Liqenet e Belshit, turizmi mes investimeve dhe konflikteve për tokën

Ato janë një grup vajzash që mbasi kanë lënë me bllokazh automjetin, kanë qëndruar në  kodrën përballë Belshit. Pozojnë dhe shkrepin fotografi për instagram. Nuk qëndrojnë më tepër se 20 minuta dhe përgjigjen me zë të lartë se liqenet e Belshit janë të bukura kryesisht në vjeshtë.

“Por jo për të qëndruar, vetëm për foto që i postojmë. Nuk ka infrastrukture”, -përgjigjet Ana.

Bashkia e Belshit e reklamon liqenin e qytetit si  njëri mes dhjetëra liqeneve të tillë në zonën e Dumresë, që ka një sipërfaqe prej 26. 9 hektarë dhe ofron një pamje piktoreske të qendrës së qytetit. Por nga ana tjetër, përpos turizmit, liqeni shfrytëzohet nga banorët dhe për peshkim dhe ujitje.

“Në territorin e Dumresë ka shumë liqene natyrorë që janë formuar si rezultat i fenomeneve karstike që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë dhe sot në përmasa më të vogla. Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha. Aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë. Bukuritë e këtyre liqeneve kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj të cilët mund të shfrytëzohen edhe për turizëm. Këto liqene shfrytëzohen për peshkimin dhe vaditjen e kulturave bujqësore. Ata kanë madhësi dhe thellësi të ndryshme. Liqenet janë të pasur dhe me peshq kryesisht krapi natyror, krapi i kultivuar, ballgjëri, amuri etj, dhe në disa liqene rritet dhe ngjala si specie endogjene”, – numëron bashkia e Belshit.

Liqeni kryesor në qendër të qytetit të Belshit

Por biznesmeni Ervis Hysa gjatë bisedës me “Sinjalizo” hedh vazhdimisht sytë nga hyrja kryesore e biznesit. Duket i trishtuar.

 “U kthyem nga Italia me idenë se do të investonim në Belsh duke qenë se dhe turizmi po merr hov, por tani po mendojmë të largohemi”,- tregon Ervis Hysa, i cili është bindur se të ardhurat e fituara nga turistët ditorë nuk justifikojnë punën e bërë nga të punësuarit.

Bujtina e Ervis Hysës për turistët e huaj

Hysa është një prej 4 pronarëve të bujtinave  në këtë zonë dhe si një ish-emigrant në Itali, ai u rikthye në vendlindje për të investuar në ngritjen e një biznesi  familjar. Në bujtinat që ofrohet fjetje dhe akomodim, era e dhomave që hapen rrallë, të lë të kuptosh se pak prej turistëve zgjedhin të zgjohen në Belsh.

Çmime të lira, por s’ka argëtim

 “Turizmi në Belsh është afatshkurtër për shkak të mungesës së aktiviteteve, që mund t’i mbanin më gjatë turistët. Pushteti lokal nuk është bashkëpunues në këtë drejtim”,- thotë Hysa, çka është pranuar dhe nga kryetari i bashkisë, Arif Tafani. I pyetur nga “Sinjalizo”, bashkiaku i Belshit, thotë se nuk ka patur një iniciativë të drejtpërdrejtë bashkëpunimi me bizneset vendase, por Këshilli Bashkiak ka marrë vendim për uljen e taksës së bizneseve në masën 30%.

Për të mbajtur turistët kemi organizuar festa të ndryshme siç është Festa e Balonave, Nimfës së Liqenit, Qershisë”,- deklaron për “Sinjalizo”,  Tafani. Zyrtari i pushtetit lokal shton  se bashkia është përfshirë në projektin qeveritar “Rilindja Urbane”, me  synim rehabilitimin e qendrës së qytetit.

Pas vitit 2018 Belshi është kthyer në magnet për turistët dhe gjatë 10 muajve të vitit në 8 restorantet e qytetit drekojnë ose darkojnë 350 mijë turistë të huaj dhe vendas”,- thotë me krenari kryebashkiaku, sipas të cilit, projektet e  financuara nga qeveria kanë si synim jo vetëm qytetin e Belshit, por edhe fshatrat. Megjithatë në fund të muajit, bizneset gjenden në luftë me faturat, mbasi siç thonë ata, turizmi i ushqimit dhe i kafesë nuk është fitimprurës.

Lufta për tokën me bashkinë

Në janar të vitit 2021 në Seferan nisën punimet për rehabilitimin e shtigjeve turistike që lidh Liqenet e Rrahmanit me të Marinzës dhe Mërhojes. I ndodhur vetëm 4 kilometra larg qendrës së Belshit dhe për shkak të potencialit për zhvillimin e agroturizmit, ky fshat u përfshi në projektin e “100 Fshatrave Turistike” si dhe në tenderin për zhvillimin e atraksioneve turistike duke u mbështetur mbi potencialet lokale.

Kontrata ndahet në preventive, të cilat përfshijnë zonat turistike të bashkisë Belsh me fond 157, 919, 761 lekë me TVSH. Ky preventiv parashikon ndërtimin e zonave të plazhit, moleve si dhe ndërtimin e magazinave, të cilat sipas banorëve të zonës do t’u vijnë në ndihmë për të grumbulluar produktet bujqësore.

“Sinjalizo” ka investiguar nga afër këtë investim në dhjetor të vitit 2021, ku sipas kontratës së firmosur midis Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe dy kompanive, “Franko Construction” dhe “Vëllezërit Hysa”, punimet duhet të kishin përfunduar më datë 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Foto e realizuar gjatë punimeve në Seferan në muajin dhjetor të vitit 2021

Në atë kohë përplasja me banorët e zonës për shkak të problemeve të pronësisë është parë si pengesë për realizimin e punimeve nga ana e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ndërtimi i magazinave ngeli pezull, ndërkohë që Avdi Kasaj, banor i Seferanit, pretendon se sipërfaqja e tokës në të cilën nisën punimet ishte në pronësi të tij.

Punimet për këto magazinat nisën në 3 të mëngjesit dhe mua më shkatërruan 120 rrënjë ullinj pa asnjë arsye”,- tha ai në atë kohë duke shtuar se kishte paditur në gjykatë bashkinë Belsh për falsifikim të dokumentave të pronësisë.

Sot, tetë muaj më pas projekti ende nuk ka përfunduar. “Sinjalizo” ka arritur të sigurojë kontratën e bashkimit të dy kompanive fituese me FSHZH dhe amendimin për shtyrjen e punimeve deri më datë 30 Shtator të vitit 2022. Megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi në fshatin Seferan, grupet e punëtorëve të kompanive fituese nuk kanë qënë të pranishëm për realizimin e mëtejshëm të punimeve. Magazinat nuk kanë përfunduar dhe pretendimet e banorit që këmbëngul tek të drejtat e tij kanë lënë në hije dhe  pikëpyetje, nëse kjo pjesë e projektit bashkë me ndërtimet te liqeni i Marinzës do të jenë gati në fund të shtatorit.

Foto e realizuar gjatë punimeve në Seferan më 26 Gusht të vitit 2022

Unë gjyqin me bashkinë e kam të humbur dhe tani nuk kundërshtoj më për ndërtimet në këtë sipërfaqe toke”,- është shprehur Avdi Kasaj, i cili shton se pronësia e tij është zhbërë në mënyrë të padrejtë me ligjin 7501.

Nga e gjithë prona e babait mora vetëm 4 dynym”, – shton ai ndërkohë që kryetari i Bashkisë, Arif Tafani, i pyetur për këtë rast thotë se prona ku do të shtrihen investimet është publike dhe se për 30 vite zoti Kasaj mund të kishte përfunduar me marrjen e pronësisë në rrugë ligjore.

30 vite besoj se janë të mjaftueshme për të bërë dokumentat e pronësisë”, – shton ai për “Sinjalizo”.

Ky nuk është i vetmi rast ku banorët e Belshit përplasen me institucionet, ose me njëri-tjetrin  për shkak të problemeve të pronësisë. Më 6 korrik të këtij viti, policia e Elbasanit raportoi se në fshatin Çepe u arrestua 37-vjeçari D.H, pasi gjatë debatit për motive pronësie qëlloi me armë zjarri ndaj një tjetër shtetasi, por fatmirësisht ngjarja u mbyll pa asnjë viktimë.

Ekspertët: Ligji 7501 u keqzbatua

Juristi Ylli Kameri thotë se për mirë apo keq, ligji 7501 duhej të zbatohej në shoqërinë shqiptare, kjo nisur edhe krimet e kryera me motiv konfliktin për pronën.

Shoqëria shqiptare më 1991 , e ndodhur para problemeve sociale te mbijetesës e të strehimit, do ta përdorte procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për të zgjidhur problemin e strehimit, duke e kthyer tokën bujqësore në truall,  fillimisht, kryesisht rreth qyteteve”,- thotë Kameri duke theksuar se ky fenomen nisi të shtrihej në të gjitha tokat bujqësore, kudo që ndodheshin në vend, çka do të shoqërohej me manipulimet totale të dokumentacioneve të pronësisë.

Problemi i parë, pra është caktimi i saktë fondit të tokës bujqësore, sepse ligji 7501 parashikonte shpronësim nëse toka nuk ishte tokë bujqësore”- shton ai, duke theksuar edhe faktin se ligji parashikonte shpronësimin në rast se toka nuk shfrytëzohej për qëllime bujqësore.