Mbetjet urbane “ndotin” Durrësin, kontrata të dyshimta me kosto marramendëse përballë rrezikut të shëndetit të banorëve

Prej muajsh Durrësi ndodhet në gjendje kolapsi prej mbetjeve urbane. I gjithë sezoni turistik kaloi me probleme për pastrimin e qytetit. Lagjet dhe njësitë administrative pastrohen, vetëm kur tejmbushen kontejnerët dhe trotuari ose rruga përreth. Vëzhgimi në muajin korrik deri në shtator të vitit 2021 tregoi se kulmi arriti pikërisht në korrik dhe zonat më problematike u evidentuan: Lagjja 13 ose zona e plazhit, Spitalla, zona e ish-Kënetës dhe Arapaj. Gjithashtu, dhe Gjiri i Lalzit dhe Kepi i Rodonit, që, edhe pse janë zona periferike, janë shumë të vizituara nga turistët, përsëri patën të njëjtin problem me mbeturinat urbane. Gjatë rrugës nga Gjiri i Lalzit për në Kepin e Rodonit përballesh me “male” mbeturinash, që dukshëm kanë ditë pa u pastruar. Disa turistë polakë, të cilët ishin në këtë zonë, u shprehën të çuditur se si është e mundur që kjo bukuri natyrore të lihet në harresë nga institucionet lokale.

Durrësi, mbeturina – zona Arapaj
Situata ka zënë vend në shumë media vizive dhe të shkruara, të cilat e kanë raportuar për këtë problem, që ka plogështuar qytetin bregdetar. Përmes një kërkese zyrtare, ACQJ kërkoi informacion nga Bashkia e Durrësit, se cili plan është në zbatim për menaxhimin e mbetjeve urbane. Bashkia informoi, se pastrimi i qytetit kryhet nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal, Durrës dhe Plazh, e cila bën pastrimin e zonës (Plazh, Shkozet, Rrashbull), dhe kjo ndërmarrje ka një kontratë 1-vjeçare me shoqërinë Rej sh.p.k., për pastrimin e Njësisë Administrative Sukth, por pa dhënë informacion të mëtejshëm mbi vetë qytetin.
Përgjigjja e Bashkisë Durrës

Turistët shijojnë edhe detin e plehrave

Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Numëron mbi 200,000 banorë dhe gjatë sezonit të verës vizitohet nga më shumë se 150.000 turistë. Qytetit, së shpejti, në kuadër të një investimi strategjik pritet t’i shtohet numri i turistëve dhe vizitorëve ditorë. Por, në situatën aktuale, menaxhimi i mbetjeve shihet si një problem, i cili mund të ndikojë negativisht në potencialin turistik të qytetit.

Administratorët e bizneseve shprehen se mbetjet përbëjnë një problem të madh, pasi, përpos sëmundjeve që shkaktojnë dhe erës së keqe, krijojnë një imazh jo të mirë në sytë e turistëve. Një pronar i një hoteli, që përballë biznesit të tij kishte koshat e mbeturinave, u shpreh: “Mospastrimi i plehrave është një problem i vazhdueshëm. Këta kosha janë pamja e parë për turistët, para se të hyjnë në hotel dhe shpeshherë ka pasur ankesa për erën e keqe. Ne i jemi drejtuar bashkisë, por i pastrojnë për momentin dhe prapë i lënë të bëhen mal. Shpresoj që të gjendet një zgjidhje afatgjatë, se turistët nuk janë gjithë vitin, por, për ne që rrimë përherë këtu, është më shumë problem”. Edhe shumë hotele dhe lokale në këtë zonë ngrenë të njëjtin shqetësim.

Ndikimi në reduktimin e numrit të turistëve për shkak të ndotjes mjedisore pranohet edhe nga Kliton Gërxhani, zëvendëskryetar i shoqatës së Agjencive të Tur-Operatorëve në Shqipëri. “Ndotja e mjedisit ndikon gjithmonë në turizëm. Edhe kur nuk ta thonë direkt, e kupton në vlerësimet që lënë në internet ose në mosardhjen e turistëve cilësorë dhe zëvendësimin e tyre nga turistë të varfër, që pranojnë edhe ndotjen dhe papastërtinë prej çmimit të ulët”, shpjegon ai.

