Energjia hidrike: Dështimi për të arritur pavarësi energjitike dhe burimet e mundshme alternative

Authors: Amogh Matthews dhe Jona Kaso

Pavarësisht numrit të madh të hidrocentraleve që prodhojnë energji, Shqipëria është ende në mes të një krize energjitike me çmime të larta energjie për qeverinë dhe konsumatorët.

Një rast, në veçanti, flet për ashpërsinë e krizës. Liljana Sema nga Fieri vdiq nga I ftohti në 26 janar të këtij viti, pasi nuk ka mundur të paguajë faturën e energjisë elektrike. Familjarët e gjetën të pajetë dhe ngritën akuza se vdiq pasi OSHEE i kishte ndërprerë energjinë elektrike.

Aktualisht, të gjithë konsumatorët familjarë në vend paguajnë mesatarisht 9.5 lekë për kWh pa TVSH. Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të posaçëm i cili parashikon uljen e kostos për familjet me të ardhura të ulëta.

Me metodën e re të llogaritjes së konsumit të energjisë, tarifave dhe rritjes së çmimit të energjisë, qytetarët shprehin shqetësimin se nuk kanë para për të paguar energjinë elektrike.

“Për ne po bëhet gjithnjë e më e vështirë, por nuk kemi çfarë të bëjmë, nuk mund ta ndryshojmë sepse është një krizë globale”, thotë Lefter Selamani, banor në Tiranë.

Të njëjtin shqetësim shpreh edhe E.T., i cili është piktor.

Kam jetuar 54 vjet si piktor, edhe sot paguaj nëntëmbëdhjetë mijë lekë faturën e energjisë elektrike. Unë nuk mund ta përballoj më. Unë jetoj me borxhe vetëm për të paguar që të ndizen dritat. A keni ngrënë ndonjëherë thjesht bukë të thatë çdo ditë? Kështu jetojmë, i kam hequr llambat që të mos harxhojmë energji elektrike, pasi nuk mund të përballojmë çmimet e larta të energjisë”, tha ai.

Një pyetje që po bëjnë edhe më shpesh shqiptarë është se pse po ndodh kjo.

A mund të fajësohet mbështetja e tepërt në hidrocentrale

Në një vend me një bollëk dielli dhe thatësira sezonale, mbështetja në hidrocentrale e tepërt shihet si e rrezikshme.

Qeveria nuk dëshiron t’i përgjigjet pyetjes se pse po vazhdon të miratojë ndërtimin e hidrocentraleve. Por shumë ekspertë thonë se politika të tilla janë të gabuara.

“Nëse do të vazhdojmë me të njëjtat koncepte si aktualisht, edhe pse propozimet për investime të qeverisë kanë qenë prej vitesh të të njëjtës linjë, do të jemi në krizë dhe do të kemi periudha emergjente çdo fund vere ose me vjeshte”, thotë Klodian Gradeci, ish-kreu i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).

Klodian Gradeci, ish-kreu i OST

Kjo ndodh kur periudha thatësire godasin lumenjtë dhe i kthejnë hidrocentralet në të padobishme.

Disa vite më parë, kryeministri Rama premtoi se nuk do të ndërtohen diga në zonat e mbrojtura natyrore, ndërsa sot ka ndodhur e kundërta. Qeveria Rama nuk arriti të ndalonte ndërtimet e digave në zonën e mbrojtur të lumit Valbona.

Gjithashtu, qeveria heziton të shpallë lumin Vjosë zonë të mbrojtur, gjë që do ta kursente atë nga ndërtimi i projekteve masive që do të ndikonin negativisht në një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë së Jugut.

Deri më sot, pritet të realizohen qindra kontrata ndërtimi për ndërtimin e digave, një ndër to është kontrata e digës së lumit Shushicë (Vlorë) në fshatrat Brataj, Gjorm dhe Kotë në Vlorë.

Të paktën një nga projektet e propozuara të ndërtimit të impiantit ka hasur në kundërshtimin e ashpër nga banorët vendas.

