Asnjë nuk e mbajti premtimin. Shkodra qyteti i pestë në Evropë për përdorimin e biçikletave, i pari pa korsi

Menjëherë sapo hyn në qytetin e Shkodrës, elementi i parë që të bie në sy është përdorimi masiv i biçikletës. Mespërmes trafikut me automjete, në çdo aks, qytetarë të moshave të ndryshme, gra që shpejtojnë për në punë dhe shtetas që kryejnë pazarin nxitojnë në rutinën e përditshme duke pedaluar. Të tjerë shëtisin me bicikletë në pikat kryesore të qytetit. Që prej vitit 1907 kur konsulli i nderit të Suedisë në Shkodër solli nga jashtë një biçikletë, ky mjet i çuditshëm që prej këtij viti u kthye në simbolin e qytetit dhe në mjetin më të përdorur të cdo stine. Aq sa duket se ky trend është kthyer në një shprehje lokale “Nuk je shkodran nëse nuk ke një biçikletë në shtëpi”, tregon duke buzëqeshur një pedalues shkodran.

Pedalues të rrezikuar

Por edhe pse çdo shkodran e ka një biçikletë, mjafton një vrojtim me sy të lirë për të kuptuar se në Shkodër mungojnë korsitë e dedikuara të biçikletave. Pavarësisht dekadave askush nuk e ka mbajtur premtimin për ta bërë qytetin e bicikletave më të sigurtë për përdoruesit. Megjithë këtë situatë, asgjë nuk i ka ndaluar qytetarët shkodranë që të vazhdojnë të pedalojnë në qytet dhe ta kenë këtë mjet si zgjedhje të parë.

Zefi, një 80 vjeçar i cili ka 7 dekada që e përdor biçikletën si mjet lëvizje tani që është në pension thekson se është i detyruar të lëvizë në rrugën e makinave.

Jemi të detyruar të ecim në korsitë e makinave, pasi nuk kemi korsi biçikletash. E di që është gabim, dhe në moshën që jam unë bëhem pengesë edhe për shoferët, të cilët duhet të më presin derisa të kaloj nga njëri krah në tjetrin. Po ashtu jemi të detyruar të ecim edhe në zonat e përcaktuara për këmbësorët, por ne diku duhet të kalojmë sepse biçikleta është gjë e shenjtë për ne shkodranët”, thekson i moshuari për “Sinjalizo”.

Ndryshe nga 80 vjeçari, për Muhametin, biçikleta është mjeti që përdor për të shkuar në punë, ndërsa shton se asnjë prej kryebashkiakëve edhe pse ka premtuar se do i bëjë, sapo ka ardhur në pushtet i ka harruar.

Për mua biçikleta është mjet pune, pasi shkoj çdo ditë tek puna. Me mungesën e korsive të biçikletave jemi mësuar që kur kam  filluar të pedaloj. E dimë që është gabim të lëvizim në rrugën e makinave, por jemi të detyruar nuk kemi nga shkojmë, pasi edhe ne duhet të lëvizim diku, se në trotuare nuk lëvizim dot prej këmbësorëve, dhe detyrohemi lëvizim në rrugën kryesore. Bashkia ska vendosur ndonjëhere dorë, as nuk e vrasin mendjen për këtë gjë, edhe pse të gjithë kanë premtuar që do bëjmë korsi biçikletash. Sapo marrin karrigen i harrojnë që ne i kemi të nevojshme” shprehet 45 vjeçari për “Sinjalizo”.

Sakaq Shpresa, një nënë e re, është njëra prej shumë qytetarëvë që e përdorin biçikletën për të dërguar në kopsht dhe shkollë fëmijën tyre.

Unë e përdor biçikletën për të dërguar dhe marrë fëmijën tim të vogël në kopsht. Cdo ditë për mua është një rrezik i madh, pasi përveç jetës time, rrezikoj edhe jetën e fëmijës tim, por skeme çbëjmë. Fajin më të madh e kanë autoritetet vendore që të paktën në afërsi të kopshteve dhe shkollave duhet të vendosin korsi biçikletash”, rrëfen 29 vjeçarja për “Sinjalizo”.

E pyetur në lidhje me këtë çështje, Bashkia Shkodër shprehet se në qytetin e Shkodrës ka korsi të dedikuara biçikletash. Gjithashtu theksohet se në planin e përgjithshëm vendor parashikohet korsi biçikletash për çdo aks kryesor.

Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) parashikon korsitë e biçikletave për çdo aks kryesor. Kështu që për çdo rikonstruksion apo ndërtim të çdo aksi është ndërtuar edhe korsia përkatëse. Po ashtu mbi bazën e këtij dokumenti është përgatitur edhe Plan-Studimi i Trafikut dhe Lëvizshmërisë, i cili parashikon menaxhimin e rrugëve ekzistuese, duke rimodeluar përdorimin e tyre me më shumë hapësira për biçikleta. Mirëpo duke qenë se lëvizshmëria urbane është komplekse dhe përfshin edhe problematikat e lëvizjes me makina, në veçanti menaxhimin e parkingjeve, Bashkia Shkodër është duke hartuar Planin e menaxhimit të parkingjeve.

Qendra e Shkodrës është e zhvilluar në një zonë me rreze 500 metra, ndërsa i gjithë qyteti i Shkodrës është zhvilluar në një rreze prej 1.5 km. Bazuar në llogaritjet e bëra nga ekspertë të fushës, shpejtësia e ecjes është rreth 5 km/h dhe shpejtësia e biçikletës është 12-15 km/h, koha e ecjes është nga 6-18 minuta dhe koha e ecjes me biçikletë nga 2,5-7,5 minuta në rast.

Sa më sipër, ju informojmë se ka rrugë funksionale për biçikleta. Rrjeti ekzistues i korsisë së biçikletave është rreth 23 km. Ky rrjet përbehet nga rrjeti i brendshëm dhe ai i jashtëm. Rrjeti i brendshëm përbëhet nga akset e mëposhtme:

  • Ura e Bunës-Sheshi Xhabije-Bulevardi Zogu i Parë
  • Rruga Mehmet Pashë Plaku
  • Rruga Daut Borici
  • Unaza Lindore – Unaza Perëndimore
  • Rruga Shkodër- Shirokë

Në 5 vitet e fundit janë shtuar korsitë e biçikletave në aksin e By-Passit përgjatë liqenit të Shkodrës në një gjatësi rreth 5 km për secilin kah lëvizjeje.

Bashkia Shkodër nuk ka kryer financim direkt vetëm për korsitë e biçikletave. Në kuadër të punimeve të mirëmbajtjes dhe rikonstruksionit, të sistemit të rrugëve, pjesë e projekteve të tyre ka qenë edhe krijimi i korsive të biçikletave nëpërmjet hapjes dhe markimit me sinjalistikë të tyre. Së shpejti do të shtohet edhe korsia e biçikletave përgjatë liqenit (aksi Shirokë – Zogaj), kjo e integruar në projektin e rikonstruksionit të plotë të rrugës”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Shkodër.

E pikërisht në këtë përgjigje veçohet një pikë e rëndësishme: “Qendra e Shkodrës është e zhvilluar në një zonë me rreze 500 m”, por edhe pse Bashkia Shkodër thekson se ka shtuar korsi, pikërisht në qendrën e qytetit ku janë edhe institucionet kryesore shtetërore, ku edhe lëvizshmëria e qytetarëve është më e madhe pikërisht në këtë zonë, Bashkia e Shkodrës nuk ka vënë dorë për vendosjen e korsive të dedikuara të biçikletave.

Por edhe në disa prej rrugëve ku janë vendosur këto korsi, nga monitorimi rezulton se disa prej tyre bllokohen nga makinat, të cilët e shohin si vend parkimi.

Sakaq fluksin më të madh të pedaluesve në qendrën e qytetit ku mungojnë korsitë e dedikuara e thekson edhe një plan i lëvizjes së qëndrueshme urbane Bashkia Shkodër (2017-2025) i hartuar nga Organizata GO2.

Në lidhje me matjet e fluksit dhe strukturës së qarkullimit në qytetin e Shkodrës, rrjedh se numri i pedaluesve është mjaft i madh edhe arrin mbi 22%. Në zonat më pak atraktive përfshirja e biçikletës në strukturën e përgjithshme të qarkullimit varion nga 14%-20%, ndërsa në zonën e qendrës së qytetit arrin nga 25-35%”, thuhet në këtë plan.

Ky plan sqaron edhe një pikë tjetër, ku e rendit Shkodrën në qytetin e pestë në Europë, ku para saj ndodhen qytete europiane si: Bolzano, Munster, Copenhagen dhe Groningen.

Për dekada të tëra Shkodra njihet si qyteti i biçikletave. Sipas studimit të zhvilluar nga projekti Mobalb, lëvizja me biçikletë është 29% e lëvizshmërisë së përgjithshme në qytet, duke e renditur krahas disa qyteteve të tjera europiane që kanë përqindje të lartë të përdorimit të biçikletës për nevojat ditore dhe duke cilësuar si të parin qytet Kampion i Biçikletave në Europën Juglindore”, theksohet në këtë plan.

Mungesën e korsive të biçikletave, drejtuesi i organizatës “Eko Mendje”, Mirsad Basha e cilëson si një neglizhencë shumëvjeçare që ka ardhur edhe si pasojë e mos ngritjes së zërit nga vetë qytetarët shkodranë.

Janë politikat e ndryshme që zakonisht Bashkia është dashur me i kriju por faktikisht nuk është se janë krijuar. Nuk janë krijuar sepse ka qenë një neglizhencë shumë vjeçare për këtë problem, duke qenë se Shkodra është qyteti i biçikletave, njëkohësisht në shtëpitë shkodrane ka mbi dy biçikleta. Pra një familje mund të ketë 3-4 biçikleta, atëherë ne e kemi biçikletën të aksesueshme, e kemi kulturën e biçikletës dhe duke qenë se e kemi kulturën e biçikletave, ne nuk e kemi pasur ndonjëherë problem për lëvizshmërinë e biçikletave. Pra ne e kemi pas biçikletën në jetën e përditshme, duke e pasur të tillë, atëherë politikat e ndryshme bashkiake të qeverisjes vendore nuk është se e kanë parë si problem. Është shumë gabim kjo gjë, duke pasur përparësi në të gjitha anët, është parë neglizhenca bashkiake për të mos krijuar korsi biçikletash”, shprehet Basha për “Sinjalizo”.

Por Basha tregon se si shkak i kësaj ka pasur edhe aksidente, kjo si pasojë edhe e mospasjes së kulturës nga pedaluesit shkodranë.

Aksidentet janë shtuar sepse popullsia është rritur, duke u rritur popullsia, normalisht që rriten edhe makinat. Shkodra është një pikë kufitare, ka katër pika kufitare që është Hani i Hotit, Muriqani, pjesa e Vermoshit dhe Komani dhe duke qenë një pikë kaq e madhe kufitare dhe duke qenë një pikë turistike, lëvizshmëria në makina është shumë e madhe. Duke qenë kaq e madhe, shtohet edhe trafiku e duke qenë kështu për rrjedhojë ka pasur një shtim të aksidenteve të biçikletave ku ka pasur edhe vdekje në aksidentet e biçikletave që kanë ndodhur në qytet. Pa dashur tja vë fajin askujt, por këto janë pasojat e mos pasjeve të korsive të dedikuara të biçikletave. Pedaluesi në Shkodër nuk ka aspak kulturë të ecjes me biçikletë dhe kjo vjen si pasojë që nuk ka korsi biçikletash”, tregon drejtuesi i “Eko Mendje”.