Një dekadë me strategji dhe vendime, por pa ndryshime të dukshme

Në maj të vitit 2020, Këshilli i Ministrave ka dalë me një vendim mbi politikat strategjike të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane, në të cilin vihet re se në Shqipëri janë në punë vetëm katër landfill-e: Bajkaj (Sarandë), Bushat (Shkodër), Maliq (Korçë) dhe Sharrë (Tiranë). Në të raportohet se gjatë vitit 2018 në këto vend-depozitime janë depozituar rreth 923,316 tonë/vit mbetje urbane ose 60,61% e mbetjeve, që llogariten si sasia e gjeneruar në vend, prej të cilave vetëm 401,755 tonë/vit (ose 26,37% e tyre), depozitohen në landfill-e sanitare, ndërsa pjesa tjetër ose 13,01% e mbetjeve të ngurta, shtëpiake hidhen në mënyrë krejt të pakontrolluar. Kjo shfaq një problematikë tjetër të sistemit të menaxhimit të mbetjeve urbane, atë të keqmenaxhimit nga pushteti lokal dhe mungesës së bashkëpunimit me pushtetin qendror për mirë-implementimin e këtyre strategjive.

Monitorimi i zhvilluar për këtë strategji është bazuar mbi treguesit sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2009 për rregullat dhe procedurat për hartimin dhe zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit me tregues si: sasitë vjetore të prodhimit; shpërndarjen e mbetjeve sipas bashkive dhe qarqeve; përmbajtjen në përqindje të përbërësve ndotës dhe përbërjen merceologjike të mbetjeve.

Sipas këtij vendimi dhe strategjie, ministritë përgjegjëse për bujqësinë, për infrastrukturën/transportin, për shëndetësinë dhe për industrinë janë të detyruara të plotësojnë formatin e raportimit të statistikave vjetore të mbetjeve dhe t’ia dorëzojnë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit brenda datës 10 shkurt të çdo viti (Pika 7.2 i Dokumentit të Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, 2020-2035).

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua AKM-së me kërkesë për informacion mbi raportimet vjetore nga këto dikastere, por nga ky institucion nuk na u vunë në dispozicion raportet, as nuk u informua, nëse ka të tillë. Agjencia Rajonale e Mjedisit, Tiranë, Durrës, Dibër konfirmoi se nuk ka kryer asnjë inspektim lidhur me mbetjet e ngurta në territorin e Bashkisë Durrës.

“Pas mbylljes se vend-depozitimit të Porto Romanos për arsye të tejkalimit të kapacitetit të këtij vendgrumbullimi, me vendim të qeverisë shqiptare, të gjitha mbetjet inerte, të gjeneruara nga procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, u vendosën të grumbullohen dhe të depozitohen në ish-vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Porto Romanos për të realizuar inkapsulimin e kësaj pike”, – ishte përgjigjja e vetme zyrtare nga ky institucion.

Agjencia, referuar ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, u justifikua për mungesën e këtyre të dhënave, duke shpjeguar se “menaxhimi i plotë i mbetjeve urbane është kompetencë e drejtpërdrejtë ligjore e bashkive, të cilat e kontrollojnë këtë proces përmes tenderimit të shërbimit të grumbullimit, të transportimit dhe të asgjësimit përfundimtar të mbetjeve me natyrë urbane, përmes kontratave të shërbimit”. Mbi këtë argument u kërkua që “informacionet statistikore duhet të kërkohen në strukturat përgjegjëse, kompetente, Bashkia Durrës dhe Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Territorit, Dega Rajonale Durrës”.

Në të njëjtën kohë, me përcaktimin e strategjisë së përgjithshme, gjithëpërfshirëse të menaxhimit të mbetjeve urbane, Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton dhe detyrat për Ministrinë e Mjedisit mbi hartimin dhe monitorimin e zbatimit të dokumenteve të politikave të përgjithshme të planeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve. E pyetur mbi strategjinë për zonën e Durrësit, deri në datën e publikimit të këtij shkrimi ky institucion ende nuk ka kthyer një përgjigje shteruese.

Mbeturina urbane të depozituara në katër cepat e qytetit

 

Kjo situatë problematike me menaxhimin e mbetjeve urbane është riafirmuar edhe në dokumente ndërkombëtare mbi monitorimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, me raportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, që theksojnë, ndër të tjera, probleme alarmante si: shtrirja e pjesshme e mbulimit me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve; mungesa në grumbullimin dhe largimin e pamjaftueshëm të mbetjeve; sasia e kufizuar që depozitohet dhe trajtohet në landfill-e; prania e një numri të madh vend-depozitimesh (të lejuara dhe të palejuara), të cilat janë jashtë standardeve sanitare dhe inxhinierike; numri i kufizuar dhe cilësia jo e mirë e pajisjeve për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve; mungesa e ndarjes së mbetjeve në burim dhe norma e vogël e riciklimit; mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve; zbatimi jo i plotë i ligjit dhe në përgjithësi i akteve nënligjore; si dhe ndërveprimi dhe koordinimi i dobët i strukturave të qeverisë qendrore me pushtetin vendor dhe sektorët e tjerë, të interesuar.

Banorët: Po na shpifet kanceri. Mjekët: Ndotja shkakton edhe kancer

Mjeku i përgjithshëm M.S., shprehet se mospastrimi i mbetjeve urbane shkakton shumë probleme në komunitet, siç janë sëmundjet: kancerogjene, polmonare, sëmundjet e gjakut dhe të lëkurës, prandaj institucionet përkatëse duhet të gjejnë një zgjidhje përfundimtare. Ne iu drejtuam me komunikim telefonik edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe DRSH Durrës, por nuk pranuan të prononcohen.

Mjeku toksikolog, Alban Haxhi, shpjegoi se ndotja nga plehrat mund të sjellë pasoja serioze në shëndetin e njeriut, si rëndimin e të sëmurëve kronikë polmonarë dhe neurologjikë, rëndim apo shfaqje të sëmundjeve kanceroze te njerëzit me probleme ose me iniciativë gjenetike ndaj kancerit dhe të sëmurët me probleme të mëlçisë apo dhe atyre që janë me probleme kardiake.

“Ekspozimi i njerëzve ndaj pluhurave të djegies bën të mundur që ata të jenë më të rrezikuar në shfaqjen e sëmundjeve kanceroze, sepse ndryshohen qelizat epiteliale të traktit respirator, që janë qeliza funksionale për të nxjerrë jashtë mbeturinat; qeliza këto që kthehen në qeliza të sheshta, të cilat nuk i nxjerrin më këto mbeturina jashtë nëpërmjet kollës apo sekrecioneve të ndryshme që nxjerr trakti respirator, por detyrohen që t’i mbajnë, t’i grumbullojnë aty, duke u bërë faktor risku për kancerin e këtij trakti. Pra, kemi rritjen e faktorit të kancerit në traktin respirator. Tjetra ka të bëjë shumë edhe me përbërësit karbonikë, të cilët janë dhe intoksikativë në metabolizmin e njeriut dhe mund të dëmtojnë, edhe sistemin nervor, edhe organe të tjera, siç është mëlçia, veshkat etj. Ky dëmtim ka një gamë të pafundme sëmundjesh”, – shpjegoi mjeku.

Banorët shprehen të irrituar nga kjo gjendje. “Po na shpifet kanceri”, –  tha njëri prej tyre, ndërsa një tjetër tha: “Do ishte mirë të vinin gazetarët përditë këtu, se vetëm kështu vihet në lëvizje bashkia”. Të gjithë banorët shprehen njëzëri se kjo situatë duhet të ndryshojë, se ka shumë vite pa një zgjidhje dhe se bashkia po luan me jetët e tyre. Bashkia thotë që mbetjet aktualisht depozitohen në landfill-in e Sharrës, një procedurë, e cila është raportuar nga media dhe më parë si me hije korruptive, por kjo nuk shihet si një zgjidhje përfundimtare.

