Nga 25 083 aplikime të kryera online për regjistrimin e nxënësve të klasave të para në shkollë, në portalin “e-Albania” kanë mbetur të pakonfirmuar ende gati pesë mijë prej tyre. Ministria e Arsimit konfirmon se për klasat e para u konfirmuan në portalin “e-Albania” 20 145 regjistrime. Dikasteri i arsimit shpjegon për “Sinjalizo” se në raundin e parë nga 18 080 aplikime të nxënësve janë pranuar 14 486, në raundin e dytë nga 4 182 aplikime janë pranuar 3 382, ndërsa në raundin e tretë janë pranuar 2 277 nga 2 821 aplikime për t’u regjistruar në klasat e para. Duke folur me gjuhën e shifrave, Ministria thotë se edhe për klasat e dhjeta u vu re i njëjti problem mbasi nga 23 948 regjistrime të bëra, janë pranuar vetëm 17 017, kurse regjistrimet e 6 931 nxënësve mbeten ende të papranuar. Kjo situatë ishte paralajmëruar më herët mbas hakimit të shërbimeve qeveritare online, nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë. Konkretisht, në 18 korrik ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në kulmin e sulmit kibernetik ndaj platformës “e-Albania” parashikoi se kjo ndërhyrje do të ndikonte edhe në procesin e regjistrimit të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta.
“Kemi vendosur që afatin e regjistrimeve ta shtyjmë deri në një datë të pacaktuar,”- deklaroi Kushi, duke nxitur skepticizmin dhe dyshimin e mësuesve por edhe të prindërve mbi mbarëvajtjen e regjistrimit të digjitalizuar. Çfarë ndodhi pas verës e përshkruan për “Sinjalizo”, drejtori i një shkolle të mesme nga qarku i Elbasanit, që bën të ditur se regjistrimet në portal nuk kanë përfunduar ende.
“Procesi i regjistrimit online nisi këtë vit për herë të parë dhe shkolla duhej të mbulonte vetëm një hallkë, atë të konfirmimit, por nuk ndodhi kështu”,- sinjalizon nën kushtin e anonimitetit zyrtari i arsimit. “Sistemi pati probleme që në nisje, pasi me vështirësi u vendos juridiksioni dhe adresa e shkollës”,- tregon drejtori . Problemet e tjera lidhen me mungesën e kapaciteteve , cilësinë e pajisjeve dhe harresën e prindërve për të regjistruar diku të dhënat mbas rregjistrimit në e- Albania.
Sipas sinjalizuesit, që numëron se gjatë muajve gusht- shtator, prindërit i janë drejtuar për ndihmë emergjente shkollës, ngre shqetësimin se ka ende nxënës të parregjistruar në portal. Ky ngërç vijon ende ndonëse zyrat arsimore kanë kontaktuar me mësuesit duke kërkuar informacion të përditësuar. “Procesi i regjistrimit për mbi 90% të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta në shkollën tonë u realizua më 23 shtator, por ka raste, kryesisht të fëmijëve të familjeve emigrante, që ende nuk janë regjistruar në portal”- nënvizon zyrtari i arsimit që pranon se hedhja e të dhënave të nxënësve të parregjistruar mund të bëhet në mënyrë manual.
Por Teuta H*, prind i një prej nxënësve së klasës së dhjetë në Durrës, e pranon për “Sinjalizo” se arriti të përfundonte regjistrimin e vajzës së saj me një javë vonesë pavarësisht se ndërkohë bashkëmoshatarët e të miturës kishin nisur mësimin.
“Shkolla nisi më 12 shtator, por regjistrimin arritëm ta mbyllnim më datë 20, tre ditë përpara mbylljes së raudit të tretë”,- ankohet nëna e re. Kur në rrjet ishte e pamundur hedhja e të dhënave të fëmijës, çifti shfrytëzoi raportin miqësor me drejtorin e shkollës për ta rregjistruar në klasë, por jo në portal.
“Ne sërish regjistrimin në shkollë e realizuam, vetëm se kësaj rradhe me vonesë. Kishim frikë se po të binte sërish sistemi nuk do të mund të arsimonin dot vajzën, ndaj dhe iu drejtuam fillimisht vetëm shkollës ”,- rrëfehet gruaja.

Adelina, mësuese e një prej gjimnazeve më të mëdha të Durrësit thotë për “Sinjalizo” se shkollat ndoqën secila një linjë të vetën me qëllimin e vetëm për t’u ardhur në ndihmë nxënësve. “Kryesisht mësuesit që lanë maturat dhe morën klasat e dhjeta, me vendim të Këshillit të Mësuesve, u erdhën në ndihmë nxënësve që nuk realizonin dot në mënyrë vetjake regjistrimin për vitin e ri akademik”,- bën të ditur ajo .
“Në shkollën tonë regjistrimet u kryen të gjithë me anë të ‘e-Albania’-s, ndonëse disa herë pati probleme arritëm t’i regjistronim nxënësit tanë”,- përfundon mësuesja .
Nuk ishim gati për rregjistrim online
Irsa Ruçi, ekperte e komunikimit dhe ish-pjesë e administratës së Ministrisë së Arsimit thotë për “Sinjalizo” se përdorimi i teknologjisë në regjistrimin e nxënësve në shkolla mundëson shmangien e burokracisë, së rradhëve, por në të njëjtën kohë nuk duhet të varet i gjithë procesi i regjistrimit nga teknologjia.

“Paralelisht me sistemin online duhet t’i jepet hapësira çdokujt që të marrë shërbimin në zyrat e shtetit, pasi ne kemi një sistem që monitoron, që mund të bjerë çdo moment dhe bashkë me të bie dhe shteti”,- thotë Ruçi, sipas së cilës regjistrimi i digjitalizuar i nxënësve nuk ndikon në cilësinë e mësimdhënies, por në ngritjen e një sistemi spiunazhi.
“Sistemi ynë arsimor që në gjenezen e tij fillon mbrapsht”,- thotë Ruçi duke shtuar,-“Nuk kemi një sistem tipik shqiptar, por kemi marrë tiparet më të mira të sistemeve të huaja dhe i kemi hedhur në terrenin tonë pa i përshtatur ato fillimisht”.
Rënia e ‘e-Albania’, traumë për nxënësit
Sipas psikologes shkollore Elona Mustafaraj, ndonëse regjistrimi i digjitalizuar i nxënësve në shkolla u përkiste prindërve, fëmijët e ndoqën këtë proces nëpërmjet prezantimit të bërë nga mediat audiovizive dhe familjarët.

“Shpeshherë fëmijët transmetojnë gjendjen e ankthit të prindërve të tyre, dhe sa më shumë të shqetësuar të jenë prindërit aq më shumë reflektohet kjo tek fëmijët”,- thotë psikologia, duke shtuar, se “në një situatë të tillë, pamundësia për ta çuar procesin e regjistrimit përpara mund të ndodhte për arsye të caktuara, por sqarimi nga ana e prindërve për të ditur se si do të funksiononte më pas, ishte i nevojshëm”,- thotë Mustafaraj, e cila ndalon dhe në mënyrën se si nxënësit e klasave të para duhej të përballeshin me regjistrimin online.
“Klasat e para, prindërit i shohin përgjithësisht si një mënyrë për t’i trajtuar fëmijët si të rritur që kanë kaluar në një proces tjetër që lidhet me të mësuarit. Por kjo nuk do të thotë që procesi konjitivisht ka mbaruar”, – shprehet ekspertja duke shtuar se ishte shumë i nevojshëm shpjegimi dhe sigurimi nga ana e prindërve se do të gjendej një rrugë tjetër, formë tjeter regjistrimi me anë të së cilës fëmijët do të bëheshin pjesë e sistemit arsimor.
Regjistrimi i digjitalizuar dhe abetarja e re, dy risitë për klasat e para
Një ditë përpara nisjes së vitit të ri akademik, ministrja Kushi bëri të ditur përmes një video në rrjetet sociale se ky vit do të niste me një sërë risish, mes tyre dhe futja në shkolla të Abetares shqipe, hartuar nga profesorë, mësues, redaktorë shkencorë dhe letrarë nga Shqipëria dhe Kosova.
Sipas Profesoreshës Teuta Toska, njëkohësisht dhe një nga redaktoret shkencore të tekstit, patriotizmi është vetëm një çështje e vogël në tekst, sepse ai ka në përberje elementë më delikatë siç janë barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja.

“Në abetare të gjithë fëmijët mund të gjejnë veten me një personazh. Mund të jenë fëmijë me aftësi ndryshe, fëmijë që u rrinë flokët keq, fëmijë që kanë syze”,- tregon Toska, e cila pohon se për realizimin e tekstit së Abetares kanë dhënë kontributin e tyre edhe psikologët.
Por a ishte e domosdoshme ndërtimi dhe promovimi i një abetareje të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës?
“Siç mund ta imagjinoni iniciativat që ndërmerren në Shqipërinë e pas viteve ’90 nuk lidhen me problematikat konkrete që shfaq arsimi shqiptar”,- thotë Toska, e cila pohon se edhe më parë fëmijët shqiptarë kishin mundësinë e zgjedhjes së një abetareje alternative, hartuar nga autorët e të dyja shteteve.
“Nevoja për të pasur një Abetare tjetër kishte qëllime politike, por sa herë që thërrët politika, shkenca duhet t’i përgjigjet në mënyrë objektive, duke vendosur në dispozicion të gjithë kapacitetin shkencor”,- përfundon ajo.
Sipas ekspertes së komunikimit dhe arsimit, Irsa Ruçi ende nuk është e qartë përse duhet të ndërmerrej një hapë i tillë.
“U bë bujë e madhe për Abetaren e përbashkët, por nuk e kuptoj se ç’propagandë ishte sepse s’ka vlerë”,- thotë Ruçi, sipas së cilës do të ishte më me rëndësi realizimi i një studimi rreth përjetimit të shqipes standarte nga të rinjtë e Kosovës.
“Nuk e kuptoj çfarë diference mund të bëjë kjo Abetare, kur në të dyja shtetet mësohet në gjuhën shqipe dhe përdorimi i dialekteve, qoftë në tekstet alternative që ofron shkolla, është pasuri për gjuhën tonë”,- përfundon Ruçi.