Për një vit 365 konflikte, në shkolla 20% e nxënësve pranojnë se janë dhunuar. Oficerët e sigurisë nuk e zgjidhën situatën

Ditën që nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Çajupi” u përleshën, vëmendja u spostua mbi dy mësueset që u konsideruan si molla e sherrit. Teksa të katër të lënduarit pohuan se ishin përplasur mbasi pala tjetër provokoi sherr, oficeri i sigurisë së kësaj shkolle nuk u pa askund. Ndonëse prej 2 vitesh, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur një projekt pilot për atashimin e 150 oficerëve në të gjitha gjimnazet publike të vendit, akoma këto numra nuk janë plotësuar. Por problem më i madh qëndron tek mosfunksionimi i hallkës midis punonjësve në shkollë dhe oficerit të sigurisë.

Këtë fakt e konfirmoi vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi në një mbledhje të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

“Eshtë lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me stafin në shkollë. Shpesh rastet që janë problematike i referohen oficerit të sigurisë nga punonjësit psiko-social. Pra kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe rastet e nxënësve që mund të jenë problematikë i referohen punonjësit psiko-social për të parandaluar më tej ngjarje shqetësuese në shkollë”, u shpreh ministrja Kushi në mbledhje gjatë muajit tetor.

Por edhe pse ministrja Kushi e cilësoi si të suksesshëm bashkëpunimin midis dy ministrive, gjimnazistët, dëshmitarët dhe ekspertët konfirmojnë të kundërtën.

Nxënësit jo vetëm grinden e bullizojnë, por pijnë dhe hashash

Një prej këtyre ështe edhe maturantja Sara L., nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, e cila ka të memorizuar një sherr që kur ajo ishte në klasën e 10-të.

Më kujtohet që kur isha në klasën e 10-të, ka ndodhur një sherr me thika midis dy nxënësve. Të gjithë nxënësit u tmerruan nga ngjarja, pasi njërin prej tyre e dërguan edhe në spital, por ajo ngjarje nuk është bërë publike në media, e kanë mbajtur të fshehtë. Përveç sherreve në gjimnazit tonë është i përhapur shumë edhe fenomeni i bullizmit, zakonisht ndodh nga nxënësit e klasave të 12-ta me nxënësit e rinj të klasave të 10-ta”, kështu e nis rrëfimin për “Sinjalizo”, Sara L,.

Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” me rreth 1300 nxënës është gjimnazi i tretë me më shumë nxënës në Tiranë, pas gjimazit “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri”.

Gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, Tiranë

17 vjeçarja thekson se nuk ka qenë ndonjëherë rast i bullizmit, por ka pasur shok dhe shoqe që janë bullizuar, ndërsa për oficeren e sigurisë shprehet se nuk u ka treguar askush kur ajo ka filluar punë aty.

Mua personalisht nuk më ka ndodhur që të kem ndonjë rast bullizmi apo ndonjë problem tjetër, por njoh shokë dhe shoqe që janë bullizuar për gjëra të ndryshme. Edhe pse është oficerja e sigurisë, në gjimnazin tonë vazhdon të konsumohet hashash, duhan. Pothuajse çdo javë ndodhin sherre, por duke qenë vajzë, oficerja e vendosur, nuk ndërhyn, vetëm njofton policinë. Kur ka ardhur në fillim, nuk na e ka prezantuar asnjë, as mësuesit, as drejtoria e shkollës. Nxënësit e kanë zbuluar vetë duke e pyetur”, thotë maturantja ndërsa shton se tani në festat e fundvitit duhet të ruhen edhe nga kapsollat që hedhin nxënësit në oborr, por edhe në ambientet e brendshme të shkollës.

Probleme si këto i shpreh edhe nxënësja e gjimnazit “Eqerem Çabej”, në Tiranë. Ndryshe nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, 15 vjeçarja I.S, e cila këtë vit është në klasën e 10-të, thekson se në këtë gjimnaz nuk konsumohet hashash, por vetëm duhan dhe ka shumë bullizëm ndaj atyre që vijnë për herë të parë.

Në gjimnazin tonë, nuk pihet hashash, por konsumohet vetëm duhan në klasa, në tualete dhe në oborr. Ajo çfarë kam vërejtur unë, gjatë këtyre 3 muajve të parë, është bullizmi që ka ndaj nxënësve që vijnë për herë të parë në shkollë. Ata që tani janë në klasën e 12-të, kanë një sjellje arrogante dhe bullizuese ndaj nxënësve të klasave të 10-të”, shprehet për “Sinjalizo”, 15 vjeçarja.

Probleme jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale

Duke u larguar nga kryeqyteti, në zonat rurale, problemet janë të njëjta, bullizëm dhe sherr midis nxënësve. Një problem i madh që shihet në këto zona rurale është ai i konsumimit të hashashit.

Në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi”, në qytetin e Laçit, problemet më të shumta janë konsumimi i hashashit, erën e të cilit e dallon sapo futesh në oborrin e shkollës. Edhe këtu nuk mungojnë sherret e ndodhura midis nxënësve. Ndryshe nga Tirana, bullizmin më të madh në këtë gjimnaz e hasin nxënësit që vijnë nga fshatrat e Laçit. Prej këtej nisin grindjet.

Gjimnazi “At Shtjefën Gjeçovi”, Kurbin

Dukë qenë se ne jemi nga fshatrat, ka një bullizëm më të madh ndaj nesh, dhe nuk është se bëhet ndonjë gjë në këtë aspekt, për tu parandaluar. Ndodhin shumë sherre si në klasë, por edhe në oborrin e shkollës. Konsumohet hashash në tualetet e shkollës, por edhe në oborrin apo cepat e shkollës, saqë nganjëherë është e vështirë të kalosh aty prej erës së rëndë. Një tjetër problem është koha e tanishme e fundvitit, ku nxënësit plasin lëndë piroteknike, si në oborr, por edhe në korridoret e shkollës”, shprehet 16 vjeçari, P.L, i cili tani është në klasën e 11-të.

Të njëjtat probleme si konsumimi i hashashit në tualetet e shkollës, sherret dhe bullizmi listojnë edhe nxënës të gjimnazit “Arif Halil Sulaj” në Mamurras dhe të gjimnazit të Milotit në Kurbin.

Çfarë thuhet zyrtarisht?

Në raportin e publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar për vitin shkollor 2020-2021 janë rregjistruar 365 incidente. Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare e Durrësit kryeson listën me më shumë incidente të ndodhura. Sipas raportit 124 incidente kanë ndodhur në DRAP Durrës, më pas vjen DRAP Korçë me 109 incidente, DRAP Lezha me 87 incidente dhe e mbyll DRAP Fieri me 45 incidente.

Në DRAP-in e Durrësit, numrin më të lartë të incidenteve e ka Zyra Vendore Arsimore Tiranë, me 68 incidente. Në DRAP-in e Korçës, numrin më të lartë të incidenteve e ka ZVA Elbasan me 36 incidente. Në DRAP-in e Lezhës, me numrin më të lartë të incidenteve kryeson ZVA Kukës me 28 incidente dhe për DRAP-in e Fierit, numrin me të lartë të incidenteve e ka ZVA e Fierit me 14 incidente.

Numri i incidenteve të raportuara për çdo ZVA, të 4 DRAP-eve

Sipas këtij raporti incidentet më të shumta kanë ndodhur në muajin tetor, plot 87 të tilla ose 23.8% e totalit të incidenteve. Ndërsa sa i përket incidenteve të ndodhura, kryeson incidentet me dhunë fizike me 38.1%, më pas dhuna psikologjike 13,7%, thyerje e rregullores së shkollës 13.2% dhe e mbyll bulling-u me 7.7%.

Ekspertët: Jo vetëm dhunë, por ka abuzime

Sipas raportit të INSTAT-it, për vitin shkollor 2020-2021 janë të rregjistruar në arsimin e mesëm, 107.989 nxënës.

Sipas ekspertit të arsimit Dr. Ndriçim Mehmeti, kohët e fundit janë shtuar edhe abuzimet seksuale të mësuesve ndaj nxënësve. Ndaj premtimin se oficeri i sigurisë do të ndryshonte gjendjen sipas Mehmetit nuk janë asgjë tjetër veçse për show.

Kam thënë edhe më parë, më duket se vendi i oficerit të sigurisë është thjesht për të siguruar një rrogë diku dhe sigurisht edhe në kuadër të spektaklit, me gjoja nisma të reja për shkollën që quhen në mënyrë të padrejtë edhe reforma. Nuk di të ketë një model të ngjashëm përreth nesh e më tutje, aq më tepër kur menaxhimi i shkollës, duhet të jetë një detyrë e stafit mësimdhënës, drejtuesve të shkollës, komunitetit të prindërve etj. Raportimet nga shkollat na bëjnë me dije për abuzime seksuale të mësuesve ndaj nxënësve, rojeve, dhe nxënësve mes njëri-tjetrit, por për çudi oficeri i sigurisë nuk di asgjë dhe e marrim vesh përmes shtypit”, shprehet eksperti i arsimit Mehmeti.

Eksperti i arsimit Dr. Ndriçim Mehmeti

Eksperti e vë theksin tek problemet brenda mureve të shkollës ku sipas tij kryesojnë dy fenomene: bullizmi dhe përdorimi i hashashit.

Në shkollat tona bullizmi bën ligjin, duhani pihet prej klasës së gjashtë e në vijim, oborri, tualete dhe zona përreth shkollës qelbet era hashash dhe përsëri oficeri i sigurisë nuk di gjë. Ne kemi probleme të rënda të sjelljes, disiplinës, mënyrës së komunikimit që po bëhen gjithnjë e më të rënda. Kjo tregon se oficeri i sigurisë, sikundër përmenda është një hallkë, e cila nuk jep asnjë zgjidhje dhe për më tepër duket se është tejet i largët me problemet e shkollës. Duket qartë se nuk ka një koordinim mes tij dhe strukturave të tjera të shkollës, si: Bordi i Prindërve, Këshilli i Prindërve, Këshilli i Mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore”, thekson Mehmeti.

Në fund, ai shton se vendosjen e oficerëve të sigurisë në gjimnaze nuk e shikon si zgjidhje reale dhe se duhet që vetë shkolla ti zgjidhë problemet e saj.

Nuk janë zgjidhja reale për problematikat që kanë gjimnazet shqiptare. Institucionet arsimore të të gjitha niveleve, duhet të jenë të trajnuara dhe përgatitura të zgjidhin vetë problemet e tyre. Për këtë qëllim, duhet që komuniteti i prindërve, mësuesit, drejtuesit e shkollës dhe pushtetit vendor, nxënësit të jenë në një harmoni të plotë, për të respektuar në maksimum rëndësinë që ka institucioni, të punojnë së bashku për një mjedis të sigurt, të pastërt, larg dhunës, alkoolit, drogës etj. Ne mburremi me projektin e shkollës “qendër komunitare”. Ku jemi me këtë projekt, çfarë ka ndryshuar për mirë në shkollat tona, në sa shkolla është shtrirë etj. Përsëri këto të dhëna na mungojnë dhe ata që na i trumbetuan me të madhe si një sukses, vijojnë të jenë në postet më të larta të shtetit dhe mos të mbajnë asnjë përgjegjësi për dështimet spektakolare që kanë ardhur si rezultat i politikave të dështuara që kanë marrë”, e mbyll Dr. Mehmeti.

Sociologët: Duhet bashkëveprim nga të gjithë

Entela Binjaku, sociologe e njohur mban qëndrimin se problematikat e nxënësve duhet të jenë nën vëmendjen e kujtdo.

Për problemet që kanë të rinjtë gjimnazistë të tilla si: përdorimit të substancave të ndaluara, dhuna në raportet mes tyre, konfliktualiteti me mësuesit, thyerja e disiplinës në shkollë, mosrespektimi i detyrimeve dhe përgjegjësive të nxënësit etj, në mendimin tim ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Ajo që duhet të bëhet është bashkëpunim dhe bashkëveprim i të gjithëve: që nga bordi i prindërve, komuniteti i prindërve, drejtoria, mësuesit e lëndës dhe mësuesit kujdestarë, psikologu, oficerët e sigurisë aty ku janë e deri tek oficeri i rendit që rri pranë shkollës“, thotë për “Sinjalizo“, sociologia Binjaku.

Sakaq dhunën në mjediset e shkollës e konfirmon edhe një raport i UNESCO-s. Në Shqipëri, prevalenca e nxënësve që kanë raportuar se janë dhunuar ishte 19.9%, rreth 22.6% tek djemtë dhe 17.3% tek vajzat. Shifrat janë më të larta te 11 vjeçarët, ku sipas raportit rreth 23.8% kanë pranuar se kanë përjetuar bullizmin apo dhunën në shkollë në një nga format e tij, ndërsa te 13 vjeçarët ky raport është 20%.

Raporti i UNESCO-s