[authorInfo]

Gripi i shpendëve, ekspertët: Institucionet e fshehën të vërtetën. Pasojat ranë direkt mbi kompanitë dhe konsumatorin

*Përditësim: 30 Mars 2022/ Ora 14:25

Unë kam pulari në Fshatin Qenas, Fier kam 8 mijë krerë zogj italianë. Ngordhje skam, analizat janë marrë e ska dalë problem! Kostot e larta të rritjes së zogut me rritjen e cmimit të drithrave dhe naftës dhe bllokimi i tregut në këtë mënyrë bën që ka rrezik falimentimi për shumë stabilimente”. Kështu e nis sinjalizimin e tij një qytetar për “Sinjalizo”.

Ai vijon më tej teksa thotë se rreziku i falimentimit po i troket tek dera.
Gripi ka rënë tek pulat e vezëve që janë për skarcim. Dëm me qindra milionë lekë. Dëmi është shumë i madh dhe rrezik falimentimi total nëse kjo situatë vazhdon kështu dhe pak ditë”, vazhdon sinjalizimin qytetari nga Fieri.

Foto të dërguara nga Sinjalizuesi

Parandalimin nuk e kanë bërë, nuk është bërë asgjë”. Duke këmbëngulur se institucionet e shpëfillën situatën, kështu e nis bisedën me “Sinjalizo”, Ariel Vasili, specialist Universitar për Klinikën, Menaxhimin dhe Mbarështimin e Kafshëve të Egra dhe Ekzotike. Kompetent për situata të tilla, Vasili flet pa doreza për gripin e shpendëve duke ekspozuar përgjegjësinë e shtetit por dhe duke nënvizuar pasojat.

“Menaxhimi u bë shumë  keq që në momentin që u munduan ta fshehin. Ishte qesharake. Në momentin që ne filluam dhe përgënjeshtruam zëra që vinin nga mediat ne i humbëm vetes kohë. Menaxhimi duhej të ishte bërë më i mirë për propogandën që kemi, kjo nuk dmth që nuk është bërë diçka, por e vonuar, u vonuam tepër, me një sëmundje virale të këtij kuadri, orët janë shumë kritike, në momentin që humbasim 12 orë, kemi humbur 30% të mundësive që të bëjmë diçka”, thotë Vasili.

Në të vërtetë, në  mesin e  muajit Mars kur lajmet edhe pse sporadike për ngordhje të pulave kryesisht në Durrës kishin filluar, Ministria e Bujqësisë përmes Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dha garancinë se nuk bëhej fjalë për gripin e shpendëve por për laringotrakeit.

“Ministria e Bujqësisë informon opinionin publik se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani. Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarisë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve”.

Megjithatë, ditë më vonë, përgjigjja nga ISUV ishte se në mostrat e marra kishin rezultuar me grip të shpendëve.

Ariel Vasili

Edhe për Edi Ferron, menaxher dhe specialist i fermave blektorale situata është menaxhuar ngadalë dhe jo profesionalisht.

Sepse burimet njerëzore në insitucionet kyçe siç janë Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe Agjencia e Veterinarisë nuk funksionojnë. Është shkatërruar shërbimi veterinar dhe është shumë e vështirë për tu bërë siç ishte sepse është e lehtë ta shkatërrosh, nga ana tjetër Instituti i Veterinarisë nuk funksionon nga ekspertë të fushës. Për dy javë rresht Instituti i Sigurisë Ushqimore deklaroi që kemi të bëjmë me larignotraeit. Mund të merreshin masa të shpejta”, tha ai për “Sinjalizo”.

Sa i përket procesit të groposjes, Ferro është i mendimit se ky proces zgjati si rrjedhojë e mosfunksionimit të bashkëpunimit mes Shërbimit Veterinar, në koordinim me Ministrinë e Mjedisit. Ai shton se disa prej njerëzve që janë marrë me menaxhimin e kësaj situate janë jashtë profesionit dhe pa eksperiencë.

Edi Ferro

Megjithatë duke ndalur tek problematikat, veterineri i njohur Vasili, thotë ndër të tjera,  Shqipëria nuk ka laboratorë reference mbi shumë sëmundje të kafshëve.

Laboratorët tanë kanë pajisje jo të këqija, por kanë staf shumë të pakualifikuar, të prapambetur. Nëse kemi vigjilencë të tillë përtokë, në të ardhmen mund të kemi njerëz që vdesin sepse shteti nuk e njeh veterinerin”, tha Vasili.

Si specialist për klinikën, menaxhimin dhe mbarështimin e kafshëve të egra dhe ekzotike, Vasili shkon më tej teksa thotë me bindje se gripi i shpendëve në Shqipëri ishte sinjalizuar më parë nga vendet fqinje.

“Ne patëm sinjalizime, nga vendet fqinje, jam i sigurt që i ka shkuar edhe Ministrisë së Mjedisit, unë po të isha si këta biznesmenët e pulave do shkoja te ministria dhe do i thoja pse nuk e raportove? Nuk është raportuar tani, ka të paktën që në shkurt, ditët e para. Ka njerëz që po paguhen me rroga shumë të mira për të bërë një punë që nuk e bëjnë fare. Raportimi i ka dhënë shtetit shqiptar mundësinë që të ishte i përgatitur deri në detaj.

“Sinjalizo” e pyeti Ministrinë e Mjedisit për të konfirmuar nëse kishin marrë si institucion më parë një raportim për gripin e shpendëve por prej tyre na u komunikua se kjo nuk nuk është përgjegjësi e tyre.

Çfarë është gripi i shpendëve ose Influenza Aviane dhe a mund të preken dhe njerëzit?

Sipas World Organization for Animal Health, gripi i shpendëve (AI) është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek disa lloje zogjsh (pulat, gjelat, thëllëzat, shpendët e detit, etj.), si dhe shpendët e kafshëve shtëpiake dhe shpendët e egër. Herë pas here gjitarët, duke përfshirë njerëzit, mund të preken nga gripi i shpendëve.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi në janar të vitit 2022 një rast të gripit të shpendëve në një person në jugperëndim të Anglisë.

Agjencia vëreu se transmetimi nga shpendët te njeriu i gripit të shpendëve është shumë i rrallë dhe më parë ka ndodhur vetëm një numër i vogël.

Ervin Resulaj, veteriner që punon në zonën Fier-Lushnje i tha “Sinjalizo” se nuk ka rrezik të shtuar për konsumatorët.

“Jo. Dhe rastet në botë janë sporadike. Por duhet të tregohet kujdes i shtuar. Mishi dhe vezët të trajtohen në temperaturë të lartë. Mbi 70C⁰”.

Edhe veterineri Ariel Vasili tha se mund të ndodhë që njerëzit të preken por rastet janë të rralla.

“Normalisht transmetohet tek njerëz që kanë pasur kontakt direkt me pulën në pulari, punonjësit e pularive, fermerët. Duhen parë sepse mund të fillojnë të kenë probleme, irritime pulmonare, që nuk sjellin mortalitet por që ka pasur raste dhe pse shumë të rralla”.

Si është gjendja në qarqet e vendit

Situata më problematike ka qenë në zonën e Durrësit, ku gjenden edhe disa prej kompanive që kanë stabilimentet e tyre të vezëve. Deri më tani flitet për mbi 500 mijë pula të ngordhura.

Dodë Ramaj, nga Sektori Shërbimit Veterinar i Qarkut Lezhë tha se nuk ka pasur problematika në këtë qark.

“Nuk ka asnje rast të infeksionit viral, nuk ka asnji problematikë, deri në kto momente që po komunikojmë.”

Sulejman Kullolli, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimeve Tiranë  u shpreh po ashtu se nuk kanë raportuar ndonjë rast të gripit të shpendëve në këtë qark.

Adila Kojdheli, Drejtor i Drejtorive Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimeve Vlorë, Fier dhe Gjirokastër tha po ashtu se në këto tre qarqe nuk ka pasur problematika të indentifikuara.

“Në tre qarqet tona nuk ka pasur problematika të raportuara. Veterinerët janë në terren gjithë kohën. Tani që flasim jemi në Divjakë, dyshohej për një rast por nuk kemi të bëjmë me virus”, tha ai me siguri.

Rasti i Divjakës, ndryshe nga kjo deklaratë, rezultoi më vonë pozitiv duke konfirmuar kështu gripin e shpendëve dhe në qarkun e Fierit.

Çfarë mund të ketë shkuar gabim? Prokuroria e Durrësit hapi hetim, kompanitë flasin për miliona euro humbje

Edi Ferro, thotë se ka pasur disa neglizhime të mundshme që kanë sjellë këtë situatë.

Kompanitë janë me siguri dhe staf teknik të lartë por normalisht që gabimi duhet të ketë qenë fatal në mënyrën se si eliminohet plehu, karkasat e ngordhura etj. Për sa kohë specialistët e shtetit nuk bëjnë si duhet detajet e përditshme, eleminimet e ngordhjeve, depozitimi i plehut, kontrollet mujore të bëhen siç duhet dhe jo fiktive, një gabim i vogël në hallkën e sigurisë e kthen në risk të madh, sëmundja po hyri brenda mijëra pulave atëherë përhapet”, tha Ferro.

