Blog

500 qirinjtë që shpëtuan prodhimin, por jo fermerin

500 qirinjtë që shpëtuan prodhimin, por jo fermerin

Një natë të ftohtë të muajit shkurt, S., bashkë me bashkëshorten, e kaloi në serë, duke ndezur 500 qirinj në rrënjët e fidanëve për të ruajtur temperaturën, në mënyrë që të mos dëmtoheshin fidanët dhe të mos shkonte mundi kot.

Fidanët i kishin marrë pa pagesë, me premtimin se do t’i paguanin pas shitjes së prodhimit.

Tani që ka ardhur koha e shitjes, frika e tyre është se me çfarë çmimi do t`i sheshin prodhimet. A do të dalin këtë vit me fitim apo me humbje?

Kjo është një prej historive të fermerëve në zonën e Lushnjës. E përbashkëta e tyre është “frika” që kanë nga pikat e grumbullimit. Nga kjo drojë, edhe ata që pranojnë të flasin, nuk duan të identifikohen.

Kjo ishte panorama e fermave të panumërta në Lushnjë që ACQJ gjeti në fillim të muajit shkurt 2021. Fermerë, që me mjete rrethanore mundoheshin të mbillnin, të rrisnin dhe të garantonin korrjen e produkteve të tyre në serat që i menaxhonin familjarisht. ACQJ iu drejtua këtij rajoni edhe në muajin gusht, muaj gjatë të cilit të gjitha prodhimet supozoheshin të ishin mbledhur dhe shitur tashmë, dhe fermerët të kishin mundësinë të gëzonin frytet e punës së tyre të mundimshme gjatë gjithë sezonit të rritjes. Por, panorama nuk kishte ndryshuar.

Të pyetur nga gazetarët, po të njëjtët fermerë shprehen se, pavarësisht pritshmërive edhe këtë vit mbetën të pakënaqur nga subvencionet që kanë përfituar nga shteti. Një fermer thotë se ka marrë vetëm 20.000 lekë për plastmasën e serës për një dynym tokë, duke u shprehur se, “nëse do ta dija që do merrja kaq pak, nuk do të aplikoja fare, se gjysmën e parave që kam, e kam shpenzuar për dokumentacionin që u desh për të aplikuar”.

Produktet e serës, që ka shitur në sezonin e parë, i ka shitur të gjitha në tregun e brendshëm, por me çmimin që kanë vendosur tregtarët. Ai thotë se edhe çmimi i plehut kimik është rritur në krahasim me vitin e kaluar. “Edhe agronomët e bashkisë nuk na i vizitojnë serat në terren, për të parë produktet dhe të shikojnë problemet e mundshme. Gjithçka bëhet në zyrë, me shkresa ose nuk bëhet fare”, shprehet ai, ndërkohë që një nga bashkëfshatarët e tij thotë se këtë sezon nuk ka shitur në pikat e eksportit për shkak të burokracive dhe marifeteve që bëjnë me çmimet.

Pikat e shumicës diktojnë vlerën e produkteve ushqimore 

Përmes programit IPARD, zona e Lushnjës ka hapur disa nga pikat më të mëdha të grumbullimit të produkteve bujqësore në Shqipëri. Në një postim në Facebook të muajit qershor të këtij viti, kryeministri Rama reklamoi arritjet në këtë fushë, duke shprehur aspiratën për arritje edhe më të mëdha. Pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore, “Doni Fruits”, “Elian” dhe “Pula Comerc”, në Lushnjë janë një nismë private, por janë mbështetur edhe nëpërmjet programit IPARD. Sipas burimeve shtetërore, këto investime kanë patur një ndikim të lartë në rritjen e prodhimit bujqësor të zonës, shtimin e eksporteve dhe gjenerimin e të ardhurave për banorët e kësaj zone. Sipas statistikave të INSTAT, eksportet në ushqime, pije dhe duhan, pjesë e të cilave janë dhe eksportet bujqësore, për gjashtë muajt e parë të vitit kanë qenë në total 21,359,000,000 lekë, por fitimet reale të fermerëve në Lushnjë janë tejet të limituara nga vështirësitë në rritjen e prodhimit dhe në përcaktimin e çmimeve nga pikat e grumbullimit.

Kur iu drejtohen pikave të grumbullimit të produkteve të fermerëve, këta të fundit shprehen se ndihen të pafuqishëm kundrejt tregtarëve, pasi kanë vetëm dy rrugë: ose ta shesin mallin e tyre me ҫmimin që vendos tregtari, ose të detyrohen ta hedhin prodhimin në fushë. Fuqia e pikave të shumicës vjen nga situata monopol. Në Lushnjë ekzistojnë pak pika grumbullimi për eksport.

“Ata presin të tejmbushet tregu i brendshëm i Divjakës, në mënyrë që të ulen çmimet”, thotë njëri prej fermerëve në Këmishtaj.

Fermeri nuk mund ta shesë të gjithë prodhimin në tregun e brendshëm, ndërsa pikat e eksportit e marrin të gjithë prodhimin njëherësh, por me ҫmimin që diktojnë pikat e shumicës.

“U detyrova të shes te pika e shumicës 7 kuintalë domate për vetëm 7000 lekë, thënë ndryshe 10 lekë për kilogram”, thotë një fermer. Në tregun e pakicës çmimi ishte 140-180 lekë, një diferencë tejet e madhe, nga e cila fitojnë vetëm grumbulluesit dhe tregtarët e shumicës, sipas vetë fermerëve.

I pyetur mbi problemet që shfaqen për fermerët që përpiqen të shesin produktet e tyre pranë pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore, Dr. Rezart Prifti, pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe bashkautor i një prej botimeve më gjithëpërfshirëse mbi ekonominë bujqësore në Shqipëri dhe problematikat e hasura nga fermerët shqiptarë, shprehet: “Është e vërtetë që shpeshherë fermerët nuk e kanë fuqinë e diktimit të çmimit të produktit dhe kjo shkakton probleme tek ata, për sa kohë që detyrohen ta shesin nën kosto, për të mos ta hedhur në fushë, por duhet të kihet parasysh që në Shqipëri mungon optimizimi i proceseve të prodhimit, pasi në shumicën e rasteve kemi mbetur shumë mbrapa teknologjisë së prodhimeve bujqësore, dhe si pasojë kemi një produkt për përdorim të brendshëm apo eksport të standardit tejet të ulët.”

Ai më tej thekson se shitja e produktit te grosisti është një negociatë tregtare. “Nuk mund të caktosh çmimin e produktit sipas dëshirës apo nevojës, në rast se nuk ndjek udhëzimet e cilësisë apo sasisë së produktit të kërkuar, nuk i përmbahesh kushteve të cilësisë së produktit të kërkuar apo nuk i përmbahesh limitit mbi përdorimin e pesticideve në produkt. Shumica e mbledhësve të produkteve bujqësore janë eksportues për disa nga zinxhirët më të mëdhenj tregtarë, evropianë dhe më tej. Nuk mund të presim që grosisti në Shqipëri ta pranojë produktin jashtë standardeve dhe më pas ky produkt të pranohet dhe nga porositësi kryesor. Këtu të dyja palët kanë fajet e veta, por duhet parë me kujdes dhe jo të hidhet gjithmonë faji te pikat e grumbullimit.”, thotë ai.

Subvencionet, lehtësisht të gjindshme në letër, por praktikisht të pafitueshme 

Duke lexuar informacionet në faqen online të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe AZHBR-së, informacionet mbi subvencionet potenciale për fermerët, procedurat e thjeshta, sipas ministrisë, janë një makth për këdo që përpiqet të arrijë të përfitojë ndonjë fond për zhvillimin e mëtejshëm të fermës apo serave të tij.

“Duket sikur këto kritere janë vendosur që subvencionet nga shtetit të mos fitohen nga fermerët e vegjël”, thotë një ekspert i bujqësisë, që është familjar me problemin.

Fermerët, veçanërisht ata që kanë sera dhe nuk i përdorin shumë mjetet bujqësore, sugjerojnë modelin e subvencionit që bëhet në Maqedoninë e Veriut: subvencioni të jepet në bazë të sasisë që prodhojnë dhe jo fiks, siç bëhet këtu.

“Subvencionet që ofron shteti, përveçse nuk janë të mjaftueshme, as nuk janë kategorizuar sipas nevojave të fermerëve.”, thotë Andrea Muҫo, eksperti i Qendrës për Transferimin e Teknologjive Bujqësore, Lushnjë.

