“Është e domosdoshme që bujqësia të përfshihet në skemën e sigurimeve. Ta sigurojnë fermerët, ta sigurojnë prodhuesit prodhimin e tyre dhe jo të gjenden përballë befasive të motit, krejtësisht të shkatërruar e pastaj të dalin në rrugë e ti kthehen qeverisë ‘duam lekët‘”, deklaroi kryeministri Rama gjatë prezantimit të programit për bujqësinë për vitin 2022. Por megjithë masat si ajo e ngritjes së shërbimit këshillimor, fermerët janë të ekspozuar dhe të pambrojtur jo vetëm nga befasitë e motit por edhe të tjera si lufta, taksat dhe ndryshimi i çmimeve.
Si prodhues të 1.295.726 tonëve perime dhe 684.023 tonë drithë, fermerët qofshin ata të pemëve frutore, të agrumeve apo të bimëve të arave po e mbajnë kulturën e bujqësisë në kushte sakrifice.
Punë dhe humbje
24-vjeçari Dhimitër Kuli, i është dedikuar sektorit të bujqësisë që në moshë të vogël. I riu ka mbaruar edhe shkollën e lartë për “Mbrojtje të Bimëve”, duke investuar në të ardhmen e tij në sektorin e bujqësisë.
“Aktualisht punoj në bujqësi në Divjakë, kultura kryesore që prodhojmë ne janë shalqi, karrotë, patate, qepë dhe lakrat patjetër të gjiha llojet”, thotë 24-vjeçari i cili shton se vitin e shkuar prodhimi bujqësor i kulturave të kultivuara në serat e tij ka qenë i mjaftueshëm. “Këtë vit është pak problem për shkak të kushteve të këqija të motit, por edhe për shkak të një taksë qe na ka vendos shteti për 10% për imputet. Na ka rënduar pak. Kohët e fundit janë ngritur shumë çmimet, një kuintal dap më parë e blenim diku te 80 mijë lekë të vjetra, sot e blejmë 130 mijë lekë të vjetra, përveç ngritjes së çmimeve nga pandemia, nga luftrat na është vendosur edhe kjo taksë”, thotë bujku i ri, i cili shton se kjo taksë ndikon në rritjen e kostove dhe efekti i saj është zinxhir duke rënduar edhe xhepat e konsumatorëve.

Por kjo taksë është vendosur rishtas, pasi prej disa vitesh ishte bërë zero nga 20% që kishte qenë. Vendosja e kësaj takse, çmimet e larta të imputeve bujqësore, mungesa e subvecioneve nga shtetit, kanë bërë që numri i sipërfaqeve të kultivuara të jenë më të vogla.
“Vjet kam kultivuar rreth 8 hektarë tokë, ndërsa sivjet rreth 6-7 hektarë. Vitin tjetër të shohim situatën se nuk i dihet”, përfundon ai duke thënë se subvencione për momentin nuk marrin. “Morëm pak naftë vjet, kemi aplikuar edhe sivjet dhe të shpresojmë që do ta marrim sepse na lehtëson disi”.
Të mbjellat po tkurren
Fushat e Lushnjës jo pa të drejtë janë cilësuar për vite me radhë gjatë këtyre 30 viteve si “hambari i Shqipërisë”. Prej dhjetra vitesh, kulturat e kultivuara në këtë zonë kanë patur një spektër të gjerë. Ndërkohë vitet e pandemisë si dhe lufta në Ukrainë, u kanë dhënë një goditje të madhe këtij sektori, i cili është edhe një nga sektorët me punësim më të madh në vend, por vështirësia shtohet edhe prej mos-mbështetjes financiare nga shteti.
64-vjeçari Pajtim Malaj, për shkak të profesionit të tij, mund të jetë një nga njohësit më të mirë të tokave të kultivuara në Shqipëri. Prej 26 viteve ai punon me sistemet e ujitjes dhe me sistemin e plehërimit të kompjuterizuar.
“Ndryshimi vjen nga dita në ditë, duke u perfeksionuar edhe fermerët edhe ne, në punën tonë duke ndjekur industritë më të zhvilluara”- thotë Pajtimi duke shtuar se: “Gjatë dy viteve të pandemisë ka patur një tkurrje në bujqësi pasi edhe fermerët nuk kanë dalë në punë por edhe ne kemi qenë pak të sforcuar për shkak të virusit”.

Por pas kaq vitesh në këtë sektor, 64-vjeçari thotë se ka edhe fermerë të cilët e kanë lënë këtë profesion. “Gjatë dy viteve të fundit ka fermerë të cilët po rriten por ka edhe fermer të cilët po i lënë tokat dhe po largohen. Fermerët janë të shkëputur, parcelat i kanë të vogla, investimi është i madh, këto janë arsyet”, thotë ai, pa harruar të shtojë edhe një problem të madh dhe aktual për fermerët sidomos në një moment ku kriza, e ka shtrenjtuar shumë çmimin e karburantit.
“Problemi që kanë sot fermerët është nafta, që nuk ka një çmim të përcaktuar për fermerët, sepse me këtë çmim të naftës fermerët i kanë lënë tokat djerr, çmimet e lëndës së parë janë rritur prej pandemisë dhe luftën në Ukrainë”, përfundon ai.
Edhe Dilaver Kamberi, menaxher i një kompanie me aktivitet në bujqësi thotë se çmimi i karburanteve që ka të njëjtat taksa si për qytetarin edhe për fermerin, e rëndojnë koston e këtij të fundit. “Është e pamundur sot që me atë kosto që ka nafta të punojë freza ose traktori. Nuk ka lidhje me taksën e rrugës, qeveria nuk po guxon, tenton të heqi diçka për fermerin”, thotë ai.
Bujqësia, pika e dobët e ekonomisë
Qeveria Shqiptare ka vendosur një taksë prej 10% mbi imputet bujqësore, edhe pse ky sektor ishte goditur se tepërmi për shkak të rritjes së çmimeve të lëndës së parë prej pandemisë dhe mungesës në tregjet ndërkombëtare.
“Ka një rritje të theksuar të çmimeve referuesve të importeve që kanë përbërje politilen si ëhtë plasmasi për sera, tubot për vaditje, të cilat kanë tre vite që kanë një kosto të rënduar në pagesën e importit që bëhet në drejtoritë e doganave në vendin tonë. Këto shoqërohen edhe nga efektet e krizës globale, luftës në Ukrainë të cilat kanë prekur drejpërdrejtë çmimet edhe të plehrave”, thotë Dilaver Kamberi, duke shtuar se kjo ka sjellë vështirësi sot që fermeri të mendohet dy herë para se të punojë tokën apo jo.
Alban Lila, që ka aktivitet në importin e imputeve bujqësore thotë se nuk kanë asgjë në dorë në lidhje me rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore. “Kompanitë që janë jashtë janë aq të mëdha saqë ti nuk ke mundësi të kërkosh çmim tek ata. Janë rritur çmimet kudo në botë. Ja kjo kompania gjermane e plehrave (tregon me gisht logon e kompanisë) unë kam marrë në një email dy lista çmimesh, deri në këtë datë është kjo listë çmimesh, nga kjo datë në këtë datë është kjo listë çmimesh pasi ka patur mungesë të lëndës së parë”, thotë ai duke shtuar se rritja e çmimeve ka ndikuar më shumë te sektori i plehrave, ku ka qenë edhe 200% rritja për një vit. “Ka filluar psh në shkurt të 2021 dhe deri më tani është 200%. Ka arritur në atë pikë ku ti e pranon edhe një çmim 200% më të madh dhe nuk ke produkt”, përfundon ai.
Deputeti socialist akuzoi qeverinë
E ndërkohë që ekonomia shqiptare është rritur krahasuar me vitet e pandemisë, duket se sektori i bujqësisë vijon të jetë në krizë. Deputeti socialist Erion Braçe, i cili është bërë një zë opozitar brenda mazhorancës socialiste në lidhje me çështjet e bujqësisë në një video të publikuar thotë se: “Ky është një vit i vështirë dhe krize për ekonominë bujqësore dhe blektorale për shkak të rritjes trefish të çmimit të imputeve bujqësore të gjithë kanë nevojë për mbështetje bujqësore në mënyrë të drejtë e të barabarë. A i përmbush vendimi i ministrisë së Bujqësisë për mbështetje buxhetore të këtij viti këto parime, për mua jo. Pikërisht për këtë arsye kam thirrur në interpelancë ministren e bujqësisë përsëri”.
Dhe kjo që thotë zoti Braçe, pranohet edhe nga bujqit të cilët shprehen të zhgënjyer nga mbështetja që shteti u ka dhënë jo vetëm gjatë kësaj kohe të vëshirë, por edhe më herët.
“Hapat për mbështetjen e fermerëve dihen, janë të qarta, problem është se nuk ka dëshirë nga qeveria për të mbështetur drejtpërdrejtë fermerin. Ato pak paketa që janë, janë shumë të vështira për tu përfituar nga fermerët, kriteret janë të pamundura për pjesën më të madhe të fermerëve. Nga ato mund të përfitojnë investitorët por jo fermeri. Fermeri pothuajse në këndvështrimin tonë nuk është i mbështetur”, shprehet një fermer të cilin e takuam në një panair bujqësor në Lushnjë.

Shoqata e fermerëve: Qeveria uli fondet
Eduart Sharka, i cili është kreu i shoqatës së fermerëve thotë se ajo që është më e dhimbshme është braktisja e serave në bujqësinë shqiptare.
“Ka fermerë që kanë ardhur nga emigracioni dhe kanë hedhur remitancat ose kanë marrë mikrokredi nga institucionet e mikrokredive me interesa të larta dhe tani janë detyruar ti braktisin”, thotë ai duke shtuar se kjo ka ndodhur sepse tre vitet e fundit bujqësia është përplasur me kriza të forta të tregut duke pasur një prishje të raportit kërkesë-ofertë.
“Kjo ka bërë që fermerët të dështojnë një sezon, të dështojnë edhe sezonin e dytë dhe ekonomia e fermerëve eshtë një ekonomi e brishtë, i kanë lënë investimet e tyre duke u kthyer prapë në emigracion. Kjo ka qenë një nga arsyet”, thotë ai duke vënë në dukje së është e nevojshme që fermeri të orientohet nga ministria e bujqësisë mbi kulturat e nevojshme dhe kohën kur duhen kultivuar që tregu të ketë kërkesë.
Sharka thekson se ajo që i vendos në vështirësi të madhe fermerët është mungesa e subvencioneve. “Jemi në kushtet ku bujqësia i jep GDP 20%, kurse buxheti i shtetit i jep në total ministrisë së bujqësisë 1.5%, ku për subvencione shkojnë 0.05%. Jemi shumë larg rajonit, ndërsa me Europën, as nuk diskutohemi fare. Europës bujqësia i jep 1-2% të GDP dhe i merr 5% të shpenzimeve, jemi shumë larg”, thotë ai. Sharka gjithashtu nxjerr në pah edhe heqjen e 6% që ishte më para për bujqësinë, pra para publike që injektohej në bujqësi, shifër e cila për shoqatën e fermerëve shkonte në 50-60 milionë euro.
“Ajo u hoq duke u alokuar te AZHBR-ja ku jepet nëpërmjet skemës së naftës. Qeveria pretendon se këtë vit nëpërmjet skemave të mbështetjes jep 27 milionë dhe shtoi edhe 4 milionë të tjerë duke e çuar në 31 milionë, por harroi që vitin e kaluar ishte 60 milionë dhe e ka përgjysmuar”, thotë ai, duke theksuar edhe njëherë se fermerët po ikin shumë për punë sezonale dhe braktisja e investimit në bujqësi është duke u shndërruar në një problem të madh.
Përsa i përket taksës prej 10% mbi imputet bujqësore, kreu i shoqatës së fermerëve e cilëson një absurditet. “I kemi kërkuar qeverisë së bashku me shoqatën e eksportuesve ndalimin e rritjes me 10% për momentin se jemi në kohë krize, por nuk reagoi njeri”, tregon ai, duke nxjerrë edhe njëherë në pah se sa i neglizhuar është sektori i bujqësisë në Shqipëri, aq më tepër në një kohë kur pritet që vjeshta të na gjej me mungesa dhe rritje çmimesh të tjera për shkak të krizës së Ukrainës.