Ligji për regjistrimin e pronarëve përfitues, dy vjet pas hyrjes në fuqi, ende me probleme në zbatim

Dy vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për regjistrimin e pronarëve përfundimtar përfitues të bizneseve në Shqipëri, afatet për regjistrimin e këtyre të fundit janë shtyrë në mënyrë të herëpashershme, ndërkohë që QKB nuk ka vendosur asnjë masë penalizuese për shkelësit e ligjir, dhe nuk ka një statistikë mbi rastet të cilat refuzojnë apo kryejnë regjstrim fiktiv.

Autorë: Dallandyshe Xhaferri dhe Fjori Sinoruka

Në vitin 2020, Parlamenti shqiptar miratoi ligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili detyronte çdo biznes në Republikën e Shqipërisë të regjistronte në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, brenda qershorit 2020, pronarët përfitues të të ardhurave të tyre. Por, kjo iniciativë filloi të dështojë pa ende marë një formë përfundimtare.

Sipas relacionit të publikuar nga qeveria shqiptare një vit pas kalimit të ligjit, dhe përpjekjeve për amendimin e tij, rezulton “se nga 59,165 subjekte raportuese ekzistuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar përpara datës së krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues,  prej të cilëve 8,689 subjekte  me statusin pezulluar, bazuar në VKM nr.273/2021, kanë detyrimin të regjistrojnë pronarin përfitues në regjistrin e pronarit përfitues, përpara kërkesës për ndryshimin e statusit të tyre në regjistrin tregtar,  vetëm 21,460 subjekte raportuese ekzistuese kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër deri më datë 10.11.2021”. Thënë ndryshe, përafërsisht vetëm 36,3% e subjekteve raportuese ekzistuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues.

Gjithashtu, fillimisht problematikat u hasën edhe në regjistrimet e të dhënave të pronarëve përfitues të Organizatave Jofitimprurëse. Sipas relacionit qeveritar, nga 4,861 Organizata Jofitimprurëse ekzistuese të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, vetëm 1,961 Organizata Jofitimprurëse kishin regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër deri në nëntor të vitit 2021. Thënë ndryshe, vetëm 40,3% e OJF-ve kishin regjistruar të dhënat e pronarëve përfitues.

Mungesa e regjistrimeve nga ana e bizneseve ndikoi në marrjen e vendimit për shtyerjen e afatit të regjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues deri në prill të këtij viti.

“Me anë të këtij projektligji janë ndërmarrë disa ndryshime ligjore që mundësojnë: Shtyrjen e afatit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese ekzistuese me pronësi indirekte të regjistruara në regjistrin tregtar dhe nga Organizatat Jofitimprurëse, deri më datë 01.04.2022”,- thuhet në realcionin qeveritar të publikuar në dhjetor te vitit të kaluar, por Qendra Kombëtare e Biznesit ka bërë të ditur për ACQJ se afati për përmbushjen e detyrimit ligjor për regjistrimin fillestar të të dhënave për subjektet me pronësi indirekte dhe OJF-ve u shty deri më 30 qershor të 2022-shit.

Më 2 nëntor të këtij viti, ky institucion ka bërë të ditur se, përsa u përket kompanive, nuk kishin kryer këtë detyrim ligjor 828 subjekte, ndërkohë sipas të dhënave të përcjella nga AKSHI, deri më shtator të këtij viti rezultojnë të regjistruar të dhënat e pronarëve përfitues të rreth 42 000 subjekteve tregtare.

QKB bën të ditur për ACQJ-në se “për subjektet që nuk kanë kryer regjistrimin fillestar të të dhënave të pronarit përfitues dhe përditësimin e tyre sipas afateve ligjore në bazë të dispozitave ligjore dënohen me gjobë”,- duke shtuar se deri në shlyerjen e gjobës këto subjekte nuk do të ofrojnë shërbimet e tyre, përveç regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të përfaqësuesit ligjor, si dhe do të ndryshojnë statusin për subjektet raportuese nga status “aktiv” në statusin “të pezulluar” në Regjistrin Tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse.

Por, pavarësisht kërkesës nga ACQJ, ky institucion nuk ka bërë të ditur kundrejt sa kompanive është marrë kjo masë dhe sa ka qenë shuma monetare e paguar prej tyre.

Nisma e qeverisë për ligjin e regjistrimit të pronarëve përfitues nisi me problematika

Aranita Brahaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Insitutit Shqiptar të Shkencë, njëkohësisht dhe drejtoreshë e “Open Data” thotë për ACQJ se nisma e qeverisë shqiptare nisi me problematika, pasi ligji nuk jepte asnjë garanci.

