Kriza ekonomike në vend, 6 mijë studentë apel qeverisë: Na ndihmoni me qiratë

Prej muajsh kriza ekonomike ka prekur sektorë të ndryshëm të jetës së qytetarëve si pasojë e rritjes së çmimeve të një sërë produktesh konsumi apo shërbimi. Mes shtresave vulnerabël janë të ekspozuar edhe studentët, shumë prej të cilëve nuk kanë ngurruar të firmosin peticionet për tu mbështetur financiarisht. Nga një vëzhgim i thelluar i “Sinjalizo” vihet re që shumë të rinj megjithëse punojnë, gjenden në vështirësi ekonomike për të përballuar faturat, më e rënda prej tyre pagesa e qirasë që këtë sezon po paguhet më së shumti me euro dhe është rritur ndjeshëm.

Ndërsa përpiqet që të përfundojë studimet e larta, Enzo Meta po përballet me rritjen e përditshme të çmimeve në vend. Aktualisht student i vitit të tretë bachelor pranë Institutit Bujqësor për Mjekësi Veterinare, Meta pranon për “Sinjalizo” se çmimet kanë ndikuar në vendimet që ai po merr, pasi vetëm për qiranë mujore i duhet të nxjerrë nga xhepi 35 mijë lekë.

Unë kam jetuar me qira dy vitet e para, por këtë vit ishte e pamundur ekonomikisht pasi çmimet e qirave janë rritur tej mase, ndaj po përpiqem të regjistrohem te konviktet e Institutit Bujqësor”, thotë i riu, që për tja dalë me faturat i duhet të punojë 8 orë çdo ditë turni i dytë dhe shpesh herë edhe turni i tretë.

Një tjetër e re pret të nisë vitin akademik dhe ndërkohë si studente e vitit të dytë bachelor në Tiranë, ajo as që e diskutonte se streha e saj edhe këtë vit është konvikti. Sibora Gjini i thotë “Sinjalizo” se kjo zgjedhje lidhet direkt me paratë.

“Ndonëse duhet të jetë vendi që ka ofertat më të mira për studentët, në Qytet Studenti, çmimet janë shumë të shtrenjta. Unë kam punuar që kam përballuar çmimet për të ndjekur studimet në Tiranë, gjithashtu më kanë ndihmuar prindërit, por është shumë e vështirë”.

E pyetur rreth kërkesave të studentëve për mbështetje financiare nga shteti gjatë kësaj periudhe, studentja tregon se është skeptike dhe nuk beson se institucionet shtetërore do të kthejnë sytë nga ata.

Prindërit janë të varfër, shteti nuk i ndihmon

Si pasojë e rritjes së kostove dhe pamundësisë së prindërve për ti siguruar mbështetje ekonomike për të përballuar studimet e larta, një pjesë e të rinjve kanë nisur të punojnë pranë qyteteve të tyre pa përfunduar ende arsimin bazë.

Ëndrra e Klejdit, ka qenë gjithmonë të ndjekë studimet e larta për Mekatronikë, një degë të cilën e fitoi që në raundin e parë. Teksa tregon për “Sinjalizo” që ka përfunduar shkollën e mesme për elektroaut në Fier, i riu thekson se ka punuar pa ardhur ende në kryeqytet në servis makinash elektroaut 10 deri në 12 orë në ditë. “Më duhej të punoja që të grumbulloja disa lekë edhe këtu në Tiranë kam gjetur punë pasdite në një servis makinash pasi vetëm kështu mund ti përballoj studimet e larta. Jetoj në Qytetin Studenti dhe punësimi është e vetmja zgjidhje që unë shoh për të përballuar shpenzimet e shkollës”, ankohet si të tjerët i riu nga Fieri.

Ekspertët: Studentët nuk mbështeten

Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço tregon për “Sinjalizo” se Shqipëria nuk ka marrë ende asnjë masë konkrete përsa i përket mbështetjes së studentëve.

