E-Albania “dështon” në zonat rurale! “Lulëzon” në kancelari, gjobiten 15 biznese për shërbim të jashtëligjshëm

E-Albania ‘‘dështon’’ në zonat rurale, ku popullata ka akses të limituar, ose fare, në internet. Mosha e tretë dhe komuniteti rom raportojnë diskriminim dhe se punonjës nga pushteti vendor i adresojnë në kancelari për të marrë shërbimet nga portali qeveritar, në konflikt të interesit. Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut gjobit 15 subjekte që ofrojnë këtë shërbim, për shkelje të së drejtës së pronësisë industriale.

Autor: Arlis Alikaj

Që prej datës, 1 Maj 2022 kur shërbimet qeveritare ndaj qytetarëve kaluan virtualisht dhe çdo veprim kryhet online, raportohen shqetësime të shumta dhe konfuzion nga shtresa të margjinalizuara si mosha e tretë, komunitetet në zona rurale si dhe ato me vështirësi në të nxënë dhe veçanërisht komuniteti rom për të marrë shërbimin

Mbyllja e shërbimeve në person, lajmërimi i vendosur në dyert mbyllura të institucioneve. | Foto: Arlis Alikaj

Mosha e tretë ndihet e përjashtuar nga revolucioni dixhital

“Nuk di t’i aksesoj shërbimet online të ofruara nga qeveria shqiptare, madje nuk kam as telefon inteligjent. Edhe telefonin kur e hap që vjen ndonjë mesazh mezi e lexoj. Nuk e kam përdorur kurrë E-Albania-n. Veprimet për rinovimin e pensionit, i bëra nëpërmjet zyrës fizike në bashki, tani që zyra është mbyllur, nuk e di ku të shkoj unë e shkreta. Bashkëshorti im ikën në Tiranë tek vajza për të bërë dokumenta, madje qëndron gjatë atje kur bën kontrollet periodike, ndërsa unë pres një herë në hënë kur vjen djali nga Gjermania’’, thotë Violeta Mehmetllari pensioniste nga Librazhdi.

Violeta Mehmetllari, pensioniste në Librazhd duke treguar telefonin e saj të thjeshtë.

Punonjësit e gjendjeve civile pranojnë se qytetarët hasin vështirësi, por duhet t’i drejtohen kancelarive për ta marrë si shërbim edhe pse nuk është e lejueshme për këto biznese. Ky aplikacion u konceptua për të shmangur ryshfetin. Nga qytetarët tregohen dhe raste ku punonjësit i orientojnë qytetarët në kancelari specifike.

Nga vëzhgimet e ACQJ rezultoi se në kancelari shërbimi E-Albania ofrohet kundrejt pagesës nga 100-300 lekë të reja. Por në Elbasan, Prrenjas, Korçë e Pogradec, (sipas vëzhgimit) ka dhe nga ato zyra avokatie e noterie  të cilat për hapjen e aplikacionit dhe aplikimin për një dokument të shërbimeve të pronës, siç është Kadastra, kërkojnë 2000 lekë.

Në noteri pranohet që ky shërbim kryhet, por është i dënueshëm me ligj. E-Albania është një markë e cila është e regjistruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe gjithashtu portali ku shërbimet publike ofrohen pa kosto. ISHMT njoftoi në maj të këtij viti se shërbimi i marrjes së dokumentit nga e-Albania në subjekte të cilat e kanë kthyer në biznes duke përdorur këtë logo dënohet me gjobë deri në 500 000 lekë.

Kartëvizitë e një subjekti privat për shërbime e-albania. | Foto: Arlis Alikaj

Tre muaj pas këtij njoftimi, ACQJ iu drejtua këtij institucioni me pyetjen se cilat janë masat e marra ndaj kancelarive që e kanë kthyer në biznes këtë shërbim. Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut tha se ka vënë penalitete për 15 subjekte, por pa saktësuar masën e gjobës.

