Premtuan se do ta rivitalizojnë kalanë si “Pazari i Korçës”, por aty konsumohet drogë

“Kam parë një grup të rinjsh që qëndrojnë për të pirë drogë” shkruan për Sinjalizo, një qytetar i cili jo vetëm identifikohet , por gjithashtu prezantohet si banor fare pranë kalasë së qytetit . Banori i lagjes “Kala” detajon sjelljen e të rinjve që sipas tij, pijnë kryesisht hashash dhe era e drogës ndihet sapo afrohesh.

Por dëshmitari i Elbasanit nuk është i vetmi dhe as i pari që e ngre këtë shqetësim për Sinjalizo. Pak muaj më parë, në  3 shkurt të këtij viti kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, identifikoi zyrtarisht banesat e braktisura të kalasë së  Elbasanit si zonën ku konsumohej dhe shitej drogë. Dëshmitari i Sinjalizo veçon se problemet për qytetarët janë të lidhura me njëra-tjetrën .

“Gjatë natës kur ndriçimi nuk është i fortë,kurse rrugicat janë të ngushta, kemi frikë të ecim aty pranë” përshkruan qytetari nën kushtin e anonimitetit.

Gjatë fjalës së tij në Këshillin Vendor për Sigurinë Publike Llatja tregoi, se përdoruesit e lëndëve narkotike ishin larguar nga porta e kalasë, destinacion kryesor për turistët, por ishin spostuar në pikat e tjera  të të njëjtit objekt.

Porta e Kalasë

Në përgjigjen zyrtare me shkrim, Bashkia Elbasan pranon se është duke bashkëpunuar me Policinë dhe Prokurorinë e rrethit për adresimin e rasteve të tilla.

“Llogaridhënia në KVSP (Këshilli Vendor për Sigurinë Publike) na bën mirë për të ndihmuar njëri-tjetrin që të fokusohemi te realiteti dhe të zgjidhim problematikat”,- thuhet në përgjigjen zyrtare për Sinjalizo. Të pyetur nga Sinjalizo , zyrtarët e policisë së këtij qyteti nuk e mohojnë se në lagjen brenda kalasë realizohen kontrolle të vazhdueshme për konsumatorët dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike.

Drejtori i Policisë Elbasan, Ardian Çipa, deklaroi se janë realizuar disa operacione.

“Janë arrestuar dy persona që shpërndanin lëndën narkotike heroinë dhe dy të tjerë, shpërndarës së cannabis sativës ”,- thotë Çipa për këtë çështje.

 Por nga investigimi i Sinjalizo u bë e qartë se  në hartën e hotspoteve të drogës përfshihet gjithashtu edhe ish-shkolla private “Ahmet Dakli” në rrugën “Egnatia”, e mbyllur prej disa vitesh.

Kalaja e argjendarëve sot ka “ekonomi të paralizuar”

 “Hem Irfan hem Burhan/ Jan mbledh te gjithe ke ti/Ti vetëm na ban derman/Te kemi njofte qy n’ezeli”, këndonte në shekullin e kaluar Isuf Myzyri, këngëtari elbasanas që e himnizoi kalanë e qytetit të tij si simbol të lashtësisë, mikpritjes dhe dashurisë.

E ndërtuar në reliev fushor, kalaja e Skampinit (emri i vjetër i qytetit të Elbasanit) cilësohet si kështjella fushore me sipërfaqen më të madhe në vend, e cila vazhdon të jetë e populluar nga afro 2077 banorë.  Ndër shekuj, e njohur si “Kështjella e Nuses së Rumelisë”, brenda mureve të saj ushtronin aktivitetin tregtar me dhjetra argjendarë, opingapunues, kazakë dhe tabakë.

“Në fundin e shek. XIX dhe fillimit të shek. XX në Elbasan gjendeshin 9 esnafe, 14 esnafe të ekmekçinjve (bukëpjekës), 12 esnafe të dyfefekçinjve (prodhues të armëve), 48 argjendarë dhe një pjesë e mirë e tyre ndodheshin dhe brenda kalasë”,- bën të ditur studiuesja dhe pedagogia e historisë në Universitetin e Elbasanit, Zhuljeta Kadilli.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Tatimeve Elbasan, brenda kalasë figurojnë të regjistruar 64 sipërmarrje, por sipas vëzhgimeve të bëra në terren nga “Sinjalizo”, rezulton se një pjesë e madhe e tyre janë të mbylluara. Aktualisht brenda mureve të kalasë ushtrojnë veprimtarinë e tyre 23 subjekte, 10 prej të cilave janë kafene. Shifrat në terren nuk përputhen me statistikat e institucionit.

Monda Z. e cila punon si rrobaqepëse brenda kalasë së Elbasanit shprehet  për “Sinjalizo” se nuk ndihet aspak e sigurtë që ushtron profesionin në biznesin brenda kalasë.

“Nuk ndihem aspak e privilegjuar,sepse nuk ka kërkesa. Nuk ka punë”,-thotë gruaja e cila shton se  vizitat e turistëve nuk sjellin rritje të të ardhurave,  pasi ata janë të përkohshëm.

“Vijnë ndonjëherë dhe shohin rrugën “Egnatia” dhe ndërtesat, por nuk bëjnë blerje”,-shprehet Monda.

Një tjetër qytetar, i cili preferoi të qëndrojë anonim, u shpreh se një nga vështirësitë e të qenurit banor i kalasë është mungesa e shitoreve ushqimore.

“Nuk ka dyqane këtu. Duhet të dalësh se s’bën në rrugën kryesore, sepse nuk ke ku të bësh tjetër shpenzimet”,-tregon ai.

Rruga “Egnatia”, simboli i kalasë që nuk u kthye në identitet

Zhvillimet historike dhe ekonomike të kalasë së qytetit lidhen ngushtë me ndërtimin e Via “Egnatia”-s në shekullin e dytë para erës sonë. Rëndësia historike dhe kulturore e kësaj rruge ka bërë që prej vitesh të përfshihet në projekte investimi.

Në vitin 2014 rruga u përfshi në investimin prej 500 milionë lekësh të vjetra, financuar nga Komisioni Europian. Synimi i këtij investimi ishte rehabilitimi i rrugicës që bashkon Kishën “Shën Maria” me xhaminë “Mbret”, të dyja objekte të ndërtuara në shekullin e 15-të që sot janë simbole të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në popullsinë vendase.

Ndonëse ky projekt do të ndiqej pas tre viteve, pra në 2017-n, nga një investim tjetër me synim kthimin në identitet të rrugës, punimet nuk u zbatuan. Projekti prej 28 milionë lekësh të vjetra synonte investimin në 5 rrugicat kryesore të kalasë, mes tyre dhe rruga ” Xhafer Kongoli”, “Bardhyl Popa” dhe “Saveta Mishta”, që realizojnë lidhjen e banesave me monumentet fetare dhe shkollën “Zëra Jete”.

Rruga Saveta Mishta

“Kjo rruga që u bë tani është ta prishësh nga e para, është shumë punim i keq”,- thotë për “Sinjalizo” Gani Xhaferri, banor i kalasë së Elbasanit.

Gani Xhaferri

“Është më e mirë ajo rrugica ku kam unë shtëpinë dhe që nuk u prek fare me dorë, se sa “Bardhyl Popa”. Këtu rrëzohesh nga gurët” ankohet banori.

Besim dhe histori

At Nikolla është një nga pasardhësit e familjes së mirënjohur elbasanase, asaj Xhufka. Ai ka vendosur të ruajë traditën e familjes duke shërbyer si prift brenda lagjes “Kala”, njësoj si dikur gjyshi i tij. I lindur dhe rritur në shtëpitë tradicionale brenda kalasë, ai është kthyer në dëshmitar të ndryshimeve të kryera gjatë viteve të fundit.

Për “Sinjalizo” ai shpjegon  se ndërhyrjet e bëra më 2017 nuk ishin të duhurat për banorët mbasi ata tashmë e kanë më të vështirë lëvizjen në rrugën me kalldrëm.

Gropa në rrugën “Xhafer Kongoli (përballë monumentit kuturor:Kisha katakomb ortodokse shqiptare)

“U hoqën të gjithë gurët e vjetër dhe u vendosën këta. Problemi qëndron se gurët lëvizin dhe ne, banorët, jemi të detyruar të marrin llaç e t’i ngjisim vetë”,- tregon ai për “Sinjalizo”, duke shtuar se pas 4 vitesh “rikthim në identitet” të rrugëve me kalldrëm, tashmë janë krijuar disa gropa.

“Rruga është ngritur shumë, është bërë më e pjerrët, por nuk mungojnë tani as gropat. Ja, si ajo aty”,- tregon ai me dorë shumë pranë kishës ku mblidhen besimtarët ortodoksë gjatë mbajtjes së meshës brenda kalasë.

Prifti

Por rikthimi në identitet i kalasë është një premtim i përsëritur ndër vite, jo vetëm nga pushteti local, por edhe nga kryeministri Edi Rama.

Në vitin 2017 gjatë prezantimit të kanditatëve të PS-së Rama deklaroi se Kalaja e qytetit do të kthehej “në një fabrikë të re të zhvillimit ekonomik.”

“Ka shumë adresa dhe shumë destinacione brenda Kalasë, e cila mund e do të kthehet në një fabrikë të re të zhvillimit ekonomik që do të ndikojë drejtpërdrejtë jetën e banorëve të saj, të pronarëve të shtëpive, por edhe drejtpërdrejtë ekonominë këtu dhe të vendit, në tërësi. Jam i bindur për këtë”,- tha në vitin 2017 kryeministri, ndërkohë sot, 5 vite më pas, kalaja e Elbasanit ende nuk është kthyer në destinacion të qëndrueshëm për turistët, të cilët janë të përkohshëm, ndërkohë që ende nuk janë restauruar shtëpitë e e vjetra elbasanase, siç është ajo e Dhaskal Todrit apo Kostandin Kristoforidhit.

Në vitin 2021 në festën e Ditës së Verës, festën simbol të qytetit, kryeministri Rama rideklaroi se kalaja e Elbasanit do të ketë të njëjtin fat si “Pazari i Ri” në Korçë, por një vit më pas ende nuk ka nisur rivitalizimi i kalasë dhe monumenteve historike brenda saj.

“Rruga e kthyer në identitet”-Rrugicë kryesore hyrëse në kala

Në përgjigjen me shkrim Bashkia Elbasan ka bërë të ditur se Ministria e Kulturës ka hapur dy muaj më parë thirrjen për “Bonusin e Rijetësimit”, në kuadër të së cilit pronarët dhe përdoruesit e ligjshëm të pasurive të paluajtshme që janë pjesë përbërëse e ansambleve historike urbane, qendrave historike, zonave arkeologjike ose kanë status pasuri kulturore si objekte të veçanta jashtë këtyre zonave, kanë të drejtë të aplikojnë për të përfituar fonde deri në 10 milionë për restaurimet, ndërhyrjet e nevojshme për të kthyer kalanë në atraksion turistik.

Sipas përgjigjes zyrtare të bashkisë, ky institucion po bashkëpunon me Drejtorinë Vendore Elbasan e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të pajisur me dokumenta pronësie banorët e kalasë për të patur mundësi aplikimi në këtë program buxhetor, ndonëse sipas të dhënave thirrja është mbyllur më 6 qershor të këtij viti.

Por sa para investohen për mirëmbajtjen e kalasë?

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, bën me dije për Sinjalizo se për mirëmbajtjen e kalasë së Elbasanit gjatë periudhës 2021-2022 është shpenzuar 30% e buxhetit të përgjithshëm. Ndryshe, 12 milionë  të vjetra në vit.

Në shërbimin e mirëmbajtjes përfshihet pastrimi, për të cilin ky institucion bashkëpunon me Bashkinë Elbasan për pastrimin në mënyrë periodike gjatë vitit.

Për historianen Rudina Mita, rivitalizimi i kalasë është i rëndësishëm pasi tregon zhvillimin, si dhe është tregues i asaj çka paraardhësit u lanë trashëgimi elbasanasve me fanatizëm.

“Ringjallja është pjesë e vazhdimësisë etno-kulturore, historike dhe shpirtërore e banorëve të qytetit dhe trevës së Elbasanit”,- ka përfunduar ajo duke theksuar se kalaja është pjesë e vlerave tradicionale dhe të identitetit të banorëve.