[authorInfo]

Kryeministri merr lavde në facebook nga profile të rreme

Në Facebook-un personal të Kryeministrit Edi Rama numërohen 1.6 milionë ndjekës, disa prej të cilëve janë protagonistë të pandërprerë duke komentuar çdo status duke e mbështetur, por edhe duke e kundërshtuar. Numri i mbështetësve virtualë shkon pothuajse sa gjysma e popullsisë së vendit nëse do i referoheshim shifrave aktuale të publikuara në INSTAT. Por gjatë vëzhgimeve që “Sinjalizo” ka bërë në faqen personale të Kryeministrit Rama në rrjetin social Facebook rezulton se publikimet ditore të tij janë 2 deri në 3 herë më tepër sesa në faqen zyrtare të institucionit të Kryeministrisë në të njëjtën platformë.

Në raport me ndjekësit e kryeministrit, ndjekësit e kryeministrisë si institucion janë ndjeshëm më të pakët. Aty numërohen 4300 ndjekës, thënë ndryshe rreth 74% më pak se në faqen personale të kryeministrit.

Kryeministri  punon në Facebook, Kryeministria më pak!

Gjatë vëzhgimeve të kryera nga “Sinjalizo” rezulton se në faqen personale të Kryeministrit Rama gjatë datave 15 Nëntor deri më 22 Nëntor të këtij viti janë postuar 76 postime. Ndërkohë në atë institucionale janë publikuar 39 postime, gati gjysma. Thënë ndryshe, mesatarisht në profilin personal të Ramës postohen rreth 8 deri në 9 postime në ditë, kurse në atë zyrtar rreth 4 të tilla.Përveç aktivitetit më të ulët, vumë re se ka në datën 19 Nëntor në faqen zyrtare të institucionit të Kryeministrisë nuk është publikuar asnjë informacion për ndjekësit, ndërkohë që në faqen e Kryeministrit janë publikuar 5 postime.

A janë të vërtetë “duartrokitësit” virtualë?

“Sa mirë që tashmë emri ynë përmendet për gjerat të mira admiruese. Kjo fal punëve dhe politikave që ju z.Rama po bëni në mënyrën e duhur”,- ky është vetëm një nga qindra komente që përveçse përgëzojnë Kryeministrin Rama, e përkufizojnë atë si të vetmen mundësi për përmirësimin e vendit. Konkretisht, profili që ka bërë këtë koment është Sonja Krashi, foton e profilit të të cilës ”Sinjalizo” gjatë investigimit arrin ta gjejë me anë të programit Yandex se është shkrepur në Colosseo, Romë.  Nga aktiviteti i dobët, miqtë me profile jo të vërteta, me emra jo të vërtetë ose arabë, mungesa e ndërveprimit me profilet mashkullore që shkruajnë në komente dhe publikimi i fotos së një fëmije, imazhi i të cilit mund të gjendet dhe në site-n This person doesn’t exist (Ky person nuk ekziston) janë disa nga treguesit të cilët përforcojnë faktin se ky profil nuk përdoret nga përdorues të cilët kanë si synim përdorimin e tij për të shpërndarë aktivitete nga përditshmëria e tyre.

Vetëm një muaj më parë ACQJ publikoi një investigim, sipas së cilit 470 komente nga 1000 të publikuara prej ndjekësve të Kryeministrit në pesë post-video, rezultonin të ishin shkruar nga profile të rreme të cilat përdoren nga troll-esat e Partisë Socialiste për të mundësuar kundrejt pagesës tifozerinë online.

Për të realizuar këtë artikull u  analizuan profilet e 100 komentuesve rastësorë nga video-postimi i Kryeministrit më datë 21 Nëntor, ku Shqipëria përgëzohet nga FIFA për mikpritjen e futbollistëve dhe popullit të Afganistanit. Ajo çfarë u kuptua gjatë analizave dhe vëzhgimit është se ende faqja personale e Ramës mbështetet dhe ushqehet nga profile të rreme. Nga njëqind (100) komente, dyzetë e gjashtë (46) prej tyre ishin të publikuara nga profile të rreme.

 

Ndërkohë, gjatë muajit shtator BIRN publikoi artikullin  investigues, në të cilin theksohej se “përgjatë një viti, faqet personale të Ramës dhe ministrave postuan së bashku në total 8801 postime, ndërsa faqet zyrtare të institucioneve 5342 postime; në një raport 62 me 38 për qind”.

“Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN (Balkan Investigative Reporting Network), faqja qeveritare ka ndërveprim shumë të ulët në krahasim me profilin personal të kryeminstrit (edirama.al), në një raport 98 me 2 në ndërveprime në Facebook,”- thotë për “Sinjalizo” gazetari Besar Likmeta, i cili shton se kjo vjen si pasojë e përdorimit më të shpeshtë të faqes pesonale nga stafi i Kryeministrit për të komunikuar rreth aktiviteteve të qeverisë në krahasim me faqen qeveritare “Kryeministria”.

Gazetari Besar Likmeta

“Pyetja që lind në këtë rast është: A është e përshtatshme që resurse publike të përdoren nga zyrtarë shtetërorë për të fryrë ndjekësit dhe për të shpërndarë informacion dhe propagandë në media sociale? A i jep ky lloj keqpërdorimi një avantazh kryeministrit dhe ministrave në zgjedhje?”,- vazhdon Likmeta, duke nënvizuar se postimet e faqeve private të Kryeministrit dhe ministrave rishpërndahen në rrjetet e ndryshme sociale si Facebook dhe Instagram nga faqet e institucioneve dhe punonjëve, “në dukje shpesh në mënyrë të koordinuar, duke bërë që këtë postime të kenë një ndërveprim të lartë dhe të favorizohen nga algoritmet e platformave sociale.”,- përfundon ai.

Qeveria: Kemi vetëm tre

Drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), njëkohësisht edhe zëdhënës i Kryeministrit Rama, Endri Fuga, shpjegon për “Sinjalizo” numrin e personave që janë përgjegjës për shpërndarjen e postimeve në faqen e Kryeministrise dhe të ministrave. Fuga thotë se “nuk ka detyra kaq specifike”. Ndërkohë pohon më pas se janë vetëm 3 (tre) persona nga MIA, të cilët merren me shpërndarjen e postimeve në këto faqe.

Sipas shefit të MIA-s, gjatë javës së kaluar në faqen personale në Facebook të Kryeministrit janë regjistruar 58 postime. Ndërsa në faqen zyrtare të Kryeministrisë janë postuar 29 statuse dhe 30 postime janë regjistruar në faqen e MIA-s.

Por Bashkim Tuda dhe Denis Jace janë dy profile të tjera të rreme, të cilët komentojnë me mesazhe mbështetëse politike mesatrisht 3 (tre) herë në 100 komente në profilin personal të Kryeministrit. Përveç aktivitetit të dobët, publikimeve të pakëta të cilat lidhen kryesisht me publikimin e post-videove ku sulmohen kundërshtarët politikë të qeverisë, këto profile kanë (friend request) thuajse vetëm me përdorues nga Lindja e Mesme.

Gjatë kërkimeve të “Sinjalizo” u vu re se nuk kanë munguar rastet kur personat përdorues të profileve të rreme janë treguar të pakujdesshëm në përzgjedhjen e fotografisë që do të përcaktonin identitetin e tyre të ri. Konkretisht, profili i përdorueses Greta Merturi ka patur fillimisht të njëjtën fotografi me atë të përdorueses Ilirjana Ylli, e cila një muaj më parë përfaqësonte një nga profilet më aktive (top fanse) përsa i përket komenteve të shkruara dhe të publikuara në faqen e Ramës. Gjatë investigimit të publikuar një muaj më parë po e njëjta fotografi e marrë nga “This person doesn’t exist” përfaqësonte identitetin e Ilirjana Yllit, por gjatë kohës së investigimit u kuptua se nëse kërkohet për këtë profil në Facebook, ai nuk mund të gjendet. Ky profil rezulton i mbyllur, për t’ia lënë vendin identifikimit me të njëjtin imazh një tjetër profili të rremë.

Eriola Daku është një tjetër profil i rremë, që nuk kursen komentet pozitive ndaj Kryeministrit. Ndonëse e prezantuar në llogarinë e saj si edukatore në Fier, aktiviteti i saj dobët, profilet e shokëve nga Lindja e Mesme, mungesa e ndërveprimit çfarë pohohet prej tyre në komente dhe fotografitë e ndryshme të cilat indetifikojnë të njëjtin person me dy imazhe të ndryshme, janë disa nga treguesit që ngrejnë dyshime për vërtetësinë e këtij profili.

Endri Harizi është një tjetër profil i rremë, i cili ndonëse ka gjithsej vetëm 5 shokë, vetëm një prej të cilëve me emër shqiptar, dhe nuk është aspak aktiv në publikimin e statuseve, mbetet një nga ndjekësit dhe komentuesit më të shpeshtë të faqen e kryeministrit.

Mbështetja e nga profilet e rreme, a po deformohet realiteti?

Edlira Çepani, aktiviste e Të Drejtave të Njeriut dhe koordinatore kombëtare e rrjetit “Barazi në Vendimmarrje” thekson  për “Sinjalizo” se “shtrembërimi i realitetit, edhe kur përmirësohet qëllimisht, edhe kur përkeqësohet qëllimisht, është një komunikim i padrejtë”.

Aktivistja Edlira Çepani

“Propagandimi i një realiteti virtual ndryshe nga ai real, është një komunikim i shtrembëruar me publikun, i cili i largon edhe më shumë qytetarët nga politika, por edhe krijon dizinformim me dashje”,- shprehet Çepani, e cila thekson se ndonëse rrjetet sociale janë një mundësi shumë e mirë për të krijuar marrëdhënie direkte të qytetarëve me vendimmarrësit shpesh ato keqpërdoren për propagandë, “çka është rrezik për demokracinë dhe duhet të refuzohet, luftohet në të gjitha mënyrat”.

“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes, bullizmi, nxitja e dhunës, mashtrimi apo shpifja, dizinformimi, e të tjera që janë në shkelje të ligjit, janë nga ana tjetër të dënueshme edhe nga ana morale përsa i përket shtrembërimit të realitetit dhe pengimit të kanaleve të duhura te komunikimit,”- përfundon ajo.