Procedura e përfitimit të një subvencioni për fermerët është vetë një ferr i vërtetë për sa i përket hapave dhe shkresave të nevojshme. “Aplikimi fillestar bëhet në zyrat e bujqësisë së qarkut. Pasi kompletohet dosja e aplikimit, duhet të paraqitesh pranë Komisionit të Pranimit dhe Vlerësimit të Aplikimeve, i cili bën kontrollin e dosjes dhe futjen në sistem të të dhënave. Pastaj vijon me vlerësimin e aplikimit, që supozohet të bëhet automatikisht nga sistemi, ndjekur nga një kontroll administrativ dhe verifikim në terren dhe në fund, nëse je me fat, atëherë kryhet miratimi i dosjes dhe autorizimi i pagesave, pa folur këtu për ekzekutimin e tyre, që kushedi kur bëhet.”, – thotë një fermer.

Një fermer tjetër pyet: “Unë kam serë. Për çfarë më duhet subvencionimi i karburantit? Ku ta përdor?”

Qendra për Transferimin e Teknologjive Bujqësore është e pafuqishme për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve të Lushnjës, pasi i është hequr gjysma e kompetencave. Kërkimi shkencor i është deleguar Universitetit Bujqësor të Tiranës. Si pasojë e kësaj buxheti dhe burimet njerëzore të këtij institucioni janë zvogëluar, duke iu lënë akses vetëm në eksperimentimin e farave të kulturave të ndryshme bujqësore dhe zhvillimin e panaireve.

Problemi i fermerëve, – thotë Muço, – nuk është zgjedhja e “gabuar” e kulturave bujqësore që do të kultivohen. Problemet vijnë më vonë: pamundësia për ta shitur prodhimin, mungesa e subvencioneve, disniveli i kostos dhe fitimit.”

Nga kriteret e vendosura për subvencionin e karburantit, një fermer duhet të ketë jo më pak se 1 hektar tokë dhe jo më pak se 10 certifikata pronësie në tërësi. Pra, një certifikatë pronësie duhet të ketë jo më pak se 1000 m2 për të plotësuar kriterin, edhe pse fermeri e ka këtë 1 hektar tokë, por certifikatat i ka për më pak se 1000 m2.

“Ndër vite është vënë re që një nga problemet kryesore në subvencionimin e fermerëve ka qenë paligjshmëria dhe mospërkthimi i skemave të ndryshme në eficiencë prodhuese apo tregtuese. Skema aktuale e AZHBR-së, e financuar edhe nga partnerë ndërkombëtarë, e frikësuar dhe nga përvojat e mëparshme, por e shtyrë dhe nga kushtet strikte të financimit nga BE, ka gjetur si mënyrë të vetme të kapërcimit të këtyre vështirësive procedurat burokratike, strikte dhe shpeshherë të pakuptueshme dhe të pazbërthyeshme edhe nga unë, jo më nga një fermer i thjeshtë nga Lushnja apo Fieri. Përtej kushteve mbi sasinë e tokës, krerët e bagëtisë apo dokumentacionit, kostoja për t’u përfshirë në këto skema financimi është shpeshherë e papërballueshme për një fermer për shkak të vetë dokumentacionit të kërkuar dhe hapave të shumta për t`u ndjekur. Në momentin që kosto e ofrimit të shërbimit është më e madhe sesa granti i përfituar, gjithkush nguron të aplikojë, jo më të flasim pastaj për eficiencë.”, thotë Prifti.

Shqipëria është akoma një hap mbrapa në sektorin e bujqësisë, si në aspektin e politikave subvencionuese, po ashtu edhe në teknologjinë dhe cilësinë e prodhimit si pasojë e mungesës së njohjes së kulturave bujqësore jo-vendase, mungesës së përvojës dhe tregtisë së jashtme gjatë regjimit komunist.

Në Lushnjë ka edhe fermerë, të cilët janë trajnuar dhe certifikuar jashtë shtetit, por ndjehen të pafuqishëm për t`i implementuar njohuritë e tyre për shkak të zinxhirit: prodhim-grumbullim-shitje.

Të paktën shteti duhet të ndërhyjë në vendosjen e çmimit dysheme dhe tavan, në mënyrë që fermeri të ketë një siguri që prodhimi i tij nuk do dalë nën kosto”, thotë Muço.

Kjo politikë do të mbronte, jo vetëm fermerin, por edhe konsumatorin nga abuzivizmi i çmimeve nga tregtarët e shumicave, të cilët e blejnë mallin me një çmim relativisht të ulët dhe e shesin me një çmim shumë më të lartë”.

Për çmimet e larta të prodhimeve bujqësore ankohen edhe tregtarët e pakicës.

Në tregjet e pakicës vihet re që për disa produkte të caktuara dominojnë ato të importit, ndërkohë që fermerët shqiptarë po të njëjtat produkte i shesin me çmim të ulët ose detyrohen t’i hedhin.

Mirë që shteti nuk na ndihmon, por, pse nuk na favorizon ndaj produkteve të huaja? Pse duhet të vijë domatja nga jashtë, kur ne këtu e hedhim?”, thotë i zemëruar një fermer.

Sipas ekspertit, kjo situatë ndodh, sepse shteti është më favorizues ndaj produkteve të importit sesa prodhimit vendas.

Financimi i fermerëve shihet si një nga sfidat më të mëdha edhe për Priftin, i cili shprehet: “Nëse duam të shohim skema grantesh efektive, mjafton të heqësh ndërmjetësin. Hiq agjencitë e panumërta dhe vizito fermerin, shiko çfarë i nevojitet dhe financo direkt atë, pa skema të ndërlikuara, pa dokumentacione të panumërta dhe pa kushte të paarritshme, të diktuara nga një historik problematik në menaxhimin e granteve të vogla dhe të mesme për bujqësinë.”

Në kërkesën për informacion që i dërguam Ministrisë së Bujqësisë morëm përgjigje se rregullat e import-eksportit vendosen nga tregu. Gjithashtu u përpoqëm të kontaktonim edhe ish-ministrin e Bujqësisë, z. Edmond Panariti, duke qenë se fuqizimi i pikave të grumbullimit u bë politikë e Ministrisë së Bujqësisë në kohën e tij, por nuk morëm përgjigje prej tij.

Përballë një situate të tillë, fermerët nuk gjejnë mbështetje as nga sindikatat dhe organizatat bujqësore, pasi, sipas tyre, këto të fundit janë bërë njësh me palët më të fuqishme (tregtarët).

Shpresa e vetme e fermerit nga Këmishtaj, që shpëtoi fidanët tre muaj më parë duke ndezur qirinj në serë, është shitja e prodhimit me një çmim që të paktën të mos dalë me humbje.

Kjo frikë e fermerëve do të shuhet, nëse do të ketë një kontroll më të madh ndaj pikave të shumicës dhe së paku do të vendoset një çmim dysheme.

Të paktën të bëhet ajo që bëhet në Maqedoni”, thotë një prej fermerëve.

Ekonomisti Prifti, duke parë situatën aktuale, shprehet se problemi kryesor, i vërejtur në Shqipëri është mungesa e përshtatjes me ekonomitë botërore dhe kërkesat e tregut, dhe si pasojë e dështimit nga ana e fermerëve për të përfituar nga aplikimi i ekonomisë së shkallës, jo vetëm për sa i përket elementit ekonomik, por dhe në mënyrë që të kthehen në faktor konkurrues në treg. “Fjala “kooperativë” ka një damkë të zezë në vetëdijen e shqiptarëve, por ajo që ne në raportin e përgatitur për FES në vitin 2016 propozojmë, është një term dhe një qasje ndryshe: Iniciativa të fermerëve sipërmarrës, që sërish në thelb është një bashkim i forcës mes fermerëve të vegjël për përshtatje me kërkesat e tregut, por me elemente më bashkëkohore.”

Tani për tani fermerët mbetën të nënpërfaqësuar, me skema financiare mbështetëse jo të përshtatshme për prodhuesit e vegjël dhe me një treg, të cilit e kanë të vështirë t`i përshtaten, si në cilësi prodhimi, ashtu dhe në sasi, duke e lënë në dorë të grosistëve fatin e shitjes së produkteve të tyre. Përshtatja me standardet ndërkombëtare nuk është e lehtë, por edhe ndërhyrja e një prodhimi të komanduar sipas kërkesave të blerësve dhe bashkëpunimi mes fermerëve për të përfituar nga koncepti i ekonomisë së shkallës, shihen si dy nga mënyrat e vetme efikase për daljen nga situata e pashpresë, aktuale.

Shpërndaje