Shqiptarët ndër më të varfërit në Europë me karburantin më të shtrenjtë, 60 litra karburantë sa çereku i të ardhurave neto

Shqiptarët shpenzojnë pothuajse çerekun e të ardhurave vetëm për të blerë karburant. Ky konstatim del nga llogaritë e studiuesve të huaj që e rendisin vendin tonë të parin për koston dhe shpenzimet për karburant, gjithmonë krahasuar me pagat. Dhe konkretisht sipas Dataisbeutifule, 26.59% të të ardhurave neto, janë të nevojshme për një shqiptar për të mbushur një serbator prej 60 litrash me karburant. Shifra e publikuar nga Dataisbeutifule bazohet në të dhëna e faqes numbeo.com, që e vendos Shqipërinë në vend të parë për koston e karburantit në bazë të të ardhurave të qytetarëve në të gjithë botën. Në vend të dytë renditet Pakistani me 24.80% i cili ndiqej nga Filipine dhe Gana ku respektivisht kostoja e qytetarëve për 60 litra karburant ishte 24.73% dhe 20.69% e të ardhurave neto të tyre.(Nga të dhënat e raportuara)

Arsyeja se pse çmimi i karburantit është kaq i lartë në Shqipëri, duke e renditur vendin në listën e vendeve me çmimin më të shtrenjtë në botë, është për shkak të një barre taksash shumë të madhe. Aktualisht mbi një litër naftë që tregëtohet në vendin tonë, e cila çmimin e ka 217 lekë, qeveria merr në formë taksash rreth 60% të çmimit përfundimtar. Mbi naftën në Shqipëri rëndon akciza prej 38.22 lekë për litër, TVSH-ja që është 20% e çmimit final të naftës, 27 lekë për taksën e qarkullimit dhe 3 lekë për litër për taksën e karbonit. Ndërsa dy taksa të tjera, ajo e markimit 0.6 lekë për litër dhe ajo e skanimit 1.4 lekë për litër, i shkojnë konçesionarit. Por në çmimin e naftës përfshihen edhe 26 taksa të tjera të pushtetit lokal, të cilat e ngarkojnë ende edhe më shumë barrën e taksave të vendosura mbi hidrokarburet.

Rritja e çmimeve të karburantit në Shqipëri

Në rajon, Shqipëria është rast unik në mënyrën e taksimit të karburanteve. Dy taksa që e diferencojnë nga gjithë pjesa tjetër e rajonit vendin tonë, janë taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit, por së fundmi edhe tvsh që merret për karburantet e cila vijonë të qëndrojë e paprekur, ndryshe nga vendet fqinje.

Jetë të ndryshuara nga kërcitja e çmimeve

Makina e 25 vjeçarit B.Sh, prej më shumë se dy javësh qëndron e parkuar poshtë shtëpisë së tij. Por ajo nuk është makina e vetme që prej më shumë se 10 ditësh nuk ka ndërruar vend parkimi.

Nuk më del më të lëviz me makinë. Edhe më para vështirë ishte por duke qenë se punën e kam në ”Astir” dhe vet jetoj në “Qytet Studenti” e kisha të nevojshme sepse e mbaroj punën vonë”, tregon 25-vjeçari, i cili biçikletën e tij të vjetër e ka shndërruar në mjetin e preferuar të transportit, ku pas turnit prej 8 orësh, i duhet të pedalojë për më shumë se 20 minuta drejt banesës së tij.

Trendi i rënies së përdorimit të makinave është qartësisht i dukshëm në kryeqytet. Orët e zgjatura të qëndrimit në trafik, janë shndërruar në minuta, ndërsa me numrin e qytetarëve duke nxituar në rrugët e qytetit ka ndodhur e kundërta. Rënia e numrit të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet, është vënë re edhe nga ekspertët rrugorë. I pyetur për këtë çështje, eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha thotë se ka një rënie të dukshme, çka lidhet edhe me rritjen e çmimit të karburantit.

