Blog

“100 problemet” e pazgjidhura të “100 fshatrave”, disa fituan nga investimet, shumë u harruan

“100 problemet” e pazgjidhura të “100 fshatrave”, disa fituan nga investimet, shumë u harruan

Dhërmiu, është shembulli se si një program mund të ndryshojë rrënjësisht një vend. Nga 100 fshatrat e përzgjedhur për tu kthyer jo vetëm në destinacione turistike, por edhe për të ruajtur trashëgiminë, Dhërmiu, është fshati i vetëm i cili ka përfituar në një masë të tillë nga programi i nisur me aq bujë. Si Dhërmiu dhe në disa zona të tjera rurale është investuar në mënyrë preferenciale, kurse në fshatra të tjerë investimi ishte minimal pavarësisht pritshmërive të mëdha të banorëve.

Programi i “100 Fshatrave” u prezantua si një nismë inovative për turizmin në Shqipëri, prej qeverisë Rama dhe ministrit të Turizmit, Blendi Klosi. Një program në të cilin bënin pjesë fshatra nga Vermoshi e deri në Mursi, fshat pranë Konispolit, por një pjesë e madhe e këtyre fshatrave, nuk kanë parë as investimin më minimal dhe as që bëhet fjalë për tu shndërruar në pika të turizmit.

Informacioni zyrtar në lidhje me këtë projekt, i cili për hir të trasparencës duhet të ishte i gjithi online, pothuajse nuk egziston. Në faqet e Ministrisë së Turizmit apo edhe të Bujqësisë, dy prej ministrive kryesore të përfshirë në këtë program, maksimumi që do të gjeni është togëfjalëshi “100 fshatrat”, i përdorur në titujt e deklaratave ose fotove të titullarëve të këtyre ministrive.

Por një “tur” kërkesash me pyetje të drejtuara zyrave të shtypit të Ministrisë së Turizmit, Infrastrukturës dhe Bujqësisë tregon se dyert janë të mbyllura për këtë çështje. Të gjitha ministritë e telefonuara, sugjeruan që të kërkonim informacionin në një ministri tjetër pasi ato thjesht ishin partner. Asnjëra nga institucionet përkatëse nuk dha informacion sa ishte buxheti i parashikuar për këtë projekt, as se ku është ndërhyrë, në çfarë mase dhe asgjë tjetër. Fondi Shqiptar i Zhvillimit të cilit i referohen si zbatues të këtij projekti, edhe numrin e telefonit që ka të regjistruar si pikë kontakti në faqen zyrtare e ka jashtë shërbimit për shkak të një Defekti Teknik.

Programi i Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR), i njohur për publikun si Programi i “100 Fshatrave”, synonte të koordinonte ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën e 100 fshatrave, sipas një qasjeje ndërsektoriale dhe me shumë aktorë, duke u shkëputur nga ndërhyrjet e pjesshme, por të kishte një qasje të rreptë sektoriale. Pra e thënë me fjalë të thjeshta, ky program synonte që 100 fshatra në Shqipëri të cilët kanë potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit dhe jo vetëm, ti shndërrojë në pika turistike tërheqëse për turistët vendas e të huaj. Diçka që në rastin më të mirë ndodhi pjesërisht, e në rastet e tjera arritja e objektivit është shumë pranë zeros.

Investime që s’u panë kurrë

Guri i Bardhë, është një ndër fshatrat e përfshirë në programin e 100 fshatrave dhe është një zonë e cila, përveç bukurive të natyrës, ka edhe një histori të pasur. Njihet si vendlindja e Pjetër Budit, por edhe një bastion i Kastriotëve. “Ky është një qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në një majë mali dhe që si trembet asnjë fuqie armike, përveç urisë”, me këto fjalë Barleti do ta përshkruante Gurin e Bardhë qindra vite më parë. Ky fshat prej dhjetra vitesh nuk ka parë investim në infrastrukturë, ashtu si nuk pa edhe prej programit “100 fshatrat”.

Guri i Bardhë

“Ne duhet të mbështesim me infrastrukturë, sepse duhet të shkojë rruga, duhet të mbështesim me ndërhyrje për trashëgiminë kulturore rreth e rrotull, duhet të mbështesim me fonde shtesë për të bërë investimin, ama vetëm në bashkëpunim me ata që duan të punojnë, që duan të fitojnë, që duan të bëhen vërtetë zotët e vetes e ta fitojnë jetën e tyre, jo duke ndenjur në kafet e fshatit e duke pritur Cristiano Ronaldon që t’i zgjidhë problemin e jetës me një goditje nga larg në El Classico-n që është pas ca ditësh”, këto “kritere” të përmendura në një fjalimi të kryeministrit Edi Rama në promovimin e programit “100 fshatrat”, plotësohen të gjitha nga Guri i Bardhë. Në këtë fshat infrastruktura mungon plotësisht. Rruga që bëhet e pakalueshme gjatë dimrit, rrjeti elektrik i cili nëse fryn erë shkëputet energjia elektrike, apo kanalizimet e ujit të pijshëm që nuk egzistojnë. Përmirësimi i kësaj infrastrukture ka qenë edhe një nga objektivat kryesorë të programit “100 fshatrat”. “Përmirësimi i infrastruktrës publike, mbështetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastruktura mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kultutrore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhi mjedisor etj -u premtua në atë kohë.” Në fshat asnjë nga këto nuk u rregullua, ndonëse Guri i Bardhë është në listën e “100 fshatrave”.

Është e turpshme sa më s’ka, por më shumë rrugë ka bërë Duçja i Italisë për në Gurin e Bardhë, se sa shteti ynë. Në 30 vite demokraci, kemi ngelur të harruar vetëm për 10 kilometra rrugë. A e di Shëngjergjin? Ne jemi më afër me Tiranën se Shëngjergji me kilometra. 39 km larg nga sheshi Skënderbej jemi, por të duhen 3 orë për të mbërritur në qendër të fshatit”, thotë një prej banorëve të Gurit të Bardhë.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në jug të të Shqipërisë, në fshatin Zhulat në zonën e Kardhiqit i cili është i përfshirë në programin “100 fshatrat”. Rrugën që të çon në fshat përveç makinës 4×4 vështirë, se e përshkruan makinë tjetër. Murat Këraj, duke na shoqëruar për lart në fshat, na tregon se si aksi i ndërtuar para disavitesh u zhduk nga reshjet e dimrit.

Duhet të jetë mbaruar projekti i rrugës, duhet të ketë mbaruar dhe thonë që do ta bëjnë me asfalt”, shprehet ai, duke shtuar se nga programi “100 fshatrat”, fshati përveç dy tabelave nuk ka fituar asnjë investim tjetër.

Dy tabela, asgjë tjetër. Edhe pemët në fshat ne i kemi mbjellë vet. Çdo gjë po përpiqemi ta bëjmë vet, duke nisur edhe nga aktivitetet. Po mendojmë të bëjmë një festë për festat pagane në pranverë, ture me kuaj. Pra janë nja 4-5 aktivitet që mund të bëhen në një vit”, thotë ai.

Zhulati

Murati tregon se interesi për të investuar në agroturizëm është diçka që nuk mungon në fshat, por mungesa e theksuar e infrastrukturës vijon të mbetet problem kryesor. Ndërkohë në Zhulat edhe uji i pijshëm sipas banorëve mungon, ku vetëm tani, sipas tyre ka kaluar një projekt në Bashkinë e Gjirokastrës për ngritjen e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të fshatit.

A ngrihet bujtina në tokë që për shtetin se ke tënden?

Në Gur të Bardhë, dëshira për ngritjen e agroturizmit është te pjesa më e madhe e banorëve. Një bujtinë është në fazat e para të ngritjes së saj, ndërsa shumë banorë të tjerë planifikojnë të nisin investimin nëse problematikat që i pengojnë marrin zgjidhje. Resul Baleta është një prej banorëve të Gurit të Bardhë, i cili të ardhmen e tij e sheh te turizimi. I kthyer pas 15 vitesh emigracion, Baleta, është hasur me jo pak probleme për të bërë realitet dëshirën e tij.

Turizmi këtu nuk ka asnjëlloj mbështetje, si mund të bëhet turizëm këtu kur nuk ke një dokument për shtëpinë?! Unë nuk mund të bëjë investime, se mirë nga ana ekonomike që është vështirë, por s’kemi as dokumentat e tokës. Guri i Bardhë është i vetmi fshat ndoshta në Shqipëri që nuk ka asnjë konflik për tokat pasi i kanë ndarë sipas atyre që kanë patur gjyshërit. Dhe në finale në Gur të Bardhë, nuk ka asnjë certifikatë pronësie për tokën”, thotë ai duke shtuar se babai i tij ka paguar taksa për tokën prej vitesh edhe pse nuk ka patur certifikatë pronësie për pronat e trashëguara brez pas brezi.

Resul Baleta,j banor i Gurit të Bardhë

Resuli tregon edhe sorrollatjet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për të nxjerrë certifikatat e pronësisë.

“Kam shkuar tre herë vjet në Burrel, me shpenzimet e mia dhe të treja herët më gënjyen, jo sot jo nesër dhe nuk mbarova dot punë. Pas ca kohësh më thanë do shkosh në Peshkopi, shkova në Peshkopi tre herë, dhe pas tre herësh më thanë ka ndërruar ligji tani”, rrëfen banori, duke shtuar se me ligjin e ri, dokumentohet vetëm toka e bukës dhe pemtaria edhe pse pemtaria në Gurin e Bardhë nuk egziston.

Pikërisht mungesa e dokumentave të pronësisë, është bërë një pengesë e madhe për të zhvilluar turizmin në Gur të Bardhë.

“Edhe pse kam gjetur njerëz që të më mbështesin në investim, kur më thonë më jep certifikatën e tokës, ç’ti jap unë s’kam. Kam 20 vjet që e kam ndërtuar shtëpinë këtu. E kam ndërtuar në tokën time. Me mundime nga emigracioni pak e nga pak dhe sot nuk mund ti bëj çatinë se s’kam dokumenta pronësie, pasi po t’ja bëj vjen INUKU dhe të vendos 5 milionë lekë gjobë”, thotë i revoltuar Resul Baleta.

Problemet e përhapura në pjesën më të madhe të “100 Fshatrave

Por problemet e lartpërmendura duket se nuk janë të përqëndruara vetëm në dy nga 100 fshatrat që ne vizituam. Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shprehet se çështja e pronësisë është problem që rëndon në gjithë ekonominë e ushqimit. 

“Te agroturizmi, kjo po del në pah për mungesën e studimeve që janë nga qeverisja vendore dhe qëndrore me qëllim që këto të kalojnë të gjitha procedurat për regjistrimin e pronës. Është e sigurt që pa certifikatë pronësie nuk lejohet ndërtimi, investimi, nuk mund të marrësh kredi në bankë dhe nuk të lejohet të bësh asnjë veprim ligjor mbi këtë pronë. Ky është një problem që shfaqet në të gjitha zonat, pra prek të gjithë fshatrat”, thotë ai duke shtuar se duhet ushtruar më shumë presion mbi institucionet që kanë detyrën e ndarjes së pronësisë, pasi janë duke shkaktuar një dëm të madh ekonomisë rurale me ngadalësinë që kanë në këtë proces.

“Ne kemi potenciale shumë të mëdha për të ushqyer bujtinat dhe subjektet që inevstojnë në agroturizëm. Është një çështje shumë e rëndësishmë për zhvillimin ekonomik të zonave rurale. E kemi provuar tashmë këtë gjë në ato zona dhe subjekte që e kanë si eksperiencë dhe kanë krijuar një traditë. Është një mundësi për fermerët që të shesin produktet e tyre dhe të afrojnë turistët për të provuar ushqime që janë tipike të zones”, thotë ai duke treguar se një bujtinë nuk është burim të ardhurash vetëm për familjen që e zotëron, por për të gjithë zonën. “Një bujtinë nuk mund të mbahet vetëm me anëtarët e një familje dhe do të kërkojë patjetër edhe fuqi punëtore dhe ndihmesën e banorëve përreth, por do të konsumojë edhe produkte të banorëve dhe zonës përreth”, përfundon ai.

“Ka fshatra që ka me dhjetra bujtina, por kuptohet 100 fshatra janë ata tipikët në këtë situatë, pasi nuk është vetëm problem i pronësisë, por ka probleme të infrastrukturës, mungesës së ujit të pijshëm, energjisë elektrike etj”, shton ai. Rrapaj nënvizon se bujtinat e hapura në të gjithë vendin, qoftë në fshatra që ndodhen në zona të mbrojtura, në bregdet apo edhe në zonat e thella malore, po ndeshen para problemit të formalizimit të tyre.

Shpërndaje