[authorInfo]

Lufta për gjykatat, avokatët të përçarë, por pasojat bien mbi qytetarët

Autore: Ina Allkanjari

Luljeta Kamberaj, është nga qyteti i Vlorës dhe prej 6 vitesh po përpiqet të marrë drejtësi nga gjykata. Problemet e saj u bënë kritike ditën që e larguan nga puna pranë spitalit rajonal të këtij qyteti. E mbetur pa punë ajo hodhi sytë nga gjyqësori me shpresën se ligji në duart e gjyqtarëve do fliste në kohë. Kamberaj kaloi shkallën e parë të gjykatës dhe dosja përfundoi në Apelin e Vlorës, një gjykatë që sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor do të shkrihet. Pesimiste ajo shkruan në Sinjalizo për odisenë që ka kaluar dhe për sfidat që e presin mbasi dosja e saj do ta transferohet së bashku me gjykatën në kryeqytet.

Gjithë këto vite dhe akoma nuk kam gjetur zgjidhje pasi nuk më ka dalë data e gjyqit. Kur mora vesh që do mbyllet Gjykata e Apelit në Vlorë u trondita, si mund të ndjek unë çështjen në Tiranë, kur kam një të sëmurë në shtëpi dhe vetë jam e sëmurë. Ku të shkoj, ku të kërkoj ndihmë unë që të përballoj shpenzimet për të shkuar në Tiranë, kur jam pa punë dhe nuk mundem edhe nga ana shëndetësore. Nuk ja dalim dot ne të ndjekim gjyqet nëpër Tiranë, e kemi të pamundur”, shprehet më tej paditësja.

Si Kamberaj, të njëjtin fat pritet të kenë dhjetëra qytetarë që presin seancat në apelet e Korcës, Vlorës dhe Shkodrës dhe Durrësit që sipas hartës së re do të mblidhen në një të vetme në rang vendi, Gjykata e Apelit Shqiptar. Ky projekt është kundërshtuar fort nga komuniteti i avokatëve, 2 mijë prej të cilëve me licensë aktive, u futën në bojkotin e dytë kërcënues. Në fillim me vendim të Dhomës Kombëtare të Avokatisë braktisën seancat e themelit, kurse në grevën e dytë bordi i kësaj dhome urdhëroi braktisje edhe të masave të sigurimit personal, që sipas parashikimeve të mbrojtjes duhej të bllokonte gjykatat. Por kancelari i gjykatës më të madhe në vend Donald Xhelili, pranoi se në kushtet kur të arrestuarit kanë vetëm 48  orë afat kohë për të dalë para gjykatës dhe kur avokatët e zgjedhur nuk po paraqiten, gjykata ka siguruar përfaqësimin e të dyshuarve me avokatë falas nga shteti.

Pasojat që sjell harta e re gjyqësore

Durim Bajramaj kreu i avokatisë Vlorë tregon për “Sinjalizo” se ndryshimet që sjell harta e re gjyqësore i mohojnë aksesin në drejtësi qytetarit.

Neni 6 i Kushtetutës thotë që çdo qytetar duhet të dëgjohet nga një gjyqtar dhe duhet të merret një vendim brenda një afati të arsyeshëm për çdo problematikë që mund të ketë, gjë që po u mohohet. Një tjetër pasojë që vjen drejtpërdrejt prej ndryshimit të hartës gjyqësore është kosto e qytetarit, i cili nëse shkon apeli në Tiranë, do më paguaj shërbimin juridik, por edhe koston sepse unë do të lë çështjet në gjykatën e shkallës së parë në Vlorë dhe do ta përfaqësoj në Apelin e Tiranë, ku do të humbas gjithë ditën me çështjen, plus qytetari do paguajë edhe koston e trasnportit”, shpjegon zë më zë, shpenzimet avokati Bajramaj.

Por kur në një nga daljet publike kreu i KLGJ-së, mbrojti hartën e re duke përdorur mes shumë argumentave edhe boshatisjen e vettingut, përfaqësuesi i avokatëve të Vlorës që është qyteti ku u mbyllën dy gjykata shton:

“Tani thonë që të funksionojë vetëm një gjykatë Apeli, ndërkohë ne u kemi dhënë zgjidhjen nga 6 gjykata apeli, të qëndrojnë të paktën 3 gjykata, një në Vlorë, një në Tiranë dhe një në Shkodër”, replikon Bajramaj.

