[authorInfo]

Mungesa e perspektivës dhe e subvencioneve në bujqësi përgjysmon banorët e fshatrave të Kukësit

Musa Hila, 58 vjeç, banor në Njësinë Administrative “Malzi” të Kukësit, në vitin 1992 ka mbjellë 2 hektarë tokë me misër dhe fasule dhe 1 dynym e gjysmë shalqi. Por, këtë vit ai ka arritur të mbjellë vetëm 5 dynym, kryesisht me grurë për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së informimit për aplikimet që kryhen në rrjet në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), gjë që ka penguar edhe përfitimin e subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Trau në Kalimash është një barrë e shtuar financiare edhe kur mjetet bujqësore transportohen si ngarkesë.

“Unë e kam ble zetorin 8 milion lekë të vjetra vetëm falë fëmijëve nga emigracioni. Nuk bahet llaf që të kemi mbështetje nga qeveria”, thotë Hila, teksa shton se ka paguar taksën për mjetin e tij bujqësor në traun e Rrugës së Kombit.

“Në traun shqiptar, përveç makinës që po transportoja zetorin, më morën taksë shtesë 690 lekë edhe për zetorin që e kisha të ngarkum. Kjo asht absurde”, u shpreh ai.

Bujqësia ofron punë për pjesën dërmuese të popullsisë në Njësinë Administrative “Malzi” të Kukësit, ndërsa sektori privat jobujqësor ka ndikim të ulët në punësimin e përgjithshëm.

Kjo njësi ka 180 hektarë sipërfaqe toke bujqësore dhe troje, 494 hektarë sipërfaqe toke joprodhuese dhe 1323 hektarë sipërfaqe toke djerrë. “Dritarja e Fermerit” në varësi të AZHBR ofron shërbime tek fermerët, informacion për aplikime, akses në financime, por fermerët e këtyre fshatrave të Kukësit nuk përfitojnë nga skemat e mbështetjes. Mjetet bujqësore, farën e mbjelljes së tokave dhe lëndën ushqyese për bimët fermerët e Malziut në Kukës e blejnë me paratë e tyre.

Sipas nëpunësit të administratës pranë Njësisë Administrative, Kujtim Beqiri, shumë banorë nuk përfitojnë nga skemat e mbështetjes së AZHBR-së si pasojë e mosregjistrimit të tokave në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme në bazë të ligjit nr. 20/2020, dhe mungesës së kartës së fermerit. Dy fshatrat, Gdheshtë dhe Pistë nuk kanë asnjë metër toke të regjistruar. “Në Njësinë Administrative Malzi aplikimi për naftë ka has në vështirësi ngaqë nuk kanë tokën në pronësi dhe ngastrat janë të vogla 1 dynym, 500 metër. Numri i fermerëve që kanë tokë asht i pakët. Por fermerët nuk i kanë regjsitru të gjithë hektarët e tyre, për arsye se nuk dashur që kjo t`ju pengoj përfitimin e ndihmës ekonomike”, sqaron Beqiri. “Ka tokë që kanë ngel të regjistrume në emrat e baballarëve që kanë vdek”, përfundon ai.

Pas një kërkese për informacion drejtuar Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mbi numrin e fermerëve që përfitojnë nga skemat kombëtare të mbështetjes në Bashkinë e Kukësit, kjo e fundit u përgjigj se aplikime potenciale të cilat mund të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit janë gjithsej 149.

“Bazuar në listat e aplikimeve të shpallura në faqen zyrtare të internetit të AZHBR, në të cilën është e vendosur edhe vija e financimit për secilën nga masat, ju informojmë se aplikime potenciale të cilat mund të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit janë si me poshtë:

  1. Për masën mbështetëse te tufave baze të blegtorisë janë 98 aplikime;
  2. Për masën mbështetëse të parqeve me koshere bletësh janë 50 aplikime;
  3. Për masën e fermave Organike është 1 aplikim”. 

Në projektligjin “Për buxhetin e shtetit 2021”, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi edhe skemën për zhvillimin ekonomik të bujqësisë, ku deklaroi: “Bujqësia, do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.8% të PBB (Prodhimit të Brendshëm Bruto) për periudhën 2021-2023. Shtohet numri i përfituesve nga skema e masave mbështetëse në bujqësi”.

Për ekspertin e ekonomisë në Kukës, Sabah Gaxha, fermerët nuk plotësojnë kriteret e AZHBR-së, por edhe subvencionet për ato fermerë nuk janë të mjaftueshme ekonomikisht. “Arsyeja kryesore pse ka pak aplikime sepse një ndër kriteret që vendos AZHBR-ja është pronësia e tokës. Në Kukës kanë fermerët tokë, por nuk kanë letra. Kushtet që ka vendos AZHBR nuk i plotësojnë dot. Në takimet e fundit ku kam qenë pjesë tek AZHBR-ja blegtorët që kanë mbi 100 kre bagëti të imëta janë të shqetësuar sepse Ministria e Bujqësisë i subvencionon shumë pak me rreth 500 mijë lekë të vjetra për subjekt. Të mbash 100 kre bagëti ka shpenzime ekonomike, edhe nuk mjaftojnë subvencionet e AZHBR-së. Fakti që ka shumë pak blegtorë në Kukës është edhe tarifa që paguajnë ato në shtet. Tarifa për matrikullimin,vaksinimit shkon afërsisht 5200 lekë të vjetra për çdo kre”, artikulon Gaxha, ndërsa shton se fondet që jep buxheti i shtetit për Bujqësinë janë të vogla krahasuar me dy vendet e tjera të Rajonit.

“Vendet e tjera te Rajonit kanë më shumë mbështetje financiare për bujqësinë sesa ne, p.sh:  Maqedonia dhe Kosova kanë më shumë se Shqipëria”, sqaron Gaxha.

Të rinjtë që largohen nga punimi i tokës

Drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca në vitin 2020, ka theksuar se duhet një mentalitet i ri për bujqësinë. Sipas saj, brezi i ri duhet të edukohet me dashuri për bujqësinë. Por apeli i saj duket se ka rënë në “vesh të shurdhët” në fshatrat e Kukësit. Sipas të dhënave të siguruara nga Gjendja Civile Kukës në Njësinë Administrative “Malzi” nga viti 1989 deri në vitin 2021 numri i banorëve ka pësuar rënie me 50%,. Sipas banorëve, kjo rënie e popullsisë ka ardhur si ndikim i emigrimit të të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Europian, Britanisë së Madhe apo zonave urbane.

Me një emigrim masiv të të rinjve, e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë pasionin e fermerëve të Malziut për punimin e tokës kanë qenë të ardhurat nga remitancat.

“Problem i madh asht largimi i të rinjve. Bujqësia do krah pune. Në zonën tonë veç pleq ke në shpia. Po mos të kemi lekët që na sjellin fëmijët nga jashtë venit, nuk e di si do vazhdonim të përballonin shpenzimet në mbjelljen e tokës”, përfundon Musa Hila.

Edhe Zyrat e Punës në Kukës tregojnë trendin në rritje të kërkesave për punë të të rinjve nga mosha 15-29 vjeç drejt profesioneve sa më larg Bujqësisë. Kërkesës për informacion ndaj Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive Kukës, institucioni iu përgjigj se “Profesionet më të kërkuara nga të rinjtë e regjistruar në Zyrën e Punës Kukës janë si më poshtë: infermieri; mësuesi; punëtor i shërbimeve të tjera; Punë sociale dhe Security”.

Fenomeni i largimit të të rinjve nga këto fshatra të Kukësit vërehet edhe nga të dhënat e siguruara në Zyrën Vendore Arsimore Kukës, ku numri i nxënësve të ciklit 9-vjeçar në vitin 2020 ka rënë me 73 për qind krahasuar me vitin 2005.

Nxënësi me iniciale S.B, 14 vjeç, është në klasën e 9-të në shkollën e mesme të Bashkuar “Shemri”. Ai shqetësohet për largimin e bashkëmoshatarëve të tij në këto fshatra. “Nga zona jonë kanë ikur përherë nxënës, duke vazhduar shkollën në vendet e tjera. Kanë ikur shumë shokë jo vetëm nga klasa ime, por edhe nga klasa të tjera”.

Edhe numri i nxënësve në ciklin e mesëm vazhdon të jetë në rënie për këto fshatra që sigurojnë të ardhurat për jetesë nga bujqësia dhe remitancat. Viti 2019 ka pasur vetëm 49 nxënës në arsimin e mesëm, viti më me pak nxënës që nga viti 2006.

Në klasën e dhjetë në shkollën e kësaj Njësie Administrative, nxënësi me iniciale J.M ndalet tek problemet demografike: “Shumë nxënës që i kam pasur shokë kanë ikur nga vendi im dhe vazhdojnë shumë të ikin jashtë shteti. Të gjithë e kemi mendjen për të ik nga fshati. Shumë shpejt gjithë kjo Njësi Administrative do braktiset, do ikin të gjithë njerëzit”. Të njëjtën rrugëzgjidhje shikon edhe vetë J.M, duke ndjekur trendin e largimeve të të rinjve të tjerë në vendin e tij. “Unë kam deshirë të ik në Gjermani që të fitoj para. Shikoj shumë njerëz që kanë mbaru shkollën e lartë nga vendi im, edhe nuk kanë arritur të gjejnë punë.”

Ministria subvencionon naftën, por ajo blihet me bidon

Nga njëra anë, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka deklaruar se procesi i shpërndarjes së naftës falas për të gjithë fermerët nis në 15 janar të këtij viti (2021) dhe MBZHR-ja është në këmbë për ta bërë të mundur zbatimin me sukses të këtij premtimi, që ka marrë qeveria për fermerin. MBZHR, pyetjes nëse nafta për këta fermerë të vegjël të kësaj bashkie ka pësuar ulje cmimi dhe sa ka qenë kjo ulje, iu përgjigj: “Sipas pikës 6, Kreu II, të Udhëzimit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Nr. 1, datë 8.1.2021 “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë”, të ndryshuar, përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet, është si më poshtë:

  1. a) Aplikuesit me sipërfaqe deri në 10 ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës sipas normativave të përcaktuara në Aneksin 3, bashkëlidhur këtij udhëzimi; b) Aplikuesit me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqe mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.”

Nga ana tjetër, fermerët e fshatit Mgullë në Kukës jo vetëm që nuk e marrin naftën falas, por e blejnë atë në treg të zi. Arjan Çiku, djali i një fermeri të vogël, tregon se naftën nuk e marrin me anë të kartës së naftës sepse mungon edhe një karburant furnizimi për mjetet bujqësore në qendër të fshatit. “Naftën e marrin në një dyqan me bidona 5 litërsha sepse nuk kemi pikë karburanti. Nuk kemi pasur ndihmë nga qeveria për këtë problem. Ne e blejmë 750 lekë të rinj një bidon 5 litërsh me naftë”, pohon Arjani.

Qemal Memishaj, përgjegjës në Drejtorinë e Bujqësisë Kukës, në një intervistë për RTSH Kukësi theksoi  se numri i kufizuar i kartave të naftës vjen si pasojë e mungesës së pronësisë mbi tokën. “Momentalisht deri në ditën që folim kanë marrë kartën e Naftës rreth 40 fermerë. 20 karta i kemi gjendje që do shpërndahen për dy, tre ditë dhe pjesa tjetër që ngelin janë rreth 25 fermerë që do marrin kartat e naftës. Numri i kufizuar i fermerëve vjen si pasojë e mungesës së dokumentit të pronësisë mbi tokën”, sqaron Memishaj.

Toka që punohet dhe mbillet akoma me kalë

“Ura” e fshatit Mgullë, Kukës

Prishja e një ure që prej dimrit të vitit të kaluar mban peng 10 familje fermerësh të fshatit Mgullë, të cilët në këtë urë kryenin transportin e mjeteve, produkteve bujqësore dhe bagëtive. Sipas tyre, institucionet vendore nuk janë interesuar për jetesën e tyre në fshat. “Tani që niveli i lumit në verë bie kemi arritur t`i kalojmë mbi lum mjetet bujqësore, por kjo është një gjë e rrezikshme, sepse lumi mund t`i marrë poshtë mjetet bujqësore duke dëmtuar ekonomikisht edhe familjet tona që kemi investuar për to”, tregon Çiku.

Ura e fshatit Petkaj, Kukës

I njëjti problem vërehet dhe me urën e cila lidh fshatin Petkaj me shtëpitë dhe tokat në anën tjetër të fshatit. Ram Skaci, prej 15 vitesh e punon dhe e mbjell tokën e tij dhe të disa fshatrave të tjerë me kalë. E vetmja rrugë kalimi për në shtëpinë e tij është një urë me kavo dhe e degraduar, e cila lëkundet kur e ecën mbi të. Mungesa e kësaj ure ka bërë që ai të vazhdojë të punojë tokën me kafshë. “Me plug e punoj tokën unë, s`kam çfarë t`baj. Ka ardh një inxhinier nga Bashkia, por nuk e bajn urën teme se vetëm një shpi asht përtej kësaj ure. Une vetë nuk kam mundësi ta baj”, thekson Skaci.

Mungesa e investimeve në infrastrukturë, padituria nga ana e banorëve mbi subvencionet e gjendshme për bujqësinë dhe pamundësia e përfitimit të tyre, si dhe mungesa e prespektivës dhe braktisja e zonës nga brezi i ri, ka bërë që banorët e një zone të tërë në Kukës të braktisin mjetin kryesor të jetesës dhe të shohin të ardhmen larg shtëpive të tyre, në qytetet kryesore të Shqipërisë, apo edhe në emigracion.