[authorInfo]

Covidi, shpërthen tregu i zi i ilaçeve

“Kam blerë ilaçe që duhet të mi siguronte spitali. Disa medikamente janë blerë me çmime shumë të larta, si përshembull RIBAVIRIN 200 mg , që e kam siguruar për 160 euro në një farmaci në Tiranë. Një kuti kishte 40 tableta”.

Kështu e nis denoncimin e tij një qytetar, që i shkroi Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore. Denoncimi u shkrua në numrin e whatsapit të SINJALIZO!, 0688563686 që është vendosur në dispozicion të qytetarëve si një nga rrugët ku ata mund të tregojnë në anonimitet abuzime dhe shkelje në fusha të ndryshme. Por a është ky një rast i izoluar? Apo ndërkohë gjatë pandemisë sars-cov-19, dhjetra qytetarë të infektuar nga virusi, nuk mundën të garantojnë mjekimin e duhur me medikamente spitalore dhe nën “këshillimin” virtual të mjekëve ata siguruan ilaçe privatisht?  Edhe pse sakaq këto medikamente të konsideruara të forta, duhet të shpërndaheshin vetëm nën tutelën e mjekëve dhe vetëm në spital.

Dy fatura kundër covid-it

Nga një vëzhgim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, u konfirmua se shumë farmaci në Tiranë nën udhëzimet e mjekëve ofrojnë ilaçe të tilla që jepen vetëm për përdorim spitalor. Lulëzimi i një tregu të tillë shpërtheu posaçërisht përgjatë këtyre muajve nën efektet e pandemisë. “Mjeku i familjes më sugjeroi emrat e ilaçeve me whats aap dhe madje edhe numrin e tyre se sa duhet të pija në ditë. Në fund shkruhej emri i vendit dhe adresa ku duhet ti blija. Pas kësaj kure ku mjeku u kujdes që unë vetëm të fitoja betejën me covid-in, nga intesiteti i ilaçeve të forta që i mora sikur të ishin çajra bimorë, kam efekte të tjera anësore që më kanë dëmtuar rëndë shëndetin” shkruan një tjetër qytetare në platformën e SINJALIZO.

Dhe këto medikamente që duhet të përdoren nën survejimin spitalor, nuk është e vështirë ti gjesh nën bekimin e mjekut që të sugjeron edhe adresën ku kryhet blerja. Mes barnave të cilat mund ti gjesh në farmaci edhe pse me pak vështirësi janë edhe “Tocilizumab 400 mg/20 ml”, “Propofol 10 mg/ml- 50 ml flakon”, si dhe “Beclomethasore + Salbutamol 80 mcg + 1600 mcg, flakon”.

Por çfarë janë ilaçet e mësipërme? Shpjegimin e jep farmacistja E. Z sipas të cilës medikamentet e sipërcituara janë për përdorim spitalor.

“Propofol 10 mg dhe 50 ml gramë flakon është anti aritmik, përdoret tek kurat anti-covid, është flakon që injektohet në spital. Padiskutim që e gjen fshehtas në disa farmaci. Edhe Beclomethasore + Salbutamol 80 mcg + 1600 mcg, është flakon spitalor, nuk shitet ligjërisht në farmaci. Rivibarin, nuk lejohet të shitet nëpër farmaci, por në treg të hapur tani gjatë covid-it e gjen  nën dorë , është antiviral dhe e gjen dorazi. Por zakonisht nuk shitet në farmaci”

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë listën e medikamenteve të vendosur në dispozicion të spitaleve COVID-19 .Të gjashtë ilaçet që shkruhen në përgjigjjen e ministrisë së linjës, gjenden edhe në farmaci, në një treg që sigurohet nën bekimin e mjekëve që është deri diku si garancia dhe kushti që pacienti nuk duhet ta tradhëtojë. Çmimet e tyre të blera në rrugë shtetërore variojnë nga 107 lekë për njësi deri 545 lekë për njësi. “Në tregun e zi” ky çmimi ofrohet i shumë fishuar.  Konkretisht ministria i liston ACQJ, medikamentet dhe vlerën e tyre.

  1. ‘Blerje bari antineoplastik immunomodulator. Tocilizuma 400 mg/ 20ml, 400 copë ,me çmim për njësi 62,641 lekë pa TVSH.
  2. “Ribavirin 200 mg tabletë/kapsul- 100 copë; 10,700.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 107 lekë pa TVSH
  3. “Oseltamivir (tamiflu) tabletë”- 6000 copë; 885,000.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 147.5  lekë pa TVSH
  4. “Omperazol 40 mg/cial flakon”- 20350 copë; 9,666,250.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 475 lekë pa TVSH
  5. “Propofol 10 mg/ml- 50 ml flakon”- 660 copë; 359,766.00 lekë pa TVSH, me çmimin për njësi 545.1 lekë pa TVSH.
  6.  Beclomethasore + Salbutamol 80 mcg + 1600 mcg, flakon- 10000 copë, 513,000.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 51.3 lekë pa TVSH.

Larg mureve të qendrave spitalore shtetërore, një realitet tjetër me kosto të lartë financiare për qytetarët këshillohet nga mjeku tek pacienti. Qytetarët e infektuar, të prirur për tu kuruar e për tu negativizuar nxitojnë drejt farmacive në të zezë, në vitrinat e të cilave ofrohen barna të lehta dhe poshtë sirtarëve , mjekim për pacientët e “sigurtë”. 

‘ Është si një zinxhir që nuk i shmangesh dot. Në fund të fundit nuk më intereson se çfarë quhet treg i zi dhe cila është normalja. Sapo mjeku më udhëzoi për medikamentet, nuk u mendova dy herë. I bleva me çdo çmim”

Por “Ribavirin 200 mg” i blerë për shërbim spitalor me çmimin total prej 107 lekë për kokërr, në farmaci shitet pesëfish më shumë dhe përkatësisht 4 euro për kokërr apo 160 euro për kuti, brenda të cilës numërohen 40 kokrra .

Medikamentin tjetër spitalor “Omeprazol 40 mg/flakon”, i blerë nga Ministria e Shëndetësisë për 475 lekë pa tvsh për njësi (për flakon) , në tregun e zi , në disa farmaci në Tiranë e gjen 620 lekë për flakon. 

Mes barnave të cilat mund t’i gjesh në farmaci edhe pse me pak vështirësi janë edhe “Tocilizumab 400 mg/20 ml”, “Propofol 10 mg/ml- 50 ml flakon”, si dhe “Beclomethasore + Salbutamol 80 mcg + 1600 mcg, flakon”.

Vlerat e tyre monetare ndryshojnë ndjeshëm nga çmimi në spitalet covid. Por kur ofrimi i ilaçeve spitalore sigurohet edhe në tregun e zi dhe kur orientimi i pacientëve drejt kësaj zgjidhjeje ndikoi në kontrabandimin e ilaçeve, së paku jo zyrtarisht për prokurorinë nuk ka ende një rast që do ta bindte për nisjen e hetimeve. 

Situata rëndohet edhe më tepër jo vetëm për faktin që disa prej këtyre ilaçeve kushtojnë shtrenjtë, por edhe për faktin se janë medikamente që mund të ofrohen vetëm në qendra spitalore. Një kusht i tillë nuk urdhërohet i nxitur nga konkurrenca e çmimeve, por nga efektet që përdorimi i tyre sjell në shëndetin e qytetarëve dhe që nuk mund të jenë si çdo medikament tjetër ambulator. Një ndër to është “Propofol 40mg/cial flakon” si dhe Beclomethasore + Salbutamol 80 mcg+ 1600 mcg flakon”.

Pasi ja treguam receta një farmacisteje ku shkruhej dhe emri i medikamentit të sipërpërmendur, për pacientin që ndërkohë kurohet në shtëpi, ajo pyeti:

“Këtë flakon që bëhet venoze? E ke në spital ti personin aktualisht? Unë aktualisht nuk kam, asnjë nga këto që ke ti këtu, përvec kësaj tamiflus, të tjerat asnjë nuk kam. Dua të më japësh pak kohë që ti gjej”

Të tjerë farmacistë shprehen të rezervuar. Sipas disave, disa nga këto ilace janë shumë të vështira për tu gjetur pasi janë medikamente të destinuar për përdorim spitalor. “Por nuk është e pamundur” garanton Elsa.

“Këto lloj barnash janë të vështira për tu gjetur, përgjithësisht janë barna të cilat i nxjerrin nga spitalet, zakonisht vijnë nga Greqia, Italia dheTurqia. Ose qarkullojnë duke i sjellë nën dorë nga Turqia se nga Greqia dhe Italia është e vështirë për ti nxjerrë. Mund të porosisësh nëse ke njeri në Turqi, merren nga spitali, se në farmaci nuk i gjen as atje. Unë vet nuk kam qejf të merrem me keto se as nuk lejohen të tregëtohen”, thotë punonjësja e farmacisë së radhës që shton se nëse është urgjente do të na ndihmojë për t’i gjetur. Edhe ajo siç ndodh në tregun e zi, bazuar mbi besimin na dërgon në një farmaci që i ofron nën dorë këto medikamente. 

