Bashkitë, Federata e Futbollit dhe artistët “të përkëdhelurit” e policisë. Dhjetëra festa e grumbullime të organizuara në një vit, asnjë gjobë e vetme ndaj organizatorëve që shkelën masat e covidit

Është 12 Tetor. Në pragun e një lokali shumë pranë “Air Albania”, Eltoni, një 19-vjeçar që punon në një nga baret e shumta aty, ndjek me sy qindra tifozë shqiptarë që po hyjnë në stadium. Eltoni duhet tu shërbente klientëve, por lokali është bosh. Biseda që zhvillohet midis tij dhe administratorit është një lutje e thënë në mënyra të ndryshme. “Inshalla spo na mbyllin, se pastaj çdo bëjmë”, thotë administratori që po ashtu vështron fluksin e njerëzve. Mbasi pret një copë herë ai përgjigjet “Nuk ma merr mendja, ndryshe nuk do të kishin lënë gjithë këta tifozë në stadium. Sdo kishte kuptim të na mbyllnin ne.”

Midis tifozëve që pa asnjë perimetër distance qëndruan në radhë për të hyrë në stadium ishte edhe Klajdi Sadushi, 24 vjeç. “Biletën e bleva 10 mijë lekë, ishim grup shoqëror që shkuam ta shihnim ndeshjen”, thotë i riu i cili përmend se priti në radhë me dhjetëra të tjerë përmbi një orë. Ai thotë se askush nuk i kërkoi dhe as e detyroi që të mbante maskë ose që provonin se ishin negativë. “Policë kishte te dera, kontrolluan biletën dhe na bënë edhe një kontroll fizik se mos kishim sende të forta, po asnjë nuk na kërkoi të mbanim maska, pastaj veç maska nuk mund të gjeje në stadium gjatë asaj ndeshjeje”, thotë i riu të cilin kur e pyetëm nëse kishte patur frikë se mos merrte covid në stadium u shpreh: “Me thënë të drejtën as më vajti mendja fare te covidi, ishte gjithë ajo atmosferë aty që as nuk të shkonte mendja se covidi ekzistonte”.

Eksperiencë të ngjashme si Klajdi pati edhe Ana, një 29 vjeçare dhe tifoze e zjarrtë e Kombëtares Shqiptare të futbollit. Ajo kujton me detaje momentin e hyrjes në stadium. “Hyrja në stadium paraprihej nga një rrethim policor për të kryer kontrollet paraprake. Kur them kontrolle paraprake i referohem mjeteve të ndaluara brenda stadiumit, por në asnjë moment nuk u kërkua nga efektivët që maska të vendosej me detyrim. Përpara portave përkatese prisnin me dhjetëra futbolldashës, pa ndonjë distancë apo kujdes të shtuar për faktin se ndeshja u zhvillua në një situatë Covidi”, shprehet 29 vjeçarja e cila kur pyetet nëse ka patur frikë nga një infektim i mundshëm, shprehet se ishte një mendim që e përshkroi disa herë. “Unë e kam kaluar Covidin në shkurt të këtij viti. Por sigurisht nuk mund të pretendoje që në mes të turmës të mos kishe të paktën persona dhe kontakt me dikë të infektuar apo që tifozët të brohorasin me maska dhe në distancë”.

Asnjë protokoll nuk zbatohet, 22 mijë tifozë në një stadium

Së bashku me Klajdin dhe Anën, atë ditë në stadium u bënë bashkë 22 mijë persona. Për ndeshjen e cila u zhvillua në kushtet e pandemisë së Covid-19, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore ju drejtua edhe zyrës se medias së Federatës Shqiptare të Futbollit për të marrë një prononcim nëse ka patur një leje për mbushjen e stadiumit me kapacitet të plotë apo jo. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zyrtarisht për ACQJ-në se në kohën e zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Poloni kanë qenë në fuqi kufizimet për zhvillimin e aktiviteteve sportive me 30% të kapacitetit për tifozët. Por ndonëse me këto rregulla në fuqi, stadiumi u mbush me 100 përqind të kapacitetit. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit konfirmon, se për zhvillimin e ndeshjes së kombëtares është dhënë leje por vetëm me 30% të kapacitetit stadiumit. Se përse nuk u zbatua protokolli në këtë rast, por dhe përballë fakteve ku aktivitete të tilla me grumbullime pa masa kufizuese kthehen në vatra infeksioni, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk jep përgjigje. Asnjë karrige në “Air Albania” nuk rezultoi të ishte bosh në këtë ndeshje, ku fitimet e Federatës Shqiptare të Futbollit kapën një shumë rreth 500 milionë lekë të vjetra.