Në përgjigjen për ACQJ, ISHMT thotë se “duke vlerësuar rëndësinë e portalit “e-Albania” për interesin publik, menjëherë ka filluar mbikëqyrjen e tregut për evidentimin e subjekteve të cilët përdornin markën tregtare  “e-Albania” për qëllime tregtare duke shkelur të drejtat e pronësisë industriale të mbrojtura ku në fokus kanë qenë qytetet ku ndodhet dhe përqëndrimi më i madh i aktiviteteve ekonomike si Tiranë, Durrës, Fier, Korçë, Shkodër, por jo vetëm. Nga sa më sipër, janë evidentuar 15 (pesëmbëdhjetë) subjekte, të cilët kishin të afishuar dhe reklamuar, ne vendin e ushtrimit të aktivitetit tregtar markën “e-Albania”. Ndaj këtyre subjekteve, ISHMT ka vendosur masa administrative me gjobë, për shkeljen e kërkesave ligjore referuar Ligjit Nr. 9947 datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale” (i ndryshuar) si dhe iu është lënë detyrë heqja e  markës “e-Albania” nga përdorimi”.

Nga vëzhgimi i ACQJ rezulton se pak biznese që kryejnë këtë shërbim online e kanë të vendosur si reklamë. Për të shmangur masat që mund të merren kundrejt tyre në vend të logos prezantohen si kancelari shërbimi. Megjithatë, disa syresh, nuk i friken ligjit, dhe nuk e kanë hequr logon e e-Albania.

Xhane Kaca, e cila nuk ka një kartë identiteti pasi i ka skaduar e mëparshmja, disponon vetëm pasaportë, nuk ka llogari në e-Albania. Së fundmi në gusht të 2022, ajo po u drejtohet kancelarive private në qytetin e Librazhdit, për të regjistruar një profil pasi siç thotë dhe ajo, për shumicën e veprimeve dhe detyrimet që ka, i kërkojnë të ketë një llogari tek portali qeveritar. “Nuk kam asnjë njeri të më hap një adresë, vajzat i kam larg, po shkoj në privat t’i hap, më kërkon 200 lekë për ta hapur. Po ku kam siguri unë se çfarë mund të bëj ai nesër me të dhënat e mia personale? Po një njeri që nuk ka kush ta asistojë? Në kohën kur 100 Lekë është një bukë, 200 lekë është një profil”, përfundon Xhanja e indinjuar.

Në foto, Xhane Kaca nga Librazhdi duke hapur llogari në E-Albania pranë një kancelarie private

Flutura është një pensioniste nga Prrenjasi e cila nuk tërhoqi dot bonusin e qeverisë Rama. Paketa e Rezistencës Sociale që u paraqit nga qeveria pak muaj më parë në mënyrë që shtresat në nevojë të përballonin “kohën e luftës”, përfshinte një bonus prej 3000 lekësh.

Ajo thotë se nuk e ka marrë bonusin dhe nuk di ku të ankohet pasi nuk i japin përgjigje përballë, por e drejtojnë tek E-Albania. Sipas saj, e njëjta skemë ka ndodhur me të gjithë ata që nuk i kanë tërhequr paratë. ‘‘Më sollën vërdallë, më thonin të bëja ankesë dhë t’i fusja letrat e sigurimeve të skanuara te E-Albania, por unë nuk dija. M’u desh të shkoja vetë në zyrat e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan’’, thotë ajo.

Gjithashtu Kastrioti, një invalid i grupit të parë, iu kërkua që për rinovimin e pensionit dhe përfitimin e kompesimit të energjisë elektrike, të shkarkonte të gjitha deklaratat nga E-Albania si dhe t’i ngarkonte dokumentat në PDF në sistem. Ai nuk gjeti njeri në Librazhd për të asistuar dhe sot e kësaj dite, nuk e përfiton rimbursimin e energjisë elektrike vetëm nga kjo gjë. “Kjo nismë nuk u mirëmendua, por u përshpejtua për shfaqje mediatike dhe kredite nga ana e qeverisë tek të huajt për të promovuar Shqipërinë si një shtet që ka bërë evolucion. Kjo nuk është Shqipëria digjitale”, thotë Kastrioti.

Shkalla e ulët e arsimimit, komuniteti rom nuk merr dot shërbimet në E-Albania

Rudina Brahja, nga fshati Babje i Librazhdit, është e papunë. “Nuk di të lexoj e të shkruaj mirë, nuk di të aplikoj për asistencë. Nuk e kuptoj pse na i hoqën atë djalin që na ndihmonte me aplikimet. Tani muaj për muaj nga pensioni mamit, një 2 mijë lekësh (të vjetra) e do interneti”, thotë Rudina.

