[authorInfo]

Shteti shqiptar lëvron miliona lekë për të rregulluar konviktet. Studentët ankohen për lagështirë dhe mungesë kushtesh

“Në çdo dhomë, secili student ka krevat, etazher, dollap, komodinë për enë dhe ushqime. Shumica e dhomave kanë ballkon, por ka edhe nga ato dhoma të cilat nuk kanë. Tualetet dhe dushet janë në fund të korridorit dhe janë të perbashkët” shkruhet në portalin  studentor për kushtet e konvikteve. Por, Entela qesh me këtë reklamë duke kujtuar se në konvikte ka ndryshuar vetëm boja me të cilat janë lyer muret dhe asgjë që do të ndikonte direkt tek mirëqënia e studentëve që vijnë nga qytetet e tjera dhe që zgjedhin jetën e përbashkët në qytetin e përjetshëm të rinisë, në “Qytetin Studenti”.

Katër vjet më parë, studentët protestuan jo vetëm për  kushtet higjieno- sanitare në konvikte. Duke hedhur vështrimin në kohë, E.K. këmbëngul se megjithë premtimet asgjë nuk ka ndryshuar . Prej tre vitesh studente për degën administrim-biznes, E.K. i thotë “Sinjalizo” se vazhdon të banojë në ndërtesën e godinave 26-27 të Rezidencës Studentore Universitare numër 1. “Kushtet janë minimale dhe duhet të kujdesemi vetë për të siguruar ngrohësen, frigoriferin”, – deklaron duke shtuar se në dhomë përveç shtretërve ndodhet një tavolinë, një dollap dhe një lavaman.

Në të njëjtin lavaman lajmë enët, fytyrën dhe rrobat. Nuk kemi as hapësirat e nevojshme për të mbajtur higjenën e pastër”,- thotë studentja . “Për pastrimin e dhomës kujdesemi vetë, çka do të thotë se të gjithë detergjentët e nevojshëm i blejmë po ne”, – shton ajo.

Godina 26-27, Rezidenca Studentore numër 1

Por Rezidenca Universitare Studentore premton se situata do të ndryshojë së shpejti. Të pyetur nga “Sinjalizo” zyrtarisht thuhet se godinat  26 dhe 27 do të përfitojnë rikonstruksion të plotë. Megjithatë studentët dhe administratorët e konviktit nuk janë lajmëruar ende për diçka të tillë.

Për momentin godinat janë kthyer në verore dhe askush nuk na ka thënë të boshatisemi, apo të na njoftojnë se do të ketë rikonstruksion të godinës” – tregon Liljana, administratorja e godinave 26-27, duke pranuar se momentalisht aty gjenden studentët e konvikteve që po rindërtohen.

Të jetosh nën rikonstruksion

“Sinjalizo” investigoi gjendjen faktike të 27 godinave në “Qytetin Studenti” që është konvikti më i madh në vend dhe ka një kapacitet me gati pesë mijë shtretër. Një pjesë e tyre vijojnë të jenë nën rikonstruksion, ndonëse afatet e dorëzimit të punimeve kanë kaluar me kohë. Godina 18 është një prej konvikteve që po rindërtohet. Kjo godinë është përfshirë në projektin që parashikon  rindërtimin e tre godinave studentore dhe ka kushtuar 305 684 203 lekë pa TVSH. Në kontratën e firmosur nga kompanitë fituese të tenderit parashikohej që punimet të zgjasnin 13 muaj, sipas të dhënave të publikuara në OpenProcurement.

Firmosur më 5 Maj të vitit të kaluar, koha e mbarimit të punimeve ka kaluar dhe ende godina 18 nuk është gati të mirëpresë studentët.

Tabela ku tregohet kohëzgjatja e punimeve në godin numër 18

Inxhinieri Erald Gjiritri, i thotë “Sinjalizo” se afati i përfundimit të ndërtimit nuk është përgjegjësi e tij.

Synimi im është të respektoj afatin, por nuk është përgjegjësi e imja. Ritmi ynë ka qenë maksimal dhe në “Qytet Studenti” ne jemi i vetmi grup që kemi ecur me punën”, – argumenton inxhinieri duke shtuar se ende nuk kanë dalë planet e organizimit të rinovuar.

Planet e reja nuk kanë dalë akoma, por kanë mbetur për t’u bërë pak punime”,- tregon ai, duke pohuar se ekipi i ndërtuesve po përpiqet të përfundojnë punimet përpara muajit tetor.