Në rastin e ndeshjes me 22 mijë tifozë në stadium, ndonëse leja e policisë u shkel pa hezitim dhe në kushte flagrante, burime pranë Policisë bëjnë me dije se nuk ka asnjë hetim ose asnjë veprim nga ana e Policisë së Rendit në lidhje me këtë ngjarje. Por këtu ngrihen hije dyshimi sepse nëse Policia e Shtetit do të kërkonte zbatimin rigoroz të lejes së dhënë, mjaftonte të shikonte vetëm numrin e biletave të shitura që disa ditë para startimit të sfidës dhe do të kishte mundësinë të merrte masa.  Aq më tepër kur vetëm pak orë para fillimit të kësaj ndeshjeje, kreu i FSHF do të deklaronte që biletat janë shitur 100%. Ndërkohë në një komunikim me drejtorin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Muhamet Rrumbullaku, na konfirmoi se SHÇBA nuk ka nisur asnjë proces qoftë edhe verifikues nëse ka patur shkelje nga Policia e Shtetit në garantimin e zbatimit të masave anti-covid në fuqi.

Edhe Bashkitë shkelën urdhërin e ndalimit të grumbullimeve

Nga kërkimet e Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, në fletoren zyrtare ka ndodhur një ndryshimi i udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e grumbullimeve. Sipas këtij ndryshimi, ndalimi i grumbullimeve ishte i ndaluar deri më datën 4.10.2021. Por edhe pse ky urdhër ishte në fuqi, kjo nuk ndaloi bashkitë në të gjithë vendin që të organizonin grumbullime masive. Në Bashkinë e Himarës, festat dhe grumbullimet nuk kanë munguar. Në këtë qytet janë zhvilluar festa duke nisur nga ritet fetare dhe duke vijuar me organizime si “The element Festival”, “Southoutdoor festival” dhe “Turtle fest”, që kanë mbledhur me mijëra njerëz. Për këto festa Bashkia e Himarës na bën me dije zyrtarisht se: “Të gjitha aktivitetet janë zhvilluar duke respektuar protokollet anti-covid. Një pjesë e aktiviteteteve që janë lokale parashikohen paraprakisht nga bashkia dhe më pas miratohen nga Këshilli Bashkiak, ndërsa një pjesë tjetër janë organizime të jashtme dhe bashkia është mbështetëse”. Por nëse rregullat anti-covid do të ishin respektuar ashtu si pretendon Bashkia Himarë, këto festa as nuk duhet të ishin lejuar të organizoheshin dhe jo më të mbështeteshin zyrtarisht.

Një nga festat e zhvilluara në Bashkinë e Himarës

Nga ana tjetër, as Bashkia Tiranë nuk ngelet pas në organizimin e aktiviteteve kulturore, kur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë i ndaluar grumbullimi për më shumë se 50 personave si në mjedise të hapura ashtu edhe në mjedise të mbyllura.  Më 26 shtator, bashkia e Tiranës lejoi një festival në amfiteatrin e parkut të liqenit, ndërsa më 14 shtator, në Koncertin e Ermal Metës i organizuar në stadiumin “Air Albania” edhe pse bashkia ishte munduar të respektonte rregullat e distancimit social, dështoi. Kjo solli sërish në mënyrë të përsëritur shkeljen e masave kufizuese në fuqi. Por edhe në këtë rast gjobat munguan e njëherazi edhe masat e tjera administrative.

