Jeta e vështirë e një jetimi. Braktisja e dytë nga shteti, atëherë kur mbushin 15 vjeç

Ai kreu vetëm nëntë klasë shkollë dhe sot shpërndan fletushka si i punësuar për bamirësi, nga një biznesmen i cili është në dijeni për jetën e tij. Është 21 vjeç dhe jeta e tij deri më tani ka qenë një udhëtim mes qendrave rezidenciale për jetimët. Por ditën që mbushi moshën të gjitha dyert u mbyllën për të.

Unë jam i strehuar në konviktin e jetimëve përballë shkollës “Besnik Sykja” në kryeqytet. Pasi dola nga shtëpia e fëmijës, shkova te Sherbimi Social dhe jam lutur për një strehim dhe më dhanë një krevat te ky konvikti ku dhe qëndroj në kushte shumë skandaloze. Por shqetësimi im është motra ime e vogël e cila është 19 vjeç. Edhe ajo është rritur te Shtëpia e Fëmijës, pasi arriti moshën për tu larguar, e ndihmoi një shoqatë dhe i ofroi strehim, por këtë vit në muajin shtator i mbaron afati dhe nuk e di se ku do ta dërgoj”, shkruan për “Sinjalizo”, një 21 vjeçar që kërkon ndihmë mbasi ndihet i braktisur nga shteti.  Ai nuk e përfitoi dot statusin e jetimit dhe gjatë verifikimit u konstatua se kushtet ku i riu jeton janë ato të mbijetesës.

Konvikti ku jeton 21-vjeçari jetim nga Tirana

I rritur në qendra rezidenciale për jetimët, për N.M, e sotmja është luftë për mbijetesë, dhe aq më tepër e ardhmja është e zymtë.

Jam përpjekur për një kohë të gjatë dyerve të institucioneve shtetërore, kam shkuar te bashkia për të përfituar të paktën bonus qiraje që të jetoj me motrën, por nuk ma japin. Së fundmi më thanë që duhet të gjej një kontratë qiraje, kërkova gjithandej por nuk më japin kontratë pasi më shohin që jam i varfër. Këto probleme nuk i kam vetëm unë, por shumë shokë të mi që kanë dal nga Shtëpia e Fëmijës asnjë ndihmë nuk marrin, qëndrojnë rrugëve. Një pjesë e tyre i shoh që përfundojnë në burg, shumica për vjedhje sepse nuk kanë bukë të ushqehen”.

Konvikti ku jeton 21-vjeçari jetim nga Tirana

Mbështetja ndaj fëmijëve të braktisur, pa status jetimi

Drejtuesi i Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve, Ilir Çumani tregon për “Sinjalizo” se fëmijëve të braktisur por që nuk kanë përfituar statusin e jetimit i ofrohet strehim pranë institucioneve shtetërore por nuk kanë të drejtë të birësohen, përsa kohë prindi nuk ka deklaruar braktisjen e tyre.

Tek këto rezidenca banojnë 80% e fëmijëve jetim socialë, që do të thotë nuk i kanë humbur prindërit e tyre, por janë fëmijë me nevoja ekonomike, me prindër që nuk kanë mundësi për ti ndihmuar dhe ja besojnë shtetit për aq kohë sa ata të rimëkëmben dhe për ta rikthyer në familje. Projekti i deinstitucionalizimit këtë synon, ti heqë këta fëmijë nga institucionet ti afrojë me të afërmit e tyre dhe shteti ti asistojë me ndihmë ekonomike’

Kësaj kategorie rezulton se u jepet ndihmë ekonomike gati 20 dollarë në muaj. “Kjo është një mbështetje qesharake që shteti i bën këtyre kategorive, ndryshe nga çfarë ndodh me vendet e rajonit si Kosova e cila ofron ndihmë ekonomike 100 euro për një fëmijë, Maqedonia gjithashtu 120 euro”, kujton  Çumani.

“Sinjalizo” iu drejtua Shërbimit Social për tu informuar  rreth mbështetjes që ky institucion ofron për fëmijët të cilët janë në situatë rruge, dhe  nuk e kanë përfituar statusin e jetimit.

Në përgjigjen për “Sinjalizo”, Shërbimi Social thotë se pushteti vendor ka ngritur pranë çdo Njësie Administrative Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve një element kyç i mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri. Në çdo njësi PMF (punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve), identifikon fëmijët në situatë rruge dhe referon rastin pranë institucioneve që mund të marrë shërbimet e nevojshme.

Në vetvete NJMF është një sistem kombëtar i mbrojtjes së fëmijëve (që përfshin përpjekjet e të gjithë sektorëve për interesin më të lartë të fëmijës. Fëmijët që kanë nevojë për përkujdesje alternative referohen pranë SHSSH për komisionim dhe sistemim në IPSH për fëmijë. Këto institucione ndahen sipas grupmoshave të fëmijëve, përkatësisht (0-6 vjeç), (6-15 vjeç) dhe (16-18 vjeç)”, shkruan Shërbimi Social.

Ligji për jetimët

Sipas legjislacinit shqiptar statusi i jetimit jepet në zbatim të Ligjiit Nr. 8153, dt. 31.10.1996. Në legjislacion përcaktohet se përfitojnë statusin e jetimit personat me moshë nga 0-25 vjeç, të cilët janë të lindur jashtë martese; nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit; të cilëve me vendim të formës së prerë të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton; që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre.

Në kuadër të statusit të përfituar, kjo kategori përfiton nga ligji vendosjen në  Institucione Publike dhe private të përkujdesit social; Prioritet në punësim dhe strehim; Të drejta studimi sipas prirjeve dhe aftësive, bursë të plotë, trajtime me veshmbathje për vitet e shkollës; Jetimi që mbaron shkollën dhe nuk është sistemuar akoma në punë i jepet ndihmë ekonomike; Jetimët që vazhdojnë shkollat për periudhën e verës (pushimet) trajtohen me pagesë suplementare (e përcaktuar me VKM).

Drejtuesi i Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve tregon se sot në Shqipëri janë rreth 31 000 fëmijë jetimë, ku 1600 prej tyre të cilët kanë përfituar statusin e jetimit sot marrin shërbime në 31 qendra rezidenciale qeveritare dhe joqeveritare.

Nuk ka një shifër sot zyrtare të deklaruar as nga Instat, as nga shërbimet sociale, as nga pushteti lokal apo Ministria e Brendshme. Në këto 30 vite nuk është bërë një studim i mirëfilltë për të kuptuar se sa është numri real i jetimëve që kanë nevojë për mbështetjen e shtetit dhe këtu qëndron e gjithë problematika. Sepse duke pasur një informacion më të detajuar, bëhet një plan veprimi nëpërmjet studimeve për tu ardhur në ndihmë kategorive sociale në format që ato kanë nevojë për tu asistuar, për tu mbrojtur dhe për tu integruar në jetën sociale”, tregon Çumani.

Sipas ligji, jetimët në institucionet shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror mbahen deri në moshën 15 vjeç. Në rastet kur fëmija brenda kësaj moshe nuk ka mundur të kryejë shkollën 9-vjeçare mbahet deri në moshën 17 vjeç. Pas kësaj moshe me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohen bursa dhe trajtimi me veshmbathje për vitet e shkollës së mesme dhe të lartë për këtë kategori.

Realiteti paraqitet ndryshe pasi jemi përballë një situate jo të favorshme ndaj kësaj kategorie, ku në shumë raste kemi situata që fëmijët jetim braktisin shkollat e mesme, baraktisin qendrat e tyre dhe i drejtohen rrugëve të tjera për të mbijetuar. Këtu mendoj që shteti duhet të jetë më i vemendshëm sepse kjo kategori e pas moshës 16 vjeç është kategoria më delikate ku këta fëmijë dalin jashtë kontrollit, nëse nuk do të kenë një protektor për të bërë tranzicionin e tyre në mënyrë shumë të qetë dhe pa problematika. Fakti tregon se jemi përballë situatave jo optimiste sepse ende pushteti lokal nuk po merr përgjegjësit e veta për të kuptuar që ka një detyrim ligjor të përgjigjet deri sa ky fëmijë të sistemohet në tregun e punës dhe të integrohet realisht në jetën e shoqërisë”, këmbëngul për “Sinjalizo”  Ilir Çumani.

Shërbimi Social Shtetëror thotë nga ana tjetër  se sipas statistikave të SHSSH deri në muajin Qershor 2022 në Shqipëri janë 768 jetimë që përfitojnë status, ndërsa thekson se për vitin 2021 kanë përfituar status jetimi për herë të parë 150 fëmijë dhe përgjatë 6 mujorit të parë të këtij viti kanë përfituar status jetimi për herë të parë 91 fëmijë.

Në lidhje me pagesat mujore që përfitojnë fëmijët jetimë shërbimi social përmend një vendim të këshillit të ministrave  të ndryshuar në 2021, në të cilin fondi shtesë për ndihmë ekonomike nga 3 mijë lekë ka shkuar 9 mijë lekë.

Por numri i atyre që ja kanë dale dhe janë punësuar është i papërfillshëm. Gjatë dy viteve të fundit janë punësuar vetëm gjashtë jetimë. Por shteti shqiptar nuk disponon të dhëna se sa përqind e jetimëve kanë arsim profesional.

Me status jetimi por i braktisur nga shteti

Ervis Veizi ,32-vjeçar është nga  Shkodra dhe me status jetimi. Mes një jete të vështirë, ai ia doli të përfundojë arsimin e lartë.

Unë kam lindur në Durrës dhe jam rritur në Shkodër ku dhe banoj aktualisht. Për mua ka qenë shumë e vështirë që të arrij këtu ku jam sot, pasi nuk kam pasur asnjë mbështetje ekonomike. Te shtëpia e fëmijës kam qëndruar deri në moshën 15 vjeçare, më tej shteti më ka dërguar në konvikt ku kam qëndruar derisa kam përfunduar arsimin e lartë. Mua shteti më ka ndihmuar me bursë 10 mijë lekë të reja në muaj deri kur përfundova shkollën e lartë. Normalisht me këtë shumë ishte shumë e vështirë të përballoja jetesën, sepse duhej të vishesha, të ushqehesha, të plotësoja nevojat bazike”, rrëfen Veizi  që menjëherë mbasi mbylli universitetin u punësua pranë një shoqate dhe me këto të ardhura përballon qeranë.

Si fazën më të vështirë në jetë, ai kujton moshën 15 vjeç, atëherë kur largohesh nga shtëpia e fëmijës.

Shkova në një konvikt që nuk njihja asnjë. Kushtet nuk ishin shumë të mira, kam vuajtur shumë, merrja vetëm 10 mijë lekë të reja në muaj. Unë mbështetjen më të madhe për të ecur përpara e kam gjetur nga Ilir Cumani, drejtuesi i Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve, duke më orientuar për cdo gjë, letra dokumenta gjithçka çfarë më është dashur, pasi unë isha shumë i ri nuk kisha asnjë informacion se te kush institucion duhej të drejtohesha. Nuk mora asnjë orientim nga shtëpia e fëmijës kur arrita moshën 15 vjeç, pasi del nga shtëpia e fëmijës nuk duan tja dijnë më. Kur nuk do tja dijë shteti, as shtëpia e fëmijës nuk do tja dij më”.

Ndonëse sipas legjislacionit personat me statusin e jetimit kanë prioritet në strehim, 32-vjeçari tregon se sot disponon një banesë të tijën të cilën ka arritur ta blejë vetë, pa marrë asnjë ndihmë nga shteti.

Nuk më ka ndihmuar bashkia me banesë sociale, apo strehim, unë dola në treg punë krejt i vetëm dhe u përpoqa mes shumë vështirësish që të arrija këtë stabilitet që kam sot”, tregon i riu.

Veizi është ndjerë i braktisur nga të gjithë dhe i rrezikuar për të siguruar mbijetesën në moshën 15-vjeçare. Ai tregon se pas largimit nga shtëpia e fëmijës dhe strehimit në konvikt, përgjatë 3 muajve të verës konvikti mbyllej duke i lënë fëmijët jetim të pastrehë.

Shumë të rinj flinin në rrugë, kush kishte të njohur flinte te shokët, ishte periudhë shumë e vështirë”, e mbyll i riu bisedën me “Sinjalizo”.

E rritur jetime, ende sot pa strehim

Merita Bozo sot 54 vjeç u mohua gjithë jetën nga prindërit biologjikë. E rritur në Shtëpinë e Fëmijës në kryeqytet, më pas në konvikt periudhë në të cilët ndoqi arsimin e lartë për laborante. Pas përfundimit të arsimit të lartë, Merita nuk arriti të përfitonte strehim dhe ende sot ajo gjendet e braktisur nga instancat shtetërore, të pamundura për ti ofruar një banesë sociale.

Shtet i papërgjegjshëm për ne jetimët. Unë me forcë kam punuar gjithe jetën laborante në Sanatorium sepse kisha arsimin e lartë, por u bë disa muaj që dhe profesionin spo më lejojnë ta ushtroj. Më kanë kaluar te pastrimi dhe më japin një pagesë minimale. Ndërkohë banesë nuk më ka ofruar shteti, unë jetoj me qira dhe e paguaj vetë 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Si ta përballoj unë jetesën, unë jam me status jetimi dhe pas kaq shumë vitesh ende nuk gjej asnjë mbështetje”, tregon Merita Bozo.

Merita Bozo me status jetimi, 54- vjeç
Merita Bozo me status jetimi, 54- vjeç

Cumani shprehet pesimist për dhjetra të tjerë që po ashtu skanë perspektivë.

Në bazë të informacioneve, statistikave dhe përvojës që kam pasur në gjithë këto vite, më duhet të shprehem jo optimist për pritshmëritë për shkak se ende është një punë e madhe që duhet bërë nga institucionet. Ndaj është e nevojshme të ketë mekanizma të ndihmës dhe mbrojtjes që shteti duhet ti nxisë për ti stimuluar, për tua bërë jetën më të sigurt këtyre fëmijëve, me qëllim që të zgjojë te ta edhe ndjenjën e vetveprimit dhe të iniciativës”, shprehet Çumani.

Braktisjet dhe birësimet

Në lidhje me numrin e fëmijëve të braktisur, Ilir Çumani tregon se vetëm në maternitetin e Tiranës çdo vit braktisen rreth 30 fëmijë. “Në shkallë vendi braktisja e fëmijëve është një fenomen që është i pashmangshëm për shkak të problemeve sociale, ekonomike që përballen gratë dhe nënat e reja, të cilat nuk gjejnë mbështetje nga institucionet shtetërore për ti garantuar atyre një mbrojtje dhe një përkrahje. Ndaj në kushte të tilla gjejnë rrugën më të shkurtër të braktisjes së këtyrë fëmijëve”, deklaron  Çumani teksa ndalet te birësimet duke theksuar se numri i tyre në 3 vitet e fundit ka pësuar rënie në 13-15 birësime në vit. Sipas tij, kjo vjen për shkak të situatës sociale të vendit përgjatë kësaj periudhe.

Por shërbimi Social thekson për “Sinjalizo” se  përgjatë tre viteve të fundit janë birësuar 56 fëmijë.

Tabelë e vendosur në dispozicion nga Shërbimi Social, numri i fëmijëve jetim të birësuar përgjatë vitit 2020, 2021 dhe 2022.