Por edhe nga monitorimi i bërë në rrugët kryesore në qytet, ishim dëshmitar të disa rasteve të rrezikshme që krijuan pedaluesit duke bërë ndërprerje të rrugës, apo duke hyrë në kryqëzime dhe rrethrrotullime pa shikuar fare nëse ka makina.

Rrugë të rrezikshme për pedaluesit

Nga statistikat e Policisë së Shkodrës rezulton se në 5 vitet e fundit brenda qytetit të Shkodrës kanë ndodhur 14 aksidente, me 6 viktima dhe 5 persona të plagosur rëndë.

Gjatë 5 viteve kanë ndodhur 14 aksidente, ku të përfshirë janë drejtues biçiklete. Nga këto aksidente janë: 6 aksidente me pasojë vdekjen, 5 aksidente të dëmtuar rëndë dhe 3 të dëmtuar lehtë. Nga 14 aksidentet e ndodhura në 5 prej tyre me shkelje janë drejtuesit e biçikletës”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë Vendorë të Policisë së Shkodrës.

Sipas ekspertëve të Sigurisë Rrugore, korsitë e dedikuara për biçikletat janë detyrim ligjor.

Kodi Rrugor i Shqipërisë, në ligjin 8378, datë 22.07.1998, përcaktohet fare qartë se ku duhet të qarkullojnë biçikletat, ato duhet të qarkullojnë në ato vende ku raportohet dhe çdo ent, pronar i rrugës, i cili ka në pronësi rrugën duhet të krijojë pista për biçikletat. Pra që pedaluesit të mos qarkullojnë në rrugën e makinës, duhet të ketë pista të veçanta për to për të lëvizur . Kur mungojnë korsitë e biçikletave, duhet të bëjnë të mundur që të qarkullojnë sa më afër krahut të djathtë, për arsye sepse ato konsideron si mjet rrugor, si automjet, pra si mjeti rrugor, si motori, si biçikleta, si makina kanë të njëjtat rregulla në rrugë, zbatohen të gjitha rregullat”, shprehet eksperti Fisnik Zicishti.

Ekspertët: korsitë janë detyrim ligjor

Edhe pse Kodi Rrugor e thekson qartë, për ekspertin Fatmir Hasho korsitë e dedikuara për biçikleta për një qytet si Shkodra janë detyrim.

Korsitë e dedikuara për biçikleta për një qytet si Shkodra, e cila njihet edhe si qyteti i biçikletave është detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral, pasi ky qytet i ka të nevojshme këto korsi biçikletash”, shprehet eksperti Hasho për “Sinjalizo”.

Aktivistët e “Eko Mendje” duke protestuar për vendosjen e korsive të biçikletave

Por drejtuesi i “Eko Mendje”, thekson se prej shumë vitesh ka bërë protesta dhe advokime të ndryshme për këtë problem, por që kanë rënë në vesh të shurdhët.

Zgjidhja është ajo që kemi kërkuar gjithmonë, ne kemi bërë shumë advokime, protesta të ndryshme. E kemi ngritur zërin shpesh herë që të bëhen korsitë e biçikletave ose ato korsi biçikletash që janë nëpër qytet të respektohen  dhe sidomos të bllokohen nga makinat që parkohen nëpër korsitë e biçikletave. Dihet që në Shkodër nuk është se nuk ka një korsi biçikletash, mund të jetë një korsi shumë e vogël që nuk rakordon me popullsinë dhe lëvizshmërinë në qytet. Edhe ato pak korsi që kemi, janë të bllokuara prej parkimit të makinave. Pra kemi ngritur zërin që këto të lirohen, por edhe i kemi kërkuar Bashkisë së Shkodrës që të shtohen korsitë e biçikletave. Në çdo fushatë elektorale si ato për bashki apo për deputet, ne iu kemi kërkuar të dyja palëve që të bëjnë politika për korsitë e biçikletave”, këmbëngul përfaqësuesi i “Eko Mendje”. Ai shton se në rast se vazhdohet kështu, rrezikojmë edhe ta humbasim këtë kulturë apo të qenit edhe qyteti i biçikletave.