[authorInfo]

Si u zhdukën monumentet? Fonde të papërfillshme, derisa degradohen

E konsideruar si një nga ndërtesat me arkitekturën më të bukur ndërtuar përpara vitit 1944, prej vilës “ Vila 24 “  nuk ka mbetur asgjë nga madhështia e saj.  As prej klasifikimit, Monument Kulture e Kategorisë së Dytë. E braktisur prej 20 vitesh, godina që gjendet në rrugën “Konti Uran”  dëshmon neglizhencën e shtetit ndaj historisë.

Pluhur, aromë e gatimeve tradicionale që gatuhen në zgarë, trafik përgjatë “Rrugës së Kavajës”, tingulli i borive që ia lë vëndin zhurmës së ndërtimeve të reja dhe lehjeve të një grupi qensh brenda oborrit”, kjo është atmosfera  përrreth godinës historike. “Aty jeton një familje e minoritetit egjiptian “,- tregon për “Sinjalizo”, një banore e zonës, sipas të cilës të pastrehët, por edhe kafshët hyjnë e dalin nga ndërtesa. “Ata kanë shumë qen dhe ndonjëherë të vjen frikë t’i afrohesh godinës”,-  shprehet gruaja . Një mur rrethues është zëvëndësuar me një rrjetë dhe në dritaret e vilës janë vendosur batanije .

Gjendja aktuale e “Vilës 24” në rrugën “Konti Uran”

Vilat tiranase, e shkuara që po zëvendësohet me pallate

Sipas qëndrimit zyrtar  të Ministrisë së Kulturës për “Sinjalizo”, rezulton se tetë (8) monumente historiko-kulturore të Tiranës kanë humbur këtë status brenda harkut kohor të dy viteve. Nga viti 2019 deri në 2021-shin, ato u hoqën nga lista. Shtatë nga këto monumente janë banesa tip vile të ndërtuara kryesisht pas viteve 1930, ku në vend filloi të ndihej edhe më tepër ndikimi i kulturës italiane. Sipas ligjit shqiptar numër 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” janë vetë ”pronarët dhe poseduesit e pasurive të paluajtshme kulturore që kujdesen për të ruajtur dhe mbajtur në gjendje të mirë pasuritë kulturore”.

Monumentet e Kulturës që humbën statusin gjatë viteve 2019-2021

Megjithatë sipas një studimi të realizuar gjatë vitit 2021 nga Citizens Channel, gjatë periudhës 2015-2020, për 45 vila Monument Kulture të marra në studim janë nxjerrë 36 urdhra për heqjen e statusit. Ajo që ndodhi më pas ishte zhurma e vinçave dhe betoniereve, mbasi hapësirat e 17 prej këtyre vilave u zëvendësuan me pallate të reja.

Vilat që kanë ekzistuar dhe ato qe u propozuan për t’u hequr nga institucionet

Sipas relacioneve të nxjerra nga IKTK (Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore), mungesa e investimeve shihet si arsyeja kryesore e heqjes së statusit, pasi vilat “kanë humbur vlerat kulturore dhe historike”.

Por për arkitekten Doriana Musai, mbivendosja e pallateve mbi monumentet kulturore, historike “është më tepër një pushtim se sa një zhvillim, pasi humbja e asaj çka gjyshërit ndërtuan, ndikon në krijimin e një shoqërie jo-empatike”.

Humbja më e madhe është kohezioni social, kultura e harmonisë dhe bashkëjetesës, e trashëguar nga shekujt”,- shpjegon Musai.

Ministria e Kulturës deklaron për “Sinjalizo” se në kryeqytet numërohen 235 monumente kulturore dhe lapidare. Ndërkohë, vetëm 12 prej tyre cilësohen si monumente kulturore të kategorisë së parë. Gjithashtu, në përgjigjen e saj, bëhet e ditur me anë të gjuhës së shifrave se në rrethinat e Tiranës ndodhen 40 Monumente Kulturore, lapidare  dhe 13 Monumente të Natyrës.

Referuar vjetërsisë së tyre, këto struktura paraqesin shkallë të ndryshme amortizimi dhe nevoja për restaurim është në mënyrë periodike”,- thuhet në përgjigjen e Ministrisë, “ndërkohë që fondi i përcaktuar nga ky institucion për Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë (DRTKT) është 2.500.000 lekë për vitin 2022. DRTKT-ja brenda qytetit ka nën mbikqyrje ”vetëm Kullën e Sahatit dhe ish-godinën e Sarajeve të Toptanit”, thuhet në përgjigjen e marrë nga ky institucion.

Qendra e Restaurimit dhe e Realizimit të Veprave të Artit është institucioni në varësi të Bashkisë Tiranë, që merret dhe me mirëmbajtjen e monumenteve.

Buxheti për vitin 2022 të institucionit Qendra e Restaurimit dhe Realizimit të Veprave të Artit është në vlerën 15,687,172 lekë”,- thuhet në përgjigjen e Bashkisë Tiranë. Ndryshe, kjo shumë zë peshën e 2%-shit në programin e Trashëgimisë kulturore, eventeve artistike dhe kulturore.

Si zhbëhen monumentet  e kulturës?

Në 7 dhjetor të 2016-s Këshilli i Ministrave mori vendimin për t’ia hequr pronësinë e Piramidës së Tiranës Ministrisë së Kulturës dhe kalimin e saj Bashkisë Tiranë. Ky vendim i hapi rrugën nisjes së punimeve për kthimin e godinës “në qëndër të inovacionit të teknologjisë” dhe fshirjen e  statusit si Monument Kulture në vitin 2017.

Sipas të dhënave publike në “Open Procurmet”,  investimi për kthimin e Piramidës në qendër të inovacionit po financohet nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës dhe nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Fillimisht, data e njoftimit të tenderit që kapte vlerën e 1 463 358 358 (1.4 miliardë) lekëve me TVSH u hap më 3 Gusht të vitit 2020 dhe kontrata me kompaninë fituese u nënshkrua në 14 Dhjetor të 2020-s. Kohëzgjatja e parashikuar në kontratën e punimeve ishte 24 muaj, por ende punimet në Piramidë nuk kanë përfunduar.

Pamja nga punimet që po kryhen nga Piramida, marrë nga Google Earth

Muajin e kaluar, më 5 Tetor, pa garë u hap tenderi me vlerë fituese 228 511 306,00 lekë pa TVSH, i cili pasqyrohet me flamur të kuq në Open Procurment. Në kushtet e mungesës së konkurencës, fitues u shpallën të njëjtat kompani, “Fusha shpk” dhe “Edil-al-it shpk”, ndërkohë që në kontratën shtesë  nuk është publikuar asnjë datë se kur parashikohen të mbyllen punimet në Piramidë.

Një tjetër monument kulture që është kthyer në pronësi të Bashkisë Tiranë është dhe ish-godina e Sarajeve të Toptanëve. Me anë të përgjigjes zyrtare me shkrim, Bashkia Tiranë ka vendosur në dispozicion të “Sinjalizo” dokumentin e marrjes së këtij vendimi, për t’i hapur rrugët projektit për “Restaurimin dhe Rijetësimin e Banesës së Toptanëve”.

Sipas vendimit të marrë më 22 tetor të vitit të kaluar, vlera prej rreth 251 milionë lekësh e shpronësimit do të përballohej nga Bashkia Tiranë, ndërkohë që në muajin gusht të atij viti, Sarajet u përfshinë nga flakët, rrethanat ende mbeten të paqarta prej autoriteteve zyrtare.

Shembjen e Teatrit Kombëtar, arkitektja Doriana Musai e cilëson si “genius loci”, ndryshe si humbja e shpirtit të qytetit. Vendimi për shembjen e godinës u zbatua rreth orë 04:30 të mëngjesit, kur godina e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u shembën më 17 maj të vitit 2020, pas gati dy viteve kundërshtim nga ana e aktivistëve dhe nga një pjesë  e aktorëve.

Foto nga gjendja aktuale e territuorit ku ndodhej teatri

Humbja e teatrit, paralajmëroi humbjen e qytetit. Sot Tirana, ka një formë amorfe dhe struktura e saj urbane, nuk ndërton qytet”,- thotë Musai, e cila shton se mënyra e marrjes së vendimeve të institucioneve shqiptare nuk ka ndryshuar nga ai i viteve 1950-1960. “Metodologjia dhe format e vendimeve, janë autokratike dhe shtetare”,- përfundon ajo.

Aktualisht qëndron i hapur tenderi për rindërtimin e fazës së parë të godinës së Teatrit Kombëtar, fituesi i së cilit do të shpallet javën e ardhshme më 3 nëntor. Fondi limit i tenderit është afërsisht 1.8 miliardë lekë, ndërkohë që kohëzgjatja e punimeve parashikohen të jetë 27 muaj.