18 muaj COVID: Protokolle jopublike, kufij pa kontroll dhe kosto për qytetarët!

Me shpërthimin e pandemisë COVID-19 në rang botëror, edhe Shqipëria, si gjithë vendet e rajonit, u përball me një rritje të numrit të personave të infektuar, të cilët në fillim të këtij viti çuan në pothuajse kolaps të sistemit spitalor! Shumë persona zgjodhën të kurohen në ambiente shtëpiake dhe spitale private dhe shpeshherë përdorën medikamente që nuk gjendeshin në protokollet e spitaleve shtetërore dhe në disa raste morën ilaçe të trafikuara nga vendet fqinje.

Por, çfarë i bëri shqiptarët të kurohen privatisht dhe të humbasin besimin te spitalet shtetërore? A ishte një frymë mosbesimi ndaj cilësisë së shërbimit, frikë ndaj protokolleve të përdorura apo dyshim te medikamentet në farmacitë shtetërore?

Tri protokolle kundër COVID-it

Në një kohë kur shumë prej institucioneve më të larta mjekësore në rang botëror protokollet e mjekimit dhe trajtimit ndaj COVID-19 i kanë bërë publike për të fituar besimin e publikut të gjerë, në website-in e Ministrisë së Shëndetësisë apo të Institutit të Shëndetit Publik është pothuajse e pamundur të gjesh ndonjë informacion mbi këtë çështje.

ACQJ iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me pyetje mbi protokollet e përdorura në spitalet COVID për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe kjo e fundit në një përgjigje të përgjithshme specifikoi se “protokollet anti-COVID, që janë përdorur në Shqipëri, janë bërë nga vetë spitalet Covid me sugjerim dhe orientim të OBSH-së. Spitali COVID 1 ka zbatuar tri protokolle. Protokolli i parë i Menaxhimit Klinik të COVID-19 (14 shkurt 2020) u ndërtua duke përshtatur udhëzuesin e OBSH-së dhe të disa shoqatave infektologjike dhe spitaleve të vendeve të përparuara të botës. Protokolli i dytë i Menaxhimit të Covid-it u ndërtua më 21 maj 2020, kurse protokolli i tretë (21 janar 2021) është rishikim i protokolleve të mëparshme.”

“Spitali COVID 2 ka ndërtuar protokollin e tij në bazë të 6 udhëzimeve të OBSH-së: protokolli i pneumonisë, tromboembolisë pulmonare, insuficiencës respiratore, distresit respirator, ventilimit jo-invaziv dhe invaziv dhe ai i oksigjenoterapisë. Protokolli i mjekimit për të infektuarit në shtëpi është miratuar me urdhrin nr. 579, më 14 tetor 2020.”, – shkruhej në përgjigjen e ministrisë.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me qendër në Bosnje-Hercegovinë, me shpërthimin e pandemisë dhe duke u bazuar në eksperiencën e fituar në muajt e parë të përballimit të kësaj sëmundjeje, në bashkëpunim me qeverinë italiane ka shpërndarë në Ballkanin Perëndimor udhëzimet dhe protokollet operative italiane për kurimin e pacientëve me COVID-19.

Duke pasur parasysh situatën aktuale në luftën kundër shpërthimit të COVID-19 në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe përvojën e gjerë të Italisë në trajtimin e pacientëve të infektuar, qeveria italiane ka kontribuar në betejën e rajonit kundër përhapjes së virusit, duke ndarë udhëzimet e saj operative për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Ky Këshill, me kërkesë të Ambasadës Italiane në Bosnje dhe Hercegovinë, ka siguruar përkthimin e protokolleve në gjuhët e ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe ua ka shpërndarë ato qeverive në të gjithë rajonin për t’u ndarë më tej me mjekët e tyre përkatës. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore pati një komunikim me RCC, ku kjo e fundit u pyet, nëse kanë marrë ndonjë reagim nga shteti shqiptar në lidhje me këtë protokoll që kanë shpërndarë dhe nëse është zbatuar ky protokoll, si dhe a po merret parasysh nga qeveria shqiptare.

Në përgjigjen e tij RCC tha se monitorimi i zbatimit apo marrjes parasysh të këtij protokolli nuk është në kompetencën e tyre dhe në komunikimin e patur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale na u tha që për të ndërtuar protokollet anti-COVID në Shqipëri janë ndjekur udhëzimet e OBSH-së, protokolleve të spitaleve të ndryshme në botë, video-konferencave online me drejtues dhe mjekë të spitaleve ndërkombëtare dhe bashkëbisedime me ekipe të ardhura në Shqipëri nga OBSH, por pa dhënë një përgjigje konkrete, nëse këto protokolle janë përdorur apo janë marrë parasysh. Disa mjekë shprehen se në Shqipëri nuk kanë qenë problem protokollet shëndetësore, por kushtet për t’i zbatuar këto protokolle, duke çuar në një situatë, në të cilën mosbesimi ndaj sistemit shtetëror ka detyruar publikun të gjejë mjete alternative kurimi dhe ku vdekjet për shkak të COVID-it gjatë vitit 2020 kanë qenë në mënyrë eksponenciale më të larta se në vendet e rajonit apo BE-së.

Pandemi, por në kufij me dyer të hapura

Qytetarët shqiptarë, të cilët kanë dashur të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së dhe më tej, në vitet e fundit kanë hasur shumë vështirësi për të kaluar kufirin. Deri në muajin maj 2021, lejohej të kalonin kufirin vetëm qytetarët shqiptarë, të cilët ishin të pajisur me leje qëndrimi të vendeve drejt të cilave po udhëtonin ose kishin arsye të veçantë për të lëvizur, si për arsye shëndetësore ose biznesi. Ky lejim udhëtimi fillimisht kishte si kusht thelbësor mbajtjen e një testi PCR dhe më pas, me fillimin e fushatës së vaksinimit, certifikatën e vaksinimit. Megjithatë, shumë vende nuk i njihnin vaksinat e përdorura në Shqipëri, për sa kohë disa prej këtyre të fundit nuk janë njohur nga autoritetet europiane apo amerikane, duke vështirësuar më tej lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit.

Në fillim të muajit qershor, Shqipëria pothuaj “u nda” me COVID -in. Numri i të infektuarve ditorë në shkallë vendi arriti në vetëm dy, por situata u përmbys brenda disa javëve, kur numri i të infektuarve ditorë arriti në 1000, si shkak i politikës me dyer të hapura në kufijtë shqiptarë.

Në muajin qershor 2021 shumica e vendeve europiane i hapën kufijtë për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët duhej të ishin të pajisur me certifikatë vaksinimi, ose test PCR, ose testin e shpejtë. Ky proces ishte në kontrast të theksuar me procedurat e vëna në fuqi për udhëtarët e huaj apo shqiptarë, që hynin në territorin shqiptar. Udhëtarët e huaj, të cilët donin të vizitonin Shqipërinë, e kishin shumë të lehtë të hynin në vendin tonë, pasi nuk kërkohej, as certifikatë vaksinimi dhe as test deri në shtator të vitit 2021.

E pyetur mbi protokollet e karantinimit dhe verifikimit të shëndetit në pikat hyrëse të territorit, Ministria e Shëndetësisë solli në vëmendje se, që në qershor të vitit 2020, kjo e fundit ka nxjerrë urdhrat përkatës për ndjekjen dhe njoftimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 në aeroporte dhe pika kufitare në rang vendi, dhe një numër urdhrash pasardhës për amendimin e këtij të fundit. Megjithatë, se sa efektivë këto urdhra kanë qenë, zor se mund të konfirmohet.

Në harkun kohor janar 2021-gusht 2021, në territorin e Republikës së Shqipërisë nga pikat e ndryshme kufitare kanë udhëtuar më shumë se 13 milionë udhëtarë, me rreth 6.7 milionë udhëtarë që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe 6.7 dalje nga territori, shumica dërrmuese prej të cilëve nuk kanë respektuar asnjë protokoll karantinimi, duke parë se dhe numri më i madh i udhëtarëve ka qenë pikërisht gjatë sezonit turistik, muajt maj-gusht.

Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë, i pyetur nga ACQJ për sa i përket protokolleve të aplikuara nga shteti shqiptar për të gjithë personat hyrës në territor, u shpreh se “Shqipëria duhej të zbatonte protokollet e vendeve europiane në lidhje me turistët”.

Vetëm nga Kosova në muajt e verës kanë hyrë rreth 1.1 milionë qytetarë. Me fillimin e sezonit turistik, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut filloi dhe rritja e numrit të të infektuarve në mënyrë eksponenciale, me kulmin e infektimeve pikërisht gjatë muajve të verës. Megjithëse shumica e turistëve në Shqipëri ishin nga këto vende, dhe numrat e infektimeve dhe vdekjeve në vendet respektive ishin në rritje të vazhdueshme, qeveria shqiptare nuk mori asnjë masë parandaluese dhe hyrja në kufi nga këto vende ishte e lirë, pa certifikatë vaksinimi dhe pa test deri në përfundim të sezonit turistik.

Numri i shtetasve të huaj, sipas Ministrisë së Turizmit, të hyrë në Shqipëri gjatë tetëmujorit të vitit 2021, është 4.384.072, ku 2,177,412 janë shtetas kosovarë dhe 448,370 janë nga Maqedonia e Veriut, me vetëm gjatë muajit gusht me më shumë se 790,000 dhe 110,000 udhëtarë respektivisht nga këto vende.

I pyetur se pse për shtetasit shqiptarë janë vënë kufizime strikte në udhëtim, masa, të cilat nuk janë reciproke dhe nëse një gjë e tillë e rrezikon shëndetin publik, Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog klinik, u shpreh: “Dokumentacionet për në kufi, protokollet që kanë qenë për parandalimin e shpërndarjes përmes kufijve, e kemi vënë re qartë që kanë dështuar kudo, pra nuk ndodhi kurrë, as në fillim të pandemisë, kur ishte më e lehtë për t’i bllokuar rastet, nuk u bë dot, jo më tashmë që infektimi është komunitar. Kjo ka mbetur më shumë si inerci, që vazhdojnë kërkojnë dokumentacione, por qartësisht nuk e bllokon dot virusin, duke kërkuar copa letrash. Edhe njerëzit, që janë vaksinuar, ka mundësi të infektohen dhe si rrjedhojë përmes këtyre masave këtë virus ne nuk e ndalim dot. Unë përdor shprehjen: Dielli nuk mbulohet me shoshë. Në këtë drejtim askush nuk është i mbrojtur. Pra, nuk ka rëndësi që për të dalë ne jashtë, protokollet i kemi më të rrepta sesa ata që i kanë më të lehta për t`u futur brenda. Diferencë të madhe ky element nuk ka.” 

Sipas të dhënave të policisë, shohim që gjatë periudhës janar-gusht 2021 kanë hyrë në vend edhe shtetas nga India dhe Bangladeshi, përkatësisht nga India, 6034 dhe Bangladeshi, 1347. Në këto vende në këtë periudhë ka qenë piku më i lartë i të infektuarave dhe ata kanë mundur të hyjnë në vendin tonë lirshëm, pa asnjë kufizim.

Nga vëzhgimet e bëra në terren, në bregdet gjatë sezonit turistik është vënë re që në lokalet bar-restorante dhe në hapësirat e tjera publike nuk është zbatuar asnjë protokoll për ndalimin e përhapjes së COVID-19, pavarësisht se protokolle të tilla kanë qenë në fuqi gjatë gjithë hapësirës kohore. Shpeshherë kanë qenë vetë autoritetet lokale dhe qendrore që kanë organizuar dhe lejuar evente me pjesëmarrjen e qindra-mijëra qytetarëve, duke shkelur urdhrat dhe rregulloret e nxjerra prej vetë atyre.

[sliders_pack id=”6235″]

Fotografi të eventeve të ndryshme, të organizuara apo të lejuara nga pushteti lokal dhe qendror në Bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, në rrjetet sociale të këtyre institucioneve apo organizatorëve

I pyetur mbi lidhjen e mundshme të rritjes së infektimeve në përfundim të sezonit turistik dhe të korrelacionit të infektimeve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut dhe atyre në Shqipëri, epidemiologu Alimehmeti vuri në dukje se arsyeja e rritjes së numrit të infektimeve ishte varianti Delta. “Po ta shohim epidemiologjikisht këtë dhe ta krahasojmë me rajonin, pra me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, që njëkohësisht kanë edhe numrin më të madh të turistëve në Shqipëri, do shohim që ata kanë qenë në kurbën më të lartë epidemiologjike 2-3 javë para nesh, ndërsa ne erdhëm në këtë pikë 2-3 javë pas tyre. Pra, piku në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ishte më 25 gusht, kurse te ne më 8-10 shtator. Pra, rreth 2 javë mbrapa, çka do të thotë që potencialisht në Shqipëri infektimet kanë ardhur nga hyrjet masive nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut. A do të kishim patur mundësi ne ta ndalonin përmes kontrollit? Kam frikë se jo. Thjesht mund ta kishim shtyrë pak në kohë, por jo, nuk do ta ndalonim.”, – thotë Alimehmeti.

Në fillim të shtatorit 2021, në përfundim të sezonit turistik, qeveria vendosi masa shtrënguese për të gjithë udhëtarët që hynin në territorin shqiptar, me kërkesa për teste PCR dhe certifikata vaksinimi, përfshirë edhe qytetarë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, dëmi ishte bërë. Nga 5 infektime në ditë gjatë muajve të parë të verës, në muajin shtator Shqipëria kapi rekorde infektimesh me më shumë se 1000 infektime në ditë dhe me vdekjet që po rriteshin në mënyrë graduale në javët në vijim. Muajt pasardhës treguan një rënie graduale dhe të lehtë të numrave të infektimeve, por shifrat e ulëta të verës 2021 nuk pritet të arrihen të paktën deri në përfundim të dimrit apo rritjes së shifrave të qytetarëve të vaksinuar.

Shqiptarët udhëtojnë drejt Europës, por me kosto të tejskajshme

Në një kohë kur udhëtarët në pothuajse gjithë botën kanë si detyrim gjenerimin e vetëm një vërtetimi vaksinimi, udhëtarët shqiptarë apo dhe të huaj, që duhet të udhëtojnë jashtë Republikës së Shqipërisë, përtej kostove të udhëtimit, që aplikohen normalisht, kanë dhe kosto të shtuara për sa i përket verifikimi të statusit të tyre si jo-të infektuar me COVID-19. Në rast udhëtimi drejt shumë vendeve të Europës apo më tej ata janë të detyruar të depozitojnë pranë autoriteteve kufitare një test PCR apo të shpejtë, me një çmim shumë herë më të lartë se në Europë, pavarësisht statusit të tyre të vaksinimit.

Nga një verifikim i thjeshtë në rrjet, është e qartë se tamponët e shpejtë në Europë shiten në supermarket me çmim 1-3 Euro, kurse në Shqipëri ato kushtojnë në farmaci specifike, apo në pikat e testimit në aeroporte, apo pika kufitare me një kosto prej më shumë se 20 Eurosh. Shpeshherë, në Europë, nëse një person është i siguruar, tamponët PCR janë të përfshirë në shërbimin falas mjekësor, ndërkohë që në Shqipëri, me përjashtim të rasteve kur një person dyshohet se është infektuar me COVID-19, ky shërbim ofrohet vetëm nga klinikat private në vend. Ky fakt u konfirmua dhe nga Ministria e Shëndetësisë për ACQJ, duke u shprehur se për udhëtimet jashtë shtetit administrata mjekësore nuk e ofron shërbimin e tamponit PCR, por vetëm në raste dyshimi infektimi. Edhe në këto raste ky tampon i kryer pranë mjekut të familjes nuk mund të shërbejë si vërtetim për udhëtim.

Qytetarët e ndryshëm, të intervistuar nga ACQJ, në afërsi të pikave kufitare të Hanit të Hotit, portit të Durrësit dhe pranë aeroportit të Rinasit, shprehen se këto çmime janë të larta për buxhetin e qytetarëve shqiptarë. Në shumë vende europiane qeveritë e tyre i subvencionojnë ose i ofrojnë falas për grupe të caktuara, si pensionistët apo edhe studentët.

S.V., student në Austri, i cili është i detyruar herë pas here të udhëtojë drejt Shqipërisë për të takuar familjarët, i pyetur se a justifikohet praktika e tamponit dhe çmimi i tij në privat, shprehet për ACQJ: “Nuk justifikohet, sepse është çmim relativisht i shtrenjtë, sidomos kur i referohemi Shqipërisë, që është shtet në zhvillim tranzitor. Ndërkohë që në vendet e tjera europiane testi bëhet falas, madje të asistojnë edhe mjekët pranë shtëpisë.”

ACQJ gjatë vitit 2021 kreu një vëzhgim të tregut të shërbimit të tamponit PCR për udhëtimet jashtë shtetit në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, gjatë muajit qershor dhe gjatë muajit tetor 2021. Ajo që vihet re është se, në shumicën e rasteve çmimi i këtij shërbimi, jo vetëm që nuk ka ndjekur trendet e uljes së kostos së tij, por është i fiksuar në shumicën e operatorëve në një çmim, i cili ngre dyshime për praktika antikompetitive dhe fiksim çmimi. Vetë Ministria e Shëndetësisë ka vendosur një çmim tavan mbi tamponët PCR në fund të vitit 2020 dhe ka qenë një deklaratë e laboratorëve mbi fiksimin e një çmimi të përbashkët në po këtë periudhë, ajo që ngre dyshimet për një marrëveshje të heshtur, të paligjshme mes këtyre operatorëve.

I pyetur nga ACQJ, nëse ka pasur ankesa nga qytetarët mbi çmimin e tamponëve apo testeve të shpejta në klinikat private dhe nëse vetë institucioni ka ndërmarrë ndonjë hetim administrativ për praktika të mundhsme antikompetitive, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se pranë tij nuk është depozituar asnjë denoncim dhe vetë ky institucion nuk ka ndërmarrë ndonjë hetim kryesisht për këto deklarata të operatorëve dhe faktit që çmimet në tregun përkatës janë pothuajse të njëjta.

Ndërkohë, Ersida Teliti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Konsumatori Shqiptar, tregon të kundërtën për sa i përket kësaj çështjeje. Në një intervistë për ACQJ, ajo shprehet se në fakt qendra e saj ka dërguar ankesë pranë Autoritetit të Konkurrencës për shkak të rritjes dhe fiksimit të çmimit të tamponëve. “Në fakt ne kemi dërguar ankesën e disa konsumatorëve, të cilët na kanë shkruar në adresën e qendrës nëpërmjet Instagram-it, ku ankoheshin për përcaktimin e çmimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ku teorikisht, ndonëse është një çështje që lidhet me tregtarët dhe meqenëse ne kemi në fokus mbrojtjen e konsumatorit dhe të drejtave të njeriut, iniciuam pikërisht këtë ankesë pranë Autoritetit të Konkurrencës.”- shprehet ajo.

Në ankesën e datës 28.12.2020, drejtuar Autoritetit të Konkurrencës, nisur dhe nga denoncimet e shumta, QKSH i ka kërkuar këtij të fundit nisjen e një hetimi të thelluar dhe vendosjen nën monitorim të tregut për të gjitha subjektet që ofrojnë shërbimin e tamponit PCR, dhe nisjen e hetimit dhe vendosjen nën monitorim të subjekteve që ofrojnë analizat për COVID-19, si PCR, D-dimer, analiza gjaku etj., ku konstatohet një rritje e çmimeve.

Teliti shprehet se “fokusi i ankesës, edhe pse në fakt dukej sikur prekte dhe cenonte tregtarët, realisht në fund të ditës është çështje e konsumatorit, të përqendruar pikërisht në bërjen e tamponëve në dy, tre apo katër subjekte të zyrtarizuara nëpërmjet një urdhri të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo në fakt do të sillte deformim të drejtpërdrejtë të konkurrencës, pamundësi për të pasur ulje apo ndryshime të tjera të çmimeve në favor të konsumatorit, por, në kushtet kur në fakt askush nuk ndikohet dhe nuk shqyrton as cilësisë apo mënyrën e bërjes së tyre, efektiviteti në rezultate, nëse janë fiktive apo jo, do të ndikonte drejtpërdrejt te konsumatori.”

Edhe pse ankesa po bën një vit që është depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe është ndjekur në vazhdimësi nga QKSH, asnjë përgjigje nuk është marrë nga ky i fundit dhe asnjë hetim administrativ nuk ka filluar për këtë çështje. Për Ersida Telitin liberalizimi i shërbimit është e vetmja mënyrë që të mbrohet interesi i konsumatorit, një qëndrim që është shprehur dhe nga Tritan Shehu, i cili thotë se “liberalizimi i gjithë testimeve, liberalizimi i laboratorëve dhe zbatimi i protokollove të OBSH-së janë të vetmet hapa efektive për menaxhimin e situatës”.

Sipas z. Shehu, “në Shqipëri ka pasur një mungesë të madhe të kryerjes të tamponëve, mosbërja e tamponëve do të thotë mosdiagnostikim, sepse COVID-i diagnostikohet nga tamponi dhe po nuk u bënë tamponët… Ulja e numrit të tamponëve çon në fshehjen e rasteve dhe gjurmimin e tyre. Ky është një problem i madh, që Shqipëria vazhdon ta ketë akoma dhe në përgjithësi problem janë edhe politikat që kanë ndjekur me testimin. Në vend që të liberalizoheshin testet e shpejta, mbahen të centralizuara dhe të bllokuara për kompanitë farmaceutike dhe nuk lejohen që të sillen në Shqipëri. Ky është një problem i madh, është një politikë thellësisht e gabuar, centraliste dhe që kërkon të fshehë realitetin në Shqipëri.”

Një problematikë e tillë është vënë re edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij të auditimit të performancës për menaxhimin e pandemisë nga institucionet shtetërore, në të cilin gjeti një sërë shkeljesh nga ana e autoriteteve shtetërore, ndër të cilat ishte pikërisht dhe pamundësia e Institutit të Shëndetit Publik, si institucioni i vetëm përgjegjës për mbikëqyrjen kombëtare dhe hetimin e sëmundjeve infektive, në nxjerrjen e rezultateve të testeve përkatëse për efekt dokumentacioni apo/edhe udhëtimi jashtë vendit të qytetarëve.

ISHP, në qershor të vitit 2020, i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me kërkesë që testimi për COVID-19 për efekt dokumentacioni të kryhet në laboratorë jashtë ISHP-së, të cilët të jenë të certifikuar nga kjo e fundit. Në vijim të kësaj kërkese, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi lejimin e kryerjes së testimeve molekulare, PCR për SARS-COV-2, në laboratorët jopublikë për nevoja administrative, të njohur nga Ministria e Shëndetësisë, duke shkelur parashikimet ligjore sipas KLSH-së, për shkak se certifikimi i këtyre laboratorëve nuk mund të kryhet nga Ministria e Shëndetësisë, por nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.

Në të njëjtën kohë, KLSH ka gjetur shkelje ligjore, edhe në performancë, edhe për sa i përket subvencionimit dhe kompensimit të mjekimeve apo testimeve për COVID-19, për sa kohë këto procedura kanë qenë një barrë e tejshtuar financiare për qytetarët, që kanë një nevojë administrative, të kërkuar nga shteti shqiptar, në rast mësimdhënieje dhe punësimi në administratën shtetërore apo për udhëtimet jashtë shtetit për ata, të cilët paguajnë kontribute shëndetësore. Ka kaluar më se një muaj nga dalja e këtij raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe deri më sot nuk ka pasur asnjë ndryshim në procedurat e udhëtimit jashtë territorit të Shqipërisë. Shumica e vendeve europiane dhe më tej ende kërkojnë verifikimin e një tamponi PCR, pavarësisht statusit të vaksinimit dhe shteti ende nuk ka gjetur një mekanizëm, i cili mos t`i rëndojë xhepat e udhëtarëve.

Ndërkohë që OBSH paralajmëron se Europa do të përballet me një situatë të rëndë pandemie deri në pranverën e vitit të ardhshëm, në Shqipëri ata që duhet të udhëtojnë, përballen me çmimet më të larta në rajon të testit PCR. Vendi përballet gjithashtu edhe me shumë të infektuar, që tentojnë të shërohen në shtëpi dhe mbërrijnë në spital, atëherë kur mjekët nuk kanë shumë për të ofruar.

Shqipëria përballet tashmë me valën e katërt të COVID-it dhe numri i të infektuarve dhe viktimave mbetet i lartë, krahasuar me Kosovën, e cila pak javë më parë dukej se po e humbiste luftën me virusin. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, vetëm 33% e të rriturve i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Skepticizmi për vaksinimin ka shumë arsye, një prej të cilave dyshimi tek ajo që thonë autoritetet.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter