[authorInfo]

Fushata online, hije dyshimi se është lënë qëllimisht e parregulluar

Prej më shumë se një viti, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID- 19, asgjë nuk është si më parë. Përveç fushave të shumta jetësore që pandemia ka prekur, një “goditje” të madhe i ka dhënë edhe partive politike dhe kandidatëve të pavarur të cilët prej një muaji tashmë u kërkojnë votat shqiptarëve. Por ndryshe nga herët e tjera, ku jemi mësuar të shohim mitingje elektorale me pjesëmarrje të madhe në shesh, zgjedhjet e 25 prillit kanë një karakteristikë tjetër. Subjektet politike, të kufizuar edhe nga situate pandemike, i janë drejtuar hapësirës online për të mbërritur tek sa më shumë qytetarë, me qëllimin që t’i bindin për t’i votuar.

Ndryshimet e ndodhura në Kodin Zgjedhor, në asnjë pikë të tyre nuk përmendin monitorimin e reklamave në rrjetet sociale dhe në hapësirën online, edhe në rastet kur këto reklama transmetohen nga portale të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me një media audio-visive, të cilat janë të përfshira në rregullat e monitorimit gjatë fushatës zgjedhore. E ndërsa në mediat tradicionale, monitorimi i shpenzimeve financiare gjatë fushatë zgjedhore nga subjektet politike është i rregulluar tashmë në rrjetet sociale e vetmja mundësi për të monitoruar shpenzimet e subjekteve zgjedhore janë deklarimet që ata bëjnë mbi shpenzime e bëra për sponsorizime në faqet e tyre zyrtare.  Por kur bëhet fjalë për faqet të cilat janë dukshëm në mbështetje të një subjekti nga kontenti që trasmetojnë, financimi i tyre është i pamundur për tu zbuluar se nga buron.

Ish kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një prononcim për ACQJ jep edhe arsyen se pse nuk u bë i mundur monitorimi I fushatës online dhe në rrjetet sociale.

“Reklamat që bëhen në mediat audio-visive janë pjesë e vëzhgimit që bëhet nga monitoruesit e KQZ. Që do të thotë që partitë politike janë të detyruara të mbajnë rekorde financiare për paratë që shpenzojnë për reklamat televizive që bëjnë. Ndërsa për mediat sociale nuk ka asnjë fjalë, për portalet nuk ka duke u konsideruar si shumë të vështirë për tu trajnuar, mungesë totale eksperience te ne, një sjellje e re e medias në funksion të fushatës dhe është lënë jashtë. Edhe aspektin e parave që shpenzohen në mediat sociale për fushatë dhe vet roli i tyre nuk monitorohen nga AMA dhe KQZ”, shprehet ai.

Gent Progni, programues në techzero1.com, shprehet se ka një rritje shumë të madhe të fushatës online krahasuar me fushatat e mëparshme.

Këtë herë, si asnjëhërë më parë, fushata është bërë shumë e fortë online. Kemi parti të cilat ishin më të përgatitura, parti që kanë nisur mirë dhe parti që kanë dëgjuar një informacion dhe po ecin kuturu. Rritja në krahasueshmëri me fushatat e mëparshme është 20000%”, shprehet ai për ACQJ duke shtuar se: “Me gjithçka që shoh, vetëm 20% e kapacitetit të rrjeteve sociale apo marketingut online po përdoret për partitë. E vetmja gjë që shoh është një harxhim I madh parash vetëm për të parë mesazhe, jo për të grumbulluar informacione e për të bërë analizë mbi këtë informacion, pra nuk ka një feedback të mbledhur për të kuptuar situtatën dhe për të marrë përgjigje për mesazhet që perceptohen”.

Në një hapësirë mediatike e cila është e pamonitoruar edhe pse ekspertë të ndryshëm të medias janë të mendimit së është duke fituar terren shumë shpejt dhe më shumë se media tradicionale, profesori i Gazetarisë dhe Komunikimit, Elvin Luku, vë re element problematike jo vetëm në komunikim por edhe në përdorimin e atyre cfarë ligji lejon në fushata elektorale.