Në foto: Rudina Brahja

Gjithashtu dhe Hasbija së bashku me dy vajzat e saj nuk dinë shkrim e lexim. “Nga asistenca e djalit invalid zbres malin, shkoj te interneti dhe m’i bën ai (i kancelarisë private) shërbimet. Bashkia e mbylli atë zyrën”, tregon ajo.

Edhe Xhelali, një i moshuar dhe me probleme në shikim, pjesëtar i komunitetit rom shprehet se nuk ia ka idenë e-Albania-s. “Nuk marr vesh nga kodet. Nuk ia di internetit. I lutem ndonjë të riu kush të rastisi kur kam për të bërë ndonjë gjë dhe po më ndihmoi…”, thotë Xhelali.

Si ua ofron shërbimin pushteti vendor shtresave vulnerabël e pa akses në internet?

Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë vitit 2021 nga INSTAT  15,7% e popullsisë ka mundur që të dërgojë nëpërmjet platformës së e-qeverisjes formularë të plotësuar nga interneti e ndërsa individët e grup-moshës 65 – 74 vjeç, të cilët kanë deklaruar që nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin zënë 51,1 %.

Rexhep Shaka, përgjegjës i Shërbimeve Sociale në Bashkinë Librazhd dhe njëkohësisht pjesëtar i komunitetit egjiptian, drejtues i shoqatës “Barazi dhe Integrim”,  ndihet i pashpresë për trajnime të këtyre kategorive pasi sipas tij janë moshë e thyer dhe kanë probleme me të kuptuarit. Të vetmen zgjidhje ai quan një zyrë të posaçme ose ndihma nga njerëzit e afërt dhe fëmijët e tyre. “Nuk kemi pasur raste ankesash, por si gjithë të tjerët dhe këto komunitete të veçanta si mosha e tretë, ai rom e egjiptian do i drejtohen internetit dhe tani të shkosh tek kancelaritë e internetit, gjen njerëz që nxjerrin certifikata e marrin shërbime. Është proces i ri dhe njerëzit do mësohen’’ thotë Rexhepi për ACQJ.

Librazhdi ka në shifra zyrtare 250 familje rome dhe Shaka bën apel për krijimin e  nismave vullnetare për t’i asistuar.

Në foto, Rexhep Shaka, përgjegjës i Shërbimit Social Shtetëror, Librazhd. | Foto: Arlis Alikaj

Por si do procedohet me akesin në E-Albania në vazhdim për qytetarë të komunitetit rom, të moshuar apo atyre me vështirësi në të nxënë?

Ne pyetëm për këtë Kryeministrinë, përmes një kërkesë për informacion, nëse qeveria ka një plan, që me reformën territoriale, të ofrojë asistencë në bashki për këto sherbime. Por Kryeministria refuzoi të komentonte.

Screenshot nga përgjigja e Koordinatores për Njoftimin dhe Konsultimin Publik

Ndërsa Adelina Farrici, drejtore ekzekutive e Shoqatës së Autonomisë Vendore të Shqipërisë shprehet se ka bashki të cilat ofrojnë disa shërbime online duke synuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për këtë mënyre shërbimi, por probleme ka, për shkak edhe të territorit të gjerë që mbulojnë bashkitë.

‘‘Mendoj qe jo e gjithë shoqëria ka edukimin, informacionin dhe logjistikën e duhur për të përdorur shërbimet online, por e ardhmja është drejt këtyre shërbimeve. Bashkitë kanë planet e tyre në ndihmë të komunitetit për një periudhë tranzitore kryesisht për grupet që do kenë vështirësi në aksesimin e shërbimeve online dhe kanë nevojë për t’i asistuar. Krahas shërbimit online në qendrat administrative do ketë zyra shërbimi për komunitetin për t’i ndihmuar dhe dhënë informacionin e duhur në drejtim të përdorimit të platformës së shërbimeve online. Megjithatë problematika janë evidentuar. Bashkitë kanë territore të zgjeruara dhe shumë zona rurale ku në disa zona mungon aksesi i internetit. Komuniteti është mësuar me metodën tradicionale me shërbime direkte në zyra në territor. Grupe të ndryshme si mosha e tretë, komunitete romë ose egjiptiane nuk kanë njohuritë dhe aftësite e duhura për të përdorur sistemet digjitale’’, tha zonja Farrici për ACQJ.

One Stop Shop, ose Hapja e Zyrave me Një Ndalesë, është një projekt i Bashkimit Evropian synonte përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve administrative nga qeveritë vendore. Me kalimin e shërbimeve në E-Albania, disa prej këtyre zyrave nuk janë funksionale. I kërkuam informacion Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri se cili ka qenë angazhimi i BE  me terma financiar dhe mbështetja me rritjen e kapaciteteve përsa i përket procesit të digjitalizmit dhe E-Albania-s.

Në përgjigje, Zyra e Delegacionit sqaroi se BE-ja nuk ka ofruar mbështetje financiare për zhvillimin e e-Albania. Për sa u përket shërbimeve me një ndalesë (One Stop Shop) të qeverisjes vendore, BE-ja ka dhënë mbështetje financiare për këto struktura nëpërmjet programit “Mbështetje për reformën territoriale dhe administrative”, zbatuar nga UNDP, që synon forcimin e qeverisjes vendore dhe administratës publike.

Më tej, në përgjigje theksohet se aksesi në shërbimet publike po haset në vështirësi.

“Për sa i përket qasjes në shërbimet publike online nga komunitetet rome dhe egjiptiane, ato po përballen me vështirësi të shumta për shkak të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë pamundësinë financiare për të pasur në zotërim një pajisje digjitale, mungesën e internetit, analfabetizmin, mungesën e informacionit dhe aftësive digjitale, si dhe mungesën e mjeteve të identifikimit. Për të trajtuar këtë çështje në nivel lokal, BE-ja po financon një projekt në qytetin e Fierit, i zbatuar nga UNDP dhe Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri – IRCA, që kontribuon në integrimin e romëve/egjiptianëve të kthyer (nga azili dhe migrimi) dhe familjeve të tyre, nëpërmjet një sërë aktivitetesh të krijuara për të ngritur nivelin e informacionit digjital dhe aftësive digjitale. Projekti ofron gjithashtu asistencë të drejtpërdrejtë për të paktën 100 individë për të pasur qasje në shërbimet online që kanë të bëjnë me çështje urgjente, përfshirë aplikimin për identifikimin e dokumenteve, legalizimin e vendbanimeve, regjistrimin në shkollë dhe përfitimin nga skemat e mbrojtjes sociale (pensione, ndihmë ekonomike, përfitime për aftësinë e kufizuar, etj),’’ thotë në përgjigje Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Siguria në E-Albania

Megjithëse E-Albania, nuk funksionoi prej hakërimit dhe vetëm para pak kohe të gjitha shërbimet u rikthyen online, shumë qytetarë raportojnë vështirësi përdorimi dhe frikë se të dhënat mund të vidhen. Por si mbrohen të dhënat tona?

Eni Shtini, ekspert në teknologjinë blockchain tha për ACQJ, se për të evituar rrjedhje informacioni nga sulme të tilla, do të ishte shumë mirë nëse qeveria do të implementonte teknologjinë e databazave të shpërndara (blockchain), e cila rrit sigurinë e të dhënave. Siguria e Blockchain është një sistem gjithëpërfshirës i menaxhimit të rrezikut, e cila duke integruar dhe sigurinë kibernetike, redukton rreziqet kundër sulmeve, mashtrimeve dhe vjedhjes së informacionit në raste të tilla.

“Personalisht mendoj që qeveria reagoi me vonesë ndaj këtij sulmi pasi nga të dhënat online rezulton që sulmi kibernetik i koordinuar ka filluar më datë 16 korrik mbasdite dhe rreth orës 11 të natës AKSHI bëri të mundur shkëputjen e internetit. Sulme të tilla janë pothuajse të pamundura për t’u shmangur. Një sulm i tillë pothuajse asgjesohet me anë të teknologjisë blockchain, e cila funksionon në mënyrë të ngjashme të decentralizuar, ku usera (përdorues) në të gjithë botën mbrojnë sistemin dhe e bëjmë një sulm të ngjashëm shumë të kushtueshëm për t’u realizuar me sukses’’ sqaron eksperti.