Dibër, bibliotekat e gjimnazeve, mungesë librash dhe fondesh!

Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021-2026, hartuar me mbështetjen e UNICEF Shqipëri për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, citon se në vitet 2018 dhe 2019 shpenzimet kapitale të MASR-së kanë arritur shumën prej 6.52 miliardë lekë (~ 53 milionë. EUR), por fondet kapitale për bibliotekat shkollore janë të limituara.

Në Nëntor të vitit të kaluar, Ministrja e Arsimit Z. Evis Kushi njoftoi hapjen e thirrjes për ekspertë për anëtarë të bordeve të rekomandimit të literaturës artistike dhe shkencore për bibliotekat e shkollave në arsimin parauniversitar. Në fjalën e saj Znj. Kushi theksoi se “qëllimi i kësaj thirrjeje është pasurimi i bibliotekave të shkollave me libra të rinj, si dhe nxitja e leximit tek nxënësit tanë”.

Megjithatë, pavarësisht investimeve të konsiderueshme kapitale të Ministrisë së Arsimit në sektorin e edukimit dhe nismave për përmirësimin e situatës së bibliotekave në arsimin parauniversitar, gjendja mbetët ende e zymtë. Sidomos në qytete largë Tiranës dhe qendrave kryesore të Ultësirës Perëndimore.

Çdo shkollë e mesme në Dibër e ka një bibliotekë, por në to mungojnë librat dhe fondet.

Në gjimnazet e Dibrës  (gjimnazi i Muhurrit, dy gjimnazet e Peshkopisë Said Najdeni, Nazmi Rushiti, të Sllovës, të Maqellarës dhe të Kastriotit), bibliotekat jo vetëm nuk furnizohen me libra të rinj, por mungojnë edhe librat që janë në programin mësimor me lexim të detyrueshëm.

Gjimnazi i Muhurrit

Në gjimnazin e Muhurrit,  nxënësit marrin librat dhe i shpërndajnë mes njëri-tjetrin. Edhe nëse dëmtohen nuk ka masë ndëshkuese. Librat e dëmtuar apo të humbur nuk zëvëndësohen për mungesë fondesh.

Për shkak se bibloteka nuk ka ngrohje jam i detyruar t’u besoj nxënësve duke iu dhënë çelësin për të marrë librat që iu nevojiten”, thotë Bashkim Ciku, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe njëkohësisht përgjegjës i bibliotekës së shkollës.

Procesi i marrjes së një libri në bibliotekën e gjimnazit të Muhurrit

Në gjimnazin Said Najdeni, pyetja si i marrin nxënësit librat jashtë shkollorë nuk ka kuptim. Gjimnazi nuk ka patur asnjëherë bibliotekë.

Mësuesi i letërsisë në gjimnazin e Muhurrit thotë se librat e “vjetër”… nuk janë të përshtatshëm për grupmoshat e sotme. Vetë mësuesit në bashkëpunim me shoqata ose individë përzgjedhin disa nga librat që nxënësit mund t’i lexojnë.

Një pjesë të mirë të librave e kemi siguruar nga shoqatat dhe individë dhe jo nga Ministria e Arsimit”.

Nga lista e librave të detyrueshme për lexim, sipas përgjegjësve të biblotekave të gjimnazeve të Dibrës, asnjë shkollë nuk i ka të gjithë librat e detyrueshme për lexim.

Kjo renditje sipas tyre është për të gjithë nxënësit e gjimnazeve të Dibrës, pavarësisht se listat nuk janë të njëjta me njëra-tjetrën. Pra, nëse një gjimnaz ka një listë me tre libra për lexim të detyrueshëm, tjetri ka 4 ose 5, libra duke vendosur në këtë mënyrë vetë se çfarë librash duhen lexuar.

Në gjimnazin e Kastriotit, sipas nxënësve lista e librave është me detyrim,  por nuk ka një orientim apo detyrim nga ana e stafit mësimor.

Mungesa e ambienteve të leximit është problem në të gjitha bibliotekat e gjimanzeve, por përgjigja është e gatshme: “nxënësit i marrin për lexim në shtëpi”.

Biblioteka e gjimnazit të Muhurrit

Sipas përgjegjëses së biblotekës publike, gjimnazet e Dibrës janë të pajisur me biblotekë, por mungojnë libra, edhe ato që janë jashtë kërkesës së lexuesve të rinj.

Biblioteka e qytetit si bibliotekat e shkollave

Florinda Sela, drejtoreshë e Bibliotekës së Peshkopisë thotë se fondi librit pasurohet vetëm nga donatorët, “kryesisht shkrimtarë” që ofrojnë librat që botojnë.

Në bibliotekën e qytetit, i interesuari mund të marrë vetëm një libër, sepse “dëmtohen nga lexuesit e pakujdesshëm”.

Gjimnazi “28 Nëntori”, Maqedoni e Veriut

Edhe pse ambientet e leximit nuk mungojnë ato nuk janë në funksion të lexuesve. Mungesa e ngrohjes në dimër dhe frika se librat do të “keqpërdoren nga lexuesit”, ka bërë që sallat e leximit të shfrytëzohen për të bërë vetëm takime letrare. Por këto takime janë tejet të rralla.

Biblioteka publike e Peshkopisë

Në Bashkinë Dibër në 5 vitet e fundit fondi për bibliotekat e gjimnazeve ka qenë vetëm  500.000 lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP), në përgjigje të një kërkesë për informim, thotë se për vitin 2021 kishte të parashikuar një shumë prej 86.000 lekë për libra për arsimin e mesëm.