Shqipëria rast unik

Në rajon, Shqipëria është rast unik në mënyrën e taksimit të karburanteve. Dy taksa që e diferencojnë nga gjithë pjesa tjetër e rajonit vendin tonë, janë taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit, por edhe tvsh që merret për karburantet.

Maqedonia e Veriut, ka akcizë prej 28 lekësh për litër ndërsa TVSH vetëm 18%. Ndërkohë Mali i Zi 53.6 lekë/litër i ka akcizë, ndërsa TVSH është në nivelet 21%. Nga ana tjetër, Kosova ka një akcizë mbi hidrokarburet prej 43 lekë/litër dhe një TVSH prej 18%. Ndërsa Serbia, për akzicën merr 59 lekë për litër dhe takson vetëm 20%. E kur çmimi i naftës është i lartë para krize për shkak të një barre të madhe taksash, në kohë krize, impakti i tij në ekonominë e çdo qytetari bëhet edhe më i dukshëm.

Rritja e çmimit të naftës në këto parametra sjell rritjen zinxhirë të të gjitha çmimeve. Pasi nëse produktet nuk prodhohen duke përdorur energji nga nafta, transportohen dhe shpërndahen te qytetarët përmes naftës. Kjo çon në rritje automatikisht”, shprehet Adriatik Lapaj, i cili në protestat kundër rritjes së çmimit të naftës dhe pro ndërhyrjes së qeverisë për të ulur çmimin ka qenë një zë i fuqishëm.

Franca është rasti tipik, Maqedonia ka ndërhyrë, Kosova ka bërë ndërhyrje, Greqia ka bërë një paketë. Shtetet këtë punë bëjnë”, thotë ai, duke shtuar se Shqipëria i ka mundësitë më të mëdha për ta bërë një ndërhyrje të ngjashme. “Jemi i vetmi vend në Europë dhe ndoshta nga të paktët në botë që e taksojmë karburanit me 130 lekë sot që flasim. Pra më shumë merr shteti sot se sa ne paguajmë për karburantin. Jemi duke fol për miliona litra në ditë”, thotë Lapaj.

Protestat për rritjen e çmimeve

E ndërsa vendi u përfshi në çdo rreth nga protestat në të cilat kërkohej ndërhyrje e qeverisë për të ulur çmimin e naftës, kryeministri Edi Rama do të deklaronte se: “Taksat e naftës nuk do të hiqen, dhe këtë nuk ka protestë me drita iPhone dhe bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën. Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet. Ky është thelbi i moralit dhe arsyes së kësaj zgjedhje”. Nga ana tjetër, qeveria e Shkupit ka bërë një ndërhyrje të menjëherëshme për të shmangur rritjen e çmimeve jo vetëm të karburanteve por edhe të ushqimeve të shportës, nëpërmjet një pakete të quajtur “Pakoja e masave për mbrojtjen e qytetarëve dhe kompanive nga kriza energjetike”. Këto masa nisin që tek subvencionimi i shtresave në nevojë dhe bizneseve, ndërhyrja e disa taksave për mallrat ushqimore, e deri tek ulja e taksave për karburantet. Pikërisht në këtë sektor, qeveria e vendit fqinj vendosi të ulë normën e TVSH-së prej 18% në 10% për naftën, benzinën pa plumb dhe gazin e lëngshëm. Sipas argumentit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo masë do të mbronte fuqinë blerëse të qytetarëve. Ndërsa në Kosovën fqinje, çmimi i karburantit me pakicë vijon të jetë më i lirë se në të gjithë rajonin.

Protesta në Shkodër

A ka mundësi qeveria të ndërhyjë?

Ndërhyrja në taksat e vendosura mbi naftë nga ana e qeverisë, është diçka për të cilën kryeministri është shprehur kundër, ekspertët shprehen së është diçka e mundshme.

Mua nuk më shqetësojnë, jo aq, por dhe 300 fish, taksat mbi karburantet sa të jem unë nuk hiqen nuk ulen nuk lëvizin. Mua më alarmon diçka tjetër, cënimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb si popull, si shtet, si vend, si shoqëri, si shqiptarë nga ky reagim”, u shpreh kreu i qeverisë në një moment që protestat për uljen e çmimit të naftës vijonin në të gjithë vendin.