Që nga viti 2018, banorët e luginës së Shushicës kanë protestuar për të ndaluar ndërtimin e këtyre digave të planifikuara mbi lumin e tyre. Ata pretendojnë se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve do të rezultojë në fshatra të tërë të mbetur pa ujë, dhe kjo do të ndikojë në blegtori, bujqësi dhe të ardhurat e familjeve të tyre.

Sotir Zahoaliaj, banor i fshatit Brataj, i cili është kundër ndërtimit të një HEC-i në atë zonë, thotë se uji i lumit rrezikon të merret dhe të futet në tubacione deri në 7 km.

“E gjithë zona atje është krejtësisht e paeksploruar nga ana arkeologjike, ka shumë gjëra të lashta, këtu janë bërë luftëra. Kundërshtojmë se është një urë, një vepër shumë e lashtë, uji që kalon nga ajo urë do të thahet, është njësoj si të thuash “si nënë pa fëmijë, ashtu është ura pa ujë”, tha Zahoaliaj.

Kryetari i fshatit Qemal Malaj thotë se ndërtimi i këtij HEC-i do të ndikojë negativisht në jetesën e banorëve të zonës, blegtorinë, vaditjen dhe peshkimin.

“Në fakt ne nuk duam të ndërtohet fare, pasi dëmton shumë pjesën blegtorale dhe burimet e tjera”, tha Majaj.

Banorët thonë se që në fillim, kur kanë marrë njoftimin për ndërtimin e këtij HEC-i, kanë protestuar dhe madje kanë ngritur padi për pezullimin e ndërtimit në atë zonë. Padia e ngritur nga banorët është ende në pritje pa një datë seancë të caktuar ende.

Sipas të dhënave të AKBN-së janë 252 kontrata koncesionare hidrocentralesh aktive, ndërsa qindra të tjera pritet të nisin ndërtimin.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, nga viti 2010 deri në vitin 2021 janë nënshkruar 96 kontrata koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve, nga të cilat vetëm 39 janë në funksion, ndërsa 57 të tjera supozohet se janë në shqyrtim.

Gjithashtu, janë lidhur 87 kontrata (pa koncesion, nga të cilat 29 janë në fazën e operimit) për një kapacitet prodhues nën 2 MW dhe 58 të tjera mbeten në shqyrtim.

Ola Mitre, gazetare e mjedisit, thotë se numri “zyrtar” i kontratave koncesionare të hidrocentraleve nuk është i saktë, pasi nuk ka një regjistër elektronik për të mbledhur të gjitha të dhënat se sa kontrata janë miratuar, sa janë pezulluar, sa janë në shqyrtim, sa kanë aplikuar për leje apo sa janë në fuqi.

Cilido qoftë numri, Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, një OJF lokale mjedisore dhe ekspert në këtë fushë, thotë se ky kapacitet prodhues energjie nuk i afrohet nevojës për plotësim të kapacitetit të përgjithshëm të prodhimit të energjisë që i nevojitet Shqipërisë.

Nika vëren se është bërë e qartë se ndërtimi i HEC-eve të vegjël, të cilët nuk japin ndonjë kontribut të rëndësishëm në prodhimin e energjisë krahasuar me gjurmën (dëmtimin) e tyre socio-ekologjik, është nxitur nga dëshira e bizneseve për të fituar para.

Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania

“Promotori kryesor nuk është prodhimi i energjisë, por paratë e investuara, shpeshherë edhe të siguruara ilegalisht.”- thotë ai.

Kur u pyet për këtë çështje, qeveria nuk pranoi të komentonte.

Miriam Ndini, e cila mban titullin Doktor i Shkencave në Hidrologji, thotë se ndërtimi i hidrocentraleve të mëdhenj dhe të vegjël duhet të vazhdojë vetëm pasi të ketë përfunduar një studim i përgjithshëm. Qeveria nuk duhet të devijojë një rrjedhë uji, sado energji që ka potencial të prodhojë, pa një studim fizibiliteti, shtoi ajo.

Ndini beson se ndërtimi i katër HEC-eve në një shtrat të vetëm lumi do ta kthente lumin në një kanal dhe jo më një lumë natyror. Ajo thotë se për shkak të ndryshimeve klimatike, sasia e reshjeve në vend ka filluar të zvogëlohet dhe të mos jetë konstante, duke i bërë hidrocentralet e vegjël të paefektshëm.

“Këto janë instalime pa rezervuarë grumbullimi, të cilët largojnë ujin nga lumi dhe kur ka shumë ujë nuk e përdorin efektivisht shumë prej tij, dhe kur nuk ka reshje, e thajnë lumin në tërësi,” shprehet Ndini.

Asoc.Prof.Dr. Mirjam NdiniMiriam Ndini, Profesoreshë e Inxhinierisë së Ndërtimit CIVIL në Universitetin Epoka

Një shqetësim tjetër i ngritur nga Ndini është se institucionet shtetërore nuk ndjekin procedura strikte për të garantuar mbikëqyrje dhe efikasitet në investimet për prodhimin e energjisë.

“Studimet për projektet e këtyre HEC-eve bëhen përciptaz dhe kjo për faj të institucioneve përgjegjëse. Dikur ka pasur institucione të posaçme për projekte të tilla duke përfshirë Institutin e Punëve Detare, Institutin Hidrologjik, Institutin e Ndërtimeve Hidroteknike, të cilat nuk janë më. Të gjitha këto institucione në fund të fundit nënshkruan dhe vulosnin fatin e këtyre investimeve dhe morën përgjegjësinë për gjithçka. Tani gjithçka bëhet individualisht dhe tani nuk ka më institucione,” argumenton ajo.

Por disa ekspertë nuk e shohin si të keqe ndërtimin e pakufizuar të hidrocentraleve. Eksperti i energjisë, Pajtim Bello thotë se numri i madh i HEC-eve nuk përbën në vetvete problem, por është një mjet për të arritur qëllimin.

Megjithatë, ekspertët e energjisë, përfshirë Pajtim Bellon, janë kritikë ndaj politikës energjetike të Shqipërisë pas viteve 1990 duke thënë se ajo nuk është fokusuar në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike.

Ku është Shqipëria me prodhimin e energjisë tani

Aktualisht, Shqipëria ka vetëm dy burime të energjisë elektrike: hidrocentralet dhe importimi i energjisë nga vende të tjera.

Sipas të dhënave të prodhimit të energjisë për vitin 2021, në faqen e Entit Rregullator të Energjisë Shqiptare, hidrocentralet kanë punuar me kapacitet të plotë. Prodhimi i përgjithshëm i brendshëm neto i energjisë elektrike për vitin ka qenë 8,962 GWh, nga të cilat 59.6% është prodhuar nga impiantet në pronësi të shoqërisë së prodhimit publik KESH sh.a., dhe 40.4% është prodhuar nga HEC-e të tjera.

Konsumi total i energjisë elektrike në vitin 2021 arriti në 8,415 GWh, që duket të jetë pothuajse në të njëjtin nivel me prodhimin. Por pavarësisht këtij fakti, Shqipëria ende po përballon një krizë energjetike.

“Shpërndarja e prodhimit në periudhat e vitit nuk përputhet me konsumin sepse në periudhën e thatë prodhimi është dukshëm më i vogël se konsumi dhe kjo është pasojë e profilit të burimeve [prodhimi përmes HEC-eve]”, tha Bello.

Shqipëria prodhon shumë energji gjatë sezonit të shirave, të cilën vendi duhet ta eksportojë, por në ditët e thata vendi detyrohet të importojë energji me çmime të KRIPURA sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm për ta prodhuar.

Viti 2020 ishte një përjashtim. Shqipëria nuk importonte energji elektrike, por vetëm eksportonte.

Arsyet e tjera për krizën e energjisë

Situata energjetike në Shqipëri do të vazhdojë të ndikohet nga kriza energjetike në Europën kontinentale me çmime mesatare që variojnë ndërmjet 300-400 Euro/MWh.

“Ndërsa të gjitha vendet e rajonit tonë kanë ndryshuar qasjen ndaj tregut të lirë të energjisë, Shqipëria vazhdon të operojë vetëm me mekanizmat e vjetër, duke mos përdorur me efikasitet fondet përkatëse për blerjen e energjisë”, thotë eksperti i energjisë Klodian Gradeci.

Ekspertë të tjerë besojnë se lufta në Ukrainë ka përkeqësuar krizën aktuale të energjisë duke rritur çmimet e energjisë në të gjithë kontinentin, si dhe brenda vendit.

Elton Qëndro, një ekspert mjedisi, beson se qeveria duhet të mendojë në afat të gjatë dhe të fokusohet më shumë në inkurajimin e konsumit më të vogël të energjisë.

“Në këtë situatë krize ku sistemi ynë elektroenergjetik bazohet në prodhimin vendas vetëm në një burim, masat afatshkurtra janë të kufizuara. Pra, sigurimi i energjisë është parësor, sigurimi me çmime të arsyeshme është po aq i rëndësishëm. Në këtë situatë, vetëm masat shtrënguese janë një element shumë i rëndësishëm jo vetëm në situatë krize, por edhe në situatë normale. Energjia më e lirë është ajo e kursyer”, tha Qëndro.

Ai beson fuqishëm se qeveria duhet të ndjekë masa afatgjata të natyrës strategjike dhe politike, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike, për të mbrojtur çmimin dhe interesat publike.

“Kur flas për diversifikim, kam parasysh katër (4) elemente: – diversifikimin e përzierjes së energjisë; – diversifikimi i kompanive të furnizimit – diversifikimi i rrugëve të furnizimit (vendi nga i cili importohet energjia si Serbia, Kosova, Mali i Zi apo Greqia) – dhe diversifikimi i burimeve gjeografike. Siç jemi në dijeni, Shqipëria në dy vitet e fundit ka qenë aktive në licencimin e një sërë impiantesh fotovoltaike të cilat kërkojnë kohë dhe maturim për zbatimin e tyre për të hyrë në prodhim.” – ai thote.

Alternativa të tjera për prodhimin e energjisë…

Ndërsa pothuajse 100% e energjisë së rinovueshme në Shqipëri prodhohet nga hidrocentralet, ka disa përparime në zhvillimin e energjisë diellore si një burim i ri i energjisë elektrike.

“Mbi 2100 kwh/m2/vit energji na vjen pa pagesë nga dielli në Shqipëri – kjo do të thotë më shumë se 300 ditë me diell në vit; pse të mos kërkojmë mundësi investimi për përdorimin e energjisë diellore, veçanërisht në zonat rurale?” tha Aleko Miho, profesor i Botanikës dhe Biomonitorimit të Mjedisit në Universitetin e Tiranës.

Prof. Aleko Miho, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Në vitin 2020, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi se në parkun Divjakë-Karavasta do të ndërtohej një park fotovoltaik me kapacitet energjetik 140 megavat. Në vitin 2021 u hap ankandi për parkun fotovoltaik të Spitallës, i cili do të prodhonte energji deri në 100 megavat.

Ministria thotë se projekti Spitallë është në proces plotësimi të kushteve paraprake të kontratës. Voltalia, kompania franceze që pritet të ndërtojë parkun diellor, pritet të marrë tokën që i nevojitet në muajt e ardhshëm.

Voltalia është pajisur me leje ndërtimi, leje mjedisore dhe ka marrë lejet e nevojshme për ndërtimin e projektit të Karavastasë i cili pritej që të fillonte në korrik dhe të zgjasë 12-15 muaj.

Qendro thotë se projektet diellore në të dy parqet, do t’i japin qeverisë të drejtën për të blerë energji prej 100 MW me një çmim të rregulluar prej 24.89 euro për megavat për 15 vjet, krahasuar me çmimin aktual të tregut të lirë prej 200-250 euro për megavat.

Bazuar në një raport të Vlerësimit të Performancës së Energjisë në Ndërtesa që shqyrton energjinë dhe varfërinë, vetëm 2% e njerëzve në Tiranë përdorin energjinë diellore për ngrohjen e ujit. Pra, ka shumë hapësirë ​​që ky numër të rritet.

“Centralet diellore nga burime financiare publike dhe private duhet të riorientojnë politikat në ndërtimin e burimeve për vetëfurnizimin aty ku mundësitë janë të mëdha. Kur them riorientimin e politikave, kam parasysh edhe investimin në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike për të përthithur këto burime të vogla por të shumta që bëjnë fuqi të madhe”, shtoi Pajtim Bello.

Ekzistojnë gjithashtu rrugë të tjera të prodhimit të energjisë. Miho vëren se gazsjellësi trans Adriatik ndodhet në Shqipëri, gjë që mund ta bëjë disi më të lehtë plotësimin e nevojave për energji dhe zbutjen e përdorimit ekstrem të lumenjve. Ai sugjeron vënien në punë të Termocentralit të Vlorës.

“Ka burime të tjera alternative të energjisë që nuk duhen harruar, si energjia e erës, biogazi, etj. Mbështetja në disa burime alternative është më e qëndrueshme, më jetëgjatë sesa mbështetja vetëm në burimet hidroponike,” tha Miho.

Paralelisht me ndërtimin e centraleve të reja diellore, qeveria ka promovuar edhe ngritjen e parqeve me erë, një prej të cilëve po ndërtohet në gadishullin e Karaburunit. Megjithatë, ky investim ka pasur edhe kundërshtarët e tij, kryesisht ambientalistë.

Ola Mitre, Gazetare Mjedisore

“Punimet me makineri të rënda apo ndërtime të tjera nuk lejohen (për shkak të statusit të mbrojtur të gadishullit të Karaburunit) dhe në fakt ndërtimi i këtyre lloj investimeve është i ndaluar sepse këto janë punime që dëmtojnë zonën përreth”, tha Ola Mitre.

“Shkelja e ligjit dhe shkatërrimi i mjedisit nuk është zgjidhje,” vëren ajo.

Gjatë 30 viteve të demokracisë, Shqipëria ka investuar shumë pak para në ndërtimin e projekteve të mëdha të prodhimit të energjisë, thotë Grandeci. TEC Vlora ishte një nga investimet kryesore por mbetet jofunksionale për shkak të problemeve teknike. Impianti i paneleve diellore në digën e Qyrsaqit në Vau Dejës, me kapacitet 5.4 M është i pamjaftueshëm, shtoi ai.

“Objektivi kryesor i qeverisë duhet të jetë prodhimi i energjisë. Nëse KESH do të ndërtonte centrale me panele diellore, do të optimizonte më së miri rezervat tona të energjisë dhe financat e kompanisë. Do të rriste sigurinë e prodhimit dhe përshtatshmërinë e energjisë nga burimet vendore”, tha Gradeci.

 …por pse vazhdojmë me metodat e vjetra?

Ndini thotë se HEC-et po ndërtohen në të gjithë Shqipërinë sepse miratimi i projektit është i garantuar. Marrja e një leje është e lehtë.

Miho rendit disa arsye për ndërtimin e kaq shumë hidrocentraleve në Shqipëri.

“Ne jemi një vend me shumë ujëra sipërfaqësore, që ndër të tjera është një burim hidroenergjetik; në zhvillimin tonë vendi ynë ka nevojë për energji, dhe rast pas rasti për të plotësuar nevojat, energjia importohet (blihet) nga jashtë; Energjia e marrë nga HEC-et konsiderohet si energji e pastër, pasi nuk derdh mbetje në mjedis”, tha ai.

“Unë dhe shumë kolegë të mi nuk jemi fort kundër ndërtimit të HEC-eve! Por të gjitha këto plane ndërtimi janë një barrë e madhe mjedisore dhe sociale për vendin. Kjo kumulative nuk mund të quhet kurrë “energji e gjelbër”, sidomos kur bëhet fjalë për ndërtime brenda zonave të mbrojtura dhe brenda zonave me vlera të brishta natyrore”, shton Miho.

Gradeci nuk është optimist për të ardhmen. Nëse Shqipëria vazhdon në të njëjtën rrugë që ka ndjekur prej vitesh, ai parashikon se vendi do të përballet me një krizë energjie çdo fund të verës dhe në mes të vjeshtës.

Energjia hidrike në Shtetet e Bashkuara

Ndërsa hidrocentralet janë burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri, energjia hidroelektrike përbën vetëm 6.3% të prodhimit total të energjisë elektrike në shkallë të ndërmarrjeve në SHBA, një shifër që është ulur me kalimin e kohës për shkak të rritjes së burimeve të tjera të prodhimit të energjisë elektrike si era dhe dielli.

Daniel Bresette, Drejtor Ekzekutiv i Environmental and Energy Study Institute

“Hidroenergjia është (ende) një pjesë mjaft e madhe e gjenerimit të energjisë së rinovueshme dhe gjenerimi i energjisë së rinovueshme po bëhet gjithnjë e më shumë një pikë ku ne në përgjithësi e marrim energjinë tonë,” tha Daniel Bresette, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Studimeve Mjedisore dhe Energjisë me qendër në Washington DC.

Historia e gjenerimit të energjisë në hidrocentrale

Deri në vitin 1950, qindra hidrocentrale ishin në funksionim në të gjithë SHBA. Digat jo vetëm që krijonin energji, por siguronin edhe funksione të tjera si kontrolli i përmbytjeve, ujitja dhe furnizimi me ujë urban. Projektet e digave me shumë qëllime në shkallë të gjerë nxitën rritjen rajonale.

Presidenti Franklin Roosevelt promovoi ndërtimin e projekteve federale të hidrocentraleve duke përfshirë digat Hoover dhe Grand Coulee në Perëndimin Amerikan. Deri në vitin 1950, energjia hidroelektrike, ose siç quhej “qymyri i bardhë”, përbënte 30.2% të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Ndërsa amerikanët lavdëruan ndërtimin e digave në atë kohë, autori Gabriel Lee në librin e tij “Ëndrrat e betonit: Natyra e dytë e progresivizmit amerikan”, tha se “digat e mëdha të energjisë ishin hapësira të kontestuara që ngritën një sërë pyetjesh të mprehta: (digat) si do të  transformojnë në mënyrë dramatike sistemet e lumenjve dhe pretendimet ligjore për ujin e një lumi dhe peshkimin? a ishin digat më shkatërruese për mjedisin sesa ishin ekonomikisht produktive? Shumë nga këto pyetje mbeten ende me ne sot.’’

Energjia hidrike: energjia e së kaluarës?

60 vjet më vonë, dhe energjia hidroelektrike nuk është energjia e së ardhmes. Ndërtimi i digave përfundoi në kulmin midis viteve 1950 dhe 1969, sipas Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane. Në çdo dekadë që nga vitet 1970, SHBA ka ndërtuar më pak diga se çdo dekadë e mëparshme.

Lëvizja mjedisore e viteve 1960 dhe 70 hodhi dritë mbi dëmin që mund të shkaktojë ndërtimi i digave mbi ekosistemet dhe çoi në legjislacion të rëndësishëm. Kjo përfshinte Aktin e Ujit të Pastër, Aktin e Specieve të Rrezikuara dhe Aktin e Politikës Kombëtare të Mjedisit, i cili kërkon që agjencitë federale të vlerësojnë ndikimin mjedisor të veprimeve të tyre të propozuara përpara se të marrin vendime. Kjo frenoi rritjen e ndërtimit të digave në shkallë të gjerë në të ardhmen.

Sot, digat e Amerikës po plaken. Karta e Raportit 2021 për Infrastrukturën e Amerikës raporton se mosha mesatare e digave amerikane është 57 vjeç. Meqenëse shumë diga u ndërtuan dekada më parë, shumë diga në funksion nuk përmbushin standardet aktuale të sigurisë sipas raporteve të hulumtimit të Kongresit.

Përafërsisht 15,600 diga në Shtetet e Bashkuara klasifikohen si struktura me rrezik të lartë, sipas Kartës së Raportit për Infrastrukturën e Amerikës. Strukturat me rrezikshmëri të lartë përcaktohen si ato të cilat dështimi ose keqfunksionimi i strukturës pritet të rezultojë në humbje jete dhe humbje të konsiderueshme ekonomike dhe mjedisore.

Digat gjithashtu mund të kenë një ndikim më të madh klimatik nga sa pranohet shpesh.