“Elementi i parë që bie menjëherë në sy, sidomos nga partia në pushtet, është se nuk kemi një fushatë që është ndërtuar mbi programe apo përplasje politikash të caktuara por një fushatë e mbështetur në sulme dhe denigrimin e individëve dhe kandidatëve të partive të tjera. Kjo strategji është akoma më e theksuar në mediat online ku po shpenzohen shumë parash në faqe formale apo nga faqe anonime me burime pa transparence. Elementi i dytë, është se vecanërisht nga partia në pushtet, dy fatkeqësitë, tërmeti dhe pandemia, janë kthyer në kryefjalën fushatës, duke e përdorur dhe si një justifikim për ato premtime të pambajtura”, shprehet Luku, duke shtuar se krahas ushtrisë së komenteve janë shfaqur faqe online pas të cilave nuk dihet se kush fshihet por që zhvillojnë hapur propagandë në mbështetje të partive politike.

Mijëra dollarë të shpenzuara nga politika në rrjetet sociale

Edhe pse është pothuajse e pamundur për të mësuar se sa është pagesa totale që bëhet nga subjektet politike në zgjedhjet e 25 prillit për reklama në mediat online, në rrjetet sociale, kjo gjë është më e lehtë.

Në mars të 2021, Facebook deklaroi se Partitë Politike Shqiptare duhet të bëheshin transparente mbi mënyrën se si ato i financojnë reklamat politike në faqet e tyre një muaj përpara zgjedhjeve. “Të gjitha reklamat politike dhe elektorale në Shqipëri duhet të jenë nga reklamues të autorizuar dhe të përfshijnë ‘paguar nga ..’ “, tha nëpërmjet një deklarate Facebook.

Ndërkohë, sipas librarisë së reklamave të rrjetit social Facebook, gjatë 30 ditëve të fundit janë shpenzuar 123,152 mijë dollar për reklama me temë politike dhe sociale, nga partitë politike dhe nga kandidatët si dhe nga faqe të cilat nuk janë të lidhura drejtëpërdrejtë me subjekte elektorale, por që kontenti i tyre është thellësisht politik.

Qarku me më shumë shpenzime është ai i Tiranës, ku janë paguar për reklama në Facebook në 30 ditët e fundit 58,000 mijë dollar, i ndjekur nga Elbasani me 10,700 dollarë, e më pas Durrësi e Shkodra.

Profesori i Gazetarisë dhe Komunikimit, Elvin Luku, shprehet se lënia e parregulluar e mediave sociale ka qenë e qëllimtë.

Fushatës zgjedhore aktuale i ka paraprirë një procesi refrome zgjedhore disavjecare, me ndërprerje të herëpashershme. Por të lësh sot të pamonitoruar rrjetet sociale, në një kohë që problematika e fake neës apo fushatave online të sponsorizuara nga para të dyshimta janë në kulmin e tyre në të gjithë botën, patjetër që këtu ka qëllimësi. Dhe këtu nuk duhet ngatërruar liria e mediave sociale me monitorimin vetëm një mujor të sponsorizimeve dhe nevojën për transparencë financiare online”, përfundon ai.

Nga një vëzhgim i kryer nga ana jonë për shpenzimet që kanë kryer tre partitë kryesore politike në vend në faqet e tyre zyrtare në Facebook, rezulton se për një muaj shumat e harxhuara në total nuk janë të vogla.

Partia Socialiste, prej 11 Marsit e deri në 13 Prill të 2021, ka harxhuar në total një shumë prej 14,827 dollarësh, prej të cilave, 3,878 dollarë janë shpenzuar për sponsorizime nga 7 deri në 13 Prill. Por Partia Socialiste e Shqipërisë rezulton sponsorizuese edhe e faqes Socialistet, në të cilën vetëm nga 11 Marsi deri në 13 Prill ka sponsorizuar kontent me vlerë 6,173 dollarë, nga ku 3,567 dollarë prej datës 7 Prill deri në 13 Prill.

Edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, ka kryer shpenzime për sponsorizime në Facebook, por në një shifër disaherë më të vogël. Nga 11 Marsi deri në 13 Prill, PD ka shpenzuar 1,761 dollarë, pjesën më të madhe të tyre 1,461 dollarë janë shpenzuar nga data 7 deri në 13 Prill.

Ndërkohë LSI, ka kryer shpenzime minimale. Nga 11 Marsi deri në 14 Prill, ka shpenzuar 196 dollarë, 152 prej tyre vetëm në periudhën 8-14 Prill.

Dritan Çaka, anëtar i Komisionit Rregullator pranë KQZ, shprehet për ACQJ se çdo shpenzim i bërë nga subjektet në këto zgjedhje, qofshin ato parti politike apo edhe kandidatët, kanë detyrimin ta raportojnë.

“Për sa i përket Kodit Zgjedhor dhe një akti që ka miratuar Komisioni Rregullataor nuk është se është e pambuluar shpenzimi i bërë për rrjete sociale. Çdo lloj shpenzimi i bërë nga subjektet politike janë të detyruara ta raportojnë. Po flasim gjithmonë nëse deklarimet janë të sakta dhe nuk ka shmangje nga deklarimet reale, por nuk është se është i pambuluar dhe ky shpenzim”, thotë ai.

Faqe anonime për denigrimin e kundërshtarit

Ndryshe nga fushatat e mëparshme, ajo që vihet re këtë fushatë, janë faqet anonime në rrjetet sociale të cilat kanë kontent denigrimin e figurës së kundërshtarit. Disa nga këto faqe janë “Pakëz Dritë”, “Ligj dhe Rend”, “Punë Punë”, “Lugati” dhe “Anti- Rama Social Club”. Edhe pse këto faqe nuk kanë sigla ose tipare dalluese që I lidhin drejtpërdrejtë me subjekte politike, kontenti I tyre të lë të kuptosh se cilit subjekt politik i përkasin, ose mbështesin.

Gent Progni, programues në techzero1.com, thotë se arsyeja që përdoren faqe anonime apo faqe të palëve të treta është për të fshehur të shpenzimet.

Kjo bëhet pasi Facebook me ndryshmimin në platformë krijojë mundësinë e ruajtes së të dhënave për të paktën 7 vite për çdo cent të harxhuar për politikë”, shprehet ai, duke sjellë në vëmendje, që shumat e mëdha që sponsorizojnë partitë politike gjatë kohëve të fundit në rrjetet sociale, kanë sjellë pasoja edhe të bizneset e mirëfillta të markektingut online. “Ka rritje të mesatares së kostos për 1000 viës/ klikime dhe kjo ka ndikuar në kosto më të madhe të marketimit online për bizneset e fokusuara në marketingun online”.

Në javë e dytë të Prillit, “The Guardian” publikoj një investigim në të cilin dilte në pah se si nëpërmjet llogarive të rreme në Facebook, diskursi politik drejtohej në diçka tjetër. Mes vendeve të cilat u përfshinë në këtë investigim ishte edhe Shqipëria. “Një hetues gjeti të prova se rrejti Shqiptar, i cili ishte duke prodhuar në mënyrë masive komente jo  autentike, ishte i lidhur me individë në qeveri, më pas e la çështjen”, shkruhet në shkrimin investigativ të publikuar nga prestigjozja britanike. Në lidhje me këtë mëyrë të manipulimit të diskursit politik në Facebook, Gent Progni thotë se: “është prezent si fenomen dhe mund të them që ka arritur nivele shqetësuese. Sepse po ndikohen me lajme të rreme, komente apo like në elektorat”. 

I pyetur se cilat janë mjetet më të përdorshme të rrjeteve sociale nga partitë politike dhe kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit në mënyrë që të shtrembërojnë perceptimin publik sipas interes të tyre, eksperti i programimit shprehet se mjetet kryesore jan “fake news me portale të ndryshme, boost-et e këtyre fake neës me faqe facebook të sapohapura, si dhe komentimi me profile apo faqe të sapo hapura”.

Ish- kreu i KQZ, Kristaq Kume, shprehet se monitorimi i mediave online dhe atyre sociale ka qenë pjesë e diskutimeve në këshillin politik se si mund të monitorohej rreklama politike në rrjetet sociale dhe portale dhe përfundimisht u vendos se ishte një çështje që ishte e pamundur të shterohej. “Kjo nuk është vetëm një vështirësi që e hasim ne por është vështirësi në rang global”, thotë Kume. I pyetur nëse mendonte se duhej të ishte bërë diçka për monitorimin e portaleve dhe rrejteve sociale ai thotë se “është e domosdoshme ta konsiderojmë dhe nga dita në ditë është duke fituar terren madje edhe shumë më tepër se sa media tradicinale. Është e domosdoshme që të angazhohet shoqëria, legjislativi, për të gjetur zgjidhje jo për ta mbajtur në kontroll por për ta mirëadminsitruar në funskion të standartit kryesor që është trasparenca e burimit të financimit të fushatave zgjedhore, duhet bërë panvarësisht vështirësive që ka.  Unë kam qëne I mendimit që duhej të bëhej për portalet të çilat janë të licensuara, pra për to të vepronte në të njëjtën mënyrë, Pra ligji të hartohej në të njëjtën mënyrë ashtu si ligji është hartuar për mediat audio-vizive”, thotë ai duke shtuar se u gjykua si diçka e vështirë, mungesa e përvojës dhe jashtë mundësive për t’u bërë diçka e tillë.

“Ashtu sikurse monitorohet media tradicionale audiovizive, në mungesë të një ligji për median online, duhet të ishte krijuar një mekanizëm monitorimi vetëm për periudhën përgjatë fushatës”, thotë Elvin Luku, i cili shton se: “Por edhe tani organet e Drejtësisë kanë të gjithë mundësinë për të nisur hetime kryesisht nga raportimet e mediave per fluksin e këtyre parave nga burime anonime që po qarkullojnë online, në mbështetje indirekte për parti të çaktuara politike”.

Anëtari i Komisionit Rregullatopr pranë KQZ, Dritan Çaka, thotë se për çdo shpenzim që mund të jetë bërë nga subjeketet në këto zgjedhje por që nuk është raportuar nga to, mund të raportohet edhe nga qytetarët e kushdo tjetër.

“Mund të ndodhi që çdo qytetar, apo edhe ju si gazetar i cili konstaton që janë bërë edhe shpenzime të cilat nuk janë deklaruar ka të drejtën ti raportojë këto edhe në komisionin qëndror të zgjedhjeve.  Dhe eksperti i KQZ-së kur të bëj raportin e tij përfundimtar do marri edhe raportin e tij përfundimtar do marri jo vetëm deklarimet që kanë bërë subjektet por edhe raportimet që mund të kenë bërë qyetarët për shpenzime të cilat nuk janë raportuar nga subjektet”, thotë ai.

I pyetur nëse mendon se duhet të bëhet edhe një monitorim i mediave sociale dhe portaleve në të ardhmen, Çaka shprehet se po, dhe se një gjë e tillë mund të shihet në vijim, nëse me riformatimin e ri të Kuvendit në Shtator mund të ndryshojnë Kodi Zgjedhor.

Unë mendoj se po, mund të ketë edhe tavolina të rrumullakta për të parë edhe mënyrën se si duhet bërë dhe të gjenden edhe mekanizmat e duhur për të bërë monitorimin. Nuk është e pamundur, por në momentin që ishim ishte pak e vështirë për t’u arritur për këto zgjedhje”, përfundon ai.