Dilema në Tiranë: me urban apo në këmbë?

Autor: Dallandyshe Xhaferri

Një nga problemet e përditshme të kryeqytetit është trafiku i rënduar, pothuaj në çdo orë.  Nëse transporti publik do të funksiononte sipas asaj çfarë thuhet në kontratë me kompanitë e shërbimit urban apo deklaratat publike të drejtuesve të Bashkisë Tiranë, ndoshta më shumë njerëz do të preferonin të mos lëviznin me automjete.

Por lëvizja me transportin publik është një sfidë më vete, veçanërisht në stinën e verës dhe të dimrit. Vera u la pas, me problemet e saj në përdorimin e transportit publik nga qytatarët e Tiranës, por me ardhjen e dimrit, ato mbesin po të njëjtat. Një vëzhgim në disa linja urbane gjatë tri ditëve të muajit gusht të këtij viti, nxjerr në pah problemet me të cilat ndeshen qytetarët, probleme të cilat nuk do të ekzistonin nëse do të respektohej urdhëresa e Bashkisë së Tiranës për kushtet e ofrimit të shërbimit, e para 6 viteve.

Data është 5 Gusht 2022, dhe në urbanin e linjës së Unazës temperatura arrin në 34.5 gradë celcius, ndërkohë që lagështia e ajrit shkon në 43%. Mes një numri të madh njerëzisht mund të dallosh lehtësisht mërzitjen e pasagjerëve, të cilët pasi bëjnë pagesën e biletës shtyjnë njëri-tjetrin për t’i hapur vend faturinos.

“Është ora 13:45, kanë kaluar 15 minuta dhe akoma nuk kam mbërritur në destinacion”,- thotë Anila, studente e Shkencave të Natyrës, e cila pranon se nuk e përdor shpesh transportin publik.

“Gjatë periudhës së shkollës nuk e përdor shpesh autobuzin, sepse është gjithnjë me vonesë dhe nuk arrij në kohë kur kam mësim gjatë orëve të para”,- thotë ajo duke shtuar se mungesa e tabelave me oraret e nisjes dhe të mbërritjes së urbaneve në pikëmbërritje mbetet ende nevojë e paplotësuar për udhëtarët brenda e kryeqytetit.

“Kondicioneri përdoret vetëm në rastet me kushte ekstreme të motit, por nuk është mjaftueshëm i fuqishëm që të përfitojnë të gjithë pasagjerët”,- thotë ajo duke theksuar se shërbimi i marrë nga klientët nuk e justifikon çmimin e biletës.

“Paguajmë 40 ose 80 lekë kur kemi nevojë të marrim dy linja dhe përveç se mbërrijmë me vonesë në destinacion, e gjejmë veten mes një ambienti të tejmbushur me pasagjerë, ku ajri nuk qarkullon dhe nuk mbushemi dot me frymë”,- thotë  ajo.

Pas një kërkese për informacion dërguar Agjencisë për Mbrojtjen e konsumatorit, kjo e fundit shprehet se vetëm gjatë përiudhës Janar-Shtator të vitit të kaluar për këtë linjë janë regjistruar 68 ankesa.

“Konkretisht, pjesa më e madhe e ankesave kanë ardhur për arsye të vonesave të theksuara, ecje të ngadaltë të mjeteve, mosfunksionim të kondicionerit si dhe për sjelljen e stafit të brendshëm”,- shkruhet në përgjigje.

Temperaturat e larta të verës, në transportin publik nuk respektohet urdhëresa e Bashkisë Tiranë

Në urdhëresën e nxjerrë nga Bashkia Tiranë më vitin 2016 është përcaktuar, se të gjithë mjetet që janë pjesë e flotës së transportit publik urban duhet të jenë të pajisur me kondicionim të ajrit në kushtet kur temperaturat tejkalojnë vlerën minimale 15 gradë dhe atë maksimale 22 gradë celcius.

 Sipas vëzhgimeve të kryera nga ACQJ në datat 5 dhe 8 Gusht 2022, rezulton se urdhëresa e Bashkisë nuk respektohet në asnjë prej 8 nga 16 linjat e urbaneve që ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë.

Shërbimi urban linja Allias

Konkretisht, në linjën Sauk-Qendër temperaturat e matura arrinin 31.2 gradë celcius dhe lagështia e ajrit shkonte të vlerën 51.1%. Në linjën e Tiranës së Re temperaturat arrinin në vlerën 33.7 gradë celcius, kurse lagështia e ajrit në 49%, ndonëse urbani ishte i pajisur me kondicioner.

“Nuk është normale të udhëtojmë me kushte të tilla, por nuk kemi çfarë të bëjmë”,- thotë një i moshuar teksa zbret nga urbani i tejmbushur i Tiranës së Re.

“Tani unë kam për të bërë dhe 10 minuta rrugë në këmbë, por nuk dua të marr urban tjetër sepse pensioni 20 mijë lekë është dhe nuk mundem të shpenzoj 80 lekë përditë vetëm për të marrë urbanin dhe të takoj mbesën”,- thotë ai.

Në urbanin e Kamzës në orën 14:05 të datës 8 Gusht, lagështia e ajrit shkonte në 41%, ndërkohë që temperaturat arrinin në vlerën 33.3 gradë celcius, në urbanin e linjës Kombinat-Qendër temperaturat shënonin 33 gradë celcius, kurse lagështia 44%, në urbanin e linjës së Alliasit temperatura arrinte në vlerën 34.1 gradë celcius.

Gjendja nuk paraqitej ndryshe as në linjën e Kinostudjos dhe të Porcelanit, ku temperaturat shkonin deri në 33.8 gradë celcius dhe lagështia e ajrit në 41%.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit pranon për ACQJ se inspektorët kryejnë kontrolle të vazhdueshme çdo ditë.

“Kryesisht në oraret e pikut të fliksit të qytetarëve që udhëtojnë me mjetet e trasportit urban”,- thuhet në përgjigjen ndërkohë që pohohet se mungesa e ajrit të kondicionuar në mjetet e trasportit publik është një problem i përsëritur.

Mungesa e subvencioneve, shkak i shërbimit të jocilësor

Përfaqësuesi i Shoqatës të Transportit Urban, Dashnor Memaj, thotë për ACQJ se prej vitit 2013 transporti brenda kryeqytetit kryhet nga 11 operatorë privatë, të cilët realizojnë shërbimin e transportit në 16 linja të ndryshme.

“Urbanët kanë kapacitet për ofrimin e shërbimit, por vetëm pak linja arrijnë të ofrojnë këtë shërbim në mënyrë cilësore”,- thotë Memaj, i cili shton se që nga nisja e pandemisë operatorët nuk kanë fuqi ekonomike dhe njerëzore për të nxjerrë flotën e mjeteve në punë me kapacitetin e plotë.

“Rritja e çmimit të naftës ka një ndikim të menjëhershëm në ecurinë ekonomike të subjekteve të transportit publik, duke rritur koston e veprimtarisë sonë ekonomike dhe duke bërë që çmimi i biletës të mos e justifikojë mbarëvajtjen e shërbimit”,- thotë  ai duke theksuar se transporti urban ndodhet në pikën kritike të mbijetesës ekonomike për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës.

Dashnor Memaj, përfaqësues i Shoqatës së Trasnportit Urban

“Po nuk patëm mbështetjen e vazhdueshme siç e kanë vendet e rajonit e më gjerë, nuk do të ketë përmirësim të shërbimit. Jo se nuk duam t’ua ofrojmë pasagjerëve, por nuk mundemi”,- përfundon ai duke shtuar se “nëse s’do të ketë subvencion të vazhdueshëm do të duhet të ketë rritje të çmimit të biletës, duke qenë së të ardhurat e operatorëve privatë varen nga bileta”.

Ndërkohë, Bashkia Tiranë tha nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim se në buxhetin e vitit 2022 është miratur subvencini i linjave të qytetas në vleren 136 000 000 lekë, por pyetjeve të ACQJ për sa I përket cilësisë së shërbimit në mjetet e transportit urban, dhe nëse janë marë masa penalizuese ndaj operatorëve të cilët shkelin urdhëresat e Bashkisë, kjo e fundit nuk I dha një përgjigje, duke e deleguar fajin e mosfunksionimit të këtij shërbimi, dhe monitrimin e operatorëve, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Drejtorisë së Transportit Publik.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, këto dy pyetje nuk kanë marë një përgjigje.

1 urban për 2 932 banorë, Memaj: Licencat nuk hiqen për mosfunksionimin e kondicionerëve

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në qarkun e Tiranës është përqëndruar 32,9% e popullsisë së Republikës së Shqipërisë. Konkretisht, në Tiranë jetojnë afërsisht 912 mijë banorë, ndërkohë që flota e transportit urban përbëhet vetëm nga 311 urbanë, jo të gjithë në funksionim, çka do të thotë se në rastin më të mirë, 1 autobus urban mundëson transportin brenda kryeqytetit për 2 932 banorë.

Sipas Memajt, tejmbushja e urbaneve vjen dhe si rezultat i orareve të njejta që  kanë qytetarët për të nisur aktivitetin e tyre. “Piku është gjatë fashës së orarit 07:00-08:00, si dhe gjatë pasditeve kur qytetarët kthehen nga puna”,- thotë ai duke shtuar se urbanët duhet të kenë një korsi të veçantë për të mundësuar mbërritjen në kohë të pasagjerëve.

“Në linjat e urbaneve të Tiranës është e nevojshme të përdoren kondicionerët, por deri më tani nuk është hequr asnjë linje licenca për këtë arsye”, – thotë ai duke theskuar se vetëm vitin e kaluar iu hoq licenca kompanive që menaxhonin linjën e Tufinës dhe Unazës, ku për këtë vendim vetë Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se shkak kryesor mbetej abuzimi gjatë ushtrimit të veprimtarisë në kohën e lockdoën-it (izolimit) në vend prej pandemisë.

Dimri po afron, dhe njësoj si gjatë verës ku qytetarët kanë vuajtur në temperaturat përvëluese në autobuzë urbanë pa kushte kondicionimi, po ashtu pritet të vuajnë ditët e acarta të muajve dhjetor dhe janar.Mungesa e kushteve në urbane ka bërë që qytetarët që nuk kanë mundësi të përdorin automjetet e tyre apo taksi, të jenë gjithmonë mes dilemës: me urban apo në këmbë?

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter