[authorInfo]

Kompanitë celulare në Shqipëri dhe monopoli i ofertave në treg

Nuk ka rëndësi, nëse je abonent i Vodafone, ALBtelecom apo ONE – sërish çdo muaj duhet të paguash të paktën 10 mijë lekë të vjetra për të patur internet në celular dhe për të vijuar komunikimin përmes SMS-ve dhe minutave.

Tri kompanitë celulare, që operojnë në tregun shqiptar, të cilat supozohet të jenë në garë me njëra-tjetrën, duket se janë në një mendje, kur vjen puna për të rritur tarifën e ofertave.

Nga monitorimi i ACQJ rezulton se çmimet e kompanive celulare u rritën në fillim të shkurtit me 200 lekë sipas datave, më 30 janar për ALBtelecom, 5 shkurt për Telekom dhe 11 shkurt për Vodafone.

Rritja e çmimit të paketave mujore nga të tre operatorët celularë me 200 lekë dhe rritja e kostos së rimbushjes nga 100 në 200 lekë solli reagimin e konsumatorëve dhe medias dhe më pas ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës, i cili mori vendimin për rikthimin e tarifave fillestare.

Në shkurt të vitit 2020, Komisioni i Konkurrencës pranë Autoritetit të Konkurrencës vendosi ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe ALBtelecom.

Sipas INSTAT, paga mesatare në Shqipëri është 400 euro, më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni e Veriut (591 euro) dhe Kosova e parafundit (528 euro). Këto shifra i përforcojnë edhe përllogaritjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që e renditin Shqipërinë si vendin me nivelin më të ulët të pagës mesatare mujore në rajonin e Ballkanit. Por, nëse krahasojmë tarifat e ofertave me vendet e rajonit, rezulton se: qytetarët e Kosovës shpenzojnë mesatarisht 5 euro në muaj, qytetarët e Maqedonisë së Veriut 7 euro, të Malit të Zi 6 euro dhe qytetarët e Serbisë rreth 10 euro.

Duke qenë se ofertat celulare janë një shpenzim i vazhdueshëm, që shqetëson qytetarët, ACQJ ka bërë një vëzhgim mbi ofertat e tri kompanive celulare që operojnë në tregun shqiptar, ALBtelecom, ONE dhe Vodafone.

Te të tria kompanitë paketat standarde ditore kushtojnë 150 lekë, ndërsa paketat standarde javore kushtojnë 500 lekë. 4 paketat mujore standarde tek ALBtelecom kushtojnë 900, 1300, 1500 dhe 2100 lekë. 4 paketat standarde tek ONE kushtojnë 1000, 1400, 1600 dhe 2200 lekë. Paketat standarde te Vodafone kushtojnë 1000, 1400, 1700 dhe 2200 lekë.

Nga vëzhgimi rezulton se të tria kompanitë celulare operojnë në treg me thuajse të njëjtat çmime që ndryshojnë me 100 lekë.

Vodafone

A është ky një tregues se ALBtelecom, Telekom (ONE) dhe Vodafone janë monopol në tregun e kompanive celulare dhe ndjekin praktika antikompetitive?

Ne kemi pyetur Autoritetin e Konkurrencës, nëse ka pasur ankesa mbi këto praktika.

Sipas AK, sjelljet antikompetitive kanë pasur në fokus shkeljen e neneve 4 (Marrëveshjet e ndaluara të heshtura) dhe 9 (Abuzim me pozicionin dominues në treg) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.

Duke qenë se ofertat dhe çmimet që ofrojnë të tria kompanitë celulare janë thuajse të njëjta, ato bien ndesh me atë që thotë Margrethe Vestager, Komisionerja për Konkurrencën: “Mendoj se konkurrenca e drejtë është, jo vetëm një nga themelet e Bashkimit Europian, por edhe e tregtisë së lirë”.

Mbështetur në udhëzuesin e Komisionit Europian mbi Fuqinë e Ndjeshme në Treg (maj 2018) rezulton se tregu celular me pakicë ka probleme të konkurrencës, ku Vodafone Albania ka pjesë tregu mbi 50% për shumë tregues dhe në treg vihet re aplikimi i tarifave, të cilat ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë e konkurrencës midis operatorëve.

Dalja nga tregu e operatorit Plus Communication e ndryshoi strukturën e tregut që nga data 1 janar 2018 nga 4 (katër) në 3 (tre) operatorë duke vijuar trendin rritës të indeksit të përqendrimit të tregut dhe për më tepër dy sipërmarrësit me pjesën më të madhe në treg kanë rritur ndjeshëm kapacitetet konkurruese nëpërmjet marrjes 50% me 50% të të drejtave të përdorimit të frekuencave që zotëronte në përdorim duke thelluar avantazhin krahasues të hyrësve të parë në treg.

Sipas një analize të kryer nga AKEP, përveç barrierave financiare, teknike dhe juridiko-procedurale për hyrjen në treg, dalja nga tregu e hyrësit të fundit në treg, Plus Communication (i cili ofronte tarifa më të ulëta sesa 3 operatorët e tjerë), është barrierë e konsiderueshme për çdo hyrës të ri në treg. Në këto kushte, është e vështirë që të mund të ndodhin hyrje të reja pa ndërhyrjen rregullatore, pasi për rreth nëntë vite Plus Communication ishte hyrja e fundit në treg dhe tashmë pas transferimit të frekuencave te dy sipërmarrësit, Vodafone dhe Telekom Albania, hyrësi i fundit ka dalë nga tregu dhe struktura e tregut ka ndryshuar drejt rritjes së përqendrimit dhe dominimit të liderit të tregut/dy sipërmarrësve me pjesë më të madhe tregu.

Ky është një tregues tjetër që 3 kompanitë celulare po e zotërojnë tregun e lirë dhe konkurrentët e tjerë e kanë të vështirë të depërtojnë dhe të mbijetojnë në të njëjtin treg.