Çrregullimet e shëndetit mendor, epidemia e heshtur e shqiptarëve

Shqipëria po përballet me një rritje të personave që vuajnë nga sëmundjet mendore. Në 5 vitet e fundit (2014-2018), në shërbimet e shëndetit mendor me shtretër ka pasur mbi 21 mijë shtrime, të cilat janë përballuar vetëm nga 635 shtretër në katër spitalet që ka vendi.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kulmi ka arritur në vitin 2018 me rreth 5000 shtrime të trajtuara në 4 spitalet (Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër), që ofrojnë shërbimet për shëndetin mendor.

Shkaqet e këtij “bumi”?

“Shkaqet janë biologjike; pacientë që e kanë të trashëguar gjenetikisht. Nuk mbeten pas shkaqet sociale, si papunësia, migrimi i popullsisë, konfliktet, divorcet e prindërve, pamundësia për një jetesë normale, siç mund të jetë strehimi.”- thotë mjekja psikiatre, Arjana Rreli.

Sëmundjet mendore prekin më shumë meshkujt sesa femrat. Nga të dhënat e siguruara nga MShMS (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale), në vitin 2018 raporti i shtrimeve për meshkujt kundrejt femrave është 2 me 1.

Një tjetër faktor në këtë raport, sipas psikologes Adela Lamçja, është përdorimi i substancave narkotike apo alkooli, që në kulturën shqiptare është më i përhapur te meshkujt sesa te femrat. Gjithashtu, femrat kanë natyrën që i ndajnë problemet me të tjerët dhe në këtë formë bëhet më e lehtë të dalin në pah problemet mendore e për pasojë marrin kujdesin shëndetësor në kohën e duhur.

“Burrat janë natyrë më e mbyllur në vetvete. Si rrjedhojë, ngarkesat emocionale dhe psikologjike akumulohen dhe e ngarkojnë më tepër individin dhe pasojat e tyre bëhen më të ashpra. Mbyllja në vetvete e bën më të vështirë identifikimin e hershëm të sëmundjes dhe ndërhyrjen në kohë”, – thotë Adela Lamçja.

Adela Lamçja, psikologe në spitalin psikiatrik në Elbasan, “Sadik Dinçi”, thotë se është koha për më shumë ndërgjegjësim për të folur më hapur për këtë sëmundje.

“Duhet ndërgjegjësim më i gjerë për sëmundjen mendore dhe trajtimin e saj dhe jo izolim e fshehje nga komuniteti...”

Grup-moshat që preken më shumë nga këto sëmundje janë ato nga 25-35 vjeç dhe 35-50 vjeç. Doktoresha Rreli thotë se në këtë grup-moshë individi është më i ekspozuar ndaj zhgënjimeve dhe ka më shumë përgjegjësi familjare. Gjithashtu, një 20-vjeçar është më shumë i predispozuar të abuzojë me substancat.

Në shërbimet e shëndetit mendor me shtretër personat e shtruar vijnë më shumë nga zonat rurale.

Sipas psikologes Lamçja, në zonat rurale kushtet sociale janë më të vështira, por dhe kultura shëndetësore më e ulët dhe marrja e ndihmës mjekësore është më e vonshme se në zonat urbane.

“Në zonat rurale ekziston dhe patriarkalitet më i lartë. Simptomat e sëmundjes ndërthuren dhe ushqehen në frymën lidere e sunduese mbi familjen e për pasojë bëhet më e vështirë për t`i menaxhuar e sensibilizuar në kohë dhe për këtë arsye e marrin trajtimin në spital në fazën më të rënduar të sëmundjes.”

Mjekim në spital apo jashtë tij….

Ministria e Shëndetësisë synon që shërbimi të jetë sa më pranë komunitetit dhe gjithëpërfshirës. Trajtimi në spital përtej kohës së domosdoshme ndikon negativisht, pasi rrit distancimin social dhe ul interesin për t’u angazhuar në aktivitete të ndryshme.

 Politikat qeveritare synojnë reduktimin e numrit të shtretërve në spitalet rezidenciale, psikiatrike.

Ogerta Manastirliu: “Të gjithë ata persona që kanë probleme, që trajtohen për probleme të shëndetit mendor, duhet të mos trajtohen nëpër spitale, por të kenë mundësi të trajtohen pranë familjeve të tyre dhe të ndiqen nga qendrat komunitare, ditore të shëndetit mendor me rrjetin e mjekëve.”

Por, sa funksionale ka rezultuar kjo nismë?

Nga tabela e të dhënave që Ministria e Shëndetësisë dërgoi për kapacitetin e shtretërve, rezulton se këto spitale kanë vetëm 635 shtretër, ndërsa në periudhën 2014-2018 janë bërë mbi 3000 shtrime në vit.

Sipas Ligjit Nr. 44 për Shëndetin Mendor, ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat me çrregullime të shëndetit mendor duhet bërë në një mjedis sa më pak shtrëngues, kryesisht në nivel komunitar, për të shmangur në maksimum zhvendosjet nga mjedisi familjar e për të lehtësuar integrimin dhe rehabilitimin social.

Sipas psikologes Adela Lamçja, deinstitucionalizimi është një proces i testuar gjerësisht si një proces i dobishëm për funksionimin e një individi me të drejta të plota në një komunitet bashkë me të tjerët përtej sëmundjes mendore. Pasi arrihet stabilizimi i gjendjes mendore me terapinë spitalore, çdo individ duhet të vazhdojë trajtimin në komunitet (në banesën e tij).

Por, nga ana tjetër, nuk mungojnë rastet që familjarët e personave që vuajnë nga shëndeti mendor nga pamundësia për t’u kujdesur për ta, gjejnë zgjidhjen më të lehtë, braktisjen e të afërmve në këto spitale për një kohë të gjatë, shpesh deri në fund të jetës së tyre. Kjo bën që kapacitetet të mbushen dhe spitalet nuk kanë mundësi të shtrojnë individë të tjerë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) (gjatë monitorimit të kryer në periudhën mars-qershor 2018) vuri re një rritje shqetësuese të popullatës me çrregullime të shëndetit mendor. Në dhomat e spitalit psikiatrik, “Sadik Dinçi”, në Elbasan qëndronte një numër tepër i lartë pacientësh kronikë, që shkonte deri në 12 persona me sëmundje të rënda të shëndetit mendor në një dhomë me sipërfaqe prej 45 m2. Por janë konstatuar shkelje esenciale edhe në institucionet e tjera.

Në përgjithësi, KShH mendon se institucionet nuk kanë kapacitetet e duhura, si në aspektin e infrastrukturës, medikamenteve, por gjithashtu edhe në drejtim të burimeve njerëzore, të cilat përballen me një numër të pamjaftueshëm specialistësh apo nevojën për të rritur njohuritë e tyre profesionale sa i takon diagnostikimit dhe trajtimit konform standardeve më të mira të këtyre pacientëve.

Mungesa e trajtimit të përshtatshëm në spitalet psikiatrike në vend, mbipopullimi, organika e tyre e varfër, degradimi i infrastrukturës dhe mungesa e investimit shumëvjeçar kanë qenë prej kohësh disa nga rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për këto spitale dhe ministrinë e linjës.

Ndërkohë që temë e ditës në Shqipëri është mënyra se si duhet të trajtohen nga institucionet tona të shëndetit mendor qytetarët që vuajnë nga këto probleme, por që mbeten në mëshirën e rrugës, Avokati i Popullit iu kërkon institucioneve të rrisin kapacitetet dhe të përmirësojnë kushtet në spitalet psikiatrike në vend.

Kliko mbi emërtim për të parë dokumentin e mëposhtëm

Reduktimi i shtretërve nuk ka rezultuar aq efikas, kur shohim se këta persona me probleme të shëndetit mendor enden rrugëve të lirë dhe shpesh në gjendje të rënduar.

*Foto kryesore në fillim të artikullit marrë nga ABCNews