Banorëve të komunitetit Rom në Shkozë nuk iu ofrohen shërbimet e premtuara nga qendra sociale

Mira Aliu, banore e komunitetit rom në Shkozë, tregon për kushtet e vështira të jetesës së familjes së saj. Mungesa e ushqimit, papunësia dhe mospasja e gjërave më bazike për nevojat e përditshme kanë bërë që këto familje t’i drejtohen punës në të zezë dhe jo vetëm të rriturit, por edhe të miturit, të cilët kanë lënë bankat e shkollës dhe iu janë drejtuar kazanëve të plehrave. Kjo vjen si pasojë e mungesës së shërbimeve mbështetëse, që duhet të ofrohen nga qendra sociale në Shkozë, por për këtë komunitet janë inekzistente.

Për banorët vështirësi më të madhe sjell mungesa e shërbimit të mensës, punësimi, regjistrimi i fëmijëve në shkollë dhe mungesa e ndihmës mujore për familjet.

Mira është një nga banoret e shumta të këtij komuniteti, që flet për mungesën e shërbimeve nga qendra sociale. Ajo tregon se nuk përfiton gjë tjetër veç kërcënimeve nga qendra, ku ndër të tjera i thonë se, nëse del për të lypur, do të arrestohet. Edhe kur ajo kërkon një zgjidhje, nuk i jepet.

“Asgjë nuk përfitoj nga ajo qendër. Ça marr ndonjë nga ato vaktet ndonjë ditë, edhe atë s`e marr çdo ditë. Vetëm nga e hëna në të premte, dy qese për të gjithë shtëpinë. Edhe ato dy qese janë vetëm dy vakte, që s’na dalin, ne jemi 6 veta në shtëpi, por ka ditë që nuk na sjellin as qeset, se, kur shkojmë te mensa, na thonë: “Ikni, se do vijmë t’jua sjellim ne.” Dhe, kur nuk na i sjellin, shkojmë prapë te mensa dhe na thonë: “Nuk ka më ushqim për sot, mbaroi”.

Mbesën e madhe e kam me diabet dhe, sa herë kërkoj ndonjë ilaç ose pampers për fëmijët, më thonë: “Shko, puno!”, por nuk mund të punoj, jam vetë e sëmurë dhe çfarë bëj? Dal dhe lyp, por edhe për të lypur nuk më lënë, më ndjek furgoni i policisë nga mbrapa dhe na bëjnë foto. Më vjen kjo drejtoresha e qendrës me foton dhe më thotë: “Po dole më, do të arrestohesh!”.

Mira Aliu, banore e komunitetit Rom në zonën e Shkozës

Komuniteti rom në Shkozë është një nga të paktët në qytetin e Tiranës, ku ofrohen shërbime të ndryshme nga qendra sociale, përkatëse për këto komunitete. Këto shërbime ofrohen nga Bashkia e Tiranës për rritjen e mirëqenies sociale dhe integrimin më të lehtë në popullatë të këtij komuniteti. Në nëntor të vitit të kaluar, kryebashkiaku, Erion Veliaj, deklaroi se Qendra Komunitare, Shkozë iu shërben më shumë se 500 familjeve nëpërmjet shërbimeve të ndryshme. Ky shërbim ndihmon të gjithë komunitetin, si ata në banesat sociale, ashtu edhe komunitetin rom në banesat njëkatëshe.

Por, sipas informacionit të Bashkisë së Tiranës, përfitues të këtyre shërbimeve janë 434 individë, ku vetëm 171 prej tyre janë pjesë e minoritetit rom në banesat njëkatëshe. Familjet e këtij komuniteti janë në një situatë shumë të keqe ekonomike dhe shumica prej tyre, në mos të gjitha këto familje, varen shumë nga qendra sociale dhe shërbimet që ofron kjo qendër dhe për këtë arsye Bashkia e Tiranës siguron një buxhet vjetor me një shifër prej 33.4 milionë lekësh. Nëse bëjmë një llogaritje të vogël, Bashkia e Tiranës paguan 128.570 lekë në ditë për 100 familje, që janë pjesë e komunitetit ose 1.285 lekë për person për këto shërbime, edhe pse këto shërbime janë inekzistente për komunitetin.

Banesat e komunitetit Rom në zonën e Shkozës

Një nga shërbimet kryesore, që duhet të marrë ky komunitet, është shërbimi i mensës. Sipas punonjësve të qendrës sociale, shërbimi që ofrohet më shumë dhe që zë shumën më të madhe të buxhetit, është mensa, ku nga e hëna në të premte ofrohen rreth 330 vakte në ditë për të gjithë komunitetin e qendrës sociale, Shkozë. Nga këto 330 vakte, 100 janë për komunitetin rom të banesave njëkatëshe. Mbi të gjitha, 100 nga 330 vaktet, që duhet të sigurohen për qendrën sociale, ofrohen nga kompania Nelsa Sh.p.k., e cila ka fituar tenderin e bashkisë.

