Ku e ke shtëpinë? 15 vjet në kërkim të rrugëve. Miliona euro e dhjetëra projekte nga ndërkombëtarët, por adresat janë lëmsh. Dorëzohet qeveria, u kërkon qytetarëve të deklarojnë adresën

Adresat dëmtojnë punën e Postës dhe gjyqësorit

Gjykata e Dibrës nuk arriti të zhvillonte seancën e fundit për vitin 2021 me të gjykuar ish-shefin e komisariatit të Dibrës, Robert Aga dhe ish-administratorin e Lurës, Hasan Hoti. Seanca e 22 dhjetorit dështoi për mungesë të avokatëve dhe të të pandehurve. Këta të fundit nuk kishin konfirmuar marrjen e dijenisë për këtë seancë nga punonjësit e postës.

Kanë kthyer fletëthirrjet e dërguar nga gjykata dhe nuk konfirmohet marrja në dijeni nga të pandehurit. Pasi u mor edhe mendimi i prokurorit vlerësojmë se seanca duhet të ndërpritet këtu, pa pasur dijeni të pandehurit”, deklaroi gjyqtarja e çështjes, Nertila Kape.

Dhjetëra procese gjyqësore në të gjithë vendin shtyhen pambarimisht mbasi komisariatet nuk ja dalin mbanë në disa raste të njoftojnë dëshmitarët, adresat e të cilëve nuk gjenden. Po ashtu as vendbanimet e palëve të interesuara në gjykim. Dashamir Fuçia, nëpunës në Gjykatën e Apelit Tiranë ka për detyrë që të ftojë qytetarët për në gjyq. Gjatë punës së tij të përditshme ai tregon për “Sinjalizo” se ka sfida jo të vogla me çështjen e adresave.

Janë problem rrugët që kanë marrë emërtim të ri që ka vënë bashkia përshembull “x” rruge bashkia i ka vënë pallati ose banesës private numër tjetër dhe është e pamundur ta gjesh personin, shumica e rasteve i gjejmë duke pyetur si emër mbiemër se sa me adresën që ka lënë qytetari”, thotë Fuçia.

Ka raste që lënë adresën vetem rruga dhe pallati ose banesë private pa numër. Ka persona që kanë lënë adresë të saktë, por janë larguar, o kanë shitur banesën ose e kanë dhënë me qera dhe qeraxhinjtë nuk e marrin njoftimin”, tregon ndër të tjera Fuçia.

Problemi i adresave një çështje e kthyer vazhdimisht si një sfidë për disa ministra të brendshëm, cënon jo vetëm ata që kërkojnë drejtësi. Për postën ngërçi mbetet aktual e për rrjedhojë të prekur mbeten qytetarët që presin të marrin një shërbim apo mall të caktuar.

Amarildo P. nga Mamurrasi tregon se Posta nuk ia sjell prej vitesh faturën mujore të energjisë elektrike në shtëpinë e tij.

Ka të paktën 4-5 vite që nuk na vjen fatura e dritave me postë, për të ditur sesa kemi shpenzuar, ne shkojmë çdo muaj edhe paraqitemi në zyrat e OSHEE në Mamurras për të marrë informacion sesa kemi harxhuar, edhe atje nuk marrim asnjë faturë dritash, vetëm marrim faturën që e kemi paguar”, tregon ai për “Sinjalizo”.

Edhe sa për informacion, zakonisht kur vjen ndonjë postë nga jashtë shtetit në fshatin tonë, postieri vjen tek kafja e fshatit dhe pyet kamarierin nëse e njeh këtë person, pasi nuk kanë adresa të personave, por vetëm emrat e tyre dhe nuk dinë ku t’i dërgojnë”, rrëfen ndër të tjera Amarildo.

Pyetur nga “Sinjalizo”, OSHEE sh.a tha se ka pasur ankesa për mosmarrjen në adresën e deklaruar të faturës së energjisë elektrike.

Në vijim të komunikimeve me Postën Shqiptare ka rezultuar se ka problematika me adresat e kontratave të energjisë elektrike në sistemin e faturimit si dhe problematika të ndryshme ku në hyrjet e pallatit abuzohet nga banorë të papërgjegjshëm duke i hedhur apo grisur faturat e të tjerëve. Për përmirësimin e shërbimit të shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike është shtuar monitorimi i shpërndarjes së faturave nga Posta Shqiptare, adresat në sistemin e faturimit po përditësohen si dhe ndiqen rast pas rasti të gjitha ankesat e ardhura për këtë problematikë”, tha OSHEE në përgjigjen zyrtare.

Problem jo i vogël, çështja e adresave është edhe për postat private në Shqipëri. Bruno Sanija, administrator i Global Express Delivery tha për “Sinjalizo” se korrierët e kompanisë ndeshen pothuajse çdo ditë me problematikat që kanë të bëjnë me adresat.

Vështirësia është e madhe pasi nga klientët përdoren si pika orientuese marketet, furrat e bukës, koshat e plehrave por jo rrugët. Vjen një moment që Google Maps ndihmon por pastaj deri në një farë pike”, tha Sanija.

Ai tha ndër të tjera se problematikat më të mëdha me adresat lindin në Tiranë, pasi në qytetet e vogla posta orientohet më lehtë.

“Në Tiranë është më shumë problem. Por problem ka edhe në qytete të tjera. Kjo ka kosto, e vëmë re te sasia e naftës që harxhohet përshembull kur bëjmë bilancet. Por edhe klientët duke qenë se nuk i dinë as vetë adresat fikse thonë me përafërsi. Për shembull kohët e fundit kishim një episod, kishim një porosi në Berat, por duke qenë se personi në fjalë nuk shpjegonte dot korrieri vajti në drejtim të Fierit”, tregoi Sanija.

Sipas informacioneve që “Sinjalizo” ka në rrugë jo zyrtare, çështja e mosfunksionimit të adresave në Shqipëri, ka bërë që gjigandë të teknologjisë dhe tregtisë online si Amazon të mos afrohen në Shqipëri pasi i frikësohen informalitetit.

Urdhri i fundit: Trego ku e ke adresën!

Në 22 nëntor 2021, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, mblodhi në një takim kryetarët e bashkive, prefektët dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile të gjithë vendit, për t’i kërkuar përfshirjen në proçesin e regjistrimit dhe saktësimit të adresave të banimit.

Është një proçes i lehtë dhe i thjeshtë që kërkon fare pak kohë. Kudo ndodheni e në çdo kohë mund të aplikoni online nëpërmjet portalit “e-Albania” ose duke shkuar vetë në zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë ku banoni. Bashkitë duhet të kenë një rol proaktiv në këtë drejtim dhe t’i nxisin qytetarët të regjistrojnë adresën e banimit. Duhet t’i krijojnë të gjithë kushtet për finalizimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për të gjithë”, tha ministri Çuçi.

Regjistrimi dhe saktësimi i adresës iu jep qasje qytetarëve në shumë shërbime publike tha ministri Çuçi, prandaj është e domosdoshme që qytetarët që s’kanë ende një adresë të deklaruar dhe të verifikuar të përfshihen në këtë proces.

Për momentin janë rreth 750 mijë familje që kanë një adresë të saktë sipas sistemit të unifikuar të adresave. Bashkitë me numrin më të ulët të adresave të sakta janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora.

15 vjet në kërkim të adresës

Në 5 nëntor të vitit 2007 në Tiranë u prezantua krijimi i një sistemi të ri adresash në një konferencë të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri së bashku me Ministrinë e Brendshme.

Zëvendësministri i Brendshëm i asaj kohe, Ferdinand Poni, theksoi se qeveria ishte plotësisht e përkushtuar për krijimin e sistemeve moderne të adresave dhe regjistrimit civil.

Dy vjet më vonë, në 10 Dhjetor 2009 u lançua baza e të dhënave të sistemit të ri të adresave në Shqipëri, bazuar në një hartë dixhitale. Baza e të dhënave u krijua nga Ministria e Brendshme dhe autoritetet vendore me ndihmën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen financiare të BE-së.

Siç shkruante asokohe OSBE, Bashkimi Europian kishte ndarë 2.5 milionë euro për krijimin e sistemit të adresave dhe 1.5 milionë euro për vendosjen e tabelave rrugore.

Në 27 nëntor të vitit 2015, ministri i Brendshëm i asokohe Tahiri prezantoi projektin e regjistrimit të adresave dhe shtetasve.

“E gjitha do të bëhet në mënyrë elektronike dhe do të përfundojë brenda viti 2017 duke pasuruar regjistrin me të dhënat e shtetasve dhe me të dhënat e sipërmarrësve”.

Ai kujtoi projektet e mëparshme të dështuara në këtë drejtim.

Ju kujtoj këtu që BE në vitin 2007 ka financuar para të taksapaguesve europianë për të bërë këtë gjë dhe nuk është bërë”, tha ai.

