I njëjti mall, çmime të ndryshme, etiketa të ndryshme

Autor: Anxhela Braçja

Aishja, 60 vjeç, banore në qytetin e Elbasanit, blen rregullisht krahë pule (ose kofsha pule), në dyqanin afër shtëpisë. Ajo mendon se ato pula janë rritur në Shqipëri dhe janë shumë cilësore. Shitësja (pronarja e dyqanit), i thotë se janë produkte vendi, pavarësisht se në etiketë mungon ky informacion. Aishja kontrollon çdo produkt për etiketën, sepse në këtë mënyrë i shmang vetes probleme shëndetësore.

Në shumicën e rasteve në supermarketin Big Market shiten kofshë pule me ofertë, por pa asnjë etiketë, duke sjellë dyshim për produktet që konsumojmë.

Aishja na tregon se kofshët e pulës ose krahët e pulës kanë çmime të ndryshme, nga 190 lekë deri në 250 lekë. Për të njëjtin mall supermarketi i një firme të njohur ka një çmim tjetër, 610 lekë, por me informacion më të detajuar, duke bërë që konsumatorët të ndjehen më të sigurt për produktet që konsumojnë.

Jo të gjitha etiketat në produktet e vendit përmbajnë të gjithë informacionin që kërkon ligji. Nënproduktet e pulës në markete vazhdojnë të tregtohen me etiketa si prodhime të kompanive vendase.

Nga një vëzhgim në markete dhe dyqane konstatohet lehtësisht se shumica e produkteve të pulës së importuar nuk kanë asnjë shenjë dalluese që mund të konsiderohet si etiketë.

Filetot e pulës, krahët e pulës apo kofshët e pulës nuk kanë asnjë shënim se nga kanë ardhur, cila është origjina e tyre, prodhuesi apo importuesi e aq më pak këshillat për përdorim.

Sipas ligjit 9863, dt.23.01.2008, etiketa duhet të përmbajë disa të dhëna, të cilat cilësohen të detyrueshme, si:
 Emri i produktit duhet të përmbajë të dhënat vetëm në gjuhën shqipe;
 Të ketë emrin, me të cilin shitet produkti;
 Të ketë listën e përbërësve;
 Të ketë sasinë e përbërësve të veçantë ose kategorive të përbërësve;
 Të ketë deklarimin e sasisë neto;
 Të ketë datën e jetëgjatësisë minimale ose në rastin e ushqimeve, të cilat nga pikëpamja mikrobiologjike paraqesin rrezik, duhet të deklarohet “data e përdorimit”;
 Të ketë çdo kusht të veçantë të ruajtjes ose kushtet e përdorimit;
 Të ketë emrin apo emërtimin e biznesit dhe adresën e prodhuesit apo ambalazhuesit ose të tregtuesit. (Edhe kur prodhohet për të tretët, deklarohet adresa e prodhuesit, ambalazhuesit, tregtuesit dhe eksportuesit.)
 Të ketë detaje të vendit të origjinës ose prejardhjes për produktet ushqimore të importit. (mosdhënia e këtyre veçantive mund të ngatërrojë konsumatorin për një produkt tjetër dhe për origjinën e vërtetë ose prejardhjen e produktit ushqimor.) 

Por këto detyrime të shprehura në ligj për mbrojtjen e konsumatorit shpeshherë mbeten vetëm në letër.

Foto 2. Fileto pule e kompanisë Kazazi

Shkelësit e ligjit janë të shumtë, por nga një vëzhgim i kryer në pikat kryesore të shitjes në qytetin e Elbasanit, një nga tregtarët kryesorë, i cili mbulon dhe një pjesë të konsiderueshme të tregut për produktet e mishit, është kompania Kazazi.

Në filetot e pulës së ambalazhuar me mbishkrimin “Prodhim i Kazazi” shkruhet: “Shije e besuar”.

Duke parë një etiketim kaq të thjeshtë dhe informacion të kufizuar për konsumatorin, lindin disa pyetje:

A ka kompania stabiliment për rritjen e shpendëve për mish?

Nëse ka, pse është shkruar: I importuar?

Ne iu drejtuam Kompanisë Kazazi me një kërkesë për koment, por deri në datën e publikimit nuk ka patur një të tillë.

“Kompania Kazazi nuk ka stabiliment për rritjen e shpendëve, pavarësisht se në produktet e tyre ushqimore shkruhet në etiketë që ambalazhohet dhe prodhohet nga fabrika e përpunimit të mishit, Kazazi Meat Sh.p.k.”, – thotë drejtori i qendrës Alert, një organizatë jofitimprurëse që ka në qendër të punës së saj mbrojtjen e konsumatorit.

“Ka kompani, – thotë ai, – që kanë stabilimente për rritjen e shpendëve, si Tik Tik, Driza, Chicken Farm dhe Radostina, por kompania Kazazi nuk ka informacion për prejardhjen e produkteve, duke shkaktuar dhe panik se mos ai produkt mund të ketë salmonelë.”

Produktet që kompania shet, janë të importuara, por konsumatori ka të drejtë të dijë nga e kanë origjinën, dhe ky informacion mungon.

Foto 3. Kofshë pule e paambalazhuar pa asnjë informacion nga e ka origjinën. Foto e bërë në supermarketin Big Market.

Për sa i përket etiketimit të produktit ushqimor (mish), që vjen i ngrirë nga importi, duhet të shkruhet në etiketë, sepse subjektet janë të detyruara ta shkrijnë për ta vendosur në qese më të vogla dhe ta ngrijnë e ta nxjerrin në treg, por duhet të shkruhet në etiketë dhe konsumatori duhet ta dijë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për etiketimin” dhe Ligji “Për Ushqimin” e saktëson mënyrën e etiketimit të produkteve ushqimore, ndërkohë që sipas ligjit dhe VKM-së produktet që janë të shkrira duhet të shkruhen në etiketë.

Nëse do të krahasonim etiketat e produkteve vendase me ato të shteteve të Bashkimit Europian, ka një ndryshim shumë të madh mes tyre, për shkak se etiketat e produkteve të BE-së kanë të dhëna të detajuara që konsumatori duhet t`i dijë. Produktet që shiten në dyqanet në Shqipëri, mund të kenë shpjegimin se janë të importuara, por jo se nga cili vend, gjithashtu edhe temperaturën, vlerat ushqimore dhe përbërësit, ndërkohë që ligji e bën të qartë:

“Të ketë detaje të vendit të origjinës ose prejardhjes për produktet ushqimore të importit (mosdhënia e këtyre veçantive mund të ngatërrojë konsumatorin për një produkt tjetër dhe për origjinën e vërtetë ose prejardhjen e produktit ushqimor);

“Të ketë emrin apo emërtimin e biznesit dhe adresën e prodhuesit apo ambalazhuesit ose të tregtuesit. (Edhe kur prodhohet për të tretët, deklarohet adresa e prodhuesit, ambalazhuesit, tregtuesit dhe eksportuesit.)”

Nëse i krahasojmë këto dy produkte, menjëherë vihet re që produkti është prodhuar në Greqi dhe etiketa shoqëruese përmban një numër të madh të dhënash mbi origjinën e produktit, vlerat ushqimore dhe kushtet e ruajtjes dhe konsumimit. Ndërkohë, produkti i paraqitur nga kompania shqiptare nuk ka asnjë të dhënë. Gjithashtu, në produktin e prodhuar në Greqi jepen edhe përbërësit dhe temperatura, shoqëruar me të gjitha informacionet e nevojshme.

Të ketë emrin origjinal, me të cilin shitet produkti

Në bazë të Vendimi nr. 1344, datë 10.10.2008, Për miratimin e rregullave “Për etiketimin e produkteve ushqimore”, produkti ushqimor duhet të ketë një emër që ekziston; të mos jetë i komplikuar, por i zakonshëm; emri i ushqimit duhet të përshkruajë mënyrën e përdorimit dhe të jetë i qartë, që blerësi ta njohë produktin dhe të bëjë dallimin nga produktet e tjera që mund të jenë të ngjashme dhe të mos ngatërrohet. Asnjë lloj marke tregtare s`duhet të zëvendësojë emrin, me të cilin shitet produkti.

Çdo produkt që shitet, në etiketat e tij duhet të shpjegojë kushtet fizike të produktit ushqimor ose trajtimin specifik që ka pësuar (p.sh., pluhur, i ngrirë, ngrirje e thellë, i përqendruar, i tymosur), në të gjitha ato raste kur ky informacion mungon, mund të krijohet konfuzion te blerësi. Çdo produkt ushqimor, që është trajtuar me radiacion jonizues, duhet të përmbajë një nga treguesit e mëposhtëm: “i rrezatuar” ose “i trajtuar me radiacion jonizues”.

Por, fatkeqësisht, të gjitha këto pika nuk i përmbajnë shumë produkte, të cilat shiten në marketet dhe pikat e shitjes në Republikën e Shqipërisë, duke sjellë shqetësim për qytetarët për sigurinë e produkteve që konsumojnë.

Konsumatori nuk duhet të mjaftohet të shikojë në etiketë vetëm skadencën, por edhe përbërësit e produktit. Nëse konsumatori mund të jetë alergjik ndaj një përbërësi që mund të ketë produkti dhe në etiketë nuk është vendosur ky përbërës, atëherë kompania dhe marketi që e tregton duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në përgjigje të kërkesës për informacion, thotë se nuk kanë patur ankesa nga qytetarët në lidhje me etiketimin jo-konform ligjit të produkteve ushqimore.

Siguria ushqimore është një kambanë alarmi, jo vetëm për konsumatorët, por mbi të gjitha për autoritetet që ligji i ngarkon për të siguruar se produktet që konsumohen nuk janë të rrezikshme për shëndetin. Dhe për këtë nuk mjafton që malli të ketë vetëm datë skadence.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter