Investimet e huaja direkte, Shqipëria mbetët pas fqinjëve në Ballkan. Rekomandimet janë të shumta por hapat e ndërmarrë nuk gjenden gjëkundi

Autorë: Armela Toska, Clara Bates dhe Grace Mayer

Në të gjithë Shqipërinë mund të gjesh kompani të huaja që kanë vendosur të hapin dyert e tyre pavarësisht arsyeve të vazhdueshme për të shkuar diku tjetër.

Kompani të mëdha amerikane si KFC, ExxonMobil dhe të tjera po zhvillojnë biznesin e tyre në Shqipëri, por ekspertët bien dakord se hendeku mes potencialit të investimeve në Shqipëri dhe investimeve të huaja direkte aktuale (IHD) mbetet i gjerë.

Vetëm një përpjekje e madhe e qeverisë shqiptare për të tërhequr kompanitë e huaja, thonë ata, mund ta ndryshojë këtë dhe të ndihmojë në përfitimin e një ekonomie që mbetet ende ndër më të varfrat në Evropë.

“Ne kemi pritshmëri që qeveria shqiptare të paktën të hartonte një strategji për të sjellë më shumë IHD si një mënyrë për të balancuar problemet që ekzistojnë në terren,” tha Albana Shehaj, një studiuese vizitore e Universitetit të Harvardit me Qendrën Minda de Gunzburg për Studime Evropiane, dhe që është nga Shqipëria.

PBB shqiptare ndër vite

Shehaj ka krijuar një grafik me investimet e huaja direkte në rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe ka vënë në dukje se investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë qenë në një rënie të vazhdueshme që nga viti 2013. IHD-të në vitin 2013 ishin 1.3 miliardë dollarë, por deri në vitin 2019, ky numër kishte rënë në 1.2 miliardë dollarë. Edhe pse ka pasur rritje të herëpashershme të IHD-ve gjatë dekadës së fundit, rritja ka kontribuar vetëm në një përqindje të vogël të PBB-së së përgjithshme të vendit, duke çuar në pak ndikim në ekonominë e vendit.

Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri gjatë viteve

Serbia, për krahasim, i ka parë IHD-të e saj neto si përqindje e PBB-së në rritje të vazhdueshme që nga viti 2012. Kompanitë e mëdha italiane, si Ferrero Rosher, Geox dhe Benetton zgjodhën të investojnë në Serbi në vend të Shqipërisë, sipas një artikulli të monitor.al të publikuar në 2018.

Maqedonia e Veriut, gjithashtu mundi Shqipërinë për disa investime të huaja direkte në 2018, duke përfshirë kompanitë Johnson dhe Johnson, Lear Corporation, Johnson DOEL dhe CapCon.

Shehaj tha se disa faktorë – shkalla e papunësisë që arrin në 12.8% në 2020, migrimi i të rinjve shqiptarë në vende të tjera në kërkim të punës dhe rënia e fundit e rritjes ekonomike – i kanë bërë investimet e huaja direkte veçanërisht thelbësore për ekonominë e Shqipërisë. Por përgjigja e qeverisë, thonë kritikët, ka qenë e vakët.

“Hapat që ka ndërmarrë [qeveria] për të avancuar masat dhe politikat e marra për adresimin e IHD-ve ishin ose të kufizuara në raport me disa vende të tjera, ose po bëheshin ‘thjesht sa për sy e faqe, si të thuash,” tha Shehaj.

Për “Sa për sy e faqe” Shehaj i referohet një ligji që Shqipëria miratoi në vitin 2016 në përpjekje për të tërhequr më shumë investime vendase dhe të huaja. Pavarësisht udhëzimeve të ligjit që përshkruajnë hapat strategjikë që qeveria mund të marrë për të vlerësuar dhe përcaktuar investimet e suksesshme, ligji nuk ka arritur të tërheqë një numër më të madh investimesh të huaja që nga miratimi i tij.

Enio Jaco, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë

“Kuadri ligjor që lehtëson tregtinë dhe investimet për kompanitë e huaja nuk ndihmon”, tha Enio Jaco, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë. “Mjafton të shohim renditjen e Shqipërisë në garën rajonale. Shqipëria renditet e fundit. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kryesojnë. Që do të thotë se kuadri ligjor që ofron Shqipëria është më pak tërheqës për investimet e huaja dhe po humbet në konkurrencën rajonale”.

Jorida Tabaku, deputete e partisë opozitare dhe eksperte e ekonomisë, fajëson mungesën e IHD-ve për disa faktorë të tjerë, përfshirë konkurrencën për investime nga vendet fqinje.

“Problemi themelor me të cilin përballet vendi ynë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD) lidhet me konkurrueshmërinë që ka Shqipëria në raport me vendet e tjera të rajonit, në përthithjen e këtyre investimeve dhe investitorëve seriozë. Së bashku me mungesën e konkurrencës, problemet e tjera kryesore janë politika fiskale dhe korrupsioni”, tha Tabaku.

Me fjalë të tjera, tha Tabaku, politikat fiskale të vendeve fqinje janë më të thjeshta dhe më të përshtatshme se ato të Shqipërisë dhe subvencionet e ndryshme që ofrojnë vendet e tjera janë më tërheqëse.

Pse po ndodh kjo?

Në vitin 2018, Ricardo Hausmann, drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, e quajti zhvillimin ekonomik të vendit nga viti 2013 deri në vitin 2018 si “Mrekullia shqiptare”. Disa kriza makroekonomike ishin zbutur. Pas një rënieje të qëndrueshme të lirë në tre vitet e mëparshme, rritja e PBB-së ishte përshpejtuar. Megjithatë, pavarësisht progresit, Shqipëria ka mbetur ndër vendet më të varfra në Ballkan – dhe është veçanërisht prekur ekonomikisht nga pandemia globale.

Ekonomia e Shqipërisë është ndër më pak të diversifikuarat në rajon, sipas Atlasit të Kompleksitetit Ekonomik të Harvard Kennedy School Growth Lab. Dy sektorë, teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe udhëtimi dhe turizmi, dominuan rritjen e eksporteve, sipas të dhënave të Atlas nga 2019.

Aftësia e një vendi për të eksportuar një gamë të gjerë, komplekse mallrash dhe shërbimesh është thelbësore për rritjen ekonomike, zbuloi hulumtimi i Growth Lab. Mallrat dhe shërbimet e kufizuara të Shqipërisë kontribuojnë në mbetjen e saj pas vendeve homologe, duke e lënë atë edhe më të prekshme ndaj ngjarjeve frenuese si Covid, që shkatërroi industrinë e turizmit.

Studiuesit e Harvardit vënë në dukje investimet e huaja direkte si menteshën vendimtare për të nxitur rritjen ekonomike shqiptare.

“Investimi i huaj direkt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike”, tha studiuesi ekonomik i Shkollës Kennedy të Harvardit, Tim O’ Brien, “sepse Shqipëria duhet të diversifikohet në më shumë industri”. Investimi mund të prezantojë burime të reja njohurish nga jashtë, duke i lejuar shqiptarët të prodhojnë mallra dhe shërbime të reja.

Shqipëria duhet të kthehet në vend tërheqës për investitorët

Proponuesit e investimeve të huaja theksojnë disa faktorë që duhet të tërheqin investitorët në Shqipëri. Domethënë, pagat janë të ulëta. Pas një rritjeje në prill të këtij viti, paga minimale është 32,000 lekë në muaj, e barabartë me afërsisht 1.78 dollarë në orë. Kjo, së bashku me pagën minimale të Kosovës, është paga minimale më e ulët në Ballkanin Perëndimor. Normalisht, investimet e huaja do të shfaqeshin, duke pasur parasysh trendin prej dekadash të kompanive që kontraktojnë fuqinë punëtore në vendet në zhvillim për të maksimizuar fitimin.

“Investimi në Shqipëri do të ndihmonin gjithashtu në zgjerimin e gjurmës së tregut të investitorëve ndërkombëtarë, duke çuar në fitime më të larta,” tha Shehaj. Ky faktor, së bashku me vendndodhjen gjeografike të Shqipërisë si një pikë tërheqëse turistike, tha Shehaj, duhet ta bëjnë vendin një investim tërheqës për kompanitë.

“Këta do të ishin të gjithë përbërësit që do t’u duheshin korporatave kombëtare për të përmbushur kërkesat e tyre dhe për të përmbushur fitimet e tyre në rastin e Shqipërisë,” tha Shehaj.

Pavarësisht këtyre avantazheve, kompanitë e huaja janë penguar të investojnë në Shqipëri për një sërë arsyesh, duke përfshirë korrupsionin e vazhdueshëm sistemik.

Renditja e Shqipërisë për korrupsion në rang global

Shqipëria shënoi një vlerësim prej 36 në indeksin e perceptimit të korrupsionit në vitin 2020, sipas të dhënave nga Transparency International, një organizatë jofitimprurëse që monitoron korrupsionin në mbarë globin. Kjo shifër mat nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik të një vendi në një shkallë nga 0 deri në 100, në të cilën vendet që fitojnë rezultate afër 0 barazohen me nivele më të larta të korrupsionit.

Indeksi i perceptimit të korrupsionit në Shqipëri ndër vite

Fqinjët e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, patën një pikëzim prej 36, 38 dhe 45.

Tim O’Brien i Harvardit thekson sfidat e Shqipërisë me energjinë elektrike dhe problemet e transportit si faktorë të tjerë që trembin investitorët e huaj të mundshëm.

“Qeveria [shqiptare] duhet të jetë një lojtar më aktiv për ta vendosur veten në hartë dhe për të kapërcyer një pjesë të reputacionit të saj të keq,” tha O’ Brien.

“Nëse do të pyesnit një dekadë më parë, unë do të kisha thënë, ‘Epo, sistemi i energjisë elektrike është thjesht i pafuqishëm,’ tha O’ Brien, “Por kjo pjesë është në rregull, nuk është e shkëlqyer…ka disa sfida , por hapësira për efikasitet në kërkim të IHD-ve është aty. Një qeveri shqiptare më proaktive duhet të preantojë kompanitë e huaja me vendndodhje të ndryshme në Shqipëri për të krijuar operacione dhe për të vazhduar punën me to.”

Në një artikull të shkruar muajt e kaluar, O’ Brien dhe Daniela Muhaj, dikur studiuese ekonomike në Shkollën Kennedy të Harvardit, shkruanin se forcimi i promovimit të synuar të investimeve të Shqipërisë do të prodhonte “punë më cilësore, konvergjencë më të shpejtë me nivelet e të ardhurave të pjesës tjetër të Evropës. dhe në fund më pak emigracion.”

Çfarë ndryshimi do të sillte kjo për shqiptarin e thjeshtë

Sipas një studimi të Economics, të botuar në vitin 2021, investimet e huaja direkte mund të ndihmojnë në uljen e varfërisë në Ballkanin Perëndimor, por vetëm, sugjerojnë autorët, krahas forcimit të rregullit nga ana e qeverisë.

Studimi zbuloi se investimet e huaja janë veçanërisht të dobishme kur prezantojnë kapital të ri në vend, i cili më pas mund të ndikojë në mirëqenien lokale nëpërmjet transferimit të teknologjisë ose punësimit.

Nga ana tjetër, vënë në dukje autorët, format e investimit që nuk prodhojnë diçka të re – të tilla si bashkimet dhe blerjet – në fakt mund të rrisin papunësinë. Për të siguruar që investimet të jenë të dobishme për vendasit dhe jo vetëm biznesmenët e huaj, studimi thotë se qeveria, për shembull, mund t’i ndalojë IHD-të të depërtojnë në industritë kyçe ose ndërmarrjet e vogla që mund të konkurohen lehtësisht nga homologët e tyre të huaj.

Edhe llojet e investimeve të huaja në dukje “të gjelbërta” gjithashtu mund të përballen me kundërshtimin e publikut. Një interes në rritje për hidrocentralet nëpër lumenjtë e Ballkanit është përballur me disa mospajtime për shkak të ndikimeve të tij mjedisore në bujqësinë, ujin dhe biodiversitetin lokal.

Në përgjithësi, konsensusi i ekspertëve është se qeveria shqiptare nuk ka bërë mjaftueshëm për të tërhequr IHD.

“Nga McDonald’s deri te Apple ose kompanitë e makinave – të gjitha këto institucione kanë çadrat e tyre në çdo vend,” tha Shehaj. “Por ata nuk janë aq të pranishëm sa do të mendonit në Shqipëri. Ideja është që Shqipëria nuk ka bërë shumë për të thithur këto IHD.”

Sa i përket mundësisë për ndryshim në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, Shehaj tha se qeveria shqiptare do të duhet të promovojë dhe të nxisë më shumë ndryshime legjislative dhe politikash—ndryshe nga ligji joefektiv i miratuar në 2016. Në të kaluarën, tha Shehaj, edhe Shqipëria është fokusuar shumë nga përpjekjet e saj për të mbështetur investitorët vendas mbi investitorët ndërkombëtarë.

“Përfituesit e atyre kontratave nga qeveria kanë qenë njerëz të lidhur mgushtësisht me qeverinë, që do të thotë se është disi si një sistem ku ata kujdesen për të tyren më shumë sesa tërheqja IHD,” tha Shehaj.

Por së fundmi, tha Shehaj, Shqipëria ka marrë masa për të adresuar këto çështje. Pandemia, e cila frenoi investimet e huaja direkte në mbarë globin, e ka bërë edhe më urgjente tërheqjen e investitorëve të rinj për ekonominë e Shqipërisë.

“Do të jetë një partneritet nga i cili do të përfitojnë të gjitha palët e ndërsjella, sepse Shqipëria ofron turizëm të madh dhe potencial për rritje, që do të jetë tërheqës për investitorët”, tha Shehaj. “Por edhe qeveria e Shqipërisë më në fund është gati të zgjerojë IHD-të e saj, sepse për momentin po dëmtohet dhe ka nevojë për IHD për të rimëkëmbur ekonominë”.

Për të tërhequr IHD-të, Shehaj tha se janë tre taktika që qeveria shqiptare duhet të marrë parasysh. Njëra është promovimi i synuar i investimeve, në të cilin një vend identifikon dhe synon kompani specifike për të investuar në Shqipëri. Tjetri është ligji i vendit për investimet strategjike. Të dyja, tha Shehaj, duhet të ndihmojnë në krijimin e kushteve tërheqëse për investitorët e huaj. Korporata Shqiptare e Investimeve, një organizatë që synon të nxisë inovacionin dhe bashkëpunimin me kompani të ndryshme, mund të ndihmojë gjithashtu në promovimin e IHD-ve.

“Nëse Shqipëria nuk targeton kompanitë, atëherë do të vazhdojë të mbetet prapa”, tha Shehaj. “Por nëse siguron legjislacion të qendrueshëm ose nëse u jep institucioneve stimuj se pse vende të ndryshme duhet të investojnë në Shqipëri, mendoj se kjo do të japë rezultate optimale në planin afatgjatë.”

Secili prej këtyre faktorëve mund të ndihmojë në ngritjen e rezultatit të Shqipërisë për indeksin e Lehtësisë të të Bërit Biznes të Bankës Botërore nga 67.7, një rezultat që e vendos atë në një pozicion shumë më të ulët se vendet fqinje, duke përfshirë Malin e Zi, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe atëherë, disa ekspertë ekonomikë besojnë se tërheqja e konsiderueshme e më shumë investimeve të huaja do të kërkojë rregullime shtesë në ligje të ndryshme, përfshirë ligjin e miratuar në 2016.

“Nëse ka vullnet të mirë politik dhe institucional, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të kapërcyer këto sfida dhe për të bërë një kthesë të fortë drejt hapjes së potencialeve për rritje të fortë ekonomike”, tha Jaco.

Dhe ky vullnet politik dhe institucional mund të shfaqet ngadalë.

Takim i Këshillit të Investimeve

Në mbledhjen e parë të Këshillit të Investimeve të mbajtur këtë vit, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj shpalli një sërë rekomandimesh që mund të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë për IHD.

Janë identifikuar gjithsej 194 rekomandime, të cilat janë kategorizuar në 27 tema që do të ndihmojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve të huaja direkte”, tha Ibrahimaj në takimin e mbajtur në janar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe tre institucione të tjera kanë nisur punën për zbatimin e tyre.

Por kur ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Shqiptare e Investimeve (AIDA) u pyetën se pse Shqipëria mbetet prapa në investimet e huaja direkte, ata nuk pranuan të përgjigjen