Në vitin 2016 qeveria ngarkoi me çështjen e adresave, operatorin e shpërndarjes së energjisë OSHEE sh.a dhe Ministrinë e Brendshme. Ata duhet të identifikonin çdo abonent se ku jetonte.

OSHEE hapi një tender me vlerë që shkonte rreth 7 milionë dollar. Nga ekspertët e ekonomisë por jo vetëm, ky tender u konsiderua i panevojshëm dhe korruptiv.

Ligji që hyri në fuqi për adresat në 2017-ën parashikoi një masë administrative prej 10 mijë lekësh të reja për qytetarët që nuk raportonin si duhet adresën. Më pas pika që parashikonte gjobë u amendua dhe u hoq.

Për momentin, ky proces iu është lënë në dorë të vetë qytetarëve duke futur “në lojë” portalin E-Albania dhe një fushatë ndërgjegjësimi ka nisur nga bashkitë.

Problemet me vendbanimet dhe listat e zgjedhësve

Probleme me listat e zgjedhësve janë konstatuar në votimet e 30 qershorit të vitit 2019.

Në raportin e paraqitur në KQZ, ekspertët shprehen se në 10 për qind të listës së votuesve janë konstatuar probleme, çka cënojnë besueshmërinë.

Në Korçë, 1051 votues janë të regjistruar në adresën e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Humane, ndërsa 495 të tjerë janë të regjistruar në një lulishte të qytetit. Po ashtu në qytetin e Durrësit, 944 zgjedhës jetonin në një banesë me sipërfaqe të pamjaftueshme.

Në shtator të vitit 2020, Euronews Albania raportoi se pranë njësisë numër 5 në Tiranë, qytetarë të revoltuar tregonin se ju kishin ndryshuar adresën e vendbanimit pa kërkesën dhe dijeninë e tyre.

Shkoj të bëj dokumentin e pasaportës dhe më del që vendbanimi më ka shkuar në Sarandë. Unë banoj në Tiranë kam një shtëpi pushimi atje. Se si e kanë bërë unë se kam idenë fare”, thoshte një qytetar.

Një raport auditimi mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe i drejtuar KQZ, i përgatitur nga eksperti Roland Kërçuku tregon se problematika e ndryshimit të adresave mbetet shqetësues.

Ndër të tjera, audituesi vëren se procesi i ndryshimit të adresave të shtetasve është bërë në mënyrë jo-ligjore.

Bashkitë po ndërgjegjësojnë qytetarët për adresën, sa po funksionon?

“Sinjalizo” pyeti disa bashki në vend se si po e ndihmojnë proçesin e regjistrimit apo saktësimit të adresave.

Bashkia Lushnjë i tha “Sinjalizo” se nuk ka informacion të saktë në lidhje me numrin e qytetarëve ose familjeve që nuk kanë një adresë të saktë, pasi në dijeninë e tyre pjesa më e madhe e qytetarëve saktësojnë adresën vetëm në momentin që e kanë të nevojshme të bëjnë një veprim pranë Zyrave të Gjendjes Civile.

Ndërkaq, Bashkia Mat, për të ndihmuar ndërgjegjësimin e qytetarëve për regjistrimin e adresave, ka përdorur disa herë edhe median lokale në mënyrë që të arrijnë tek qytetarët.

Duke dhënë më shumë detaje, Bashkia e Sarandës i tha “Sinjalizo” se nga identifikimi i bërë, rezulton se nga 260 rrugë gjithsej që gjenden në territorin administrativ të bashkisë, janë të emërtuara vetëm 175 prej tyre dhe 85 të tjera nuk kanë emra, por vetëm numra. Në zonat që i janë bashkuar rishtaz territorit të Bashkisë Sarandës, si në Ksamil dhe në Çukë, bashkia ka identifikuar se 14 rrugë kanë emërtime që përsëriten (mbivendosen).

Sportel në Bashkinë Përmet, në të djathtë, fletushka “Adresa ime”

“Atje ku rrugët nuk kanë emër”

Shqipëria po përballet me një pengesë të pazakontë, për t’u bashkuar ndonjëherë me Bashkimin Evropian: shumë pak njerëz atje duket se e dinë se ku jetojnë”.

Kështu e niste në 24 tetor të vitit 2004, artikullin e saj “Atje ku rrugët nuk kanë emër- në Shqipëri” e përditshmja britanike “Independent”.

Megjithatë, edhe pse pas 17 vitesh nga ky artikull me nota ironizuese për Shqipërinë, ende adresat mbeten një problem i pazgjidhur.