“Ndërtimi fillestar i digave çliron sasi të jashtëzakonshme të ndotjes së karbonit ndërsa toka përmbytet.” tha Johanna Neumann, Drejtoreshë e Lartë për Mjedisin në Amerikë, një grup avokues. Ajo shtoi se digat nuk janë “pafundësisht” të rinovueshme siç mund të mendojnë disa. ”Përfundimisht gjatë dekadave, diga lyhet, ndërsa sedimentet grumbullohen. Keni gjithnjë e më pak prodhim të energjisë derisa diga përfundimisht nuk prodhon asgjë.’’

“Kjo është një mënyrë absurde për të drejtuar një sistem energjie. Duke kaluar në energjinë diellore, duke kaluar te era dhe duke dyfishuar reduktimin e humbjes së energjisë në rrjet, ne mund të zgjidhim problemet tona të energjisë”, tha Neumann.

Pra, cila është përgjigjja?

Energjia hidrike nuk është zgjidhja për të arritur një SHBA 100% neutrale ndaj karbonit, por mund të jetë pjesë e saj, thonë ekspertët.

“Të kesh akses në burime të shumta të ndryshme të energjisë është një hap i fuqishëm. Ne kemi burime hidroenergjetike në veriperëndim të SHBA, burime të erës në Midwest dhe burime diellore në Brezin e Diellit. Një rrjet modern duhet të jetë në gjendje të integrojë energjinë e rinovueshme dhe të sigurojë që ka mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën”, tha Bresette.

Një nga teknologjitë më premtuese sot është energjia diellore. Në vitin 2020, instalimet diellore të shpërndara në të gjithë vendin prodhuan rreth 3000 MWdc sipas Shoqatës së Industrive të Energjisë Diellore (SEIA). Energjia diellore e shpërndarë është energjia elektrike e prodhuar në ose afër vendit ku do të përdoret, duke reduktuar mbetjet e transmetimit përmes linjave të energjisë. Kjo do të thotë që një person mund të instalojë një panel diellor në çatinë e tij për të reduktuar kostot e energjisë, dhe madje t’i shesë energjinë elektrike shtesë të prodhuar përsëri kompanisë së shërbimeve. Procesi i kompensimit për energjinë e shitur përsëri në rrjet quhet matje neto.

Por ka një problem…

Sipas IBISWorld, një raport kërkimor i industrisë, kalimi në energjinë diellore zvogëlon industrinë e shërbimeve publike në SHBA prej 645 miliardë dollarësh.

Ndërsa më shumë njerëz instalojnë panele diellore për banim, aq më pak para bëjnë kompanitë e shërbimeve komunale. Për shembull, Kalifornia, një pionier në bindjen e konsumatorëve për të përdorur energjinë diellore, ka ekuivalentin e 10 milionë shtëpive të furnizuara nga energjia diellore, shumë më tepër se çdo shtet tjetër, sipas SEIA. Por kalimi i Kalifornisë në energjinë diellore ka shkaktuar një reagim të fortë nga kompanitë e shërbimeve.

“Një keqkuptim që njerëzit kanë është se shërbimet komunale fitojnë para nga shitja e energjisë, por ato në fakt fitojnë para nga lëvizja e energjisë në distanca të mëdha”, tha Bernadette del Chiaro, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës së Kalifornisë Solar & Storage.

Bernadette del Chiaro, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Kalifornisë Solar & Storage

“Kompanitë e shërbimeve e kanë këtë pengesë të integruar për të mbështetur prodhimin e shpërndarë (prodhimin e energjisë elektrike në vend) dhe kanë një nxitje të integruar për të transportuar energjinë në distanca të mëdha në vendet ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe përdorin energji,” Chiaro shpjegohet.

Duke bllokuar energjinë diellore

Shumë ekspertë thonë se kompanitë e shërbimeve kanë ngadalësuar miratimin e energjisë diellore të shpërndarë në të gjithë vendin duke shkurtuar ose eliminuar politikat e matjes neto dhe duke e cilësuar adoptimin e energjisë diellore si një çështje klase dhe racore.

Në vitin 2019, kompania e shërbimeve të Ohajos FirstEnergy u angazhua në një fushatë masive ryshfeti dhe ndikimi prej 61 milionë dollarësh që rezultoi në miratimin e një ligji që heq stimujt shtetërorë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe ngarkon financiarisht konsumatorët për të shpëtuar nga falimenti industrinë e qymyrit dhe termocentralet bërthamore. Taktika të ngjashme që përfshijnë donacione politike, lobim, financim të iniciativave mashtruese anti-solare dhe më shumë janë përdorur në të gjithë vendin, duke përfshirë shtete si Illinois, Kansas dhe Florida.

Kompanitë e shërbimeve publike kanë përhapur gjithashtu mitin se energjia diellore po dëmton të varfërit dhe po ndihmon të pasurit.

Një fushatë e marrëdhënieve me publikun nga Edison Electric e Kalifornisë pretendon se përdorimi i energjisë diellore është një “zhvendosje e kostos”. Del Chiaro thotë se argumenti i tyre është se “ata që përdorin energjinë diellore janë të pasur, të bardhë dhe nuk paguajnë për rrjetin, por në vend të kësaj ia vënë të gjithë barrën e rrjetit mbi njerëzit e varfër, jo të bardhë, të cilët nuk mund të përballojnë përdorimin e energjisë diellore”.

“Dhe (fushata) ka aq fuqi pas saj, sa ata kanë pushtet politik. Pra, ata janë shumë bujarë në donacionet e tyre për legjislativin dhe për guvernatorin, “tha Chiaro.

Një argument tjetër i përdorur kundër diellit të shpërndarë, siç janë panelet diellore të çatisë, është fakti se është shumë më lirë të bëhen ferma diellore ose me erë në shkallë gjigande. Por Bryn Huxtley-Reicher, një nga autorët e “Blocking Rooftop Solar”, një raport nga Federata e Grupeve Shtetërore të Interesit Publik, argumenton se dielli i shpërndarë dhe ai diellor në shkallë të dobishme mund të përdoren për të hequr rrjetin nga varësia nga fosilet. karburantet dhe parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm mjedisor.

”Nuk është një situatë nëse dhe ose. Është një “Po…dhe….” Sa më shpejt të mund të marrim energji të rinovueshme në rrjet dhe sa më pak energji të kemi nevojë për të kaluar nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme, aq më mirë”, tha Huxtley-Reicher.

E ardhmja e energjisë diellore

“Energjia diellore tashmë ka filluar të tejkalojë hidron”, tha Chiaro.

Instalimet e paneleve diellore në SHBA pritet të katërfishohen nga gati 100 GWdc të kapacitetit të instaluar sot në më shumë se 400 GWdc të instaluara deri në vitin 2030, sipas SEIA. Për më tepër, Administrata e Informacionit të Energjisë parashikon që pjesa e të gjithë prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, veçanërisht nga era dhe dielli, do të rritet nga 21% në 2020 në 42% në 2050. Ndërsa teknologjitë bëhen më të lira, ka gjasa që më shumë njerëz ta përdorin atë.

Ben Delman, drejtor i lartë i komunikimit në Solar United Neighbors thotë se “kostoja e energjisë diellore është ulur ndjeshëm në 5 deri në 10 vitet e fundit. Njerëzit kanë filluar të pyesin gjithnjë e më shumë nëse ja vlen si investim për ta dhe familjet e tyre.

Aktualisht, administrata Biden planifikon të përfitojë nga kostoja në rënie e energjisë diellore. Shtëpia e Bardhë njoftoi në qershor se do të lejojë zhvilluesit të marrin module dhe qeliza diellore nga vende të tjera dhe autorizoi Departamentin e Energjisë të SHBA-së që të zgjerojë me shpejtësi prodhimin amerikan të pjesëve të paneleve diellore. Kjo është pjesë e qëllimit të Biden për të eliminuar emetimet e karbonit nga sektori i energjisë deri në vitin 2035.

“Për të ardhmen, nevojitet një edukim më i mirë i publikut për energjinë diellore dhe një garanci që pronarët e shtëpive, familjet dhe konsumatorët të marrin kredi të drejtë për energjinë elektrike që prodhojnë. Njerëzit kanë filluar të lidhin çmimet e energjisë me çështje më të mëdha në botë,” shtoi Delman.