Në foton e mëposhtme shfaqen racionet e ofruara nga Nelsa sh.p.k., për datën 16 janar 2022, shërbimi që zë pjesën më të madhe të buxhetit të kësaj qendre. Ushqimi përbëhet nga 27 racione, 8 bukë dhe një kuti me kos të vogël, të cilat përbëjnë 100 vaktet që kjo kompani duhet të sigurojë sipas tenderit.

Racionet e siguruara nga Nelsa sh.p.k., për datën 16 janar 2022

Ushqimi, që i jepet komunitetit, vjen më së shumti nga fondacioni Firdeus, 230 racione që plotësojnë nevojat e 334 banorëve të tjerë, prandaj banorëve iu jepen 3 racione për 5 persona ose 1 racion për 2 persona. Mungesa e këtij shërbimi shprehet edhe nga banorët e komunitetit, të cilët tregojnë se sa i rëndësishëm është ky shërbim për familjet e tyre.

Engjëllushe Demiri thotë se shërbimin e mensës e merr vetëm nga e hëna në të premte, vetëm 3 racione, edhe pse janë 5 persona në familje.

“Nuk më llogarisin burrin. Më thonë që nuk është i regjistruar dhe, sa herë që kërkoj ta regjistrojnë, më thonë: “Po, do e regjistrojmë ne sot”. Vakti është i pamjaftueshëm, por të paktën është një vakt, se ne nuk kemi ç’të bëjmë. Punë filluam te tregu i ri i rrobave, por nuk blinte njeri. Është zonë e varfër këtu. Duhet të paguanim edhe taksën e bashkisë dhe nuk mund ta mbanim dot tezgën, prandaj del burri, mbledh ndonjë bidon ose ndonjë gjë tjetër”.

Të njëjtin problem me regjistrimin në qendrën komunitare ka edhe Besmira Brahimi.

“Kam vetëm një vit e martuar këtu dhe vetëm për burrin sjellin ushqim, se mua nuk më regjistrojnë. Shkoj atje te qendra, po përsëri nuk bëjnë gjë. Ne marrim vetëm nga një vakt tërë ditën dhe as pako dhe asgjë nuk na japin”.

Ushqimi i siguruar për familjen e Besmira Brahimit për datën 16 janar 2022

Në lidhje me mungesën e ushqimit për komunitetin dhe racionet e pamjaftueshme nga kompania fituese e tenderit, i drejtuam një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje nga ky institucion.

Një tjetër zhgënjim për ta është mungesa e pakove ushqimore, një shërbim i premtuar nga Bashkia e Tiranës, por që, sipas banorëve, pako ofrohen nga bashkia dhe nga organizata të ndryshme në raste festash apo nevojash të ndryshme për komunitetin, por qendra nuk i shpërndan që t’i kenë për gjendje emergjence.

Sipas bashkisë, në Qendrën Komunitare, Shkozë dërgohen 5 pako ushqimore çdo muaj ose 60 pako në vit, por banorët shprehen ndryshe. Banorët thonë se nuk kanë marrë as edhe një pako për festat, vetëm banorët pranë banesave sociale kanë marrë pako.

Leonora Ismaili, njëra prej banoreve të komunitetit, thotë: “Nuk morëm pako, por, edhe kur i marrim, kemi frikë, makaronat i sjellin të skaduara. Nuk dua shumë ushqim, aq sa dua pampers për fëmijët ose ndonjë ilaç. I shkoj drejtoreshës në zyrë dhe më thotë: “Nuk kemi”, por i ka kutitë mbrapa plot”.

Për ta konfirmuar këtë, ne trokitëm në zyrën e drejtoreshës, por ajo nuk ishte e pranishme dhe, pasi folëm me stafin, na thanë se ata vetë, si qendër, nuk ofrojnë pako ndihmash, por shpërndajnë pako të dhuruara nga organizata të ndryshme, si SHKEJ, Plan & Go dhe ARSIS. Të pyetur për pakot, që bashkia deklaron se i dorëzohen qendrës çdo muaj, stafi i qendrës nuk kishte përgjigje.

Një nga shërbimet më të rëndësishme, që duhet të ofrojë kjo qendër, është regjistrimi i fëmijëve në shkolla dhe në institucionet arsimore, si dhe mbështetja arsimore pas shkollës. Provat kanë vërtetuar se edukimi i fëmijëve romë është çelësi për prishjen e ciklit të përjashtimit nga shoqëria dhe sigurimin e mundësisë për t’u zhvilluar dhe për të përparuar në jetë në mënyrë efektive.

Sipas një vëzhgimi në komunitet, vetëm 4 nga 46 fëmijë frekuentojnë shkollën vazhdimisht, shumica e tyre nuk janë në shkollë, por në rrugë. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë për shkak të diskriminimit dhe vështirësive ekonomike, ata janë të detyruar të dalin në rrugë për të siguruar një vakt më shumë për ta dhe prindërit e tyre.

Esmeralda Aliu shprehet se, edhe pse vajza e saj kishte mbaruar parashkollorin dhe ajo i bëri gati të gjitha dokumentet për regjistrimin e saj në shkollë, qendra nuk ia regjistroi të bijën.

Nuk më shpjeguan shumë. Më thanë në fillim: “Sill dokumentet” dhe ua çova dhe, kur erdhën dhe sollën librat për klasat e para, nuk sollën për Eraton, vajzën time. I pyeta se ku janë librat për gocën, më thanë: “Nuk është regjistruar në shkollë, vitin tjetër tani”. Unë jam e ve dhe më duhet të dal të lyp. Burri më vdiq, se e zuri korrenti në tela, fëmijët nuk i lë dot vetëm, por, kur i marr për të lypur, kam frikë se do m`i marrin dhe do m`i çojnë në jetimore, unë vetëm këta kam”.

Vetëpunësimi i fëmijëve në të zezë ka bërë që shërbimet sociale të largojnë disa fëmijë nga familjet e tyre drejt një shtëpie fëmijësh për shkak të neglizhencës së prindërve.

R.XH., nënë e 5 fëmijëve, tregon se si djalin, Arbrin, e kanë marrë shërbimet sociale, sepse ai detyrohej të kërkonte nëpër kazanë për të shitur bidonë.

“Fëmijët dalin për të punuar, shesin bidonë, kanoçe ose lypin, ku të gjejnë, sa të kenë mundësinë. Më morën Arbrin, një nga djemtë e mëdhenj, ata të sociales. Ka nja 3 muaj, por duan të marrin edhe Marselin, djalin e vogël, se është fotografuar nja dy herë në rrugë nga policia. S`kam ça të bëj, burri s`më punon. Unë ça marr, kur lyp… Me ça t`i çoj në shkollë? S`kam me ça. Të paktën fëmijët në rrugë punojnë, marrin ndonjë lek, hanë ndonjë gjë”.

Një nga fëmijët e komunitetit rom në Shkozë në një ditë jave gjatë orarit të shkollës

Shumica e këtyre familjeve e sigurojnë mbijetesën nëpërmjet vetëpunësimit informal – një aktivitet i pamundur gjatë kësaj periudhe për shkak të masave të marra nga Bashkia e Tiranës për këto aktivitete, që sipas aktivistëve të organizatës Shtëpi Shprese (organizatë e krishterë, e fokusuar vetëm në ndihmë të këtij komuniteti), kjo nismë i ka lënë banorët e këtij komuniteti pa asnjë të ardhur.

Alison Kemp, drejtoreshë e organizatës Shtëpi Shprese, ka treguar se për komunitetin rom në Shkozë është bërë shumë e vështirë për të siguruar të ardhurat.

“Ata zakonisht merren me punë të zeza, si mbledhje metalesh, bidonësh ose lypin, por muajt e fundit nuk i kanë lejuar, as të lypin, as të mbledhin bidonë, duke iu marrë mjetet, me të cilat punojnë ose edhe duke i ndjekur nga pas, me kërcënimin se do të arrestohen. Jam dakord në një pikë, që nuk duhet t`i bëjnë këto punë në të zezë, por, në momentin që nuk gjenden punë ose nuk i mbështesin me ndihma ekonomike, është e vështirë edhe për ta. Organizata jonë mundohet t`i ndihmojë me projektin e parashkollorëve, me projekte të ndryshme për burrat ose gratë, por jemi një organizatë e vogël, lokale dhe nuk mund të bëjmë shumë për ta”.

Komunitetet rome dhe egjiptiane janë ndër grupet më të varfra, më të margjinalizuara dhe të përjashtuara nga shoqëria në Shqipëri. Sipas UNDP-së, studimet tregojnë se niveli i varfërisë në komunitetet rome është dy herë më i lartë sesa pjesa më e madhe e popullsisë në vend. Nivelet e ulëta të arritjeve arsimore, nivelet e larta të papunësisë, të ardhurat e ulëta, mujore, kushtet ekstreme të jetesës dhe barrierat direkte dhe indirekte në aksesin e shërbimeve publike janë tregues që mbizotërojnë mes shumicës së romëve dhe egjiptianëve. Për këto arsye këto shërbime janë shumë të rëndësishme për këtë komunitet, për ta bërë sa më të lehtë integrimin e këtij minoriteti në shoqëri.