Edhe veterineri Ariel Vasili është i mendimit që mund të ketë pasur neglizhime.

Mesa duket në këto stabilimente ka pasur neglizhime të vogla të cilat janë bërë një i madh, janë gabime që janë bërë dhe në Gjermani psh, por janë pushuar të gjithë nga puna. Duhet të kemi një nivel më të lartë nga çfarë e kemi për momentin. Duhet të fillojë që të ndryshojë pak sistemi i punës nëpër pulari pasi aty është bërë një gabim se si është ndërtuar stabilimenti”, tha ai për “Sinjalizo”.

Anita Jella, drejtuese e Prokurorisë së Durrësit i tha “Sinjalizo” se për gripin e shpendëve në Shqipëri është hapur një hetim, megjithëse nuk dha shumë detaje.

Janë kryer veprimet e para dhe është regjistruar procedim penal, neni 207 dhe 248 i kodit penal”, tha Jella.

Andi Duka, përfaqësues i kompanisë AIBA në Durrës i tha “Sinjalizo” se janë ende duke bërë bilancin e tyre por se deri më tani dëmet shkojnë deri në disa milionë euro.

Pula të ngordhura në kompaninë AIBA

“Do na duhet akoma punë për të përllogaritur dëmin total por përafërsisht llogaritet një dëm diku tek 3 milionë euro.”

Duka shtoi se për momentin, nuk është çështja tek pulat e ngordhura sa ç’është tek marrja e një urdhër eliminimi nga Ministria e Bujqësisë për pulat e gjalla dhe të infektuara, për momentin të mëdhaja në numër.

Duhet kuptuar nga publiku që gjëja më e rëndësishme në këto momente është respektimi nga institucionet veterianare shtetërore, i planit të kontigjencës të hartuar pikërisht për këto raste. Sipas këtij plani çdo vatër e gjallë e këtij virusi duhet të eliminohet sa më shpejt në mënyrë që mos lejohet shpërndarja”, tha ai.

Pasojat direkte, rritet çmimi i vezëve, s’ka blerje të produkteve të mishit të pulës

Ndërkohë që qytetarët janë të pasigurtë, shitja e vezëve dhe mishit të pulave ka rënë në dyqane dhe markete.

Në një market lagjeje në rrugën e Elbasanit, mishi i pulës ka ngelur prej ditësh i pashitur dhe punonjësit e marketit raportojnë për një frikë të qytetarëve për këtë produkt.

Market në Rrrugën e Elbasanit
Market në Rrugën e Elbasanit, Tiranë

Nga ana tjetër çmimi i vezëve është rritur. Çmimi i një kokrre vezë ka arritur në 30 lekë.

Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve është përgjysmimi i prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare. Përhapja e sëmundjes pritet të sjellë rritje tjetër të çmimit, deri në rrezikimin e shpërndarjes të produktit në treg.

Kompanitë thonë se do të fillojnë importin e vezëve nga vendet e Bashkimit Europian, fakt ky që do të vijë me kosto shtesë për konsumatorin shqiptar.

Vezë në një market të madh në zonën e qendrës, Tiranë

Në Shqipëri prodhimi i vezës plotësohet me nevoja vendase. Sipas informacioneve që “Sinjalizo” ka, Shqipëria rrezikon të humbasë eksportet e vezëve dhe ndër të tjera Bashkimi Europian pritet të sjellë trupa audituese për produketet tona dhe nëse do ta quajë vend me rrezikshmëri të lartë atëherë mund të lindin problematika të tregtisë me vendet e unionit.

Ministria kërkon veterinerë në mes të krizës së gripit të shpendëve

Edhe pse ende nuk është menaxhuar për ti dhënë fund problematikës dhe pasojave që solli gripi i shpendëve në Shqipëri, Ministria e Bujqësisë ka hapur thirrjen për të punësuar veterinerë.

Nuk bëhet fjalë për një ose dy, por dhjetra të tillë që si duket kanë qenë mungesë në gjithë Shqipërinë përgjatë gripit të shpendëve.

Në total, ministria kërkon të punësojë rreth 60 veterinerë në të gjithë Shqipërinë kryesisht në Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë etj.

Siç specifikohet në kërkesat që ministria ka për të interesuarit për këto vende pune, kërkohet që ata të menaxhojnë sëmundjet infektive të kafshëve në vatrat e shpërthimeve.

Video e dërguar nga Sinjalizuesi
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/