Koncerte të organizuara nga Bashkia Tiranë në Amfiteatrin e Liqenit

E pyetur zyrtarisht bashkia Tiranë, shprehet se nuk ka organizuar koncerte ose aktivitete të tjera me pjesmarrje të më shumë se 50 personave.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë urdhëra të njëpasnjëshëm për parandalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura ku përcaktohet se: Ndalohet grumbullimi me më shumë se 50 persona në vende të hapura… Në zbatim të këtyre urdhërave Bashkia Tiranë nuk ka lëshuar asnjë leje për zhvillimin e aktivitetit kulturor, sportive etj”, kjo është vetëm një pjesë e përgjigjes së bashkisë Tiranë, por ajo çfarë ka ndodhur në terren është krejt tjetër. ACQJ i kërkoi për më shumë se dy muaj Bashkisë Tiranë ti vendoste në dispozicion të gjitha lejet që ky institucion kishte dhënë për aktivitetet të ndryshme artistike, kulturore dhe sportive të realizuara prej 1 Janarit deri më 1 Shtator. Por këto dokumenta nuk u arritën të merreshin.

Çfarë thonë ekspertët?

Nga ana epidemiologjike, ekspertët e fushës shprehen se praktika ka treguar se toleranca është rritur. Epidemiologu klinik, Ilir Alimehmeti flet me raste konkrete se si ndikojnë grumbullimet në rritjen ose uljen e infektimeve.

“Nga ana epidemiologjike, ne shohim që në 13 shtator u hapën shkollat dhe nëse ke vënë re, deri në mes të tetorit ne kemi pasur rënie të vazhdueshme të numrave, që do të thotë imuniteti kolektiv ka qenë mjaftueshëm saqë ne mos të kishim problem hapjen e shkollave, por edhe më tej, pasi gjimnazet psh kanë grumbullime më të mëdha dhe kjo nuk u shoqërua me rritje shifrash në rang kombëtar por në ulje. Që do të thotë, se ne kemi tolerancë si popullatë që ti mbajmë shkollat hapur”, shprehet ai, duke dhënë edhe raste, ku imuniteti i përfituar i popullatës mposhtet për shkak të shifrave, “Në 12 tetor bëmë ndeshjen “Shqipëri-Poloni” me 22 mijë veta, dhe nëse e ke vë re, jo vetëm që ulja e shifrave u ndal në vend por filloi rritja  dhe dy javë më pas në 27 tetor  është maja e rritjes dhe më pas fillon edhe njëherë e zbret për herë të dytë, dhe nuk më kujtohet fiks data kur ka qenë ndeshja “Tirana- Partizani”, sërish me dhjetëra mijëra të pranishëm dhe direkt dy javë mbrapa patëm një rritje me një rënie, aktualisht jemi në rënie se kaluan më shumë se dy javë nga ai moment”, shprehet epidemiologu Alimehmeti.

“Unë do të thosha 50 qartësisht nuk bën më sens, sepse unë sapo dola nga një leksion ku kisha 150 vet, leksion zyrtar, universitar që do të thotë se ne nuk kemi raste, vatra, sepse kjo është e rëndësishme. Duket që problemi vjen nga grumbullime më të mëdha se këto, pra të rendit mijëra ose dhjetra mijëra. Ku është fiks toleranca nuk mund ta themi dot pasi nuk kemi studime të dinamikës në Shqipëri, por që ky numër rritet sepse ke më shumë njerëz që e kanë kaluar, që janë vaksinuar për këtë nuk ka dyshim”, përfundon epidemiologu.

Në lidhje me grumbullimet që janë zhvilluar, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kërkoi me këmbëngulje që të kishte një prononcim edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë edhe pse një nga titullarët e kësaj ministrie u dakordësua për të zhvilluar një intervistë në parim, zyra e medias e kësaj ministrie nuk ju përgjigj kërkesës së ACQJ deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Policia përballë institucioneve shkel ligjin me mos-veprim, përballë qytetarit vazhdon me dorë të hekurt

E tashmë që jemi duke iu afruar 2 viteve pandemi në Shqipëri, ku i gjithë besimi për ruajtjen e rregullave dhe forcimin e tyre në komunitet ju besua në pjesën më të madhe Policisë së Shtetit, duket se kjo e fundit, kur bëhet fjalë për të ndëshkuar institucionet publike që shkelin rregullat, jo vetëm që i mungon vullneti, por ka edhe një mungesë force.

