Ndotja e ajrit në nivele të larta, teknologjia e vjetër industriale dhe ndërtimet shkaktarë kryesor

Mesnata ka mbuluar cdo gjë me përjashtim të ndotjes akustike. Ora shënon 02:15 e mëngjesit dhe në fshatrat pranë Metalurgjisë së Elbasanit dëgjohen zhurmat e shkarkimit të hekurave që më pas përfundojnë në makinerinë e shkrirjes.

Edhe kur zbardh dita, 3 kilometra larg, në fshatin Vidhas, banorët dallojnë me sy të lirë tymin. Një masë gjigande që pasi del nga  uzinat industriale shpërndahet ngadalë duke pushtuar qiellin e  Elbasanin.

Me bindjen se në metalurgjinë e Elbasanit, netëve punohet me kapacitet të plotë , Erald Vaja ,  ka postuar në platformën “Sinjalizo” fotografi që dëshmojnë këtë proces.

Metalurgjia e Elbasanit duke punuar gjatë natës

Kur zgjohemi në mëngjes gjejmë veten të mbuluar me tym, ndërsa netëve udhëtojmë me makinë brenda mjegullës të tymit”,- shprehet Vaja, duke theksuar se në Ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit ushtrojnë veprimtarinë uzina e ferrokromit, ajo e përpunimit të çelikut, “Kurum International” dhe rafineria e naftës. Hapja e kësaj të fundit   në qershor te vitit 2016 u prit me protesta nga banorët e zonës.

 “I derdhin mbetjet industriale në kanalin vaditës dhe as bimët nuk rriten më”,- thotë Vaja duke treguar se për fshatrat rreth Metalurgjikut të Elbasanit problem nuk është vetëm ndotja e ajrit, por dhe e ujit.

Në Balldren, në fshatin tonë, Vidhas, as bimët nuk na rriten më”,- shpjegon më tej banori, sipas të cilit nga derdhja e mbetjeve industriale nga rafineria e naftës u janë dëmtuar të mbjellat. Banorët shpesh kanë reaguar me protesta jo vetëm për dëmet ekonomike, por edhe në shëndet.

 “Vetëm dy prej familjarëve të mi humbën jetën prej kancerit në mushkëri, ndërkohë që 60% të njerëzve që njoh kanë probleme me mushkëritë, kollën”,- përfundon Vaja.

Elbasani i ndotur

Matjet e ndotjes së ajrit të realizuara nga Klubi Ekologjik i Elbasanit, tregojnë se në zonat përreth Metalurgjikut, ndotja shkon dyfish më e lartë se në qytet. Situata bëhet akoma më alarmante nëse krahasohet me standartin e vendeve të Bashkimit Europian. Ambientalisti  Ahmet Mehmeti flet me gjuhën e fakteve.

Brenda qytetit zonat më të ndotura janë kryqëzimet e rrugëve, zona e kryqëzimit tek hekurudha dhe vendi i quajtur ‘Tek Lulet’”,- thotë eksperti, duke shtuar se niveli i Dioksidit të Karbonit (CO2) në qytet shkon në 531 μm 3 nga 350 μm 3 që është vlera e standartit europian, – “kurse vlera mesatare arrin deri në 860μm3,-përfundon ai.

Ambientalisti Ahmet Mehmeti

Shqetësues mbetet niveli i grimcave PM, të cilat janë lëndë të vogla me diametër shumë të vogël që shkon nga 10 minikrom në 2.5 minikrom. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tyre si pasojë e lëndëve të çliruara nga aktiviteti industrial dhe transporti me anë të makinave (veçanërisht të vjetrat), bëhet shkak për shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme në rrugët respiratore (të frymëmarrjes), lëkurës etj.

Nga 47 pikat e monitoruara në Elbasan, në 25 prej tyre niveli i grimcave PM 2.5 ishte brenda normave, kurse në 22 të tjerat niveli tejkalohej duke shkuar 30-180 μm 3”,- bën të ditur për “Sinjalizo” Mehmeti.

Tirana 2022/ Ajri me cilësi më të keqe, aty ku ka trafik dhe ndërtim

Arritja me vonesë në destinacion duket se nuk është pasoja e vetme e trafikut të rënduar në Tiranë. Sipas matjeve të realizuara nga Green Lungs, zonat me cilësinë më të keqe të ajrit në Tiranë janë dhe ato ku trafiku është më i rënduar gjatë orëve të ditës.

Kryqëzimet, ‘Rruga e Elbasanit’, ‘Zona e 21-shit’, pjesa e ish-stacionit të trenit cilësohen si zona me shkallë të lartë të ndotjes”,- thotë për “Sinjalizo” Arion Sauku, ekspert i mjedisit.

’Unaza e Madhe’ që ka qenë në rikonstruksion ka pasur grimcat e pluhurit dyfish më të larta”,- shton ai duke theksuar që përveç CO2 (dioksid i karbonit), në ajrin e Tiranës përhapen gazrat e makinave dhe NO(dioksidi i azotit).

Normat e Bashkimit Europian gjatë realizimit të punëve në ‘Unazën e Madhe’ tejkaloheshin me dyfish ose me trefish”- thotë ai duke shtuar se për cilësinë e ajrit në Tiranë mbeten ende problem automjetet e vjetra.

Të gjitha automjetet  që janë prodhuar përpara vitit 2005 janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit dhe më pas vijnë ndërtimet e shumta që po bëhen në kryeqytet”,- thekson  Sauku, duke treguar se gjatë punimeve për rindërtimin e  stadiumit ‘Air Albania’ më vitin 2020 niveli i grimcave të pluhurit PM 2.5 dhe PM 10 ishte shumë i lartë.

Zonat më të ndotura të Tiranës sipas matjeve të “Green Lungs”

Zyrtarisht Tiranën e prezantojnë të pastër

Bashkia e kryeqytetit prezanton një Tiranë të pastër. Dhe të pa ndotur. Por gjatë matjeve alternative të kryera nga profesori i Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, Aleko Miho, nga kolegët dhe studentët e tij, rezulton se vlerat e nivelit të ndotjes në zonën e ndodhur në veriperëndim të qendrës së Tiranës janë të ndryshme nga ato çfarë ka publikuar Bashkia Tiranë.

Në zonën me sipërfaqe 48 ha, pjesë e Njësisë Administrative numër 9 dhe numër 10, u realizuan matje të ajrit nga studentët e këtij departamenti në vitin 2019 dhe 2020 gjatë mëngjesit dhe pasdites, për disa ditë rradhazi.

Sipërfaqja në të cilën u realizua matja e nivelit të ndotjes

PM10 tejkalon normën në 8 stacione në mëngjes, dhe 14 stacione mbasdite, ku shqetësuese janë nivelet e larta të grimcave në hyrje të rrugës ‘Jordan Misja’ dhe tek ish-stacioni i trenit. CO2 dhe NO2 tejkalojnë ndjeshëm normën shqiptare në të gjitha stacionet (gjithsej 22) ku janë kryer matjet”,- thuhet në studim.

 Qëllimi ynë nuk ka qenë të monitorojmë, por të shohim dhe të jemi më të qartë se si është ajri rreth nesh”,-  tregon profesor Miho duke shtuar se të dhënat e raportuara nga  Bashkia e Tiranës për të njëjtën periudhë nuk përputhen me përfundimet e nxjerra nga matjet e kryera nga studentët.

Për cilësinë e ajrit po për 2019, për Tiranën jepen vetëm të dhëna për SO2, O3, CO, NO2, por jo për grimcat; për NO2 jepet një vlerë mesatare 37.85 μg/m³(në normë), ndërkohë kur vlera mesatare e 22 matjeve prej nesh për zonën në shkurt 2019 është shumë e lartë 125.7 μg/m3, ose 214% mbi normë. Po në normë ose thuajse në normë raportohen këto të dhëna në Tiranë për periudhën 2012-2019”,- thuhet në punimin e studentëve ku theksohet fakti se AKM (Agjencia Kombëtare e Mjedisit) dhe Bashkia Tiranë nuk kanë të përfshira në raport kohën e realizimit të matjes, shpesh në vendmbajtjen dhe metodën.

Vlerat e publikuara nga puna e studentëve

Problem tjetër i raporteve zyrtare është mospërfshirja e zhurmave, të ndotjes akustike, të grimcave në ajër të cilat duhet të përfshihen detyrimisht në raportet për gjendjen e mjedisit”,- thotë Miho, duke treguar se gjatë punës më studentët u vu re se, sipërfaqja e përgjithshme e blertë në këtë zonë ishte rreth 13,500 m2 (2.81% e zonës në studim), ose 1.23 m2 për banor, ndërkohë që vitin 2007 sipërfaqja e blertë po në këtë zonë ishte rreth 22,200 m2, çka kjo do të thotë se sipërfaqja e blertë është zvogëluar me 40% në 13 vitet e fundit.

Vlerat e publikuara nga Bashkia Tiranë

Gjelbërimi është i rëndësishëm për zonën pasi çliron O2, thith CO2, mundëson mbajtjen e ujit, ndihmon në izolimin e zhurmës”,- shpjegon profesor Miho.

Kuçova dhe problemet që sjell nafta

Shfrytëzimi i naftës në Kuçovë nisi më vitin 1934, duke shënuar kështu zonën më të vjetër të nxjerrjes së naftës në vend.

Sot, 88 vite më pas një pjesë e mirë e puseve të zonës punojnë ende me teknologjinë e viteve ’30.

A.Xhelili, banor i fshatit Kozarë tregon për “Sinjalizo” se nafta nxirret nga puset në fshat me kapacitet të plotë, por asnjëherë nuk janë bërë matje të ndotjes së ajrit në fshat.

Shtëpia ime ndodhet disa metra larg këtij pusi të naftës (tregon me gisht) por asnjëherë nuk kam parë që të vijnë nga institucionet dhe të bëjnë matje për cilësinë e ajrit”, – thotë ai, duke shtuar se nuk kanë munguar rastet kur nga tubacionet ka pasur rrjedhje të naftës.

Pus nafte në fshatin Kozare, Kuçovë

Tubacionet janë të kohës së Italisë, prandaj ndodh që të prishen dhe nafta na del në sipërfaqe të oborreve të shtëpisë, por vijnë punonjësit e kompanisë dhe i mbulojnë gropat sërish”,- tregon ai, ndërkohë që një punëtor i “Albpetrol” thotë me kushtin e anonimatit se tubacionet i mbulojnë me zhavor.

Në raste zjarri kemi një pajisje zjarrfikëseje këtu”,- thotë ai, duke shtuar se punonjësit bëjnë roje 24 orë në vendin ku nxirret nafta.

Në përgjigjen zyrtare për “Sinjalizo”, Bashkia Kuçovë ka bërë përgjegjëse për ndotjen kompaninë “Albpetrol”, ndërkohë që pranon se prej vitesh nuk është bërë monitorim i ajrit në qytetin e naftëtarëve.

Janë marrë masa dhe nga kompania që është përgjegjëse për ndotjen ‘Albpetrol’, por vetë fakti që rrjeti i nxjerrjes dhe logjistika janë vjetëruar e bën shumë të vështirë zgjidhjen e kësaj problematike përfundimisht”,- thuhet në përgjigjen me shkrim.

Sipas banorëve të fshatit Kozarë, të cilët nuk pranojnë të identifikohen për shkak se ende nuk kanë të legalizuara banesat e tyre pranë puseve të naftës, në këtë njësi administrative ndodhen gati 400 puse nafte aktive, çka ndikon në përhapjen e ndotjes se ajrit, tokës e aromës së naftës.

Sëmundje të mushkërive, si ndotja “po vdes” ngadalë shqiptarët

Çlirimi i gazeve helmuese, grimcave të pluhurit, CO2, NO2, PM 10 janë disa nga shkaktarët kryesor të shfaqjes së sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes dhe lëkurë.

Sipas raportit të publikuar nga Banka Botërore, në Shqipëri, në vitin 2019, 2 257 persona humbën jetën si pasojë e ndotjes së mjedisit jashtë dhe brenda shtëpisë. Thënë ndryshe, 10% e totalit të vdekjeve në vend erdhën si pasojë e ndotjes.

Renditja e Shqipërisë për ndotjen sipas raportit të Bankës Botërore më vitin 2019

Sipas raportit, shumica e vdekjeve prej ndotjes së ajrit lidhet ngushtë me çlirimin e grimcave të njohura si PM 2.5.

Elemente të tilla si grimcat e ngurta (copa të vogla pluhuri në ajër) duke përfshirë PM10 dhe PM2.5 shkaktojnë dëme afatgjata sepse ato mund të hyjnë thellë në mushkëritë tona dhe disa madje mund të futen në qarkullimin e gjakut,”- thotë për “Sinjalizo” profesor Miho, i cili shton se mostrajtimi i ujrave që derdhen në lumenj ndikojnë në nivelin e lartë të fosfateve në ujrat e lumenjve, si edhe në det.

Ujrat e patrajtuara shkarkojnë përmbajtje të larta ushqyese si :Azoti (N), Fosfor (P4), të cilët janë shkaktarë të asaj që ne e quajmë eutorfikim, i cili shoqërohet me mungesë oksigjeni dhe lulëzim të algave, mungesë të botës shtazore në ujëra. Ujërat derdhen në bregdet ku një pjesë e leshterikëve mund të jenë helmuese për peshqit dhe rrjedhimisht dhe për njeriun,”- përfundon ai.

Sipas përgjigjes zyrtare nga AKM, ky institucion kryen monitorim të ajrit urban vetëm në 6 (gjashtë) qytete kryesore, si Tirana, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Korça.

Në Programin Kombëtar të Monitorimit për vitin 2022 AKM-ja ankohet se në Elbasan dhe Tiranë, situata është kritike prej shkeljes së ligjeve dhe ekspozimit të popullsisë ndaj ndotjes.

Zona B, që përfshin njësitë bashkiake të Fierit, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Korçës, Patosit, Ballshit, Kamzës dhe Paskuqanit, e përcaktuar ose nga matje direkte, ose si rezultat i studimeve lokale, nga kapërcimi efektiv, ose risku i lartë i tejkalimit të limiteve të ndotjes, nga të paktën një ndotës,”- thuhet më pas në Programin e Monitorimit.

Si shpëtohet nga ndotja?

Sipas Klubit Ekologjik Elbasan, rol kryesor në uljen e ndotjes së ajrit do të luante përdorimi i filtrave në fabrikat industriale si dhe përdorimi i karburanteve cilësore. Gjithashtu, mospërdorimi i automjeteve të vjetra dhe mirëmbajtja, përdorimi i biomasës sipas standarteve teknike për djegien.

Ambientalisti Ahmet Mehmeti sheh si shumë të rëndësishmë bashkëveprimin e pushtetit lokal dhe atij vendor me shoqëritë civile, komunitetin për të ndërmarr veprimtari të përbashkëta për mbajtjen e ajrit në parametrat e BE-së.

Gjatë këtyre viteve kemi realizuar seanca këshillimore hera-herës me Bashkinë dhe Prefekturën për përmirësimin e cilësisë së ajrit”,- thotë Mehmeti, ndonëse ende niveli i ndotjes së ajrit për shkak të veprimtarisë industriale në qytetet si Elbasan dhe Kuçovë mbetet i lartë.