Për të dytin vit, të pambrojtur nga zjarret. Ushtria me shkarpa, zjarrfikëset pa pajisje

Mali i Çikës prej pesë ditësh është i padallueshëm për shkak të reve të tymit. Vatrat e zjarrit janë kthyer në një mision të vështirë për ushtrinë e cila sërisht u është kthyer teknikave rrethanore. Kërkesa drejtuar fqinjëve për ndihmë nga ajri solli dy avionë, por pavarësisht përpjekjeve, tentativat për ta vendosur në kohë zjarrin ishin në duart e njerëzve që ndërhynë nga toka. Skena ngjan e përsëritur për të dytën verë radhazi, ku nuk mungoi as reagimi i shpejtë i Ministrisë së Mbrojtjes që garanton se vatrat po vendosen nën kontroll dhe se Palasa nuk rrezikon.

Testi i kësaj vere ndaj Agjensisë së Mbrojtjes Civile nisi menjëherë me ngritjen e temperaturave. Në datën 3 qershor rënia e zjarrit ekspozoi probleme të njëjta me të njëjtin alarm, madje edhe kakofoninë e të dhënave të para jo zyrtare ku u ekspozua njëri nga zjarrfikësit lokalë duke e krahasuar me një pirroman që vendoste zjarre. Në të vërtetë teknika që po përdorte Luan Kapaj, drejtues i forcave operacionale për zjarrin dhe shpëtimin në Vlorë, ishte nga më të njohurat botërisht që synonte në fakt shuarjen e flakëve.

Kam shkuar unë me disa forca zjarrfikëse e me disa ushtarë, në ishullin e Sazanit. E kam parë situatën, ka qënë shumë alarmante, kam fol edhe me emergjencat civile që duhen marrë masat se zjarri po bën dëme në pyjet, dmth drurët e lartë dhe në disa drurë të vegjël ose pisha të vogla që ishin sikur ishin mbjellë me dorë. Plus pastaj kishte shkurre dhe plot gjëra të tjera”, thotë Kapaj për Sinjalizo.

I dekoruar për shërbimin dhe sakrificat pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, Kapaj nuk lë pa komentuar videon që i prishi qetësinë mbi situatën e zjarrit në ishullin e Sazanit gjatë ushtrimit të detyrës.

Normalisht kur unë e pashë atë video nuk më erdhi mirë, por unë në shpirt jam i pastër për çdo lloj veprimi që ndërhyn në një situatë zjarri, sepse e bëj me ndërgjegje çdo veprim për të luftuar zjarrin “, thotë Kapaj për Sinjalizo.

Dhe kur kontrolli i flakëve kryhet më së tepërmi përmes sakrificës së zjarrfikësve si Kapaj apo përmes ushtarëve që udhëtojnë në këmbë në male, raportimi për vatrat e zjarreve mbetet shqetësues aq më tepër kur mesatarisht çdo vit digjen pothuajse 9 mijë hektarë tokë.

Shqipëria ka rreth 30 vite që është në emergjencë kombëtare, veçanërisht situatës në pyje duke iu rikthyer zjarreve masive që janë lajm prej vitesh në stinën e verës”. Ky konstatim i REC Albania, në një prej newsletter-ave të saj shton edhe se në 99% të rasteve të ndezjes së këtyre zjarreve si shkaktar është njeriu.

Por ky është vetëm problemi i parë në lidhje me emergjencat e zjarreve në Shqipëri. Ajo që është një problem edhe më i madh, është pamundësia e strukturave të emergjencës për të reaguar dhe ndërhyrë për shuarjen e këtyre zjarreve.  Një burim nga Emergjencat Civile i cili pranoi të flas në kushtet e anonimatit i tregoi “SINJALIZO” se si u luftua zjarri në terren vërtetë. Teksa një helikopter me shefin e agjencisë patrullonte nga ajri për arsye që nuk u bënë të qarta dhe që u tha se ishin për të parë situatën nga ajri, aty në tokë ushtarët dhe zjarrfikësit me lopata dhe shkarpa ndesheshin me furinë e zjarrit.

E para, zjarrfikësit nuk kishin as veshje për të hyrë në një zonë të tillë që ka marrë flakë. Tani po duan ta gënjejnë veten, por faktet janë fakte, zjarrfikësit nuk kanë mjete, nuk kishin veshjet, pantallonat, xhaketë, këpucë, mjete prerëse që të hapin një brez për ta pritur zjarrin kur të vijë aty”, thotë burimi. Më herët një tjetër zjarrfikës sinjalizoi në platformë mbi indiferencën shtetërore për të mbrojtur trupat e terrenit duke shtuar se “gjendja është e vështirë, duhen forca të shumta tokësore. Realiteti aktual është që as ata që kemi në raste të aktivizimit në terren nuk i furnizojmë dot me ushqime dhe ujë” shkruan qytetari për Sinjalizo.

E thënë thjesht fare, mos u lodh shumë, ne nuk furnizojmë dot forcat tokësore me mjetet e domosdoshme. Kjo është e vërteta!”, pranon burimi i Sinjalizo.

Zjarre dhe lutje për ndihmë

Por pamundësia e ndërhyrjes për të shuar zjarrin nuk u duk vetëm në Sazan, në Torovicë të Lezhës u dogjën rreth 15 hektarë, ndërsa në Krujë 20 të tjerë. Edhe pse ministria do të deklaronte se zjarri ishte fikur, në media u transmetuan fakte se si zjarri aktiv po përpinte sipërfaqe të tëra toke.

Asgjë nuk ka ndryshuar, nga vjet sivjet nuk ka asnjë ndryshim”, shprehet kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve Bledar Bajrami.  E ndërsa po hyjmë drejtë periudhës me temperaturat më të larta të verës nga gjithë ç’ka ndodhur në fillim të sezonit është e qartë se edhe për këtë vit zjarrfikësit shqiptarë do kenë si mjetet më efektive kazmat dhe lopatat.

Emergjencat Civile në Shqipëri janë në pamundësi veprimi

 Ministria e Mbrojtjes deklaroi në çelje të sezonit të zjarreve, si ai në ishullin e Sazanit se “FA ka në gadishmëri helikopterë të lehtë, por në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të emergjencave”. Për helikopterët Cougar, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se gjenden në servis. “Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes”, Por edhe pse ministria thotë një pjesë, në operacion nuk u angazhua pjesa tjetër e  helikopterëve Cougar të cilët vetëm nga njoftimi i ministrisë, logjikisht duhet të ishin në detyrë dhe aktiv. Vetëm pas ndërhyrjes nga ajeri nëpërmjet një avioni zjarrfikës të ardhur nga jashtë, u bë e mundur shuarja e zjarrit.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e pyetur nga Sinjalizo se sa mjete ajrore ka në dispozicion Shqipëria për shuarjen e zjarreve shprehet se: “Sipas përgjigjes së ardhur nga struktura përgjegjëse rezulton se janë 2 helikopterë në dispozicion për shuarjen e zjarreve”. Por nga vëzhgimi i kryer nga Sinjalizo dhe të dhënat e grumbulluara në terren, në këtë situatë u pa vetëm një helikopter që fluturoi pak minuta dhe që në bord kishte kreun e emergjencave Haki Cako. Jo zyrtarisht pranohet se këta dy helikopterë nuk ndërhynë as në Sazan e as në zjarret që dogjën dhjetra hektarë në Lezhë dhe në Krujë.

E pyetur për mjetet ujore për shuarjen e flakëve në bregdet, AKMC thotë se kapaciteti i Shqipërisë është zero. “Forca Detare ka në organikën e saj 4 anije të klasit ILIRIA (42 metra) të cilat kanë kapacitete zjarrfikëse dhe dhënie ndihme në det ndaj anijeve në të cilat ka rënë zjarr. Këto anije nuk mund të përdoren për fikje të zjarrit në bregdet”, thotë AKMC në përgjigjen e saj zyrtare për “Sinjalizo”, duke shtuar se janë gjithashtu 70 forca kërkim- shpëtimi të specializuara, 246 forca kërkim – shpëtimi jo të specializuara, 4 motobarka, 8 gomone të cilat në varësi të situatës mund të angazhohen për këtë qëllim.

Aktualisht sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e ministrisë së Mbrojtjes shërbimi zjarrfikës në Shqipëri është i përbërë nga 150 automjete zjarrfikëse, ku vitet e fundit janë blerë 30 automjete dhe rreth 15 të tjera janë dhuruar nga shërbime zjarrfikëse homologe. Në 61 bashkitë ne vend janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, me 1250 punonjës.

Por edhe pse shifrat shprehin një situatë të mirë, në terren është komplet tjetër panoramë. Zjarrfikëset i përkasin viteve të prodhimit duke nisur prej 1970, ndërsa zjarrëfikësit janë të keqpajisur. Ky fakt është evidentuar edhe nga një raport i Bankës Botërore.

Të gjithë sektorët kyç të mbrojtjes civile vuajnë nga një mungesë e paisjeve”,thuhet në raport i cili shton se: “Zjarrfikset me paisje të të gjitha llojeve të shpërthimit të zjarrit, paisje trajnuese dhe shpëtimi për skuadra specifike janë ekstremisht të limituara ose në nevojë zëvëndësimi”. Në raport thuhet se investimet në paisje duhet të bëhen bazuar në ndërveprimin dhe standartet europiane.

Por në raportin e Bankës Botërore theksi vihet edhe Qendrat e Operacionale të Emergjencave Civile, të cilat nuk përmbushin kërkesat minimale operative.

Aktualisht janë disa Qendra Operacionale Qendrore në nivel qëndror që funksionojnë 24 orë në 7 ditë. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Dhe Qendrat Operacionale në nivel qarku nuk përmbushin kërkesat minimale për të qenë operacionale”, thuhet në raport ku theksohet se buxheti është i pamjaftueshëm për mirëmbajtjet bazike. Më tej në dokument përshkruhet se ka një mungesë pajisje dhe stafi të trajnuar profesionalisht, gjithashtu këto qendra nuk kanë të dhëna statistikore të cilat do të mbështesnin procesin e vendimmarrjes gjatë përgjigjes ndaj situatave emergjente. Ajo që bie në sy është fakti që në Shqipëri nuk ka një qendër për trajnimin e zjarrfikësve, ndërkohë vendet e rajonit janë të pajisura me to duke nisur nga Mali i Zi, Greqia si dhe në Kosovë .

Aktualisht një zjarrfikës paguhet 360 mijë lekë të vjetra, dhe me kushtin që të jetë gjatë gjithë kohës në gadishmëri për tu përballur me rrezikun konstant.

Në kohë paqe i vetmi institucion që është në luftë është zjarrfikësi, dhe ne kemi pagën më të ulët, 36 mijë lekë është paga e një zjarrfikësi”, thotë Bledar Bajrami, kreu i sindikatës. Ndërkohë pyetja që ngrihet është se pse këtij shërbimi kaq vital për shoqërinë, të cilët punojnë shpesh herë me mjete jashtë standardi duke rrezikuar jetën në çdo ndërhyrje që bëjnë, nuk u kompensohet sakrifica që bëjnë në vlerë monetare, në një kohë kur shumë sektorë kanë njohur rritje page.

KLSH kritike, por askush nuk e dëgjon

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e publikuar gjatë 2022 evidenton shkelje të shumta në Agjencinë Kombëtare të Emergjencave Civile, duke nisur nga mos hartimi i planeve deri në pagesa për helikopterë.

“ Për periudhën 2004 deri më datë 10.12.2021 që përfundoi auditimi, Republika e Shqipërisë nuk ka Strategji Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, dhe vlerësimi i riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Ndër të tjerë, KLSH evidenton se në nivel qëndror dhe lokal AKMC nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagimin ndaj situatave emergjente të zjarreve.

“Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse. Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion)”.

Por KLSH nuk lë pa përmendur edhe numrin e zjarrfikësve si dhe keqpaisjen e tyre. “Popullsia në Republikën e Shqipërisë më 1 janar 2021 është 2,829,741 banor. Numri i banorëve/zjarrfikës për vitin 2021 është 2,185, duke kaluar 205 banor për zjarrfikës, në kundërshtim me Ligjin 152/2015. Bashkive dhe njësive administrative u mungojnë pajisjet mbrojtëse personale dhe pajisje të jashtme për shuarjen e zjarreve, si: kostume anti zjarr, kundragaz, çizme kundra zjarrit, doreza kundra zjarrit etj. Pompa shpine gjithsej 243, nga këto profesionale 221, të zakonshme 22, fikse me pluhur 568, me CO2 92, pompa thithëse 23 dhe pompa të ndryshme 55”, shton më tej KLSH në raportin e saj. 

Të pambrojtur

Vlora, Gjirokastra dhe Kukësi vitin e shkuar u përballën me zjarre masive në territorin e tyre, po ishin në pamundësi të ndërhynin. Zona malore e Gjirokstrës numëron aktualisht 4 automjete zjarrfikëse, prej të cilave tre prej tyre nuk kanë asnjë dokumentacion, ndërsa një prej tyre si dokumentacion ka vetëm një akt dhurimi. Automjet më i ri zjarrfikës i përket vitit 1992, ndërsa më i vjetri i përket vitit 1984. Nga ana tjetër, bashkia Gjirokastër bën të ditur se për vitin 2022 ka parashikuar që të blejë një automjet zjarrfikës, por edhe pse jemi në pjesën më të rrezikshme të vitit për zjarre, ende kjo zjarrfikëse nuk është blerë.

Shërbimi Zjarrfikës në Kukës

Edhe në Kukës, ku vitin e shkuar zjarri avancoi deri në hyrjen e tunelit të Kalimashit duke djegur me qindra hektarë tokë, situata nuk ka ndryshuar. Njëjtë si dhe vitin e shkuar, 36 efektivët e shërbimit zjarrfikës në Kukës janë të ndarë në dy stacione, një për qytetin dhe një tjetër për tunelin Thirrë- Kalimash. Secili prej këtyre dy stacioneve ka në dispozicion nga një automjet zjarrfikës, me një kapacitet prej 4000 litra ujë secila dhe vit prodhimi 2008. Por kërkesës zyrtare për informacion në lidhje me një inventar të paisjeve që kishin në dispozicion zjarrfikësit e Kukësit, MZSH Kukës iu përgjigj: “Mjetet që ka struktura zjarrfikëse për luftimin e zjarreve: a- tuba, shkallë…….., b- kazma ,lopata, veshje anti zjarre ,…… , c- presë hidralike për operacione  shpëtimi …… , d- Ap 3 ……., …..e tjerë………..”.

Në Vlorë Sinjalizo mëson se nuk ka përmirësime në infrastrukturën kundër zjarreve. Në këtë bashki janë 7 automjete por vetëm 3 prej tyre janë të tipologjisë autobote që mund të mbajnë ujë. Nga të treja këto automjete më e reja i përket vitit 1990 dhe më e vjetra vitit 1987. Vlora, Gjirokastra dhe Kukësi nuk janë të vetmit që nuk kanë një strukturë me standard të zjarrfikësve. Prej vitesh, bashkitë në vend kanë blerë mjete të vjetra zjarrfikëse. Vetëm gjatë viteve 2015-2019, 25 bashki në të gjithë vendin kanë blerë automjete zjarrfikëse të vjetra.

Çfarë humbëm prej zjarreve vitin që lamë pas?

Por përpos qindra hektarëve të dëmtuar, zjarret po rrezikojnë edhe banesa që vendosen nën pushtetin e flakëve ose për shkak të shkëndijave elektrike apo të incidenteve të tjera me zjarrin. Zyrtarisht pranohet se vetëm për dhjetë muajt e parë të 2021 u rregjistruan 165 zjarre në ndërtesa më së shumti banesa.  Qyteti më i prekur konsiderohet Korça me 32 zjarre, ndjekur Fieri me 30 zjarre. Ndërkohë në pyje u shkrumbuan  7297 hektarë shkurre, 18957 rrënjë ullinj, si dhe 17 hektarë tokë. Në total, nga zjarret në Shqipëri në vitin që lamë pas, janë shkrumbuar nga flakët 9096 hektarë tokë me një dëm ekonomik të pallogaritshëm.