Tabela që tregon afatin e përfundimit të punimeve në godinën numër 15

Godina 16 e RSU numër 1 (një) është një tjetër konvikt i parashikuar për t’u rindërtuar si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit, por nga vëzhgimet në terren rezulton se ende nuk ka nisur shembja e kësaj godine, madje aty studentët vazhdojnë të qëndrojnë që në fillim të vitit shkollor 2021-2022.

Nuk na  kanë thënë se do të kemi restaurim apo ndërtim”,- tha njëra prej studenteve, e cila përshkruan se muret e godinës janë me lagështirë.

Godina numër 16

Muret janë të plasaritura dhe era e lagështirës ndihet kudo. Nëse ekspertët e kanë cilësuar këtë godinë të pabanueshme është me të vërtetë i frikshëm fakti se ne, studentët, qëndrojmë këtu dhe ende nuk jemi të informuar për këtë gjë”, – ka përfunduar ajo. Por vendimi për rindërtimin e kësaj godine është marrë që në vitin 2020, kur me vendimin e Këshillit të Ministrave u akordua fondi me vlerë 311 425 288 lekë. Administratorja e konviktit e pyetur nga  “Sinjalizo” tha se nuk ishte e informuar për diçka të tillë.

Nuk kam koment për këtë gjë. Nuk jemi të informuar ende”, – komentoi zyrtarja.

Paratë që nxirren për të jetuar si konviktor

Nga vëzhgimi i “Sinjalizo” u vërejt se në një dhomë mesatarisht qëndrojnë tre deri në katër studentë. Kushtet e mbipopullimit në një hapësirë të papërfillshme i konfirmojnë edhe aktivistët e Lëvizjes Studentore.

Përveç amortizimit të godinave, problem për studentët është dhe tarifa që shkon në shumën 4500 lekësh të rinj në muaj,”- thotë Elvis Gjini.  “Në disa prej godinave të restauruara shuma që paguhet në muaj nga studentët shkon në 6 500 lekësh të reja për muaj”, – shton Gjini duke theksuar se në pjesën më të madhe të godinave mobiljet janë të vjetëruara, mungon sistemi i ngrohjes dhe në një sipërfaqe prej 16-20 metra katrorë qëndrojnë deri në 4 studentë.

Shuma e paguar është tepër abuzive. 18000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë të reja për një dhomë në muaj është një çmim dyfish më i madh se në tregun privat për një dhomë të këtyre përmasave”,- e  mbyll  Gjini.

Shkelet “Pakti për Universitetin”, studentët të paorganizuar

“Paktin për Universitetin” ndërhyrja dhe rikonstruktimi i godinave të konvikteve u vendos të realizohej brenda afatit 3-vjeçar, përkatësisht gjatë viteve 2019-2021. Por aktualisht RSU nr.1 ka në administrim 29 konvikte, nga të cilat vetëm 3 janë në rindërtim dhe nuk kanë hapur ende dyert për studentët, pavarësisht afateve të parashikuara. Për vitin akademik 2020-2021 në shërbim të 4200 studentëve kanë qenë vetëm 22 konvikte, pasi 4 godina të tjera po rikonstruktohen, thuhet në përgjigjen me shkrim të RSU nr.1. Ndryshimi i kushteve të konvikteve ishte një nga pikat kryesore të kërkuara nga studentët gjatë protestave të Dhjetorit në vitin 2018, por organizimi i tyre nëpër konvikte mungon plotësisht.

Studentët që jetojnë në konvikte nuk kanë ndonjë strukturë apo organizim formal”, –  shpjegon aktivisti  Gjini, i cili përmend se çdo organizim është sporadik.

Në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Statutit të Universitetit të Tiranes struktura që mbron dhe përfaqeson të drejtat e studentëve, si dhe kërkesat e tyre pranë strukturave përkatëse, janë këshillat studentore në nivel fakulteti dhe universiteti”,- thotë Gjini duke shtuar se zgjedhjet e tyre nuk janë zhvilluar asnjëherë.

Në 30 vitet e fundit, zgjedhjet e tyre nuk u zhvilluan asnjëherë dhe dubloheshin nga studentët, të cilët zgjidheshin si senatorë në Senatin Akademik dhe më pas vetëshpalleshin edhe si Kryetar Këshillash, por që në vërtetë, jo vetëm nuk ishin, por as nuk ushtronin ndonjë funksion faktik të tyre”, – përfundon ai, pasi thekson se formula e zgjedhjes së Këshillave në Universitetin e Tiranës ka shumë ngërçe, çka ka bërë që prej vitin 2021, Fakulteti i Drejtësisë të mos ketë një Kryetar Këshilli.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/