“E vërteta është që kemi një rritje të ndjeshme të kostove të jetesës, rritja e çmimeve, të produkteve ushqimore që shkon nga 20-50% në disa raste. Mjafton të kontrollohet se çfarë ka ndodhur me çmimet e shportës nga viti i kaluar deri më sot, apo edhe shumë produkte të tjera”.

Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço

Një vështirësi ekstra për studentët është kostoja e qirave që vazhdon të rritet.

Problemi është që çfarë mund të bëjmë në këtë rast, a do merren masa konkrete si në Kosovë, për të përballuar sado pak rritjen e çmimeve. Ky është një problem kompleks dhe duhet që edhe ata të kenë një mbështetje nga ana e Qeverisë edhe pse sigurisht që edhe mundësitë e qeverisë në këtë situatë nuk janë të shumta”, sygjeron eksperti.

Sipas z. Muço zgjidhja që mund të ofrohet është që të merren në konsideratë studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulta ekonomike. Atyre duhet tu ofrohet një mbështetje direkte ekonomike prej 100 euro në muaj për një periudhë të caktuar ose tu ofrohet subvencion për pagesat që kryejnë për fjetjen.

Asnjë “dritë jeshile” për peticionin e studentëve

Ndonëse qeveria ka lancuar dy paketa deri më tani, tek të dyja studentët nuk janë të përfshirë. Për të tërhequr vëmendjen e instancave shtetërore, studentët realizuan dy peticione dhe ia dërguan Zyrës Bashkëqeverisëse dhe Ministrisë së Arsimit, ku i kërkonin një bonus prej rreth 10 mijë lekësh për të përballuar krizën.

Peticioni i parë u realizua në muajin qershor të këtij viti. Lëvizja Për Universitetin mblodhi firmat e rreth 5000 studentëve të cilët kërkuan masa ekonomike lehtësuese.

Arlind Qori, aktivist i Lëvizes për Universitetin njëkohësisht pedagog në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale tregon për “Sinjalizo” se studentët janë kategoria që goditen më shumë nga rritja e kostove, së bashku me pensionistët. Sipas tij, peticioni i realizuar disa muaj më parë nuk dha rezultat pasi studentët janë lënë jashtë paketës së rezistencës sociale.

Arlind Qori, aktivist i Lëvizjes për Universitetin dhe pedagog në UT

Ne kemi bërë një peticion para disa muajsh, ku studentët kërkonin që qeveria të merrte masa për të plotësuar përballimin e krizës, ndërkohë ato na thonin që ne i kemi përgjysmuar tarifat para 4 vitesh. Ne po presim fillimin e vitit akademik pasi për momentin studentët nuk ndodhen nëpër fakultete ndaj është e vështirë të mobilizohen”, shprehet aktivisti i Lëvizjes për Universitetin teksa thekson se do e vijojnë si problematikë, derisa qeveria të japë një zgjidhje.

Anxhela Nasto, studente e Fakultetit të Shkencave Sociale njëkohësisht aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, tregon për “Sinjalizo” se pavarësisht firmave nuk morën asnjë ofertë për zgjidhje.

Kemi marrë përgjigje që nuk ka fonde Ministria për kërkesën tonë. Kemi tentuar disa herë dhe Ministria jep të njëjtën përgjigje duke thënë që kemi bërë lehtësira të tjera për studentët. Duke qenë se nga ana institucionale qeveria nuk do që tu ofrojë ndihmë studentëve, ne kemi menduar që të punojmë dhe të organizohemi në universitete sepse as me firmat që u mblodhën nuk morëm asnjë zgjidhje”, tregon Nasto.

Anxhela Nasto, studente e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe aktiviste e Lëvizjes për Universitetin

Në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit drejtuar kërkesës së Lëvizjes për Universitetit në kuadër të peticionit, MAS vendos në dispozicion disa VKM dhe ndryshime që janë realizuar që prej vitit 2018 për studentët.

