[authorInfo]

Pagat e pedagogëve sërish të ulëta, Universiteti i Tiranës “zero” lekë për kërkimin shkencor

Në projektbuxhetin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2023, mbështetja për universitetet publike parashikohet të kryhet nëpërmjet rritjes së pagave të pedagogëve, ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe mbështetjes së studentëve.  Ministria e Arsimit deklaron për “Sinjalizo” se për këtë arsye është parashikuar një rritje e buxhetit me 1 miliard e 136 milion lekë. Por a reflektojnë këto të ardhura nevojat reale të universiteteve dhe sa i mjaftueshëm është fondi i parashikuar për vitin pasardhës, për t’i përmbushur ato. Nëse vëren hartën e shpenzimeve të universiteteve, sipas një monitorimi të Qëndresës Qytetare, është e qartë se paratë e shpenzuara në universitete deri më tani janë përdorur për pajisje zyre, shpërblime, dieta dhe fare pak për të rritur cilësinë dhe kërkimin shkencor. Ministria e Arsimit nga ana e saj nuk jep detaje sesi i kategorizon fondet për vitin e ardhshëm, të ndarë sipas zërave përkatës.

Për vitin 2023, janë planifikuar fonde në shumën prej 11 miliardë e 230 milion lekë, pra një shtesë prej 1 miliardë e 136 milion, ose 11.1% më shumë ndaj vitit 2022. Nga të cilat 612.2 milion lekë janë fonde grant shpenzime korrente, si dhe 524 janë fonde në grupin e shpenzime kapitale. Fondet e miratuara për vitin 2023 arrijnë 25.2% e fondeve të miratuara për MAS, në masën 1.79% ndaj shpenzimeve publike, si dhe në masën 0.57% ndaj PBB”, shpjegon Ministria e Arsimit.

Më herët, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kishte paralajmëruar rritje të buxhetit për arsimin, të planifikuar në nivelin 47.2 miliardë lekë për të gjithë sistemin arsimor. Pra 2.2 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar 2022.

Arsimi do të vijojë të financohet me 3% të PBB-së përgjatë periudhës 2023-2025, ku ofrojmë më shumë mbështetje buxhetore ndaj Arsimit Universitar, në kuadër të Paktit për Universitetin, si dhe procesit të Ndërkombëtarizimit të Arsimit të Lartë Publik”, premton ministrja Ibrahimaj.

Për pagat e profesorëve paguajnë edhe studentët

I pyetur nëse të ardhurat nga buxheti i shtetit janë të mjaftueshme për të reflektuar përmbushjen e nevojave reale në universitetet publike në vend, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Prof. Asc.Dr. Sandër Kovaçi thotë për ‘Sinjalizo’ se shtimi i  buxhetit nuk i plotëson nevojat për të bërë një kthesë rrënjësore për rritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë dhe për Kërkimin Shkencor.

Me gjithë rritjet e pretenduara, fondi për Arsimin e Lartë nuk e kalon 0.6 – 0.7 % e PBB. Për vitin 2023 është planifikuar Fondi i Shkencës rreth 9 milionë USD, që akoma është rreth 0.05 % e PBB, gati 10 herë më pak në përqindje se Maqedonia e Veriut (0.4 % e PBB) apo 16 herë më pak se Serbia (0.75 % e PBB)”, shprehet Kovaçi teksa thekson se nga kjo shumë rreth 4 milionë USD paguhen në trajtë kuote në Bruksel për projektet si Horizon, apo kosto të tjera.  

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Prof. Asc.Dr. Sandër Kovaçi

Kryetari i SPUSH deklaron se kërkesat e Sindikatës kanë qenë që në perspektivë investimi për kërkimin shkencor të shkojë në nivelin e 0.3 % e PBB. Sipas tij, këtë vit duhet të fillohej me 30 mln USD për kërkimin shkencor, kurse brenda 3-4 viteve të kapte vlerën 50-60 milionë USD.

“Sindikata mendon se duhet shkuar në nivelin e 1 % të PBB, buxhetimi i Arsimit të Lartë, nga këto 0.3 %  të jepen për kërkimin shkencor. Në përfundim, nuk ka asgjë për entuziazëm në këtë buxhet përveçse trishtim për nivelin krejt të ulët të financimit të Arsimit në tërësi, e arsimit të lartë e kërkimit shkencor në veçanti”, shprehet profesor Sandër Kovaçi.

Ndërkohë ekspertja e arsimit, Irsa Ruci këmbëngul për ‘Sinjalizo’ se buxheti i shtetit në arsim është çdo vit qesharak e i papërfillshëm në raport me “detyrimin” që shteti ka ndaj shkencës.

Sipas opinionit tim kjo vjen dhe si pasojë e nivelit të ulët profesional të burimeve njerëzore që mbulojnë fushën e arsimit, të cilët nuk orientojnë politikat e duhura arsimore. Në këtë formë nuk krijojnë dot buxhetin e nevojshëm dhe justifikimin për mirëorganizim të fondeve”, thotë për “Sinjalizo” ekspertja e arsimit.

Një student ka domosdoshmëri edukimin cilësor, por që të mundësohet kjo, lipset që pedagogut mos i paguhet ora mësimore sa punonjësit të pastrimit. Sepse patjetër që lektori do e reflektojë nevojën për “mbijetesë” edhe në auditor, e në cilësinë e mësimdhënies”, tregon ekspertja.

Irsa Ruçi, eksperte e arsimit

Duke u ndalur te rëndësia e kërkimit shkencor, Ruçi shprehet se shteti duhet të jetë një faktor i rëndësishësm duke çuar fondet drejt universitetit publik.

Të njëjtin mendim ndan edhe eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

“Ne kemi vite që flasim për arsim cilësor, por çfarë arsimi cilësor mund të kesh në momentin që harxhon vetëm 0.0025% të GDP për kërkimin shkencor. Në universitet në Shqipëri harxhohet më shumë për mbrojtjen sesa për kërkimin shkencor. Nga ana tjetër kërkojnë që të bëhen publikime së fundmi edhe për pedagogët, por çfarë kërkimi shkencor do të bëjnë pedagogët me rrogat qesharake që ata marrin”, deklaroi Muço.

Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço

Ekperti  i ekonomisë bën një krahasim me vendin fqinj duke theksuar se në Shqipëri harxhohet diku të 7.4% e buxhetit për arsimin, ndërsa në Kosovë 14% e buxhetit shkon për arsimin.

Duke u ndalur sërish te buxheti, Arlind Qori, aktivist i Lëvizjes për Universitetin, njëkohësisht pedagog në Universitetin e Tiranës, tregon për ‘Sinjalizo’ se sipas tij buxheti i Ministrisë së Arsimit nuk arrin të mbulojë dot as pagat e pedagogëve. “Unë si pedagog marr 12 paga në vit, nga këto rreth 8-9 m´i paguan shteti dhe 3-4 paga mujore mi paguajnë studentët përmes tarifave. Kjo është gjëja më skandaloze, që buxheti i shtetit nuk arrin të përballojë as pagat e pedagogëve”.

Buxheti i MAS për vitin 2021 dhe 2022

Në kuadër të fondit të vitit 2022, Ministria e Arsimin deklaron për ‘Sinjalizo’ se financimi i veprimtarisë së IAL publike për këtë vit me burim financimi buxhetin e shtetit është në shumën prej 10.8 miliard lekë.

Performanca e treguesve buxhetorë për programet e Ministrisë së Arsimit

“Fondet e miratuara në formë “grant për mësimdhënie” për vitin 2022, janë në masën 9.6 miliardë lekë, ku përfshihen fondet për mbulimin e shpenzimeve të personelit “Granti për mësimdhënie”, në shumën 7.85 miliard lekë, fondet për bursa financiare për studentët 1 miliard e 50 milion lekë mbështetje financiare për shoqëritë e studentëve 250 milion lekë, si dhe fonde grand për akreditim institucional si dhe të programeve të studimi ASCAL në shumën prej 15 milion lekë në vit”, përgjigjet MAS.

Teksa ndalet te fondet për mbështetjen e studenteve, që janë përdorur për të mbuluar shpenzimet për bursat e studentëve nga shtresat sociale në nevojë si dhe studentëve të ekselencës në IAL publike, MAS shkruan se ky fond u jep mundësinë rreth 12 000 studentëve për të ndjekur studimet në institucionet publike të arsimit të lartë.

Fondet grant nga buxheti i shtetit të miratuara për vitin 2022 së bashku me fondet e trashëguara nga vitit 2021, së bashku me të ardhurat arritën 13 miliard 581.8 milion lekë, ose në 27.4 % të fondeve të MAS, si dhe 2.13% ndaj shpenzimeve publike dhe 0.73% ndaj PBB, e fondeve të vitit 2022”, shkruan Ministria e Arsimit, në përgjigjen e saj, ndërsa thekson se realizimi i fondeve grant për vitin  2021, së bashku me fondet grand të trashëguara nga vitit 2020, si dhe të ardhurat e IAL publike ishin në masën 11 miliard e 403 milion lekë.

Bonuse për studentët

Lehtësitë studentore janë një tjetër pikë që sipas ekspertes së arsimit, Irsa Ruçi shteti duhet të ndërhyjë për të ofruar asistencë jo vetëm për nevojat bazike të jetesës, por deri tek ofrimi i socializimit dhe argëtimit.

 “Duhet që shteti të mbulojë financim për studentët e dalluar dhe për ata që nuk kanë kushte të përballojnë jetën studentore, por kanë vullnetin të studiojnë e të bëhen profesionistë të denjë për veten e vendin”, shprehet Ruçi.

Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Arsimit shkruan se “Fondet për bursa financiare për studentët, mbështetja financiare për shoqëritë e studentëve për vitin 2023 -2025 është parashikuar në masën 1.4 deri ne 1.5 miliard lekë në vit”. Më tej MAS thekson se për vitin 2022, fondet për të mbuluar shpenzimet e studentëve për akomodimin e studentëve në tetë “Shoqëritë e Trajtimit të studentëve në Tiranë dhe në Rrethe”, janë parashikuar 250 milion lekë në vit, ku nënvizohet se përfitues janë rreth 6 000 -7 000 studentë që akomodohen në këto shoqëri.

Të ardhurat nga universitetet publike

Ministria e Arsimit tregon për ‘Sinjalizo’ se parashikohet që për vitin 2023 fondet grant që vijnë nga buxheti i shtetit së bashku me të ardhurat e parashikuara nga IAL publike, të arrijnë në 14 miliard e 180 milion lekë. “Në këtë kuadër fondet e miratuara për vitin 2023 arrijnë 29.8% e fondeve për MAS, në masën 2.06% ndaj shpenzimeve publike, si dhe në masën 0.72% ndaj PBB”, shkruan MAS.

Por kryetari i SPUSH, Sandër Kovaçi e konsideron të pavend vendimin që universitetet publike të mbulojnë nga të ardhurat e tyre, rritjen me 8% të pagave të pedagogëve.

“Faturimi i rritjes prej 8 % i pagave të pedagogëve tek të ardhurat e universiteteve do të sjellë mjerim të mëtejshëm në këto të fundit, sa i përket investimeve apo krijimit të kushteve të mësimdhënies për pedagogët dhe mësimnxënies për studentët”, këmbëngul Kovaçi. 

Në kuadër të të ardhurave që gjenerojnë universitetet dhe transparencës së tyre, Qëndresa Qytetare publikoi në muajin nëntor, raportin e monitorimit të gjashtë universiteteve publike me fokus investimet për periudhën 1 shtator 2021 – 31 gusht 2022.

Monitorimi i Qëndresës Qytetare ‘Shpenzimet totale në 6 Universitete në total për periudhën 1 shtator 2021 – 31 gusht 2022’

Disa prej gjetjeve kryesore të këtij monitorimi konsistojnë në faktin se: UPT vijon të mbetet Universiteti me më shumë shpenzime të administratës, ku në 1 vit kalendarik përveç pagave bazë ka shpenzuar 378 281 euro për shpërblime, 124 000 euro për dieta, 21 156 euro për telefon/internet; Gjashtë universitetet publike shpenzuan 1 366 843 eruo për orendi zyre; 6 universitete shpenzuan në total për një vit akademik 2 042 087 euro për rojet e godinave të tyre; Universiteti i Tiranës për të tretin vit rresht shpenzon 0 lek për zërin e kërkimit shkencor. Ndërkohë 4 nga 6 universitete kanë shpenzuar në total 16 316 euro për kërkim shkencor, nga 4.2 milion euro që ishte në total zëri i investimeve.

Monitorimi i Qëndresës Qytetare ‘Shpenzimet në 6 Universitete në total për periudhën 1 shtator 2021 – 31 gusht 2022’