Mes detit Adriatik dhe “detit toksik” në Porto Romano

Në strategjinë e re ndërsektoriale të menaxhimit të mbetjeve urbane për vitet 2020-2035, vërehet dhe fakti se në afërsi të qytetit të Durrësit, zona e Porto Romanos mbetet një nga zonat më të ndotura që në fillim të viteve ’90. Raporti vlerëson se prania e një sasie të madhe të kimikateve të rrezikshme, të depozituara, si keksaklorocikloheksane dhe kromi, përbëjnë rrezik për shëndetin e popullsisë dhe mjedisin përreth.

Situata në hyrje të Porto Romano

Ndër vite dhurime të huaja kanë bërë të mundur që të ndërmerren fushata pastrimi të kësaj zone, donacione si ai i Bankës Botërore në vitin 2004, që mundësoi pastrimin e një sipërfaqeje prej 78,000 m2, dhe fondi i qeverisë holandeze në vitet 2010-2011, që mundësoi pastrimin e 3 pikave të nxehta, duke mbledhur në mbrojtëse të veçanta rreth 60,000 m2 tokë të ndotur.

Gjithsesi, pavarësisht ndërhyrjeve të ndryshme, të pjesshme, problemet ishin të dukshme edhe në vijim të shpalosjes së një plani të ri për menaxhimin e mbetjeve në zonën e Durrësit, i cili ritheksoi problemet e përdorimit të zonës së Porto Romano si një vend-depozitimi të mbetjeve urbane të qytetit të Durrësit dhe zonave përreth. Kjo strategji vuri në dukje faktin se zona tashmë ishte tejet e ndotur, duke rrezikuar mjedisin dhe shëndetin, si të banorëve, ashtu dhe të stafit të vend-depozitimit, të cilët rrallëherë përdorin pajisje mbrojtëse.

Plani Lokal i Menaxhimit të Mbetjeve për Bashkinë e Durrësit, 2010-2025

Duke parë dhe situatën në terren, kjo strategji sugjeroi mbylljen e këtij vend-depozitimi të mbetjeve urbane brenda vitit 2015 dhe hapjen e një impianti të ri me kushte bashkëkohore dhe masa strategjike për mbrojtjen e ambientit dhe të shëndetit publik. Megjithatë, një hap i tillë nuk u ndërmor kurrë. Më 11 korrik 2018, me vendim të Këshillit Bashkiak u propozua që të ndërtohej landfill-i në fshatin Manëz (Durrës), por bashkia nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për ngritjen e këtij plani. Më vonë u vendos mbyllja përfundimtare e landfill-it të Porto Romanos, por pa u gjetur një zgjidhje e re për depozitimin e mbetjeve urbane, si dhe u vendos rehabilitimi i kësaj zone në park për banorët përmes një projekti prej 15 milionë eurosh, i cili në vetvete ka ngritur dyshime mbi të ardhmen e tij.

Zgjidhja përfundimtare për menaxhimin e mbetjeve urbane të qytetit bregdetar pas një sezoni turistik, problematik erdhi papritur, në heshtje dhe përmes një marrëveshjeje të arritur pa asnjë informacion publik.

Si trajtohen mbetjet në Tiranë dhe në Durrës nga e njëjta kompani?

Më 27 shtator të këtij viti Bashkia e Durrësit njoftoi se firma Integrated Energy BV SPV ishte shpallur fituese e tenderit me objekt “Depozitimin e mbetjeve urbane, Bashkia Durrës”, kontratë, e cila e detyron qytetin bregdetar të dorëzojë mbetjet në landfill-in e Sharrës, në Tiranë. Kontrata, e vlefshme për një periudhë 48-mujore, ka një vlerë prej 1,126,035,200 (një miliard e njëqind e njëzet e gjashtë milionë e tridhjetë e pesëmijë e dyqind) lekësh pa tvsh.

Sipas të dhënave të tenderit, në procedurë ka marrë pjesë vetëm kjo kompani. Bashkia njofton se kjo ka qenë oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë ofertë tjetër. OpenData e ka shënuar këtë tender me flamur të kuq[1] për mungesë konkurrence dhe procedurë me negocim të drejtpërdrejtë.

Kompania Integrated Energy BV SPV sh.p.k., koncesionare/PPP, e cila u krijua specifikisht në kuadër të kontratës koncesionare për ngritjen e landfill-it dhe inceneratorit të Tiranës, ka objekt të veprimtarisë së saj ndërtimin, administrimin, operimin dhe transferimin e këtij të fundit, dhe prodhimin e energjisë për autoritetin kontraktues (kundrejt pagesës së mëtejshme). Kompania e saj mëmë rezulton të jetë GeoGenix BV në masën 100%. Sipas të dhënave të marra përmes portalit OpenData Albania, GeoGenix BV (ish-Integrated Energy B.V) është një kompani që funksionon sipas ligjeve të Holandës, e themeluar në datën 19.08.2016 dhe e regjistruar në datën 29.04.2017, me numër në regjistrin tregtar të Amsterdamit 66671752, me adresë në Joop Geesinkweg 701, Amsterdam, me administrator Georgi Leonidovich Birman.

Në periudhën 2018-2020 shoqëria administrohej edhe nga Almares Management BV, degë e Residence Corporate Services BV. Kompania holandeze, Integrated Energy B.V., në qershor të vitit 2019, u denoncua nga një gazetë vendase se kishte fituar tenderin për të ndërtuar inceneratorin e mbetjeve të kryeqytetit të Zimbabves, Harare, në shkelje të procedurave ligjore të tenderimit publik, lajm i cili bëri jehonë dhe në mediat shqiptare. Ajo në mënyrë të menjëhershme kërcënoi me padi mediat që publikuan lajmin me shuma të tejskajshme, që kapnin vlerën e 500 milionë dollarëve, një taktikë tashmë e njohur për frikësimin e redaksive të lajmeve.

Referuar kontratës mes Bashkisë së Durrësit dhe Integrated Energy, pritet që kompania të trajtojë për një periudhë 4-vjeçare një total prej 320.000 tonë mbetjesh.

Vlera totale e kontratës                    1,126,035,200 Lekë

Mbetjet totale në tonelata                320.000

Vlera për ton                                     3,518.86 Lekë pa TVSH – ose 4,399.00 Lekë me TVSH

Llogaritë tregojnë se kosto për ton, sipas kontratës, do të jetë rreth 36 euro, kosto e njëjtë me atë të aplikuar për depozitimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Tiranës. Për vitin 2020 kosto për ton në SHBA ka qenë mesatarisht 53 dollarë, çka do të thotë se Shqipëria e ka vetëm 15 dollarë më lirë për ton. Kosto në Shqipëri i përafrohet kostos së depozitimit në landfill me vendet evropiane, si Spanja, Hungaria, Letonia etj. Fqinjët tanë, si Greqia dhe vende të tjera si, Bullgaria, Lituania, Malta, Portugalia, Rumania, Sllovakia, i kanë tarifat më të ulëta, çka ngre dyshime mbi metodologjinë e përdorur për vlerësimin e kostos së aplikuar nga kompania dhe të pranuar nga qeveria shqiptare dhe pushteti vendor në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

ACQJ iu drejtua me një kërkesë zyrtare me email përmes zëdhënëses së kompanisë, landfill-it Sharrë, ku u kërkua informacion, nëse depozitohen mbetjet urbane të qytetit të Durrësit dhe të Shijakut në landfill-in e Sharrës; nëse ka një marrëveshje me këto bashki dhe për sa kohë është kontrata. Deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk është marrë një përgjigje për pyetjet e shtruara.

Ekspertët, duhet të ndërtohet landfill në Durrës, kontrata në Sharrë, me shumë kosto

Përgjatë viteve të fundit veprime të qeverisë qendrore dhe vendore ndikuan në krijimin e një situate problematike për menaxhimin e mbetjeve në qytetin bregdetar, që shënjoi momentin kritik në verën e këtij viti.

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, vlerëson se, kontrata me Integrated Energy nuk është e duhura, sepse është e kushtueshme dhe jo e qëndrueshme. Sipas tij, zgjidhja e qëndrueshme dhe më e mirë për qytetin e Durrësit është ndërtimi i landfill-it.

Një terren i zgjedhur nga bashkia, i blerë prej saj, që të modifikohet për përpunimin e plehrave të qytetit. Kostot e tjera shtesë, si zgjidhja e propozuar, që është alternative, kanë të bëjnë me kosto transporti nga Durrësi për në landfill-in e Sharrës në Tiranë; dhe gjithçka tjetër është një zgjidhje jo-ekonomike”, – shprehet ai. Ai gjykon se zgjidhja e ofruar nuk është ajo e duhura. “Plani i parë, fillestar, që është më i përballueshmi nga ana ekonomike për financat e bashkisë, është ndërtimi i landfill-it. Landfill-i mund të kushtojë edhe 5 milionë euro, por e ke tëndin dhe të shërben për 1 apo 2 shekuj. Ndërsa një zgjidhje 20-vjeçare, e propozuar si alternative, duke i çuar për përpunim në landfill-in e Sharrës, e para do jetë më e kushtueshme në nivel 60% apo 70%, e dyta, nuk është e përhershme”, – shpjegon ai.

Nevojën që qeverisja lokale dhe qendrore të ndjekin parimin e një zhvillimi të qëndrueshëm në qasjen dhe menaxhimin e mbetjeve e ngre dhe eksperti Selami Xhepa.

“Qasja ndaj menaxhimit të mbetjeve është parimisht e gabuar dhe me kosto të larta për vendin, si dhe kundër parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Vetë ndryshimet nga një formë e menaxhimit në një tjetër, si në rastin e Durrësit, tregojnë në rastin më të mirë mungesën e një vizioni të qartë në politikat menaxhuese dhe, në rastin më të keq, praktikat korruptive që qëndrojnë në këtë sektor”, – u shpreh ai.

Me mbarimin e sezonit turistik duket se malet me mbeturina në anë të rrugëve janë zvogëluar, për efekt dhe të mungesës së turistëve dhe vizitorëve ditorë. Megjithatë, situata mbetet ende alarmante në një qytet me më shumë se 200.000 banorë, të cilit ende nuk i është gjetur një zgjidhje përfundimtare për një nevojë bazike si menaxhimi i mbeturinave urbane, e cila justifikon koston. Aktualisht, Durrësi po paguan për depozitimin e mbetjeve urbane më shtrenjtë se shumë qytete evropiane dhe mbetet ende e paqartë se si bashkia do t`i plotësojë kushtet financiare të kontratës së sapolidhur me koncesionin e landfill-it të Tiranës, për sa kohë që mungesa e fondeve dhe e mundësive ka qenë justifikimi qendror për dështimin e menaxhimit të situatës gjatë periudhës më fitimprurëse të qytetit.

Turistët tashmë kanë ikur. Me ardhjen e sezonit të dimrit trafiku i vizitorëve ditorë nga Tirana sa vjen e rrallohet, por trafikut të autostradës mes dy qyteteve i janë shtuar kamionët, të cilët transportojnë plehra drejt impiantit të Sharrës, duke rritur edhe ndotjen mjedisore në gjatësinë e këtij aksi.

[1]Një shënim me Red Flag është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave, ose informacioneve të tjera, që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim, si dhe të dëshmojnë mbi një rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose jo-etike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve antikorrupsion. Vlerësimi për këto kategori kryhet në mënyrë automatike, me filtra analitikë, të paracaktuar. (OpenData Albania)