[authorInfo]

Kur përfundon studimet, por nuk të njihet diploma

Dhjetra studentëve të ish universitetit “Vitrina” të cilët jane diplomuar gjatë periudhës 2011-2013, nuk u njihet diploma, me arsyetimin se janë diplomuar në një cikël studimesh të paakredituar. Ministria e Arsimit dhe Sportit, në mënyrë konsistente, ka dështuar në monitorimin e aktivitetit të universiteteve private mbi kurikulat dhe diplomat e lëshuarta në kundërshtim me ligjin, duke i lënë në dorë dëmin nga ky fenomen, vetëm studentëve. Në të njëjtën kohë, absurdi shkon dhe më tej, kur këto diploma të panjohura nga Ministria e Arsimit dhe institucionet shtetërore, njihen nga institucionet publike të arsimit të lartë për vijim të studimeve në cikle më të larta.

Hume Cana

Matilda Xhixha është një 30-vjeçare, e cila që fëmijë ëndërronte të bëhej mësuese. Për këtë qëllim, e reja i fokusoi studimet e saj në këtë drejtim.

“Mbarova shkollën e mesme pedagogjike, “Sadik Stavileci”, shkollë profesionale”, – thotë ajo dhe shton se më pas ka ndjekur praktikën profesionale në shkollën “Kamëz e Re”, ku pas përfundimit të gjimnazit ka vijuar studimet pranë shkollës së lartë, private, “Vitrina”.

“Për tre vite kam ndjekur studimet për Mësuesi, Cikli i Ulët dhe pas diplomimit nga shkolla e lartë jopublike, “Vitrina”, kam ndjekur studimet Master në Universitetin e Durrësit”, – shprehet Matilda.

Pas përfundimit të Masterit në “Mësuesi për Arsim fillor” dhe mbarimit të praktikës në shkollën “Kamëz e Re”, ajo thotë se ka ndjekur praktikën në vitin e parë dhe në vitin e dytë, ku zotëron edhe një letër nga universiteti dhe Ministria e Arsimit, që e vërteton këtë gjë. Por, Matilda do të shokohej, kur, pas aplikimit për regjistrimin për stazh, i është thënë: “Nuk mund të pranohesh, për shkak se ke një diplomë të ish-universitetit jopublik, “Vitrina”.

“I jam drejtuar Ministrisë së Arsimit për njohjen e diplomës dhe kam marrë përgjigje negative. Pas ministrisë i jam drejtuar gjykatës dhe në gjykatë kam marrë përgjigje negative në Shkallë të Parë, por tashmë çështja është në Apel”, – thotë ajo.

Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen e Matildës thuhet se është e pamundur njohja e diplomës, pasi dega e studimit ka qenë e palicencuar nga institucioni përgjegjës.

E pyetur për këtë çështje, Ministria e Arsimit thotë: “Nuk ka një parashikim ligjor, që të përcaktojë se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka kompetencë të saj, funksionale njohjen e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë, publike dhe private”.

Më e rëndë është situata për M. GJ., e cila, para se të fillonte studimet Bachelor dhe Master pranë universitetit “Vitrina”, ka qenë në punë si mësuese e ciklit të ulët në një shkollë private.

“Unë Bachelorin e kam filluar në vitin 2011 dhe kam mbaruar edhe Masterin në vitin 2016 te shkolla “Vitrina”. Pasi kam mbaruar shkollën, ku kam qenë duke punuar edhe si mësuese gjatë studimeve në shkollë shtetërore, kam paraqitur dokumentacionin në Drejtorinë Arsimore, por më pas më është komunikuar se shkolla nuk njihej dhe si rrjedhim nuk isha e kualifikuar për ta mbajtur vendin e punës”, – thotë ajo. Tani M. GJ., punon jashtë profesionit të saj.

Në një situatë të ngjashme ndodhen edhe L. M., R. V., të cilat kanë përfunduar studimet Bachelor në universitetin “Vitrina” dhe Masterin në universitetin “Aleksandër Moisiu”. Sipas të dhënave të siguruara nga universiteti “Aleksandër Moisiu”, në këtë universitet janë diplomuar 40 studentë në programin Master, të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor në universitetin “Vitrina”.

ACQJ gjatë hulumtimit të saj ka mundur të identifikojë 15 qytetarë, të cilët ndodhen në të njëjtën situatë, ku diploma e shkollës “Vitrina” nuk iu njihet.

