Në kërkim të një burgu për vrasësit e sëmurë

I vetmi vend në Europë pa një spital-burg për të sëmurët mendorë

Gjykatat shqiptare përballen rregullisht me krime të ndryshme, si vrasje, plagosje, dhunë fizike etj., autorët e të cilëve janë persona me probleme të shëndetit mendor. Shpesh krimet janë nga më barbaret. Ata që akuzohen për krime të lehta, në shumë raste lirohen, ndërsa ata që kanë kryer krime më të rënda apo janë të dhunshëm, thjesht burgosen. Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që prej muajit janar të vitit 2019 janë 279 persona që kanë probleme të shëndetit mendor me masë mjekësore të mbyllur në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që këtë kategori njerëzish e mbyll në të njëjtat burgje me personat e tjerë që kanë kryer krime, edhe pse ata kanë nevojë për medikamente apo shërbime të tjera, si për mjekun neurolog, psikiatër, psikolog etj.

Ligji nr. 44/2012, kërkon që shteti të garantojnë kujdes për shëndetin mendor, por në Shqipëri mungon një spital i posaçëm për strehimin dhe trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor. Edhe pse gjykatat japin vazhdimisht vendime për mbylljen e kësaj kategorie njerëzish të inkriminuar në spital për trajtim mjekësor, kjo gjë nuk ndodh, sepse nuk ka një spital të tillë.

ACQJ foli me kreun e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj, e cila theksoi se “në drejtim të parandalimit është bërë shumë pak nga ana e institucioneve dhe kryesisht është media ajo që sensibilizon herë pas here popullatën me emisione/kronika, ku intervistohen psikologë, neurologë apo mjekë psikiatër, të cilët japin informacion lidhur me format e çrregullimit mendor, si shfaqet ai dhe cilët janë faktorët që ndikojnë”.

Në Shqipëri aktualisht janë dy institucione shëndetësore që kujdesen për pacientët me çrregullime mendore, Spitali Neuropsikiatrik nr. 5 në Tiranë dhe Spitali Psikiatrik në Elbasan, ku trajtohen pacientët me çrregullime më të rënda mendore.

Kudretja është një nga gratë që ka më shumë se 17 vite që vuan nga shëndeti mendor. Përgjatë këtyre viteve ajo është trajtuar në mënyrë ambulatore pranë qendrave shëndetësore dhe Spitalit Psikiatrik nr. 5 në Tiranë. Situata e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë një incidenti familjar, ku si rezultat i kësaj ajo u shtrua pranë Spitalit nr. 5, ku merrte mjekimin ambulator. Prindërit e denoncuan për dhunën e ushtruar në rajonin policor, ku më pas u ndoq penalisht nga prokuroria.

Vendimet e drejta, zgjidhjet e gabuara

Në ditën e gjykimit familja hodhi poshtë akuzën, duke treguar pendesë dhe çështja u mbyll me vendimin që Kudretja të trajtohet në një nga institucionet rezidenciale për të marrë mjekimin ambulator.

Sipas procedurës, policia duhej të zbatonte vendimin për ta shoqëruar në institucionin rezidencial për të marrë mjekimin ambulator, por sipas ligjit “Për trajtimin e personave që vuajnë nga shëndeti mendor” duhej të shkonte pranë qendrës rezidenciale për trajtimin e këtyre personave, qendër që nuk ekziston.

Në mungesë të kësaj qendre, policia së bashku me prokurorinë vendosën ta dërgojnë pranë Spitalit të Burgut, në kundërshtim me vendimin e gjykatës. 

Sipas Komitetit të Helsinkit, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Kjo kategori, që ndodhet e akomoduar në sistemin e burgjeve, është në kundërshtim me nenin 46 të Kodit Penal, për shkak se Shqipëria ka dështuar në ndërtimin e një institucioni të posaçëm mjekësor (jo burg) për ta. Ata janë të shpërndarë në dy institucione, përkatësisht në Spitalin e Burgut (në një numër më të vogël), si dhe në Institucionin e Posaçëm Penitenciar të Zaharisë (në numër të konsiderueshëm).

Rraskapitja institucionale dhe lodhja e prindërve të moshuar

Nën shaminë e bardhë, e sëmurë me tension dhe diabet, niset nga banesa e saj në këmbë drejt Qendrës Spitalore Universitare pranë Spitalit të Burgut për të takuar të bijën, Kudreten, e cila vuan nga shëndeti mendor, skizofrenia, një sëmundje me çrregullime të të menduarit, si dhe depresioni.

Fatmira për të takuar vajzën e saj duhet të kalojë kontrollet që bëhen nga punonjësit e Policisë së Shtetit, në fillim kontrollohen qeskat e mbushura me ushqime, veshmbathje dhe më pas kryhet kontrolli fizik. 

Takimi mbahet në një dhomë me kushte tepër të këqija, që rëndojnë fizikisht dhe psikologjikisht, ku janë vendosur hekura për të penguar kontaktet fizike.

Ajo tregoi për ACQJ: “U bënë muaj që vij çdo të hënë këtu. Ne e tërhoqëm akuzën dhe u penduam, por asnjë nuk na dëgjoi. Tani vij këtu e lodhur nga jeta, duke vuajtur dhe askush nuk na thotë një fjalë të mirë se kur do e nxjerrim prej këtu dhe vajza të vazhdojë mjekimin si më përpara”.

Kudretja më parë kurohej pranë Spitalit Neuropsikiatrik në mënyrë ambulatore, duke qëndruar në kujdesin e mjekëve. Familja e saj kishte mundësinë ta takonte çdo ditë, madje të ulej edhe në kafene, pra kishte lirinë e saj, ku respektoheshin të drejtat si njeri, por edhe si pacient. 

ACQJ intervistoi Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca: “Avokati i Popullit, në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, ka tërhequr vëmendjen për gjendjen në spitalet e kujdesit të shëndetit mendor në Shqipëri”.

Në periudhën 2014-2019 janë kryer gjithsej 22 inspektime në spitalet psikiatrike. Por çfarë është konstatuar gjatë këtyre inspektimeve? Në kundërshtim me nenin 28 të ligjit nr. 44/2012 “Për Shëndetin Mendor”, është konstatuar se në këto institucione vazhdonin të silleshin, në bazë të vendimeve gjyqësore, persona me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale, për të cilat gjykatat kanë marrë vendim për “mjekim të detyruar në një institucion mjekësor”.

Institucionet rezidenciale në vendin tonë janë të parashikuara edhe në ligj, por ende nuk është ndërtuar asnjë i tillë, duke e rënduar edhe më shumë situatën mendore të pacientëve që vuajnë nga çrregullimet. Në buxhetin e shtetit për periudhën 2015-2020 nuk është parashikuar asnjë fond i veçantë për ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor, sikundër parashikon edhe ligji nr. 44/2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”

Pandemia Covid-19

Pandemisë së coronavirusit nuk i shpëtuan as institucionet e vuajtjes së dënimit. Disa persona në Burgun 313 në Tiranë, që ishin infektuar nga Covid-19, u transferuan në Spitalin e Burgut, në QSUT për t’u mjekuar. Ndërkohë, në këtë spital ndodheshin 22 persona që vuanin nga shëndeti mendor. Në mungesë të një spitali të specializuar, të burgosurit me probleme të shëndetit mendor u dërguan në Burgun 325 në lagjen Ali Demi, ku vuajnë heqjen e lirisë femrat, kjo për t’iu hapur vendin atyre që u infektuan në burgjet e tjera.

Gjatë 3 muajve në karantinë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk lejuan që këta pacientë të takonin të afërmit e tyre, duke ndaluar kështu takimin fizik, pamor dhe atë emocional. Burime nga ministria bënë me dije se do të vendoseshin kompjuterë në sallat e takimeve për të biseduar përmes aplikacionit Skype me të burgosurit.

Në kuadër të investigimit, ACQJ shkoi pranë Burgut 325 për t’u interesuar se si po funksionon metoda e takimit virtual me pacientët. Kur ne pyetëm se kur do të zhvendosen nga aty për të shkuar te Spitali i Burgut në QSUT dhe se kur mund të vazhdojnë vizitat, një nga gardianët u përgjigj: “Ne kemi urdhër që asnjë nga pacientët nuk do të lejohet të bisedojë në Skype me të afërmit dhe se nuk kemi asnjë përgjigje se kur do të zhvendosen nga këtu”.

Fatmira, nëna e Kudretes, tregoi për ACQJ: “Kam më shumë se 3 muaj që nuk e shoh me sy, nuk kam asnjë informacion dhe askush nuk më thotë se kur do të mund ta takoj dhe ta qetësoj se përse nuk kam ardhur këto 3 muaj. Nuk kam ku të ankohem”.

Kujtojmë se Komiteti Shqiptar i Helsinkit ndoqi një nga rastet e pacientëve me çrregullim mendor në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku dhe arriti ta fitonte çështjen. GJEDNJ në mënyrë unanime deklaroi se ka gjetur “një dhunim të nenit 3 (Ndalimi i trajtimit çnjerëzor apo degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës në Spitalin e Burgut, ku z. Strazimiri është mbajtur i ndaluar nën kujdes të pamjaftueshëm psikiatrik dhe dhunim të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri/E drejta për ndalim të ligjshëm të vendosur shpejt nga një gjykatë), në veçanti për shkak të heqjes së vazhdueshme të lirisë së tij në një burg dhe jo në një institucion mjekësor, për shkak se apeli ndaj masës së ndalimit ka mbetur në pritje në Gjykatën e Lartë që nga viti 2016.

Në njoftimin për shtyp të GJEDNJ vëren se ka një dështim të autoriteteve shqiptare për ndërtimin e një institucioni mjekësor për trajtimin e personave me sëmundje mendore që kërkojnë mjekim të detyruar, të cilëve iu është kufizuar liria me urdhër gjykate.

Shqipëria urdhërohet që të krijojë institucionet e përshtatshme për këtë problem dhe të sigurohet që ankuesi të marrë psikoterapi dhe jo vetëm ilaçe.

Në përfundim, Shqipëria u dënua të dëmshpërblejë ankuesin me 15 mijë euro, si dhe të mbulojë 2,500 euro shpenzime gjyqësore.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Avokati i Popullit prej kohësh kanë kërkuar dhe kanë bërë rekomandime për ngritjen e një institucioni të veçantë, ku të trajtohen personat me çregullime të shëndetit mendor, të cilët janë vlerësuar si të tillë me vendim gjykate, por ende nuk ka asgjë të re në këtë drejtim dhe pacientët janë detyruar të mbyllen pranë burgjeve duke u përkeqësuar nga shëndeti mendor dhe duke iu mohuar çdo e drejtë sociale dhe ligjore.

*Shënim: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale nuk iu është përgjigjur asnjëherë kërkesave për informacion.