“Subjektet dhe individët, publikë apo privatë, të cilët, në kundërshtim me urdhrat e autoriteteve kompetente, lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale, kulturore, ekskursionet mësimore të organizuara nga institucionet arsimore, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore”. Kjo është pika 8, e nenit 3 të aktit normativ numër 3, datë 15.3.2020. Por Policia e Shtetit e ka harruar këtë pikë të këtij akti normativ, kur vjen fjala tek zbatimi ndaj institucioneve publike. E pyetur zyrtarisht nëse ka marrë masa ndaj subjekteve publike në zbatim të aktit normativ numër 3, si dhe ndaj urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e grumbullimeve prej 1 Janarit deri më 1 Shtator 2021, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thotë se: “ndaj institucioneve shtetërore, gjatë periudhës janar-shtator 2021, nuk janë vendosur masa administrative anticovid, nga Policia e Shtetit”. Ndërkohë që në lidhje me grumbullimet që nuk lejohen, Policia ka gjobitur 9 përfaqësues të subjekteve politike.

Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, shprehet se në misionin e saj Policia e Shtetit nuk ka të drejtë të bëjë diferencime dhe të zbatojë ligjin në mënyrë selektive. “Nëqoftëse parashikohen në aktin normative, përdorimi i gjobave për institucionet që shkelin ligjin, duhet parë praktikisht nëse ka patur nga policia diferencime. Policia në asnjë rast nuk ka të drejtë të bëjë diferencime dhe të zbatojë ligjin në mënyrë selektive”, thotë ai, duke shtuar se: “Nuk përjashtohen dhe rastet e ndërhyrjeve nga lart për mosndëshkim të institucioneve, ku gazetaria investigative duhet ti denoncojë sa herë që i konstaton në institucionet përkatëse”.

Veç denoncimeve mediatike edhe Shoqëria Civile ngre akuza ndaj zbatimit të ligjit me dy standarte. Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, thotë se që në daljen e aktit normativ për sa i përket ndalimit të grumbullimeve, kanë ngritur zërin pasi ishte një akt, i cili kufizonte disa liri kushtetuese, por edhe po zbatohej me dy standarte.

Nga një anë ndalohej e drejta e protestës, nga ana tjeter lejoheshin mitingje partish gjatë fushatës elektorale. Këtë zbatim me dy standarte, ne e adresuam te Avokati i Popullit, te Komiteti Teknik i Ekspertëve të cilët u shprehen se protestat ndalohen sepse aty njerëzit bërtasin dhe ka më shumë sterkla që çon në përhapjen më shumë të covidit”, thotë ai duke shtuar se pas hapjes së shkollave gjithçka ndryshoi dhe se nuk pati ndonjë masë as ndaj universiteteve dhe as ndaj institucioneve dhe bashkive të cilat kanë organizuar festa, koncerte, si psh. festa e lakrorit, festa e birrës, e verës, të cilat kanë grumbulluar qytetarë, ndërkohë që ka patur disa individë të cilët morën iniciativën për të organizuar njerëz, u gjobitën me 50 milionë.

Rigelsi thotë se: “Policia e Shtetit dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve kanë zbatuar mekanizmin e ndërgjegjësimit, Informimit dhe shpesh herë thonë që nuk është mirë, por asnjëherë nuk kanë marrë masa administrative. Kjo sigurisht që lë për të dëshiruar. Është një zbatim ligji i çalë, i mangët, me dy standarte dhe kur bien në kurrizin e qytetarëve nuk u dhimbset gjoba, ku bien në kurrizin e vet zyrtarëve të partisë gjoba kursehet”. E mbi kurrizin e qytetarëve, dora e hekurt e ligjit nuk ka qenë e lehtë. Prej 1 Janarit deri më 1 Shtator 2021, plot 212 gjoba janë vendosur ndaj bareve, restoranteve, fast-food-eve dhe lokaleve, pasi nuk kanë zbatuar urdhërin e dhënë për kufizim të aktiviteteve.  Ndërsa 90 gjoba ju janë vendosur klubeve të natës, diskove, lounge bar-eve pasi nuk ka zbatuar detyrimin për mbylljen e tyre.  Për mosrespektim të orës së ndalimit të muzikës, 67 mjedise shërbimesh janë gjobitur brenda 8 muajsh.

Ndërsa në gjobat ndaj qytetarëve për mosrespektim të rregullave anti-covid, dora e shtetit ka qenë edhe më e rëndë. Vetëm për lëvizje jashtë orës pas hyrjes në fuqi të orës policore janë gjobitur 1371 qytetarë, ndërsa për mospërdorimin e mbajtjes së maskës janë ndaj qytetarëve vetëm në 8 muaj plot 62.648 gjoba.