Droga, burimi i parave të zeza në Shqipëri. Mbizotëron hashashi

Në cepin e një pallati në një nga zonat më të njohura të Tiranës sheh përherë një djalë rreth të 25-tave. I mbështetur në murin e pallatit shumë katësh e vetmja gjë që të bën përshtypje është fakti që ai qëndron me orë të tëra gjatë mbrëmjeve. I riu quhet Reni (emër i ndryshuar) dhe ai është një nga shpërndarësit e kanabisit në kryeqytet. Ai rrëfehet për “Sinjalizo” duke thënë se “kjo ishte mundësia e vetme për të, për të siguruar bukën në familjen e tij”.

“I njoh të gjithë klientët, kurrë nuk ju shes njerëzve që si njoh dhe kjo gjë më krijon siguri”, shprehet ai. Shkollën e lartë e la pa përfunduar edhe pse notat i kishte të mira. “Kam qenë nxënës i mirë, jo i shkëlqyer po te 8. Mund të kisha vazhduar shkollën e lartë, sot ndoshta do punoja në profesionin tim dhe jo duke shitur bar në këtë cep. Por ato ishin mundësitë”, shton ai duke mos pranuar të flas për mënyrën se si furnizohet me kanabis. Edhe pse ka disa kohë që shpërndan lëndë narkotike, i riu thotë se nuk është shoqëruar asnjëherë nga policia dhe kjo i shton shpresat se sapo të mbledhë lekë mjaftueshëm do të ketë mundësinë të largohet nga Shqipëria për ta rinisur jetën e tij diku në Europë.

Tirana, kryeqendra e konsumit të lëndëve narkotike

Por Reni është vetëm një ndër qindra të rinj ndoshta që të ardhurat e tyre i sigurojnë me këtë punë. E pyetur zyrtarisht se cilat janë llojet e lëndëve narkotike më të përdorura në Shqipëri, Policia e Shtetit bën të ditur se lënda narkotike më e përdorur është marijuana, e ndjekur nga kokaina dhe heroina.

Shifrat e larta të aktivitetit në fushën e drograve dalin në pah edhe në një raport të Qendrës Fol, ku në vetëm 6 muaj, në qarkun e Tiranës janë proceduar 640 persona, ku 191 prej tyre janë arrestuar në flagrancë nga policia e Tiranës. Monitorimi i Qendrës FOL konfirmon se fenomeni i përdorimit të hashashit ka zbritur tek mosha e reja.

Nga 640 raste të proceduara penalisht rezulton se 19 raste ose rreth 3% janë hetuar, proceduar dhe gjykuar nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndaj 327 rasteve ose 51% organi procedues ka përmbyllur fazën e hetimeve paraprake duke marrë vendim mosfillimi të procedimit penal, ndërkohë që vendim për pushimin e çështjes ose akuzës rezulton të jetë disponuar vetëm në 2 raste”, thuhet më tej në këtë raport, i cili nxjerr në pah, shifrat alarmante.

Por kanabisi nuk është e vetmja drogë e cila përdoruesit i ka të shumtë. Studimi i qendrës FOL vëren shoqërimet në masë të përdoruesve të kokainës që konstatohen nga kontrolle rutinë në lokale, ose duke qarkulluar me automjet dhe dozat i kanë të fshehura. Nga ana tjetër, heroina është një tjetër narkotike e cili shkakton varësi të fortë. Rreth 240 përdorues të heroinës marrin shërbim në qendrën e rehabilitimit “Aksion Plus” në kryeqytet.

Në 10 vite janë sekuestruar qindra ton kanabis, por beteja vijon

306.168 kilogramë kanabis janë sekuestruar nga agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë në territorin e saj prej viti 2010 deri në 30 shtator 2021. E thënë ndryshe, në dekadën e fundit janë sekuestruar 306.168 tonë. Ndërkohë nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka asgjësuar në dhjetë vitet e fundit 4,466,719 bimë canabis sativa të cilat janë zbuluar në parcela të ndryshme në vend. Në një përgjigje zyrtare Policia e Shtetit shprehet se “Nga viti 2010 deri në vitin 2017 zonat në të cilat ka pasur përqëndrim më të madh të kultivimit kanë qenë qarqet: Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Durrës dhe Lezhë. Pas 2017 e deri aktualisht nuk ka zona specifike ku është përqëndruar kultivimi i bimëve narkotike”, thotë Policia e Shtetit duke shtuar se pas viti 2017 ka një kontroll shumë më të mirë të territorit.

Por kjo bien ndesh, me raportin e Guardia di Finanza. Në raportin e tyre përfaqësuesit italianë shpjeguan se kultivimi i cannabis sativa ishte spostuar nga jugu drejt zonave qëndrore dhe veriore të vendit. Po ashtu një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit i cili nuk dëshiron të identifikohet, tha për “Sinjalizo”, se kultivimi i kanabisit është përqëndruar kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut. Ai gjithashtu tha se është sofistikuar edhe kultivimi, ku zotëruesit e plantacioneve zgjedhin teknologjinë për të siguruar ruajtjen e saj, duke shmangur punësimin e njerëzve nga të cilët mund të rrjedhë edhe informacion.

Llojet e bimëve që përdoren janë të tre llojeve kryesore. Ne aksionet e zhvilluara ne kemi identifikuar bimë 6 mujore, që ka një prodhim të madh dhe rritet si gjatësi shumë si bimë. Pastaj është edhe bima që ka një cikël tre mujor. Më e shkurtër dhe me një prodhim më të vogël. Edhe bimët 45 ditore janë identifikuar, por ato sjanë shumë të preferuar pasi kanë një prodhim të vogël”, shtoi ndër të tjera burimi i “SINJALIZO”.

Zyrtarisht pranohet, referuar aksioneve të shumta se ka nisur edhe kultivimi me llampa i kanabisit, duke ngritur shqetësimin se ky lloj kultivimi mund të kthehet shumë shpejtë në diçka shqetësuese për forcat e rendit, pasi mund të realizohet edhe në zona ku prezenca policore është pothuajse inekzistente për shkak të largësisë gjeografike dhe faktorëve të tjerë.

Eksperti i Sigurisë Kombëtare dhe profesor në Canadian Institute of Technology, Fabian Zhilla thotë se kjo mënyrë e rritjes së kanabisit është një trend i ri që ka filluar edhe në Shqipëri, ku përdoren farat holandeze që rriten shpejt.

Sigurisht goditja që ndodhi me Lazaratin solli një ridimensionim të tregut, pati rënie, por u ridimensionua dhe u gjetën teknika të tjera. Grupet e fuqishme shqiptare filluan ti rrisnin vetë në Beneluks dhe në Angli. Tani ka filluar edhe këtu, kjo tregon që janë hapur linjat e trafikimit. Nuk mund të themi që kanë qenë në nivelet që kanë qenë pasi ka ulje, por po shohim që gradualisht, pasi sot ka një shpërndarje në territor”, thotë Zhilla.  

Kokainë, ekstazi…

Kokainë, heroinë, metadon, marjuanë, ekstazi, ketamine, diazepan, metamfetaine, vaj hashashi, janë të gjitha lëndë narkotike të cilat ekzistojnë në inventarin e lëndëve narkotike të sekuestruara nga Policia e Shtetit në 10 vitet e fundit, çka tregon që tashmë në Shqipëri ka një treg jo vetëm për kokainën, heroinën dhe kanabisin, por edhe për lloje të tjera drogrash.

Vetëm gjatë tre viteve të fundit në portin e Durrësit është kapur rreth 1.5 ton kokainë e cila nëse do të dilte në treg do të kapte një shifër më të madhe se 400 milionë euro. Kapja e shifrave të tilla të kokainës në territorin shqiptar, për ekspertët e fushës tregon që tashmë vendi ynë është kthyer në një vend tranzit kryesor.

Sasitë e konsiderueshme të drograve të forta dhe vrasjet që ndodhin në Ekuador tregojnë që grupet shqiptare janë lojtar të nivelit të lartë, nuk janë kryesorët pasi nuk kanë mundësi të jenë krahasuar me Ndragetën e këto, por ata kanë hyrë tashmë në tregun e shumicës dhe sigurisht një nga linjat është edhe Shqipëria por nuk është ajo e vetmja”, shprehet Fabian Zhilla, duke shtuar se për drograt e forta, Shqipëria është një nga pikat tranzitore. “Është një pikë tranzitore e komanduar nga shqiptarët, pasi më para ishin pritës, ndërsa tani e marrin nga Ekuadori, nga Peruja e sjellin vetë këtu dhe e shpërndajnë. Pra e kontrollojnë të gjithë procesin”, thotë ai.

Grupet shqiptare në trafikimin e lëndëve narkotike tashmë janë shndërruar edhe në një problem për agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.

Së pari goditjet po ndodhin nga agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare, pasi problem i shqiptarëve është problem ndërkombëtar, nuk janë vetëm problem shqiptar, madje shumë nga grupet që operojnë nuk njihen fare nga agjencitë shqiptare, ose për ne nuk janë problem. Fakti që ata janë kthyer problem për agjencitë ndërkombëtare i detyron edhe agjencitë tona të bashkëpunojnë dhe informacionet vijnë nga ata pasi ata e gjurmojnë që prej Ekuadorit e deri në portet e BE, Antempin që është kryesori dhe portet e Gjermanisë”, thotë Zhilla, duke shtuar se Shqipëria ka elementët e saj pozitiv. Por duhet pranuar që mundësitë e agjencive tona nuk janë aq të thjeshta pasi lënda narkotike nuk gjeneron nga ne. Këtu thjesht vjen paketohet dhe nëse ka kaluar kontrollet e porteve europiane, në Shqipëri, sigurisht kontrolli në pikpamjen e teknologjisë dhe cilësisë është më i ulët.