Screenshtot, pjesë nga përgjigjja e MASR në kuadër të kërkesës së Lëvizjes për Universitetin

Studentët nuk u ndalën me kaq por vijuan të realizojnë nisma të tjera dhe peticione, duke kërkuar mbështetje financiare nga shteti. Në datë 19 shtator realizohet peticioni i dytë, kësaj here online nëpërmjet portalit “Studentët Denoncojnë”.

Pasi u mblodhën rreth 6000 firma, në një kërkesë drejtuar Kryeministrisë ku vendoset në dijeni edhe Ministria e Arsimit kësaj here studentët kërkojnë që Qeveria ti mbështesë me një shumë prej 100 euro çdo muaj deri në kalimin e krizës ekonomike.

Sot qiratë kanë shkuar 300 euro minimalisht dhe ushqimet e shportës janë rritur me mbi 60%. Ju drejtohemi në emër të studentëve që Qeveria dhe Ministria e Arsimit të marrin hapat e nevojshme dhe të krijojnë një buxhet të posaçëm për tu ardhur në ndihmë studentëve”, shkruhet ndër të tjera në kërkesën drejtuar Kryeministrisë.

Kërkesa drejtuar Kryeministrit Edi Rama, datë 19.09.2022

Aurel Kujtimi aktivist pranë portalit “Studentët Denoncojnë” u shpreh për “Sinjalizo” se studentët sot janë skeptikë pasi janë realizuar edhe më herët peticione dhe nuk është marrë përgjigje pozitive. Ai tregon se Zyra e Bashkëqeverisjes e ka deleguar pranë MAS kërkesën e tyre.

Ne kërkuam mbështetje ekonomike nga qeveria me një shumë të paktën prej 100 euro. Nëse shohim çmimet e banesave, qiraja ka shkuar rreth 300 euro në kryeqytet për një shtëpi 1+1 ku mund të jetojnë 3 studentë, pra paguajnë rreth 100 euro secili, ndaj menduam si të përshtatshme të paktën heqjen e këtij shpenzimi gjatë kësaj periudhe ku çmimet janë të papërballueshme”, u shpreh aktivisti Aurel Kujtimi teksa nënvizoi se që prej rritjes së çmimeve studentët nuk janë ndihmuar në asnjë aspekt.

Studentët e Durrësit mes rritjes së çmimeve dhe mungesës së konvikteve

Të prekur nga rritja e çmimeve janë edhe të rinjtë të cilët ndjekin studimet e larta në Universitetin e Durrës. Ata përballen prej disa muajsh me rritje të kostos së banesave me qira dhe mungesës së konvikteve universitare, ndërsa biletat e transportit ndërqytetas kanë pësuar rritje.

Enada Hoxha ka përfunduar studimet e nivelit bachelor për Shkenca Politike në Universitetin e Durrësit, ndërsa këtë vit të ri akademik fillon studimet master në të njëjtin universitet. Ajo tregon për “Sinjalizo” se jeton në Tiranë dhe për të ndjekur studimet e larta prej vitesh i është dashur të realizoj rrugën “Tiranë-Durrës”, vajtje-ardhje.

Për mua si studente mund të them që është shumë e vështirë të shkoj 5 herë në javë vajtje-ardhje në Durrës. Nëse leksioni fillon në orën 08:30 më duhet të zgjohem rreth orës 5:30 që të përgatitem, të marr autobusin dhe të shkoj në shkollë”, shprehet studentja duke theksuar se kjo situatë krijohet pasi universiteti nuk ka konvikte dhe kostot e banesave me qira janë të larta.

“Në Durrës nuk ka konvikte, kampusi universitar ofron garsionere por nuk të leverdis për pagesën që bën, pra nuk ka konvikte të mirëfillta si këtu në Tiranë”, tregon Enada ndërsa shprehet se i duhet të marrë dy autobusa për të shkuar nga Tirana në universitetin e Durrësit.

Më tej, e reja thekson se me rritjen e çmimeve u rrit bileta e autobusit dhe shumë kosto të tjera, ndaj u detyrua që përgjatë vitit të tretë akademik të punësohej për të përballuar shpenzimet.

“Është stres dhe kosto financiare, për të përballuar shpenzimet, vitin e fundit më është dashur të punoj. Gjeta një punë në Tiranë që i përshtatej orarit të shkollës dhe gjithashtu të kisha mundësi që ta përballoja”, u shpreh për “Sinjalizo” Enada.

Miriam Reçi, pedagoge në universitetin e Durrësit, tregon për “Sinjalizo” se fakti që ende nuk ka konvikte vjen pasi është universiteti rajonal më i fundit i hapur dhe nuk mund të krahasohet me Elbasanin apo Vlorën pasi kanë shumë vite që janë hapur.

“Përveç se do paguash qiranë e shtëpisë të cilën mund ta gjesh minimumi 15 mijë lekë të reja në zonat periferike se në qendër të qytetit nuk gjen me këtë çmim, studentët do të duhet të paguajnë biletën e autobusit”, shprehet pedagogia, teksa nënvizon se mungesa e konvikteve e bën të vështirë jetesën pikërisht këtë vit që janë rritur çmimet.

“Normalisht edhe ta ndjekësh mësimin “Tiranë-Durrës” vajtje-ardhje ka kosto, pasi vetëm autobusi ndërqytetas kushton 180 lekë pra rreth 400 lekë në ditë”, tregon pedagogia Reçi.

Ministria e Arsimit dhe kërkesat e studentëve

I pyetur nëse Ministria e Arsimit ka parashikuar fond për ti ardhur në ndihmë studentëve për shkak të rritjes së kostove, ish zëvendës ministri i arsimit, Olti Rrumbullaku tregon për “Sinjalizo” se kërkesa e studentëve është e pamundur të plotësohet.

“Është e pamundur që të plotësohet kërkesa e studentëve për të përfituar rreth 10.000 lekë çdo muaj për secilin student që ndjek arsimin e lartë në vend. Nëse një gjë e tillë do të realizohej, po të bësh një llogaritje, do të duhej që i gjithë fondi i Ministrisë së Arsimit të shkonte vetëm në mbështetje të tyre, duke ndërprerë të gjithë zërat e tjerë”, u shpreh Rrumbullaku.

Olti Rrumbullaku, ish zëvendës ministër i arsimit

Shpërndarja e buxhetit të Arsimit të Lartë

Duke u ndalur të buxheti i Arsimit të Lartë dhe shpërndarja e tij, eksperti i ekonomisë, Klodian Muço tregon se buxheti për universitetet vijon të jetë një problem i madh. “Faktet janë fakte, 2.92% e GDP shkon për arsimin në Shqipëri, ndërkohë mesatarja e BE-së është 5%, që këtu tregohet qartazi”. Sipas ekspertit, në shumë prej viteve përgjatë këtij 10 vjeçari, buxheti për arsimin është ulur. “Flasim për buxhetin që shkon për arsimin në raport me GDP, jo në vlerë, në peshë”, thekson Muço.

Në lidhje me buxhetin e Arsimit të Lartë, eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti rendit për “Sinjalizo” disa pika ku MASR duhet të fokusohet për të përmirësuar situatën. Sipasi tij, si fillim duhet një buxhet 5% të GDP për arsimin në tërësi, sikundër ka qenë i parashikuar në programin qeverisës të vitit 2013.

Së dyti, arsimi i lartë kërkon doemos një investim për infrastrukturë, paga, kampuse universitare etj në masën 1.5 % të GDP dhe 1% si fillim për kërkimin shkencor që është në nivelin më të ulët në rajon”, shprehet eksperti i arsimit.

“Sinjalizo” iu drejtua nëpërmjet një kërkese për informacion Ministrisë së Arsimit, ku ndër të tjera kërkuam pasqyrat e plota financiare të buxhetit për arsimin e lartë për vitin akademik 2021-2022 dhe çfarë është parashikuar për këtë vit akademik 2022-2023. Deri në publikimin e këtij artikulli jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion.

Ndërkohë në një raport të realizuar më herët nga Qëndresa Qytetare ku u monitoruan gjashtë universitete publike paraqitet analiza e shpenzimeve financiare të tyre për vitin akademik 2020-2021.

Vihet re se në pesë nga gjashtë universitet e marrë në monitorim nga Qëndresa Qytetare, pjesën thelbësore të shpenzimeve e zënë shpenzimet për personelin të kategorizuara në kategorinë dy. Ndryshim bën vetëm Universiteti i Tiranës i cili shpenzimet më të mëdha i ka në kategorinë tre “Investime”, pasuar nga kategoria pesë “Sigurimi i Shërbimeve”, kjo ndikuar dhe nga rikonstruksioni i godinës së Fakultetit Ekonomik.

Shpenzimet e 6 Universiteteve gjatë vitit akademik 2020-2021 për kategori të ndryshme

Bashkia Tiranë premton mbështetje për studentët

I vetmi reagim pozitiv ku premtohet mbështetje për studentët gjatë kësaj periudhe ku kostot janë rritur, erdhi disa ditë më parë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Propozimi ynë është të subvencionojmë një pjesë të faturës së konvikteve. Vërtet studentët nuk janë rezidentë të Tiranës, por 9 nga 10 studentë qëndrojnë në Tiranë pasi mbarojnë universitetin dhe duke qenë se janë rritur kostot e konvikteve, do na duhet të marrim një vendim të rëndësishëm, të subvencionojmë të paktën gjysmën e faturës së konvikteve ose rreth gjysmën, për t’u siguruar që studentët të mos impaktohen nga kjo situatë”, u shpreh kryebashkiaku.

Një tjetër pike, ku Veliaj u ndal janë abonetë e studentëve, duke propozuar që në këtë kohë krize të jepen falas duke treguar Kartën e Studentit.

Çfarë bëri ndryshe Kosova?

Pas prekjes nga kriza ekonomike në muajin prill, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prezantoi disa masa me qëllim të mbështetjes financiare për qytetarët, në kohën e rritjes së çmimeve në vend.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, kryeministri Kurti tha se do të ndihmohen me nga 100 euro familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe studentët. Vlera totale e të gjitha këtyre masave, Kurti tha se është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa do të përfitonin rreth 800 mijë qytetarë.

Në muajin qershor, Qeveria e Kosovës njoftoi se bëri pagesën prej 100 euro për rreth 46 mijë studentë kosovarë.  Elienta Culaj, studente e Dizajnit në Prishtinë, tregon për “Sinjalizo” rreth ndihmës ekonomike të ofruar nga qeveria.

“Për herë të dytë, qeveria e Kosovës ka marrë një vendim që çdokush që ka probleme ekonomike, qoftë student apo punonjës i administratës mund të aplikoj për marrjen e shumës prej 100 euro një herë në vit”, shprehet studentja nga Kosova.

Sipas saj, pavarësisht situatës së krizës, studentët në Prishtinë me 30 euro në javë arrijnë të sigurojnë jetësën.

“Unë jetoj në Prishtinë në shtëpi me qera, por rritjen e çmimeve nuk e kam ndjerë shumë, e përballoj situatën aktuale me ndihmë nga familja pa pasur nevojë të punoj ”, tregon studentja.

Merheme Goliqi një tjetër studente nga Kosova, e cila ndjek arsimin e lartë për Psikologji në Prishtinë, tregon për “Sinjalizo” se jeton në konvikt dhe sipas saj studentët që mund të preken më shumë nga kriza janë ato që jetojnë në banesa me qira.

“Studentët që jetojnë në konvikte paguajnë 50 euro për godinën dhe mund te shpenzojnë në muaj rreth 100 euro, ku përfshihet transporti dhe ushqimi. Kjo pasi ushqimin e konsumojmë në mensa ku çmimet janë tejet ekonomike. Studentët që jetojnë në banesa me qira mund të shpenzojnë më shumë se 200 euro pasi ushqimet i blejnë vetë”, shprehet studentja nga Kosova.