Ndërkohë, në arkivin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë rastet, të cilat janë paraqitur për mosnjohje të diplomave të lëshuara nga shkollat e larta, jopublike, “Vitrina” dhe “Kristal”, nuk janë të pakta dhe tregojnë një problematikë, e cilat shtrihet shumë më shumë se rastet e identifikuara nga ACQJ.

Nga viti 2016, kur është ngritur edhe padia e parë pranë kësaj gjykate, deri në vitin 2023, janë plot 51 raste, nga të cilat, 44 kanë kaluar në gjykim dhe një çështje është në proces gjykimi.

Institucionet heqin përgjegjësinë nga vetja

“Në gjykim rezultoi e provuar se programi Bachelor “Mësuesi-Cikli i Ulët”, pranë shkollës së lartë “Vitrina”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, nuk rezulton të ketë qenë i licencuar në momentin e regjistrimit të paditëses”, – thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për personazhin tonë.

Por, ajo që bie në kontradiktë me këtë pjesë të vendimit është përgjigjja e ardhur nga Universiteti i Durrësit, ku personazhi ynë ka marrë diplomën Master.

Në një përgjigje për ACQJ, Universiteti “Aleksandër Moisiu” thotë se nuk ka VKM ose urdhër specifik për njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë – jopublik për UDAM.

Gjithashtu, Universiteti i Durrësit thotë se komisionet e ngritura çdo vit shqyrtojnë aplikimet e kandidatëve për studentë dhe verifikojnë dokumentacionin e dorëzuar nga kandidatët.

“Një nga dokumentet është diploma Bachelor ose ajo ekuivalente, e cila duhet të jetë e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë për një program të licencuar në momentin e regjistrimit të studentit mbartës të diplomës dhe të akredituar në momentin e lëshimit të diplomës”.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” thekson se verifikon në çdo rast vlefshmërinë e diplomës së kandidatëve për studentë në ciklin e dytë, Master i Shkencave dhe Master Profesional, konform ligjit të Arsimit të Lartë pa u ndikuar nga statusi i institucionit, që e ka lëshuar, çka do të thotë se për UDAM diploma Bachelor, e lëshuar nga ish-universiteti privat, “Vitrina”, njihet për të vijuar studimet Master, ndërsa për institucionet, të cilat janë në varësi të Ministrisë së Arsimit, ato nuk njihen për t`u punësuar.

Në 10 vitet e fundit në Universitetin e Durrësit janë diplomuar në ciklin e dytë të studimeve 323 studentë të ish-universiteteve private, nga të cilët, 240 janë mbajtës të një diplome Bachelor, të lëshuar nga ish-universiteti jopublik, “Kristal” dhe 40 janë mbajtës së diplomës Bachelor të ish- universitetit jopublik, “Vitrina”.

19.798 emra në Arkivin e Shtetit, rast i izoluar apo qindra të paidentifikuar?

Dhurata Gjozi në vitin 2010 u regjistrua në shkollën e lartë, “Vitrina”, ku përfundoi studimet Bachelor në drejtimin “Mësuesi-Cikli i Ulët”, në vitet 2010-2013. Po në të njëjtin institucion arsimor zonja Gjozi zgjodhi të vijonte edhe Masterin, por studimet do t’i ngeleshin në gjysmë, për shkak të mbylljes së institucionit.

Masteri, siç dihet, u mbyll për arsye të tjera, jo për arsye të studentëve”, – thotë Dhurata, e cila shton se, pas mbylljes së Masterit numrin e matrikullimit dhe notat e provimeve me gjithë lëndët i ka marrë te Ministria e Arsimit.

“Me këtë gjysmën e Masterit, që pata lënë, shkova më pas me letrat e Ministrisë së Arsimit te shkolla e lartë, “Aleksandër Moisiu”, në Durrës dhe na thanë që “na është dhënë urdhri, nuk do t`i pranojmë studentët, që kanë mbaruar ose që kanë lënë shkollën përgjysmë te “Vitrina”.

Një herë u dha një urdhër, pastaj u hoq nga fuqia”, – tregon ajo, duke shtuar se nuk e ka ndjekur çështjen, pasi nuk kishte mundësi.

“Dola pa punë në profilin tim”, – thotë Dhurata, e cila sot punon si shitëse.

Nga rrëfimi i zonjës Gjozi, dallohet qartë që Ministria e Arsimit nuk e ka zbatuar Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 539, datë 6.8.2014 për t’iu dhënë mundësi studentëve, të cilët nuk i kanë përfunduar studimet e tyre, t’i përfundonin ato në një institucion tjetër, arsimor.

E pyetur nga ACQJ për këtë çështje, Ministria e Arsimit thotë: “Një institucion privat i arsimit të lartë e fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet, kur ai plotëson standardet dhe kriteret shtetërore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”.

Por, nga ana tjetër, Ministria e Arsimit është një institucion që ka ekzistuar gjatë kohës, kur ish-universitetet private, si “Vitrina”, operonin në tregun e arsimit të lartë në vend dhe pyetja është: Pse janë lejuar të funksionojnë, kur nuk kanë patur leje?!

ACQJ e pyeti Ministrinë e Arsimit se çfarë ka bërë për këtë situatë, ku mund të ndodhen me qindra qytetarë, por nuk arriti të marrë një përgjigje prej saj, ku ministria preferoi të citonte vetëm disa nene.

15 raste të prekura nga ky problem janë ato, të cilat ACQJ arriti t`i verifikonte në një listë të shkurtër të ish-studentëve të universitetit “Vitrina, që kishte në dispozicion”.

Ndërkohë, sipas Arkivit të Shtetit, për ish-universitetin “Vitrina” janë të ruajtura 85 dosje me numrat e amzave (numra personalë identifikimi për çdo student), ku në total janë 19,798 emra ish-studentësh. Numri i ish-studentëve, të cilëve nuk iu njihet diploma, mund të jetë disa herë më i madh sesa ai që ka arritur të evidentojë ACQJ.

Ndërkohë, MAS thotë se ajo kontrollon ligjshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë, por nuk kryen asnjë veprim mbi diplomat e studentëve.

“Diplomat janë si pasojë e marrëdhënies direkte, që krijohet midis institucionit të arsimit të lartë, që ofron shërbimin dhe studentit, që kryen studimet dhe diplomohet”, – thotë Ministria e Arsimit dhe Sportit.

“Nuk bën sens”, ekspertët në një mendje për problematikën

“Mua nuk më bën sens një gjë e tillë”, – thotë ekspertja e arsimit, Valbona Nathanaili, kur njihet me rastin e personazhit tonë, që, edhe pse ka marrë diplomën Bachelor në ish-universitetin “Vitrina”, është pranuar dhe ka përfunduar studimet Master në Universitetin e Durrësit, diploma e saj Bachelor nuk njihet nga institucionet shtetërore.

I të njëjtit mendim është edhe eksperti tjetër i arsimit, Albano Zhapaj, i cili shprehet se kjo nuk ka sens në aspektin ligjor. “Nëse në Master t`i bën mbi 20 provime, e sigurt, por edhe mbi 24 provime, ti ke kaluar në duart e 24 pedagogëve dhe asnjëri nga këta nuk e ka kuptuar që ti nuk ke shkollë të lartë Bachelor?!”, – thotë më tej ai.

Ndërkohë, Rigels Xhemollari nga organizata Qëndresa Qytetare, shprehet se një universitet publik, siç është Universiteti i Durrësit, e ka njohur diplomën e personit, të marrë nga këto universitete private, të mbyllura si një diplomë të vlefshme, të ligjshme, relevante dhe në këtë mënyrë e ka certifikuar për një tjetër nivel studimi.

“Pra, nuk mundet, që një universitet të lëshojë një diplome të nivelit të dytë, si diploma Master, pa njohur dhe pa certifikuar diplomën Bachelor”, – thotë ai, duke theksuar se Ministria e Arsimit ka punuar me dy standarde, nga njëra anë nuk i ka licencuar, nuk i ka njohur këto diploma, nuk iu ka dhënë legjitimitet dhe nga ana tjetër nuk ka nxjerrë një direktivë, që këto universitete të mos pranojnë diploma të tilla gjatë kësaj periudhe.

E ndërsa Ministria e Arsimit e quan të mbyllur historinë me ish-universitetet private, ekspertët e arsimit janë të një tjetër mendimi.

Ekspertja Nathanaili shprehet se të gjitha diplomat, që janë lëshuar nga “Vitrina” deri në vitin që është mbyllur, janë të vlefshme.

“Nuk mund të jenë të pavlefshme, sepse kanë qenë si në rastin e mësuesisë, që thoni ju, që e ka hapur pa u akredituar; ose duhet të kthejë ish-pronari të gjitha lekët, ose ministria duhet të mbyllë një sy, derisa e ka lejuar”, – shprehet ajo, duke e vënë theksin te “kontrollet e ministrisë, që për këtë punë janë, prandaj çon inspektorët, grupet e veta të punës, të akreditimit”.

“Ka dy rrugë, – thotë eksperti Albano Zhapaj, – ose ta dëmshpërblejë dhe i dëmtuari të vijojë një shkollë tjetër, ose t’ia njohë diplomën, sepse, nëse ky program nuk është akredituar kurrë, është problemi, që ata kanë lëshuar diplomat”.

“Përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Arsimit”, – shton Rigels Xhemollari, ku, sipas tij, ky institucion duhet të merrte masa, që të gjithë atyre, që kanë marrë diploma në këto universitete, t’iu njihet, t’iu certifikohet kjo diplomë.

“T’iu rivlerësohen njohuritë, madje për të parë, nëse ata janë të aftë për ta mbajtur atë diplomë apo jo, por jo në këtë mënyrë”, – shprehet Xhemollari, duke shtuar se “nuk mund t’i lëmë jashtë sistemit, për shkak se kanë përfunduar diplomën në këto universitete private, të cilat janë mbyllur apo kanë probleme me ligjin”.

Qeveria mbylli sytë përballë shkeljeve të ligjit

Vetëm pak kohë pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama 1 do të nxirrte një Vendim të Këshillit të Ministrave, ku do të mbyllte disa shkolla jopublike, mes tyre edhe ish-universitetet jopublike, “Vitrina” dhe “Kristal”, për shkak se nuk i plotësonin kushtet ligjore.

“Trishtim për mijëra familje që kanë investuar kursimet e tyre për t’iu dhënë fëmijëve shkollim, por që i kanë derdhur paratë në këto skema piramidale”, – do të shprehej në atë kohë kryeministri Rama, i cili do të shtonte se, “kemi arritur që të kemi regjistra kombëtarë, ku thuhet se 10 diploma i ka tërhequr shefi”.

Por, nga ana tjetër, qeveria Berisha, e cila ishte paraardhëse e qeverisë Rama, nuk mund të mos ishte në dijeni të problematikave me plotësimin e kushteve ligjore, që kishin këto universitete.

Më 11 janar 2012, në ambientet e kampusit universitar “Vitrina” u zhvillua një takim me zëvendësministren e Arsimit, Nora Malaj, e shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, më saktësisht, nga drejtori i Arsimit Privat i kohës, Arjan Shahini dhe nga specialisti i Arsimit të Lartë, Dhimitër Bako. Në fjalën e saj zonja Malaj falënderoi për mikpritjen dhe theksoi korrektësinë e universitetit “Vitrina” dhe sukseset e arritura ndër vite. Në tekstin e videos së publikuar në kanalin në YouTube, “Vitrina University”, ndër të tjera thuhet se fjalimi i zonjës Nora Malaj u përqendrua në plotësimin e kritereve, si elemente të rëndësishme në marrjen e akreditimit.

Ndonëse qeveritë ndryshuan, Ministria e Arsimit shqiptar mbeti po e njëjta në rolin dhe detyrat e saj që prej krijimit për garantimin e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e tij, por ky institucion nuk arriti të luante funksionin e tij për ish-universitetet jopublike, duke patur një ndikim shumë të madh në jetën e dhjetëra në mos qindra studentëve. Edhe pse përgjegjësia për lejimin e funksionimit të universiteteve jopublike në kundërshtim me ligjin ose në shkelje të ligjit të kohës bie pikërisht mbi Ministrinë e Arsimit, e vetmja gjë që thotë ky institucion, i pyetur se cila është arsyeja e mosnjohjes së diplomave të lëshuara nga ish-universitetet private, është: “Në bazë të legjislacionit në fuqi, procesi i njohjes dhe njehsimit nuk bëhet për diplomat, që janë lëshuar brenda vendit”.

E ndërsa institucionet arsimore të të gjitha niveleve “lajnë duart”, kur gjenden përballë situatave të tilla, dhjetëra në mos qindra qytetarë kanë humbur qindra-mijëra euro dhe disa vite, duke studiuar për t’u pajisur me diplomë Bachelor, të cilën sot shteti shqiptar nuk ua njeh, edhe pse institucionet e arsimit të lartë, që u mbyllën, kanë operuar nën hundën e institucioneve shtetërore, që duhet të siguronin respektimin e ligjit.

 

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.