Presidentja e Urdhërit të Farmacistit, Diana Toma përmend për ACQJ se këto medikamente hyjnë  në tregun faraceutik nëpërmjet një furnizimi i cili nuk ka kaluar fare nëpërmjet hallkave ligjore. Pavarësisht termave të kujdesshëm të numrit një të farmacistëve, ky mekanizëm quhet më shkurt , kontrabandë. 

“Në çdo lloj situate egziston mundësia që njerëz të caktuar të sjellin në treg dhe ti bëjnë prezente jo vetëm barna por artikuj nga më të ndryshme të cilat janë mungesë në tregun shqiptar, por janë kërkesë e shtuar. Ky fenomen ekziston pasi nuk është mbyllur një qark i caktuar, i cili ka të bëjë drejtpërdrejtë me furnizimin me barna në Shqipëri. Shteti të gjej format dhe llogjikat që të plotësojë çdo gjë që kërkon qytetari shqiptar dhe duhet të jetë më urgjente kur bëhet fjalë për barna” nis shpjegimin e saj Znj.Toma.

Për kryefarmacisten, shteti duhet të kishte ndërhyrë për të siguruar këto barna, përsa kohë kërkesat janë në rritje.

Duke ju referuar edhe vlerave që kanë këto barna dhe duke pasur parasysh edhe mënyrën që administrohen këto lloj barnash, duke qëne se kërkesa për këto ilaçe është shtrirë edhe jashtë spitalit, duhet futur me urgjencë mundësimi i këtyre preparateve me një suport nga shteti. Pasi vërtet tregu farmaceutik është me furnizues privat, i cili ndoshta nuk ka interes të fusë këto ilaçe, por shteti duhet të nderhynte qoftë edhe nëse vetë shteti do nxiste por dhe do siguronte aktor të ndryshëm në sistemin farmaceutik të cilët bëjnë importin e barnave lidhur me gjetjen e mundësive për t’u furnizuar dhe për ti bërë prezent në tregun shqiptar”. 

Znj. Toma është e drejtpërdrejtë me sjelljen e shembujve që konfirmojnë shpërndarjen e ilaçeve spitalore ndryshe kushteve strikte për përdorimin e tyre.

“Disa barna të cilat janë përdrorur në kushte spitalore janë gjetur në farmaci dhe kanë pasur një pullë çmimi. Kur e sheh nga jashtë, llogjika të çon se kur ka një pullë çmimi ky bar është për tregun e hapur pasi ato që janë për përdorim spitalor kanë një pullë të veçantë. Mua më kanë sjellë mostra të  barnave të cilat nuk kanë pasur pullën për përdorim spitalor, por kanë patur thjesht pullën e çmimit që tregon se destinacioni ka qenë për tregun e hapur. Edhe këto barna kanë qenë në mungesë”. 

Sa kushton kura në kushte shtëpie?

Ne jemi mësuar tashmë me panoramën e qytetarëve që presin të fusin në spitalet covid veshje dhe ushqime . Një realitet tjetër është për ata pacientë që luftojnë me infeksionin brenda mureve të banesës. Kurimi i tyre në kushte shtëpie, nuk është edhe aq i tillë, përderisa secili prej tyre i bindet me përpikmëri recetës ku shkruhen ilaçet që duhen blerë e që duhen pirë.

Tea, një 28 vjeçare nga Tirana, ndoshta është ndër të paktat shqiptare që ka bërë tamponin e Covid-19 disa herë për shkak të infektimit të të afërmeve të saj si dhe vetes më vonë.

I pari që u sëmur ishte vëllai, kishte një ditë temperaturë dhe ditën e dytë shkuam në privat bëmë tamponin e doli pozitiv. Tamponin nga shteti na morën në telefon javën e dytë, kur vëllai ishte drejt shërimit. Ndërkohë mamit as nuk i bëmë tampon fare, po e çuam menjeherë për skaner dhe trajtimi filloi që ditën e parë me të gjithë ilaçet, antibiotik, deksametazon edhe favirën që është antiviral dhe përveç këtyre edhe një antiviral tjetër Codramol dhe mbrojtje për stomakun. Favira shkonte diku te 200 mijë lekë dhe kura ka shkuar në total rreth 20 ditë”, thotë ajo duke shtuar se ajo vet fillimisht ka marrë vetëm vitamina, por pas një jave nisi trajtim me gjilpëra.

“Nga fundi i javës së parë u përkeqësova. Shkova te pneumonogia e lagjes dhe më dha gjilpëra me antibiotik dhe Deksametazon që shkuan diku te 70 mijë lekë të vjetra. Pasi dola negative mora gjilpëra për hollimin e gjakut, i cili vazhdoi edhe 7 ditë të tjera dhe me kushtuan rreth 50 mijë lekë të vjetra”.

Por sa i kushtoi kurimi Teas dhe familjarëve të saj? 

“Mjekimi për gjithë familjen na ka kushtuar  1 milionë e 500 mijë lekë të vjetra. Për rastin e mamit që ishte pak më i komplikuar, drejtimin se ku mund ti gjenim medikamentet na e ka dhënë mjeku” tregon për ACQJ e reja nga Tirana. 

Në luftë me dhurata

Aspiratorët, të cilët u konsideruan si një ndër asetet kryesore të spitaleve në këtë “luftë” me COVID-19 u përfolën shumë gjatë muajve të parë të pandemisë si një paisje e vështirë për tu siguruar për shkak edhe të kërkesës së madhe në tregun global.  

Në 23 mars të 2020, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, do të deklaronte në një dalje publike se ishin lidhur kontratat për blerjen e 54 respiratorëve dhe vijonin procedurat për 100 të tjerë, të cilët do të mbërrinin sipas një kalendari të mirëpërcaktuar.

Por në 26 nëntor të 2020, nëpërmjet një përgjigje në rrugë zyrtare, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur, se prej nisjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë, “Janë blerë 50 pajisje mjekësore të tipit respirator dymodular, standart dhe të avancuar për reanimacion, rezonancë magnetike MRI”. Por teksa qeveria shqiptare e hapi kuletën me kursim , partnerët të ndryshëm ndërkombëtarë na shtrinë dorën me bujari. 

Zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë pranon se donacione të ndryshme tejkaluan respiratorët që shteti shqiptar mundi të blejë gjatë situatës pandemike. Në total u dhuruan  211 pajisje respiratore, në një listë ku kryeson Bashkimi Europian me 80 aparatura të falura, e më tej NATO me 60 të tilla, PNUD-i solli 31 pajisje, danezët gjithashtu dhuruan 30 aparatura respiratore dhe 10 të tjera i falën gjermanët. Duke llogaritur pajisjet e dhuruara, ato të blera gjatë këtyre muajve dhe fondin e vogël me respiratorë që gjendeshin në spitale, numri i aparaturës së nevojshme për frymëmarrje shkon në  502 , që janë të shpërndarë në spitale të ndryshëm.

Covid dhe korrupsion…

Por a ndikoi covidi në një lloj tjetër korrupsioni?  Ai i ofrimit të ndihmës ndaj pacientëve në shkëmbim të parave. Në adresën e SINJALIZO një qytetar pretendon se çdo ditë që i afërmi i tij u kurua në spitalin covid, i pagoi me dëshirë  500 lekë të reja stafit, jo vetëm për të futur rrobat por edhe për ta qetësuar me një lajm të mirë.

Megjithatë, arrestimi i Tire Alldervishit, sanitare në spitalin “Shefqet Ndroqi” i shndërruar në Covid 2, ekspozoi korrupsionin në spitalet shqiptare. Së paku kështu deklaroi prokurori gjatë masës së sigurisë kur tha se do të verifikoheshin kartelat mjekësore por autorësinë e personave që i firmosën recetat mjekësore, që më pas nxirreshin nga spitali përmes të akuzuarës. Prej disa javësh sanitarja që u shfaq si infermiere zhvati rreth 800 mijë lekë duke garantuar shërbim të dedikuar ndaj nënës së kallzueses, që në përfundim nuk e fitoi betejën me covidin. Denoncimi i vajzës të së ndjerës nuk dihet ende nëse zbuloi majën e një aisbergu, poshtë të cilit gjenden edhe mjekë, apo në të vërtetë sanitarja krejt e vetme arriti ti mashtrojë të gjithë për të përfituar nga njerëz që kishin nevojë për ndihmë.

Pikat mbi “i” shpresohet ti vendosë ekspertiza e prokurorisë, që premtoi gjatë masës së sigurisë se do ti japë përgjigje provave të tilla si receta të firmosura mjekësore, të cilat sapo merreshin nga të afërmit e gruas konvertoheshin në ilaçe që bliheshin jashtë spitalit. Por pavarësisht rezultatit hetimor të pritshëm, bisedat mes familjarëve të pacientes dhe sanitares, treguan se përtej slloganit ‘mjekësia falas’, edhe shërbimet e tjera që duhet ti garantojë spitali si ushqimi dhe ilaçet blihen nga vetë qytetarët.