Si një zë që ka kundërshtuar bojkotimin e urdhëruar nga Dhoma e Avokatisë është Saimir Vishaj një tjetër avokat në Tiranë dhe që drejton Dhomën e Avokatëve Penalistë. Në krye të herës Vishaj thekson për Sinjalizo se avokatët nuk mund ti braktisin klientët duke mos i përfaqësuar në gjykata.

 “Harta nuk lindi në vitin 2022, por ka që në vitin 2017 që është diskutuar me grupet e interesit duke u rënë dakord parimisht në lidhje me këtë lloj organizimi. Ka problematika, sepse janë disa qytete që i ikin gjykatat e themelit, por besoj që deri në miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave palët duhet të bien dakord.Ligji thotë që të transferohet një gjyqtar nga Vlora në Tiranë duhet të japë pëlqimin. Në rastin konkret kur harta vendos që të shkrihen 4 apelet e rretheve do të thotë që të gjithë gjyqtarët e apelit që janë në rrethe do të vijnë me banim familjarisht në Tiranë. Ky është një problem”.

Më tej Vishaj ka një propozim për dosjet urgjente që duhet të shqyrtohen në gjykatat që do mbyllen, pasi në të kundërt do të vështirësohet dhënia e shërbimit ndaj qytetarit.

“Në lidhje me disa vepra penale është shkëputur kontakti, dhënia e shërbimit të gjykatës ndaj qytetarit, sidomos në dhunën në familje ku do t’i duhet një gruaje të dhunuar nga Tropoja të udhëtojë sëbashku me agresorin e saj për në Kukës ku do të jetë gjykata themelore. Këto janë probleme të cilat mendoj duhet të ishin parë më mirë, sidomos në një rreth kategorie veprash ku duhet të funksiononin gjykatat siç janë aktualisht”, shprehet Vishaj për Sinjalizo, duke veçuar të miturit si kategori ku duhet të bëhet kujdes. Të miturit kërkojnë gjykatë të posaçme – përmend avokati-me avokatë të specializuar, sepse e drejta e të miturit prevalon.

I vënë në krye të lëvizjes së avokatëve që po paralajmërojnë përshkallëzim, Maksim Haxhia, Kryetar i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë kundërshton hartën e re gjyqësore duke argumentuar se ky ndryshim do të rrisë koston financiare që do të rëndojë direkt në xhepat e qytetarëve dhe sipas tij duke u rritur kosto do të kufizohet aksesi i qytetarëve në gjyqësor.

“Harta e re gjyqësore duke qenë se do të bëjë që shumë qytetarë mos të shkojnë në gjyq për arsyet që unë përmenda, do të sjellë në rritjen e vetëgjyqësisë për zgjidhjen e shumë konflikteve të ciklit administrative dhe penal” – deklaron Haxhia

Gjyqtarët përballë hartës së re gjyqësore

Fuat Vjerdha, Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër i pyetur nga “Sinjalizo” nëse është dakord me hartën e re gjyqësore dhe shkrirjen e gjykatave të Apelit në rrethe në një të vetme, deklarohet kundër. Këndvështrimi i gjyqtarit të njohur vjen krejt ndryshe nga sa deklaruan më herët Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të cilët ngritën kartonin jeshil mbi propozimin e KLGJ-së. Edhe kryeministri Edi Rama që kryeson Këshillin e Ministrave, ky i fundit institucioni final që shprehet për hartën gjyqësore, u deklarua pro shkrirjes së gjykatave.

“Duke marrë parasysh kodin e etikës, unë nuk mund të shprehem në media në lidhje me këto pretendime. Me institucionet kur zhvillohen takime unë kam shprehur qëndrimin tim por për shkak të kodit etik nuk mundem në media. Qëndrimi im dihet pasi e kam bërë publik që është mos të shkrihet Gjykata e Apelit në Shkodër”, deklaroi kryetari i Gjykatës së Shkodrës.

Më herët në janar të këtij viti, Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër Fuat Vjerdha, është shprehur se një sistem i tillë me një gjykatë të vetme Apeli në Tiranë, ka qenë në fuqi deri në vitin 1998 kur u kalua në sistemin me 6 gjykata apeli.

