ai duke shtuar se institucionet cilësojnë çdo formë tjetër të veprave të tilla si “akte të turpshme”.

Ligji penal duhet të vendosë në qendër të tij mbrojtjen e viktimës dhe jo të autorit të krimit. Në rastet e dhunës seksuale, tendenca e Kodit është ende të mbrojë meshkujt – burrat përfshi edhe sjelljet tyre seksuale”,- vazhdon. Hazizaj thotë se ende në kodin shqiptar mungojnë disa krime të reja, që lidhen me botën virtuale dhe prej vitesh dënohen në Europë.

Në kod ende mungojnë disa krime të reja, që në Europë kanë të paktën 20 vjet që dënohen, si seksting (dërgimi ndaj një fëmije të mesazheve apo imazheve me natyrë seksuale), grooming (nxitja e fëmijës të hyjë në marrëdhënie seksuale) etj.”,- përfundon ai duke treguar se që në vitin 2016 “Qendra për Të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri” i ka bërë këto propozime gati, por ende Kuvendi nuk është gati të mbrojë fëmijët nga çdo formë e dhunës.

Organizatat për mbrojtjen e të miturve nga abuzimet seksuale: Institucionet duhet të ndryshojnë qasjen ndaj dhunës

CRCA/ECPAT Shqipëri ka të paktën 3 vjet që i kërkon Ministrisë së Arsimit që të ndryshojë të gjithë qasjen që ky institucion ka përkundrejt dhunës në tërësi, dhe dhunë seksuale në veçanti”,- thotë Altin Hazizaj, i cili shton se gjithashtu është i domosdoshëm zhvillimi i politikave të reja nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Rinisë dhe Fëmijëve, për të ofruar shërbime kudo ku fëmijët kanë nevojë.

Ne kemi folur nga afër me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata janë shumë të qartë e të kuptueshëm në këtë aspekt, por mungesa e fondeve nga buxheti i shtetit i pengon ata që të ndërmarrin këtë reformë kaq të domosdoshme për mbrojtjen e fëmijëve”,- përfundon ai.

Për Marsela Allmuçaj, institucionet shtetërore janë mirënjohës për shërbimin që shoqëria civile ofron. “Kur flasim për shërbimet e rasteve të dhunës në familje, në Shqipëri, në 80%  shërbimet mbulohen nga organizata të shoqërive civile. Kontributi i shoqërisë civile në adresimin e kësaj problematike është dhe ka qenë shumë e madhe”,- tregon ajo duke shtuar se në Shqipëri . Një ndër to është edhe ligji për shërbimet sociale . “Ky ligj saksionon faktin se shteti shqiptar duhet të hapë një proces prokurimi të hapur ku shërbimet mund të aplikojnë që të marrin financim nga shteti. Në këtë sens është bashkëpunues, por ne ende nuk shohim një dritë jeshile për t’i marrë dhe për t’i financuar këto shërbime”.

Si trajtohen abuzuesit?

Shërbimet shtetërore përveç se nuk jepen në formën e duhur tek të miturit e abuzuar seksualisht, ato nuk ofrohen thuajse aspak as tek abuzuesit.

Abuzuesit kryesisht kanë qenë vetë të abuzuar dikur dhe në rast se personi nuk punon me veten e ka të vështirë të dalë nga ai rreth. Ne, si shoqëri, nuk po bëjmë fare në këtë drejtim”,- thotë psikologia Deoklea Hadërgjonaj, e cila nënvizon se sistemi i burgjeve dhe i Drejtësisë lënë për të dëshiruar në këtë drejtim.

 “Nëse ke mundësi ekonomike mund të dalësh më herët nga burgu dhe nëse nuk ke mundësi ekonomike, në burg nuk merret ndonjë trajtim special për të të rehabilituar në shoqëri”,- përfundon ajo duke shtuar se emrat e pedofilëve duhet të shkruhen në një fletore zyrtare. Në një vend ku çdo kush mund të ketë akses. Por ndonëse një nismë e tillë u mor nga aktorët e shoqërisë cilive dy vite më parë, kur peticioni u firmos nga 20 mijë qytetarë, ende nuk është bërë diçka në rrugë zyrtare nga institucionet në këtë drejtim.

Media përballë abuzimeve dhe sjelljeve të dhunshme

“Welcome to hell baby” ishte ‘mikpritja’ që abuzuesit e mitur dhe një tjetër 65-vjeçar i shprehnin vajzës adoleshente dy vite më parë. E konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda të abuzimit, në televizionet kombëtare, dhe jo vetëm, u transmetuan pamje nga lagjja e së miturës dhe familjarët e saj folën publikisht për mediat.

Media në Shqipëri, në shumicën e rasteve vërtet nuk identifikon drejtpërdrejt fëmijët që janë viktima të abuzimit, duke mos i publikuar gjeneralitetet e tyre por, jep të dhëna të tjera të cilat mund të çojnë në mënyrë indirekte në identifikimin e fëmijës”,- thotë Emiljano Kaziaj, PhD, studiues i medias dhe komunikimit me fokus në Të Drejtat e Njeriut.

Ruajta e privatësisë së fëmijëve që janë viktima të abuzimit është një detyrim etik (dhe ligjor) i medias”,- shton ai, duke theksuar se në Kodin e Transmetimit të mediave audiovizive seksioni i 5-të mirëpërcakton çfarë nuk lejohet të transmetohet, jo vetëm kur fëmijët janë viktima të abuzimit, por edhe kur janë dëshmitarë.

Kaziaj tregon për “Sinjalizo” se ajo çka e dallon një media që ka fokus cilësinë është qëllimi i raportimit.

Mediat që fokusohen tek cilësia, përveçse raportojnë mbi ngjarjen në mënyrë etike, mundohen gjithashtu që të hapin një debat më të gjerë me publikun dhe institucionet përkatëse, për adresimin e rrënjëve të problemit dhe fenomenit”,-shton ai, duke theksuar se fokusi në raportimet e ngjarjeve të abuzimeve me të mitur nuk vendoset tek personi që e bëri dhe në ç’mënyrë, por në adresimin e shkaqeve sistematike të adresimit.

Elementi i dytë që është më shumë karakteristikë e mediave shqiptare online është ‘fabrikimi’ i lajmeve, sidomos atyre me gjuhë të urrejtjes, për qëllime të rritjes së klikimit”,- shprehet Kaziaj, i cili shton se në disa studime së bashku me “Historia ime” rreth monitorimit të gjuhës së urrejtjes ku ka qenë pjesë në vitet 2018 dhe 2020, është vënë re se shumica e titujve lidheshin me ‘ngjarjet e sajuara’ nga gazetarët.

Si mund të mbrojmë fëmijët?

Sipas sociologut Ergys Mërtiri, institucionet shtetërore në bashkëpunim me mjedisin shoqëror dhe familjen duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë ndikimit në edukimin e një minoreni.

Institucionet, shkollat, shoqëria civile, duhet të ndërgjegjësojnë fëmijët dhe të rinjtë mbi rreziqet, t’iu mësojnë atyre të jenë të kujdesshëm, të ruhen, të mos komunikojnë me të panjohur”,- thotë ai, ndërkohë që nënvizon se përdorimi i tepërt, I panevojshmën i telefonave celularë është i rrezikshëm.

Është problematike të shohësh sot masivisht fëmijë që kanë telefona ‘smart’ dhe navigojnë me orë të tëra në internet e rrjete të ndryshme sociale,”- përfundon ai.

Ndërkohë, UNICEF sheh si një mënyrë mbrojtje për fëmijët zhvillimin e programeve arsimore, të cilat mund të përmirësojnë aftësinë të rinjve për të identifikuar një marrëdhënie negative.

Profesionistët e shëndetit publik dhe arsimit duhet të zhvillojnë programe arsimore për të mbështetur prindërit që t’u flasin fëmijëve të tyre mbi marrëdhëniet, qofshin ato të shëndetshme apo të tjera”, – thuhet në studim.