[authorInfo]

Investimet në Tiranë: Cilësia e ulët, procedurat joligjore dhe mungesa e koordinimit rrisin barrën financiare për qytetarët

Në dhjetor të vitit 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inauguroi punimet në rrugën Ali Shefqeti, rikonstruksioni i së cilës i kushtoi buxhetit të kryeqytetit afërsisht 61 milionë lekë (rreth 484 mijë euro).

Rruga, e cila lidh lagjen Ali Demi me ish-Uzinën e Autotraktorëve në Tiranë, ishte një ndër më të frekuentuarat, njëkohësisht edhe nga më problematiket në qytet, me trotuare të zëna nga oborret e shtëpive dhe bizneset. Gropat e shpërndara në të gjithë gjatësinë e saj vështirësonin lëvizjen e automjeteve kryesisht në muajt e dimrit, kur mbusheshin nga uji i shiut.

Rikonstruksioni i kësaj rruge ishte planifikuar të realizohej në marstë vitit 2017, por në fakt u inaugurua në dhjetor të po këtij viti vetëm fillimi i punimeve. Gjithsesi, problemet që kjo rrugë mbarte, nuk janë zgjidhur sot e kësaj dite.

Trotuaret u zgjeruan vetëm në disa pjesë të saj dhe jo përgjatë gjithë rrugës dhe sot, kur ka kaluar një vit e një muaj nga përfundimi i rrugës, dëmtimet në asfalt kanë nisur të dalin në pah.

Rruga Ali Shefqeti, Tiranë

Vera, 60 vjeç, banore e kësaj rruge prej vitesh, thekson se, ndonëse kjo rrugë gjatë viteve të fundit ka qenë vazhdimisht në rikonstruksion, jo shumë gjëra kanë ndryshuar.

“Ato që kanë zhdukur, janë vetëm gropat e mëdha”, – tha ajo.

Ky investim ishte vetëm një nga 20 të tilla që projekti Tiranalytics, një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës, analizoi për një periudhë gjashtëmujore. Kjo iniciativë u financua nga LevizAlbania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe u zbatua nga Qendra shqiptare për Gazetari Cilësore, dhe angazhoi ekspertizë teknike dhe gazetarë me qëllimin e rritjes së ndërgjegjësimit për investimet publike në kryeqytet.

Harku kohor i zhvillimit të këtyre investimeve u shtri në shtatë vite (2011-2018), dhe në analizë u morën investime me një vlerë më të lartë se 10 milionë lekë që kanë ngritur “flamuj të kuq” në procedurat e prokurimit apo cilësinë e produktit përfundimtar.

Investimet e kryera gjatë kohës kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe drejtuesi aktual, Erion Veliaj, ishin kryesisht ndërtime apo rikonstruksione të rrugëve të reja, rehabilitim i blloqeve të banimit, si dhe investime në parqe gjelbërimi apo parqe lojërash.

Një nga gjetjet kryesore të raportit që shoqëroi këtë studim ka lidhje me cilësinë e ulët të punimeve në investime dhe faktin që pjesa më e madhe e tyre nuk i rezistojnë kohës.

“Kontrolli i zbatimit të punimeve, si nga ana e mbikëqyrësve të kontraktuar nga Bashkia e Tiranës, por edhe nga specialistët e departamenteve përkatëse të bashkisë, është në nivele minimale.

Për shumicën e objekteve të përfunduara tashmë, të cilat nuk i kanë rezistuar afatit kohor të cilësisë së punimeve, nuk rezulton të jenë marrë masa nga Bashkia e Tiranës, qoftë mbi kompanitë e zbatimit të punimeve, por edhe mbi kompanitë e kontrollit dhe mbikëqyrjes së tyre”, – theksohet në gjetjet e raportit.

Pavarësisht faktit se këto investime në një pjesë të madhe nuk janë cilësore, nga Bashkia e Tiranës nuk ka të evidentuara dhe të denoncuara kompani, të cilat janë përgjegjëse për këto punime.

“Për shumicën e investimeve të kryera, edhe pse ato nuk i kanë rezistuar afatit kohor të garancisë së punimeve, vlera e mbajtur si pjesë e fondit të garancisë së punimeve iu është dorëzuar kompanive zbatuese të punimeve, në kundërshtim flagrant me ligjin”, – theksohet në raport.

Rruga Faik Konica është identifikuar nga ekspertët e projektit si një ndër rrugët të cilat rikonstruksioni dhe zgjerimi është kryer pa një studim të plotë fizibiliteti. Plani i ndërtimit të kësaj rruge ka ndryshuar vazhdimisht deri në përftimin e investimit përfundimtar. Foto: Po.al

Një nga gjetjet e tjera të rëndësishme të raportit lidhet me faktin se pjesa kryesore e investimeve të kryera nga Bashkia e Tiranës nuk ka një studim të plotë fizibiliteti ose, thënë ndryshe, justifikim të raportit mes kostos dhe përfitimit.

“Për një pjesë të investimeve të kryera ka patur shtesa kontratash punimesh në masën 20% të vlerës së investimit, po aq sa është edhe vlera maksimale e lejimit të shtesës së punimeve nga ligjiqë për mendimin tonë tregon minimalisht një mungesë të qartë të planifikimit të investimit të kryer”, – theksohet në gjetjet e studimit.

Mungesa e lejeve të ndërtimit në rastet e investimeve të reja nëkryeqytetështë një tjetër gjetje shqetësuese e studimit.

“Në shumicën e rasteve të ndërhyrjeve për ndërtimin e rrugëve të reja kryesore dhe dytësore dhe rehabilitimit të rrugëve të brendshme të blloqeve të banimit mungon leja për ndërtimine tyre.

Në asnjë tabelë të reklamuar nga zbatuesit e investimeve publike për këto objekte nuk rezulton të jetë shënuar numri dhe leja e ndërtimit e zbardhur nga organet përkatëse të Bashkisë së Tiranës”, – theksohet në të.

Po kështu, nëraport shtohet se,në tabelat e identifikimit të investimeve publike nuk shënohet data e fillimit të punimeve, si dhe data e përfundimit të tyre, konform kontratave të nënshkruara dhe detyrimeve ligjore.

Gjithashtu, raporti identifikon se në ndërhyrjet e kryera për rehabilitimin e hapësirave të brendshme të blloqeve të banimit apo edhe rikonstruksionit të rrugëve vihen re shume raste të mos-prishjes së ndërtimeve pa leje, të cilat kanë zënë një pjesë të hapësirave publike.

Për këto raste ekspertët e projektit sugjerojnë që Bashkia e Tiranës duhet të nisë procedurën e bashkëpunimit me Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për evidentimin e investimeve të kryera dhe të shpallë njoftimin zyrtar për prishjen e tyre.

“Kjo për të mos u përballur në të ardhmen me kosto shumë më të larta për shpronësimin e tyre. Shkëmbimi i informacionit të nevojshëm do të nxiste përdoruesit e këtyre objekteve të mos investonin kosto të mëtejshme për ndërtimet e kryera pa leje në këto hapësira publike, me mundësi të sigurt shpronësimi në të ardhmen”, – thuhet në studim.

Mungesa e koordinimit brenda ndërmarrjeve tëbashkisë lidhur me programimin e investimeve të kryera është një tjetër shqetësim i ngritur nga projekti.

“Janë të shumta rastet ku, menjëherë pas investimit të kryer nga departamenti përkatës i Bashkisë së Tiranës, ka filluar investimi nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime (ndërmarrje po në varësi të bashkisë), për të finalizuar projektin e saj për sistemimin e ujit të pijshëm apo kanalizimet e ujërave të zeza”, – theksohet në të.

Rruga Hamdi Cenoimeri, Tiranë

Po kështu, vihen re ndërhyrje të kryera pa një rakordim të plotë me Ndërmarrjen Elektrike (OSHEE), apo edhe ndërhyrjet për shtrimin e rrjetit të internetit dhe telefonisë fikse.

Të gjitha elementet e mësipërme kanë sjellë kosto të pajustifikuara dhe të shtuara në dëm të interesave ekonomike të qytetarëve të Tiranës.

*Foto credit për foton në fillim të shkrimit: Gazeta Dita

**Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” që mbështetet nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane pwr Zhvillim dhe Bashkëpunim. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.