Rruga e Arbërit, sfida e tre kryeministrave shqiptarë

 

Me një gjatësi rreth 75 kilometra dhe e lakuar si rruga e Arbërit  në dokumentin strategjik të 2008, ky aks pritet të lidhë metropolin shqiptar me Dibrën  përmes  luginave malore të Shpalit për të vijuar në Gur të Bardhë e Xibër, tunelin e Qafës së Buallit, Zerqan e Gjoricë.

Përmendur gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Fatos Nano në Këshillin Kombëtar të Rrugëve, atëherë u premtua se ky aks do të ishte një nga kapilarët më premtues që do të shkurtonte jo vetëm kohë por do të lehtësonte edhe aksesin. E gjitha kjo u përkthye vite më vonë gjatë qeverisjes Berisha si një nga prioritetet e Strategjisë së Transportit, e miratuar madje me vendim të Këshillit të Ministrave.

Qeverisja Rama dhe rruga e Arbërit

U desh një dekadë mbas strategjisë, ku u parashikua edhe afati për studim të terrenit që mesditën e 17 qeshorit 2018 të shënohej nisja e punimeve për rrugën e Arbërit. Tre vite mbas këtij momenti, më 29 nëntor 2021, rruga u përurua me një ceremoni të posacme që njoftoi hapjen “provizore” nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës. Në fakt, ministrja Belinda Balluku hodhi alternativën tjetër, atë të përballimit dhe hasjes me një problem gjeologjik në tunelin e Murrizit.

Siç jeni në dijeni problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizit – tuneli më i gjatë dhe më kompleks i kësaj vepre me 3.8 kilometra, një tunel ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore të cilat e shkrijnë këtë argjil” – njoftoi ministrja. Zyrtarja e qeverisë Rama, parashikoi se përfundimi i rrugës do të ndodhte më prill të 2022. Megjithatë, as në afatin e njoftuar nuk ndodhi mbyllja e punimeve sipas projektit.

Projektet koncensionare

Rruga e Arbrit është aksi i parë që qeveria zbatoi për projektet koncesionare të ndërtimit në infrastrukturën rrugore, duke përdorur formën e partneritetit publik-privat, ku propozohej që vlera e investimit të kryhej nga kompania, ndërsa shteti do të niste vitin e dytë pas realizimit të 25% të volumit të punimeve pagesën e kësteve për 13 vjet, duke paguar një interes në vlerën e 40 milionë eurove. Sipas Ina Media Investimet e kompanisë “Gjoka Konstruksion” bashkë me problemet në tunelin e Murrizit për këtë segment janë 235 milionë euro, ndërsa shteti do të paguajë në fund 348 milionë euro.

Përgjatë aksit  që e vëzhgoi “Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore” dhe ku ilustrohet me fotogaleri  rruga e Arbërit, duket qartë që rruga është e hapur për qarkullimin e qytetarëve edhe pse rruga vijon të jetë një kantier ndërtimi. Ndërkohe ekspertët vlerësojnë jo zyrtarisht se ky aks rrugor me një rëndësi të madhe për zonat e banuara ku kalon kjo rrugë, do të përfundojë në gusht të 2022, edhe ky afat duket se është i parealizueshëm duke parë masën e punimeve që duhet të përfundojnë.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me një kërkesë për informacion me qëllim vendosjen në dispozicion të projektit dhe preventivin për rrugën e Arbërit, por në përgjigjen zyrtare, ky institucion është shprehur se në kontratën e Koncensionit/ PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbërit”, konkretisht në nenin  “Mbrojtja e të Dhënave” citohet se:

“Nëse të dhënat personale, përpunohen në bazë të Ligjit nr.9887, datë 10 tetor 2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, gjatë zbatimit të kësaj Kontrate, Koncesionari plotëson secilën dhe të gjitha dispozitat që rrjedhin nga ky ligj dhe nëse kërkohet pëlqimi i subjektit të të dhënave, një pëlqim i tillë do të merret me qëllim që të dhënat personale të mund t’i jepen Autoritetit Kontraktor. Shkelja e ligjit në lidhje me menaxhimin e të dhënave personale nga Koncesionari, do të konsiderohet shkelje e kësaj Kontrate dhe Koncesionari do të jetë përgjegjës vetëm në lidhje me shkeljen e ligjit. Autoriteti Kontraktor nuk do të japë një palë të tretë (përjashto entet publike), asnjë prej të dhënave konfidenciale pjesë e ofertës së koncesionarit, pa miratimin e koncesionarit.”

Në këto kushte, NJZP me e-mailin e datës 2.11.2021 iu drejtua shoqërisë  “Gjoka 87” sh.a, për miratim mbi vënien në dispozicion të projektit dhe preventivit për rrugën e Arbrit, pjesë e ofertës së koncesionarit”, përfundon përgjigje dukke shtuar se koncensionari ka kërkuar respektimin e nenit 50.1 për ruajtjen e konfidencialitetit dhe mos dhënien e informacionit duke qenë se kërkuesi i këtij informacioni nuk ishte përfaqësues i ndonjë enti publik.