“Argument ishte atëherë që një gjykatë e vetme sillte korrupsion”, tha Vjerdha, i cili propozoi një sistem me tre gjykata të apelit. “Unë propozoj që harta gjyqësore të jetë me 3 gjykata, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë, dhe çështjet civile të gjykohen vetëm në Tiranë, të delegohen gjyqtarët për këto çështje në Tiranë”, tha gjyqtari.

Vjerdha tha se duhej të mendohej për një drejtësi sa më pranë qytetarëve.

Është një shqetësim kombëtar që një qytetar sot nuk mund të gjykohet në vendin e tij”, tha ai.

Kapacitetet e Gjykatës së Apelit Tiranë

Në raportin e vlerësimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor tregohen avantazhet dhe disavantazhet e Gjykatës së Apelit Tiranë në kuadër të infrastrukturës.

Ndërtesa e Gjykatës së Apelit Tiranë ka 28 zyra gjyqtarësh dhe 19 zyra të administratës; si dhe 7 salla gjyqi (2 penale dhe 5 civile). Avantazhet: Gjykata e Apelit Tiranë ndodhet në qendër të qytetit. Gjykata plotëson standardet e projektimit lidhur me sigurinë dhe/ose shmangien e komunikimit ex-parte (pra, ka hyrje dhe dalje të dedikuara për personelin e gjykatës, palët dhe/ose të paraburgosurit), dhe hapësira e shërbimit për publikun është e realizuar sipas standardeve. Disavantazhet: Numri i sallave të gjyqit nuk është i mjaftueshëm”, thuhet në raportin e vlerësimit të KLGJ-së.

Foto, Gjykata e Apelit Tiranë

Burime pranë Gjykatës së Apelit u shprehën për “Sinjalizo” se kapacitetet në këtë gjykatë nuk janë shqetësim kjo pasi për momentin nuk ka shumë gjyqtarë, ndërsa në të ardhmen mendohet të investohet në një gjykatë të re.  Ndërkohë parashikohet se nga momenti i miratimit të hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Ministriave, do të duhet minimumi 6 muaj që të përcaktohen rregullat për tranzitimin e dosjeve.

Durim Bajramaj, kreu i avokatisë Vlorë tregon se Gjykata e Apelit në Tiranë nuk i ka kapacitet për të qenë e vetmja në Shqipëri.

Ajo gjykatë nuk përballon dot trupën gjyqësore të Tiranës, aq më tepër të marrë edhe pesë trupa gjyqësore të apeleve të rretheve. Edhe sikur të bëjnë ndonjë godinë, sërish për mua kjo hartë e re gjyqësore është e dështuar. Gjithashtu është edhe efekti kohë. Me ligj, Gjykata e Apelit Administrativ duhet të japë vendim brenda 3 muajve nga data që shkon dosja në gjykatë, ndërkohë që ajo po gjykon çështjet e vitit 2016, jemi 6 vite mbrapa”, u shpreh Bajramaj.

Sipas Bajramaj, në të gjithë Shqipërinë mund të jenë edhe 100 masa sigurie në ditë, dhe këto me hartën e re do bëhen në Tiranë.

Do nisen mjete policie nga të gjitha rrethet për të vajtur në gjykatën e apelit në Tiranë. Si fillim duhet një flotë e tërë me makina policie, gjithashtu duhet një repart ushtarak me policë, është kosto marramëndëse për shtetin, janë taksat e shqiptarëve”, përfundoi Bajramaj.

Foto Gjykata e Apelit Tiranë, hyrja për publikun

Një pikë ku Vishaj është dakord me kolegët lidhet me mungesën e ambienteve në gjykatën e apelit Tiranë, ku do të grumbullohen qindra dosje. “Gjykata e Apelit në Tiranë nuk ka as godinën dhe as kapacitete të tjera. Nga dalja e VKM-së, pra nga miratimi i këshillit të ministrave deri në fillimin e punës do të kaloj një periudhë rreth 6 muaj ose një vit për tu stabilizuar personeli, sekretaritë, kancelaritë etj”, u shpreh Vishaj.

E njëjta gjë konfirmohet edhe nga avokati Maks Haxhia, i cili thekson se nëse do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli do të krijohen më shumë probleme seç janë sot.

Gjykata e Apelit në Tiranë nuk i ka kapacitetet e duhura. Vetëm një Gjykatë Apeli do të sjellë probleme organizative, probleme për sallat, për zyrat, për vendin ku do të rrinë të paraburgosurit, infrastruktura e shërbimeve kancelarike, sekretaritë, protokollet, të gjitha këto janë probleme, nuk janë zgjidhur paraprakisht. Nëse do të ishin zgjidhur mund të diskutohej të bëhej harta e re gjyqësore siç është projektuar”, përfundon Haxhia.

Ndryshimet që sjell harta e re gjyqësore

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi hartën e re gjyqësore në vend, e cila nënkupton prezencën e vetëm 13 gjykatave të shkallës së parë, 2 gjykata administrative dhe 1 gjykatë apeli për të gjithë vendin.

KLGJ ka miratuar ndryshimet ku parashikohet shkrirja e gjykatave në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

KLGJ vlerësoi se gjykatat duhen riorganizuar  dhe nga 22 gjykata të rretheve gjyqësore ato mbeten vetëm  13 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm në: Berat; Dibër; Durrës;  Elbasan; Fier; Gjjirokastër;  Lezhë;  Korçë;  Kukës;  Sarandë;  Shkodër; Tiranë dhe  Vlorë.

Në këtë hartë shkrihen edhe gjykatat administrative prej të cilave mbeten vetëm dy , një e vendosur në qytetin e Lushnjës për jugun e vendit dhe një tjetër në Tiranë për qendrën dhe veriun.

Relacioni i Këshillit të Lartë Gjyqësor

Në relacionin e KLGJ theksohet se aksesi në gjykatë nuk nënkupton vetëm marrjen e shërbimit pranë apo sa më afër vendbanimit, por edhe marrjen e tij në një kohë sa më të shpejtë dhe efektive. Sipas KLGJ-së, një gjykatë kombëtare apeli me juridiksion të përgjithshëm, do të mundësojë zvogëlimin e afatit kohor të nevojshëm për përfundimin e gjykimeve, sidomos edhe për ato çështje gjyqësore që tashmë “flenë” në gjykatat e shkallës së dytë.

Gjykimi në një gjykatë kombëtare apeli do të mundësonte që të standardizohej koha mesatare e përfundimit të gjykimit në juridiksionin rishikues, pasi mënyra e planifikimit të ngarkesës së gjyqtarëve të apelit do të bëhej mbështetur në të njëjtat standarde e kështu do të arrihej edhe barazia e ngarkesës në punë të gjyqtarëve. Deri më sot në gjykatat e vogla të apelit, ngarkesa ka qenë ndjeshëm më e ulët, sesa në gjykatat e tjera, si dhe koha e gjykimit të çështjeve ka qenë ndjeshëm më e vogël, sesa në gjykatat e tjera, duke sjellë për pasojë cënim të parimit të dhënies së drejtësisë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në relacion teksa theksohet se krijimi i një gjykate të vetme apeli, do të sillte një ulje graduale të numrit të çështjeve të prapambetura, sepse krijimi i shumë seksioneve dhe me gjyqtarë të specializuar, do të sillte rritje të efiçencës se tyre në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore.

Në total, për të gjitha gjykatat e apelit të juridiksionit të zakonshëm vërehet se 31% e stokut janë çështje më të vjetra se 2 vjet.

Nga të dhënat statistikore të raportuara nga gjykatat, rezulton se sasia e çështjeve të prapambetura (stokut) varion në mënyrë të dukshme mes gjykatave të të njëjtit nivel. Gjykata e Apelit e Tiranës shënon numrin më të madh të stokut. Vendin e dytë e mban Gjykata e Apelit Vlorë ndërsa Gjykata me stokun më të ulët është Gjykata e Apelit Gjirokastër.

Në relacionin e KLGJ-së, thuhet se në fund të vitit 2021, 28 144 çështje presin të shqyrtohen nga gjykatat e apelit. Ato janë kryesisht çështje civile dhe vetëm 31% e stokut janë çështje penale. Të shpërndara sipas gjykatave, vërehet se kemi një rritje të stokut në të gjitha gjykatat e apeleve, por rritja më domethënëse reflektohet në Tiranë me 27%.

“Krahasimi i ngarkesës mes gjykatave tregon se ka një diferencë të theksuar ngarkese ku vërehet një ngarkesë totale në Apelin e Tiranës prej 20 350 çështje, pasuar nga Apeli i Vlorës  me 7 105 çështje dhe në vijim Apeli i Durrësit me 5 328”.