“Duke miratuar një ligj që detyron të gjithë të bëjnë deklarim Qeveria dhe Ligjvënësi e dëmtuan qëllimin e procesit”,- thotë ajo duke e cilësuar këtë fakt si arsyen kryesore pse ligji nisi të zbatohej shumë më vonë,-“nuk pati asnjë fokus tek ata që vërtetë duhet të kontrollohen, verifikohen dhe të njihen publikisht”,- vazhdon ajo duke shtuar se “me vetëdeklarim, Ligjvënësi nuk garanton në asnjë rast që informacioni vjen me vërtetësi. Procesi i verifikimit nuk bëhet as për bizneset që janë biznese që financohen nga para publike apo licencohen për shërbime shumë të rëndësishme me karakter publik”.

Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi vendi ynë ndodhet ende larg respektimit të transparencës në aktivitetet ekonomike.

“Duke krahasuar gjendjen e sotme të shoqërive publike në vendin tonë, sidomos sa i takon transparencës dhe konkurencës, mund të konkludohet se vendi ynë është larg njohjes dhe aq më larg akoma zbatimit të këtyre principeve dhe modeleve të njohura e të gjithëpranuara në botën e sotme”,- thotë Preçi.

Ndërkohë, Brahaj pranon se mënyra e hartimit të ligjit për regjistrimin për përfituesve nuk ka asnjë eficencë në zbatim.

“Në mendimin tim, kështu siç është hartuar, pa deklarim shterues, me vetëdeklarim pa kontroll e verifikim, me hapësira për deklarime të paqarta, Ligji vetëm ka stresuar bizneset me burokracinë e deklarimit dhe presionin për gjobë vënie nëse nuk bëhet deklarim në kohë.”- vëren ajo.

Ajo më tej pohon se në gjithë këtë format të çuditshëm me vetdeklarim, pa verifikim, me deklarim njësoj si bizneset me angazhim dhe financim publik si ato të tjera ligji nuk ka ndonjë eficensë në zbatim.

“Është bërë sa për të plotësuar një kusht formal”,- përfundon ajo, duke theksuar se vetëm pronarët zotërues të 25% të aksioneve dhe kapitali kanë detyrimin për t’u deklaruar.

Çdo të thotë kjo? Nëse një individ me precedent, person me influencë në politikë dhe qeveri është diku aksioner në një shoqëri që ka fituar kontrata publike, ai është i mbrojtur. Domethënë, ai nuk identifikohet nëse ka më pak se 25% kontroll mbi pronësinë e biznesit.

Mosfunksionimi i ligjit për deklarimin e pronarëve përfitues, pasojat në ekonomi

Zef Preçi, eksperti i ekonomisë, thekson për ACQJ se anonimati mundëson zhvillimin e aktiviteteve të jashtëligjshme si evazioni fiskal, pastrimi i parave dhe korrupsioni të zhvillohen jashtë kontrollit të autoriteteve ligjzbatuese.

“Kompanitë offshore janë përdorur në shumicën e rasteve të korrupsionit, edhe në Shqipëri, për të transferuar qindra milione dollarë drejt kompanive pa staf në vendet e njohura si ‘parajsa fiskale’, duke përdorur transferta komplekse parash, kompani të lidhura guaskë dhe struktura të tjera ligjore pas të cilave mund të fshihen të ashtuquajturit ‘pronarë përfitues’”,- thotë Preçi duke marrë si shembull  kompanitë e krijuara për inceneratorët,sipas të cilit ka dyshime të bazuara se pas tyre qëndrojnë politikanë të rëndësishëm të vendit.

“Transparenca rreth pronësisë përfituese synon të parandalojë pronarët e kompanive që të veprojnë në fshehtësi. Përcaktimi në ligj si persona përfitues për individët që zotërojnë ose kontrollojnë përfundimisht një person juridik, nëpërmjet pronësisë direkte ose indirekte të 25% të aksioneve ose të drejtave të votës ose interesave pronësore në atë njësi, ose nëpërmjet kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera, ose që përfiton nga një transaksion i kryer nga personi juridik në llogarinë e tij ndihmon për të hedhur një hap përpara në rritjen e transparencës, por nuk është i mjaftueshëm”, – thotë Preçi.

“Niveli me 25% i aksioneve të caktuara në ligj lë shteg për fshehje”- përfundon ai.

Ndërkohë, QKB-së i përgjigjet pyetjes së ACQJ për mënyrën e identifikimit prej tyre nëse kontratat e bizneseve janë ose jo të vërteta, se “në bazë të VKM-së Nr. 1088, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”, ndër të tjera nënpunësi regjistrues i QKB-së identifikon nëse nënshkruesi është apo jo për të realizuar regjistrimin dhe nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime ose fshirje të pavërtetuara.”

Pavarësisht shtyerjes së herë pas hershme të afateve për regjistrimin e pronarëve përfitues, ende ky ligj nuk ka gjetur zbatim të përgjithshëm, ndërkohë që deklarimi i detyruar i pronarëve që zotërojnë mbi 25% të aksioneve lë shteg për fshehjen e pronarëve real pas bizneseve të ndryshme, si ato që përfitojnë nga kontrata shtetërore, ashtu edhe ato që operojnë në fusha me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si kazinotë apo lojrat e fatit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter