[authorInfo]

Përmbytjet në Shkodër, banorët janë dëmshpërblyer vetëm njëherë

 Mjaftoi vetëm një ditë rreshje shiu që bashkia e Shkodrës të kthehej tek problemet e pazgjidhura që sjellin përmbytjet. Të evakuarit e përkohshëm lanë banesat e tyre. Në 20 nëntor, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për rastet ku u ndërpre energjia, mbasi duheshin shmangur incidentet. Por kërkoi angazhim maksimal për hidrovorët. Si paraardhësit e tij edhe Niko Peleshi fajësoi shiun.  “Këtu jemi në hyrje të Shkodrës, tek Harku i Bërdicës. Ka patur reshje me intensitet shumë të lartë gjatë ditës së djeshme; kanë qenë të befta dhe kjo ka sjelle fryrjen e përrenjëve dhe të basenit të Vaut të Dejës. Gjatë natës ka patur disa problematika edhe për furnizimin me energji elektrike. Këtu kemi dhe drejtorin e OSHEE, i cili më siguron që po vendosen në kontroll të gjitha zonat dhe deri nga pasditja kur të ulet dhe intensiteti i reshjeve të kemi furnizim të plotë me energji elektrike. Duhet të na mirëkuptojnë qytetarët, sepse në disa zona ndërprerja e furnizimit bëhet për arsye sigurie, pra, nuk është se mungon energjia, por për arsye sigurie, edhe për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm, ndërpritet energjia sa të qetësohet situata”, deklaroi Niko Peleshi. Ditë pas dite u raportua se si sipërfaqet e hektarëve nën ujë po reduktoheshin, por “skenari” i ndodhur edhe këtë sezon është i stërjetuar për banorët që sapo nisin rreshjet, ata evakuohen për tu strehuar në hotele apo konvikte. Gjithçka vazhdon nën tekat e kohës dhe prurjeve të lumenjve që prej dekadash vërshojnë brenda qindra shtëpive në të gjithë zonën e Obotit, i cili edhe për këtë vit së bashku me fshatrat Shirq, Mushan dhe Dajç patën të njëjtin rrezik për banorët.

U bllokuam!

Përmbytja erdhi befas, se di, as na lajmëroi njeri asnjë. Për 10 orë u bllokua rruga, e u izolua fshati për 5 ditë. 1000 hektarë të paktën kanë qenë nën ujë”, kështu rrëfen për “Sinjalizo”, administratori i njësisë Ana e Malit në Shkodër, Arben Ceni. Banori shton se i shpëtoi fati, meqënëse liqeni ishte në nivel të ulët. “Shkarkime ishin shumë të mëdha, imagjinoje vet, ka ra ura e Baçallëkut”, shpjegon me detaje Ceni, i cili numëron çdo dëm, më të prekurat serat.

Tokat nën ujë gjatë përmbytjes në Shkodër

Por sipas administratorit, kanalet kulluese ishin të hapura dhe kjo shpjegon sipas tij punën për të minimizuar dëmet. Megjithatë kanalet nuk zgjidhën asnjë punë.

Kujt ia priste mendja se hidrocentralet ishin plot. Ne mendonim se ishin bosh dhe luteshim të binte shi që të mbusheshin, por na u kthy në boomerang”, shton ai.

Ndërkohë Fatmir Fishku, një fermer i cili banesën e tij e ka pranë një përroi që ndan kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, është mes dhjetëra banorëve që iu dëmtua prona. Ky përrua, thonë banorët ka sjellë jo vetëm prurje që i kanë përmbytur, por edhe një marrëveshje mes dy vendeve, që nuk u zbatua ndonjëherë.

“Kemi pranë banesës një përrua, por është një përrua i pahapur. Kjo është një problematikë e ngritur me kohë, është ngritur edhe nga administrata e dikurshme e komunës, edhe nga bashkia. Por nuk është realizuar një ndërhyrje”, tregon ai duke shtuar, se ai përrua shkakton përmbytje në sipërfaqe të konsiderueshme që janë të mbjellura me jonxhë, shegë, ullinj e frutikulturë. Banorit Fishku i mori uji kosheret e bletëve.

Për përroin e kufirit ka mbi 7-8 vjet që e kërkojmë dhe me sa jam unë në dijeni, fondin për të e ka këshilli i qarkut me prefekturën”, thotë Ceni. Marrëveshja me fqinjët sipas banorit ishte që malazezët të prisnin bimësinë, kurse shqiptarët të hapnin kanalet kulluese.

Pëllumb Dani, shefi i emergjencave civile në Shkodër pranon egzistencën e një marrëveshjeje të tillë. “Me sa di unë nga këshilli i qarkut është bërë një projekt i tillë. Ka vite që është bërë. I është dërguar institucioneve qëndrore dhe presim që të zbatohet”.

Plani për emergjencat ishte gati, nuk u zbatua

Karakteristikë e këtyre rreshjeve ka qenë kryesisht vërshimi i përrenjve malorë”, thotë për “Sinjalizo” Pellumb Dani, kreu i Emergjencave Civlie në Prefekturën e Shkodrës. Ai shton se probleme nga reshjet ka patur në bashkinë e Vaut të Dejës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Ndërkohë për pjesën e poshtme të Shkodrës, zoti Dani thotë se përmbytja e këtij viti ka qenë jo në përmasat e viteve të tjera, ku uji përfshiu një sipërfaqe jo më të madhe se 2500 hektarë. Ndërkohë për pjesën e kanaleve qoftë ato të para, të dyta e të treta ato vijojnë e mbeten prezente.

Edhe në reshjet e shtatorit patëm probleme përmbytjesh në qendër të qytetit të Shkodrës për shkak të mos funskionimit të kolektorëve dhe mos marrjes së masave nga ana e bashkisë për pastrimin e pusetave dhe kolektorëve kryesorë, e cila u përsërit edhe gjatë kësaj përmbytjeje”, thotë ai, duke shtuar se angazhimi për pastrimin e kanaleve nën përgjegjësi të bashkive si dhe në përgjegjësi të Drejtorisë së Ujitjes e Kullimit vende-vende kanë lënë për të dëshiruar.

Për ti paraprirë situatës emergjente, prefekti sipas ligjit duhet të mbledhë komisionin çdo fillim sezoni për të analizuar situatat e pritshme të emergjenteve.  “Ne në fund të tetorit kemi mbledhur komisionin dhe në fokus të takimit kanë qenë kryesisht masat për menaxhimin e emergjencave sezonale që do të thotë përmbytjet dhe rreshjet e borës”, thotë Dani duke shtuar se kanë marrë pjesë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve anëtare dhe është punuar edhe plani i gadishmërisë për përmbytjet dhe emergjencat dimërore dhe njëkohësisht ka dalë edhe një urdhër i prefektit që i detyron të gjitha strukturat për menaxhimin e situatave të pritshme.

Ky urdhër dhe ky plan do të thotë që prefektura i fut në alert të gjitha institucionet qoftë të nivelit lokal qoftë atij qëndror për të pritur situatat emergjente”, përfundon ai.

Pyetjes nëse masat janë marrë nga ana e institucioneve përkatëse për të shmangur situatën emergjente të përmbytjes ai i përgjigjet se: “Për hir të së vërtetës nuk u morën ashtu si duhet, çaluan në aktivizimin e planeve të gadishmërisë, aktivizimin e resurseve që ka çdo njësi”,thotë ai.

Jo vetëm Shkodra, por gjithë Shqipëria në rrezik nga digat e kanalizimet e munguara

Sipas Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Rriskut nga Fatkeqësitë, gjendja e digave, argjinaturave lumore dhe detare janë të amortizuara. Sipas këtij dokumenti i cili u publikua më gusht të 2022, nga 626 diga të cilat janë aktualisht në vendin tonë, 410 prej tyre, ose e thënë ndryshe 65% shfaqin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente. Gjithashtu në këtë dokument thuhet se drenazhimi i ujërave është përkeqësuar për shkak të përmbytjeve të kanaleve kulluese dhe uljes së kapacitetit kullues të hidrovoreve.

Situata pritet të përkeqësohet më tej për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat janë pasqyruara në fenomene ekstreme të motit”, thuhet në dokumentin e Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë.

Sipas strategjisë, duhet të bëhet një vlerësim i mbrojtjes shtesë nga përmbytjet, e nevojshme në zonat me risk të mesëm dhe të lartë dhe duhet të organizohet ndërtimi i kapaciteteve të personelit në strukturat përgjegjëse për ujitjen dhe kullimin.

Masat e tjera kyçe përfshijnë hartimin e kurrikulave shkollore për riskun nga përmbytjet, bashkëpunimin me vendet fqinje në lidhje me përmbytjet, rritjen e numrit të ekspertëve të fushës në administratën lokale, programet për trajtimin e pasojave të fatkeqësive nga përmbytjet për të minimizuar risqet dhe kostot përkatëse të rimëkëmbjes, shqyrtimi rast pas rasti i legjislacionit për çdo leje ndërtimi dhe një bazë të dhënash për të gjitha të dhënat e lidhura me riskun nga përmbytjet”,thuhet ndër të tjera në dokument.

Nga ana tjetër, në të njëjtin dokument thuhet se nga 850 kilometra argjinaturë lumore dhe detare, rreth 300 kilometra kanë nevojë për riparime, rehabilitime, rindërtime apo ridimensionime për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në dekadat e fundit. “Ekziston gjithashtu nevoja për modernizim dhe rehabilitim të stacioneve të motit, mirëmbajtjeve të rregullt të pajisjeve, lidhjet të besueshme në internet, staf të ri të kualifikuar si dhe hidrologë dhe meteorologë dhe dixhitalizim të të dhënave me qëllim përmirësimin e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm të Shqipërisë”, shkruhet ne strategjinë e publikuar pas disa vitesh mungesë.

Dëmshpërblimet, diçka që askush si merr

Dëmshpërblimet për dëmet, janë diçka që banorët shpresojnë për ti marrë, por duke parë eksperiencën e viteve të mëparshme, shpresat janë të pakta.

Për dëmshpërblimet, ka qenë e deleguar znj.Spiropali, bashkë me Haki Çakon, me ministrin Peleshi. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca  ska ardhur, thanë që ka ardh diku, ka dhënë një intervistë, po në vendngjarje ska shkuar. Dëmshpërblimet ne duam tja kërkojmë asaj”, dëshmon për “Sinjalizo”, Arben Ceni, duke mos harruar të shtojë se për herë të fundit kanë marrë dëmshpërblim në 2010.

Sipas Rregjistrit kombëtar të ICOLD, Shqipëria është në 20 vendet me numrin më të madh të digave të mëdha në botë dhe renditet në vendin e parë në Europë për numër të digave të mëdha për 1000 km2 si dhe për numër të digave të mëdha për 1 milion banorë.

Ndërkohë në një raport të viti 2020 përveç problematikave të theksuara më sipër, vihet në dukje edhe fakti se “mbi 95% e digave të ujitjes që shfrytëzohen nga MBZHR dhe Bashkitë, nuk kanë sisteme monitorimi në diga dhe nuk kanë instaluar sisteme alarmi. Ato nuk kanë të përgatitur asnjë hartë përmbytjeje sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, me kushtet aktuale të zonës poshtë digave”.

Sipas të njëjtit dokument, në vendin tonë aktualisht janë 343 diga të mëdha që përdoren për ujitje dhe për atraksione urbane nga të cilat 8 prej tyre shfrytëzohen nga MBZHR dhe 335 nga pushteti lokal, të cilit i kanë kaluar me VKM në vitin 2015. Në vitin 2009, me financim të Bankës Botërore është kryer një studim për gjendjen e 195 digave të mëdha, që përdoren për ujitje, ku është kryer rehabilitimi i 15 prej tyre, por në asnjë rast nuk janë instaluar sisteme të monitorimit të digave apo sistemet e alarmit të tyre.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/