Por ekspertët e ekonomisë, shprehen se një ndërhyrje e qeverisë për të ulur çmimin e naftës është e mundur. Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço thotë se aktualisht qeveria është duke përfituar nga taksat e vendosura mbi naftën edhe pse jemi në një kohë krize dhe një lehtësim për çmimin final me të cilin e blejnë qytetarët mund të ishte edhe lehtësimi i TVSH.

TVSH llogaritet në bazë të çmimit final, dhe në momentin çmimi final i karburantit ka kaluar nga 170 lekë në 180 lekë mesatarisht që ishte në 2021 që janë bërë parashikimet për buxhetin e ardhshëm dhe kaluan në 230, 203 pra mbi 200 lekë, do të thotë që qeveria po rrit të ardhurat falë rritjes së çmimit, është ajo që quhet inflaction tax. Qeveria mund të thoshte që TVSH nuk do të llogaritet me çmimin final që është aktualisht por me çmimin që ka bërë parashikimet në 2021. Që në këtë moment kur nafta shkoi 250-260 ti mund të zbrizje me 12 lekë. Pra këtë gjë mund ta bëjë qeveria”, thotë ai, duke shtuar se nafta në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë indirekte prek të gjithë ekonominë, ku një ndryshim i çmimit të saj, reflekton në të gjithë ekonominë.

Aktualisht çmimi i naftës sot në bursë është shumë më i ulët se në fillimin e luftës ose kur filloi rritja e çmimeve te ne, tani si ka mundësi që qeveria vendos se nafta sot duhet të jetë 203 lekë? Ku e përdor llogjikën?”, përfundon ai.

Arrestime dhe procedime për bllokim të qarkullimit

Tiranë, Durrës, Dibër, Korçë e në shumë qytete të tjera protesta e nisur në rrjetet sociale u përhap me shpejtësi duke grumbulluar qytetarë të shumtë në pothuajse gjithë vendin. E nga ana tjetër, nuk munguan as arrestimet dhe proçedimet e qytetarëve. Një burim zyrtar pranë Policisë së Shtetit i tha “Sinjalizo” se janë rreth 50 të arrestuar dhe 100 të proceduar në të gjithë vendin për “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe kundërshtim të forcave të policisë.

Ben Kola është një ndër të arrestuarit, i cili pas tre ditësh në qeli, gjykata dha për të, masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

U arrestova pas protestës. Isha në trotuar duke biseduar me miqtë e mi dhe më vjen nga krah nga pas e më shtrëngon. Pas shoqërimit në komisariat nuk kishte dhunë lidhur me mua, por ajo që vura re ishte dhunimi që i kishin bërë një djali nga Hasi, 22 vjeç të cilin përvec se e kishin arrestuar të mërkurën dhe e kishin liruar pas dy orësh e kanë arrestuar prapë të enjten disa civil dhe e kishin goditur në makinë. Në momentin që familjari i tij ka shkuar dhe ka thënë që do tju bëj denoncim, i kanë ndërruar akuzën duke e akuzuar për kundërshtim të forcave të policisë”, thotë Kola i cili shton se gjatë tre ditëve qëndrimi në qeli me të riun, ky i fundit i ka treguar se nuk guxonte më të dilte në protestë.

Nga ana tjetër i njëjti burim zyrtar nga Policia e Shtetit i tha “Sinjalizo” se: “Janë ndaluar vetëm ata që kanë bllokuar rrugën dhe nuk i janë bindur urdhërit të policisë që u kërkonte të lironin rrugën. Veprat penale janë bllokimi i rrugëve dhe kundërshtim i forcave të policisë”, përfundoi ai. Por në vendimet e gjykatës së Tiranës të cilat “Sinjalizo” disponon, e vetmja vepër penale që përmendet është ajo e “Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, ndërsa akuza e “kundërshtimit të forcave të policisë “ nuk shkruhet  në asnjë rast.