Odiseja e Vërrisë, në kërkim të drejtësisë…

Autor: Klevis Paloka

Sapo mbërrin në qendrën e fshatit Vërri të Fierit, në të majtë një lokal i hapur nga një banor është kthyer në një vend ku të rinjtë jo vetëm “vrasin’ kohën por vazhdojnë flasin për inceneratorin që nisi të “mbijë” në këtë zonë në 2017. “Ne nuk na pyeti askush, vazhdojnë dhe punojnë dhe as që na përfill dikush. Protestuam dhe asgjë nuk ndodhi” thotë njëri prej tyre. Sipas tij diskutimet tani janë zhvendosur në pikëpyetjet që secili hedh në tryezë. Secili nga të rinjtë ankohet se banorëve të Vërrisë nuk ju dha asnjë informacion bazik nëse do të ketë ndikime në shëndetin e tyre gjatë asgjësimit të tonelatave me mbetje, dhe çfarë fitimesh kanë banorët nga ky investim. Aq më tepër ata as që u konsideruan edhe pse vazhdojnë të kundërshtojnë dhe një sërë shkresash vërtetojnë se si investimi nisi përpara se të kopsitej dosja.

Ata punojnë natën, madje kanë ndërruar edhe rrugën, nuk kalojnë më nga rruga kryesore që të mos kenë konflikt me ne, por vijnë nga një rrugë dytësore”, shprehet një nga banorët e fshatit.

Ajo çfarë dosja dëshmon për historinë e inceneratorit në Vërri është një çështje me përplasje të dhënash që mbështesin qëndrimet e banorëve, të cilët pavarësisht kësaj humbën në shkallën e parë të gjyqësorit.

Ndonëse në fshatin Vërri do të ndërtohej një incenerator , deklarata mjedisore për objektin u firmos me datë 8 maj 2017, edhe pse ndërkohë kompania i kishte filluar punimet dy muaj më herët. Ajo që thellon akoma më tej skandalin është dhënia e lejes mjedisore,  e cila mban datën 14 prill 2020. Pra tre vite me vonesë edhe pse efektet në mjedis janë të një ndjeshmërie te lartë.

Leja së bashku me deklaratën mjedisore, rezultojnë të jenë një nga shkresat më të rëndësishme që duheshin plotësuar pasi të arrihej dakordësia e banorëve të Vërrisë.

Në dokument thuhet se nuk janë reflektuar sugjerimet dhe komentet e bëra nga Drejtoria Teknike e Ministrisë së Mjedisit për depozitimin e hirit, i cili del nga procesi i impiantit të djegies. Gjithashtu të dhënat shkresore vërtetojnë se subjekti ka kryer dëgjesa publike me banorët e zonës që nuk e kanë firmosur dhe nuk kanë qenë dakord me ndërtimin e këtij impianti. Në fund thuhet se duke qenë se gjatë fazës së funksionimit, ky aktivitet do të ketë efekte në mjedis , duhet t’i nënshtrohet edhe procedurave për pajisje me leje mjedisore. Teksa historiku shkresor tregon se si në 8 maj u lëshua deklarata mjedisore, kurse leja u miratua në 14 prill 2020, “ Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore”, u përpoq të kontaktonte me përfaqësues të kompanisë që ka nisur punimet 3 vite më parë, por të dhënat e publikuara prej tyre nuk rezultuan të disponueshme.

Rruga që u ndoq për lejen

Në shkresën e siguruar nga “ Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore”, në deklaratën mjedisore jepen të dhënat nga Agjencia  Kombëtare e Mjedisit, sesi është vepruar për dhënien e kësaj lejeje për “ Integrated Technology Waste Treatment Fier”, sh.p.k, e cila është edhe kompania që ka fituar koncesionin për ndërtimin e Inceneratorit të Fierit.

Kompania që fitoi koncesionin e inceneratorit të Fierit është themeluar vetëm tre javë para nënshkrimit të kontratës. Por pavarësisht se fitoi një marrëveshje me kohëzgjatje 6 vjeçare me shumën e 27 milionë eurove, rezulton se janë shitur aksionet me një vlerë prej 30 mijë lekësh të reja.

Koncesioni është firmosur në 24 tetor të vitit 2016 nga “Integrated Technology Waste Treatment”me administrator Loran Dusha. Teksa aksioner të saj rezulton të kenë qenë “Integrated Technology Sevices” me pronësi 100 për qind të Klodian Zotos dhe “Energy 2 s.r.l”, kjo e fundit kompani italiane.

Sipas dokumenteve vetëm 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës, 20 për qind e aksioneve të “Energy 2 srl” i kaluan kompanisë “Ndërtim Montimi Patos”, për vetëm 20 mijë lekë (20 000).

Sakaq po të njëjtit subjekt kompania “Integrated Technology Sevices” i shet 10% të aksioneve për 10 mijë lekë (10 000).

Dhe në datë 3 nëntor 2016 , në QKB rezulton shënohet largimi i  ortakut “Energy 2 srl”.

Kompania “Integrated Technology Services”  ka edhe shumicën e aksioneve me administrator kryesor Klodian Zoton, ndërsa kompania “ Ndërtimi Montimi Patos”, ka si administrator Ellton Kollozin.

Edhe pse akoma nuk ka filluar punë, vetëm në dy vitet e fundit nga buxheti i shtetit kësaj kompanie i kanë kaluar rreth 1.3 miliardë lekë të reja.

Banorë të shpërfillur

Fshati Vërri, ka rreth 1000 mijë banorë, ndërsa vetëm 20 familje janë shpërngulur që pas fillimit të ndërtimit të inceneratorit, pasi aktiviteti i tyre ekonomik gjendej fare pranë vendit ku “mbiu” investimi i beftë.

Disa familje e kanë tokën e tyre dhe aktivitetin e tyre ekonomik ku nxjerrin të ardhurat 400 metra larg vendit ku tanimë po ndërtohet inceneratori. Për shkak se ky incinerator do i dëmtojë shumë për shkak të hirit që do të djegë dhe prodhimet e tyre nuk do jenë si më përpara , ata i kanë prishur serat dhe kanë emigruar drejt Italisë”, tregon ish- kryeplaku Bualli për “ Qendrën Shqiptarë për Gazetari Cilësore”.

Ish-kryeplaku Andon Bualli, i cili pretendon se u largua nga puna pasi dërgoi në gjyq çështjen e ndërtimit të këtij inceneratori tregon se toka ku u krye investimi rezulton kategori e parë bujqësore dhe aty nuk lejohet të ndërtohet.

Më hoqën nga puna si kryeplak pasi mblodha të gjithë banorët bashkë dhe e kundërshtuam këtë projekt, por edhe sepse e dërgova çështjen në gjyq”, tregon ish-kryeplaku i Vërrisë. Ndërsa toka në bazë të ligjit të kompensimit i ka kaluar ish-pronares, Nevin Godo. “

Por Bualli këmbëngul më tej se kjo tokë nuk ka pasur pronar dhe se personi i cili thuhet se ishte pronar i kësaj toke është shpronësuar dhe se banorët nuk e njohin fare.

Toka nuk është punuar për shumë vite dhe në momentin që do ndërtohej ky incenerator, papritur dolën pronarët e tyre”, tregoi ish-kryeplaku i fshatit.

Në deklaratën mjedisore thuhet se trualli ku po ndërtohet inceneratori ka qenë në pronësi të Nevin Godo, i cili ia ka kaluar në pronësi shtetit në 28 dhjetor 2016.

Problemet

Nisja e ndërtimit të landfillit ka filluar pa miratimin e banorëve. Banorët e fshatit Vërri kanë refuzuar të marrin pjesë në Dëgjesën Publike të bërë 20/03/2017 pasi sipas tyre në vendin ku po ndërtohet landfilli ishin vendosur tabelat dhe ishte rrethuar e gjithë zona. Duke qënë se banorët nuk pranuan të firmosnin për ndërtimin e këtij projekti pasi ishin kundër, autoritetet përkatëse zhvilluan një dëgjesë publike në qytetin e Fierit, ku morën pjesë 33 persona, por që asnjëri nuk ishte nga fshati Vërri. Madje në listën e atyre që kanë firmosur për ndërtimin e këtij inceneratori  nuk kanë lidhje me fshatin. Personi i vetëm që ka firmosur si banore Dorela Ikonomi, nuk i përket fshatit Vërri sipas tyre, dhe se nuk e njohin si person.

Shkelja e parë, ka nisur që me Konsultimin e Publikut, pasi të gjithë banorët e fshatit Vërri, por edhe të fshatrave përreth kanë refuzuar të marrin pjesë në dëgjesën publike. Konsultimi me publikun edhe sot e kësaj dite nuk është bërë”, shprehet banori i fshatit, Kleant Ngolemi.

Nuk pranojmë të bëjmë asnjë lloj konsultimi sepse ju keni ngulur tabela, e quani të mirëbërë, aty filloi konflikti me banorët”, kjo ishte deklarata e banorëve në atë dëgjese publike kujton më tej Ngolemi.

Ne kemi dërguar një peticion prej 1100 firmash në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe nuk është marrë parasysh”, shton Ngolemi për “ Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Pra sipas banorëve që këtu nis shkelja e parë për ndërtimin e këtij landfilli pasi Ministria e Mjedisit dhe autoritetet e tjera vendore nuk kanë zbatuar ligjet kombëtare edhe ndërkombëtare si “Konventa e Aarhusit” për të drejtën për t’u informuar dhe për pjesëmarrjen e publikut në marrjen e vendimeve, Direktiva e BE-së për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis edhe VKM Shqiptare Nr. 994 për Pjesëmarrjen e Publikut në marrjen e vendimeve mjedisore (2008).

Një problem tjetër janë edhe koordinatat. Vendi ku do ndërtohej inceneratori ishin të gabuara. Distanca nga qendra e Fierit të koordinatave reale te projektit ishte disa kilometra më shkurt sesa vendi i pretenduar ku aktualisht po ndërtohet inceneratori.

Të kthyer tashmë në ekspertë, banorët numërojnë edhe problemet e tjera. Një tjetër problem është se inceneratori i Fierit është ndërtuar në një tokë bujqësore dhe se studimi i fizibilitetit të tokës është në Portëz të fshatit Mbyet dhe të gjitha analizat për ndërtimin e këtij objekti si dhe dheu është marrë në fshatin tjetër tregon një banor i fshatit për “Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore”. Madje sipas banorëve të fshatit Vërri, ndërtimi i inceneratorit ka dështuar dy herë për shkak se toka është bujqësore nuk mban ndërtime aq të mëdha.

Inceneratori i Fierit

Fjala e ekspertëve kundër

Sipas ekspertit shqiptaro-gjerman Lulzim Baumann, një nga problemet që ka në lejen mjedisore është edhe zgjidhja që ofrohet për hirin e prodhuar mbas djegies së mbetjeve.

Një problem tjetër në lejen mjedisore është edhe zgjidhja që ofrohet për hirin e prodhuar mbas djegies së mbetjeve. Pas djegies së mbetjeve, 15% është përbërje hiri domethënë nga djegia e rreth 70,000 ton në vit do të prodhohen rreth 10,500 ton hir me përbërje të rrezikshme. Në përmbledhjen jo teknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për inceneratorin e Fierit (Emc studio) zgjidhja për hirin është që të depozitohet në landfille. Duke ditur se një pjesë e hirit është mbetje toksike dhe kërkon trajtim special nuk mund ta dërgojmë në një landfill së bashku me pjesën tjetër të hirit sepse do të shkaktonte probleme të ndryshme shëndetësore për komunitetin për rreth”, shprehet Baumann.

Gjithashtu eksperti tregon se në lejen e mjedisit nuk është përcaktuar se sa është ndotja e ajrit të zonën së Vërrisë.

Një ndër problemet e tjera të spikatura në lejen e mjedisit është edhe matja e ndotjes së ajrit në zonën e Vërrisë. Rreziku që na kanoset nga tymrat toksik është shumë i madh për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Në Vërri, zona e ndërtimit të inceneratorit nuk ka të dhënë për ndotjen e ajrit. Të dhënat më të afërta ndodhen në Fier rreth 7 km larg ku ndotja e ajrit është përtej standardeve evropiane. Së bashku me ndërtimin e inceneratorit është e qartë që ndotja e ajrit do të bëhet edhe një problem më serioz. Këtu lind pyetja: Si mund të ndërtojmë një incenerator në një zonë ku mungojnë të dhënat për ndotjen e ajrit edhe si do të sigurohemi që ajri në zonë do të ndotet nga inceneratori apo ndonjë burim tjetër i mëparshëm. Kjo çështje duhet të ishte shpjeguar shumë konkretisht në lejen mjedisore, shpjegim që mungon në lejen për ndërtimin e Inceneratorit në Vërri”, tha eksperti i menaxhimit të mbetjeve.

Ndërsa eksperti i mjedisit, Olsi Nika tregon se Shqipëria e ka përmbysur vetë strategjinë për menaxhimin e mbetjeve, duke bërë të parën, atë që duhet të ishte e fundit në strategji.

Shqipëria e ka përmbysur piramidën që vetë ka në strategjinë e saj duke kaluar në hallkën e fundit që është incenerimi në hierarki, ndërkohë që sipas strategjisë  që ka miratuar edhe Shqipëria por edhe sipas praktikave të BE-së incenerimi është hallka e fundit për mbetjet. Shqipëria përdor hallkën e fundit, ndërkohë që nuk ka zbatuar hapat që duhet të përdoren në fillim si reduktimi, ripërdorimi dhe riciklimi i mbetjeve”, shprehet eksperti i mjedisit Nika në lidhje me metodën që po përdor qeveria shqiptare për menaxhimin e mbetjeve.

Për sa i përket inceneratorit që po ndërtohet në fshatin Vërri, Nika shprehet se ai do të ketë një ndikim negativ jo vetëm në mjedis, por edhe në popullsinë e këtij fshati, madje nëse operohet me kapacitet të plotë do të ketë ndikim edhe për zonat e tjera.

Kapaciteti operues është disa herë më i lartë sesa nevoja që ka kjo zonë, dhe ky mund të kthehet në një hotspot të ndotjës të zonës. Inceneratori do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë si në aspektin mjedisor por edhe shëndetësor edhe për banorët e fshatit Vërri, nëse do të ketë çlirim të substancave me natyrë kancerogjene, por përveç fshatit ku ndodhet inceneratori, por do të ketë pasoja edhe për një zonë më të madhe, pasi nëse do të punohet me kapacitet të plotë dhe rrezja e ndikimit negativ si në mjedis por edhe në popullsi do të zgjerohet edhe në zonat e tjera”, thotë Nika për “ Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore”.

Gjithashtu eksperti i mjedisit Nika shprehet skeptik për transparencën që bëhet për publikun nga autoritetet shtetërore , por edhe nga kompanitë që i ndërtojnë.

Autoritetet shtetërore nuk bëjnë transparente kontratat që firmosin më këto kompani, por gjithashtu nuk bëjnë transparente as teknologjinë që do të përdorin në djegien e mbetjeve. Edhe pse paguhen me taksat e popullit, në këto inceneratorë është e vështirë të hysh për të parë sesi punojnë”, e mbyll Nika.

Protesta dhe gjyqe

Një nga arsyet kryesore të protestave që po kryejnë banorët e Vërrisë është mungesa e informimit dhe frika nga rreziku që do t’i kanoset nga ndërtimi i inceneratorit në “zemër të Myzeqesë”. Banorët e Vërrisë i kanë dërguar një letër Delegacionit të BE-së në Shqipëri që ju është përgjigjur se ata e ndajnë plotësisht shqetësimin e banorëve dhe se pikat e sipër përmendura të cenuara janë shumë të rëndësishme për progresin e vendit drejt integrimit në BE.

Të humbur në shkallën e parë të gjykatës Administrative, banorët e Vërrisë vazhdojnë betejën në Gjykatën e Apelit Administrativ. Edhe pse me besim të pakët tek drejtësia shqiptare, banorët e Vërrisë premtojnë se do e ndjekin në çdo shkallë të Gjykatës, madje nëse është e nevojshme, ata do e dërgojnë edhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Por ajo që ka ndodhur gjatë këtyre muajve u kushtoi disa prej tyre, të cilët pasi kundërshtuan nisjen e punimeve përmes protestave , u vendosën nën hetim nga prokuroria e Fierit. Kjo është një nga arsyet se pse disa nga të rinjtë flasin në anonimat, pasi i druhen ndonjë “ dënimi” që mund të marrin më vonë.

Protestat e banorëve të Vërrisë

Por Ngolemi tregon se kjo ishte edhe një nga arsyet se përse vendosen ta dërgojnë në gjykatë çështjen. “Duke qenë se ngelem një grusht i vogël njerëzish dhe duke qenë se i kishim të gjitha dokumentet që e rrëzonin ndërtimin e këtij inceneratori vendosëm që këtë çështje ta dërgojmë në gjykatë”, shprehet ai.

Me ndihmën e Klinika e Ligjit OSFA Durrës, ish-kryeplaku i fshatit Andon Bualli së bashku me shtatë banorë të tjerë e nisën procesin fillimisht me kërkesën për sigurim padie, derisa çështja të zgjidhej në themel. Nga kërkesa e tyre insistohej të bllokoheshin punimet derisa gjykata të shprehej, por ata humbën gjatë sigurimit të padisë. Më pas, çështja u regjistrua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, me 12 dhjetor 2018. Vendimi për këtë çështje u mor më datën 17 qershor 2019, ku gjyqtarja Afërdita Maho i shpalli si të pabazuara  pretendimet e banorëve.

Banorët e kanë vazhduar betejën ligjore duke e dërguar çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë. Çështja në këtë Gjykatë është regjistruar me 30 korrik 2019. Gjykata ka pranuar kërkesën e përshpejtuar të banorëve të Vërrisë për të hapur seancë, pasi zakonisht një çështje për t’u çelur në Gjykatën Adminstrative të Apelit vonon mbi 3 vite. Deri tani janë mbajtur dy seanca këshillimi me datat  26 nëntor dhe 3 dhjetor 2020. Data e gjyqit të ardhshëm sipas faqes zyrtare të Gjykatës Administrative është njoftuar më 23 dhjetor 2020 . Relatore e kësaj çështje është Alkelina Gazidedja, ndërsa anëtarë janë Ardian Dvorani dhe Altina Nasufi.

Inceneratori sipas ekspertit Baumann.

Inceneratori i planifikuar për në Fier ka kapacitet më të madh se sa e gjithë sasia e mbetjeve që prodhohen në Fier. Prodhimi ditor i mbetjeve në qytetin e Fierit varion nga 100-137 ton/ditë mbetje urbane, ndërsa prodhimi vjetor shkon deri në 50,000 ton mbetje në vit. Pjesën me të madhe e zënë mbetjet organike me 46%, 15% plastika dhe 15% letra. (Dokumenti i Strategjisë së Zhvillimit të Territorit, hartuar nga Bashkia FIER).

Inceneratori e ka kapacitetin 180-200 ton/ditë, ndërsa në qarkun e Fier prodhohen mbetje gjithsej 165 ton/ditë. Po riciklimi? Çfarë thonë 4 kompanitë e riciklimit në Fier? Po standardet Evropiane? Nëse respektojmë objektivat e Republikës së Shqipërisë duke ricikluar dhe kompostuar deri në 55% të mbetjeve bashkiake deri në 2020 do të thotë që ngelet për t’u djegur vetëm 46% e mbetjeve që në rastin e Fierit përbën 23,000 ton/vit gjë që do të mbulonte vetëm 33% të kapacitetit të inceneratorit. Kjo do të thotë që për kapacitetin e inceneratorit do të duhen më shumë se 3 qytete të madhësisë së Fierit së bashku.

Një krahasim i thjeshtë i inceneratorit të Fierit dhe një inceneratori në Gjermani, sipas standardit evropian në Gjermani digjen vetëm mbetjet që nuk riciklohen, që janë rreth 11% e totalit të mbetjeve (Umveltbundesamt, 2017).

Mbetjet elektrike, spitalore apo toksike kanë proces tjetër. Inceneratori TAD në Gjermani ka kushtuar 172 milion Euro, 36% e kostove pra 61,4 milion euro ka kushtuar vetëm sistemi filtrues i ajrit i cili shërben për të eliminuar tymrat me gazrat e sipërpërmendur që janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Incineratori TAD ka një kapacitet prej 160.000 ton/vit dhe ka krijuar vetëm 59 vende pune. Bazuar në inceneratorin TAD, incineratori i Fierit ka 45% e kapacitetit të tij me 66,000 deri ne 73,000 ton/vit. Sipas kësaj llogarie të thjeshtë inceneratori i Fierit duhet të kushtoje rreth 78 milion euro ku vetëm 28 milionë euro do të kushtonte sistemi i filtrimit bazuar në standardet Gjermane dhe Evropiane. Me këtë shumë parash mund të ndërtohet vetëm një incenerator pa filtra dhe ndikimi në mjedis do të jetë i njëjtë sikur të djegim mbetjet në natyrë vetëm se këtë herë të rrethuar nga 4 mure. Inceneratori në Fier që djeg mbetje me pothuajse gjysmën organike do të ketë nevojë për shumë naftë ose vaj në mënyrë që të bëhet djegia.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter