Bashkia e Tiranës përdor auditin e KLSH-së për të shmangur transparencën në investime

Autor: Fatjona Mejdini

Bashkia e Tiranës duket se komunikimin me publikun dhe dhënien e informacionit për investimet e saj e ka prioritet. Mediat kryesore në vend, disa herë në ditë njoftojnë me video të mirëkuruara aktivitetet e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Por ky komunikim duket se është i njëanshëm, selektiv, i drejtuar nga nevoja e Bashkisë për të përcjell informacion dhe jo simetrik kur mediat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë të informohen.

Për pesë muaj me radhë, duke përdorur ligjin për të drejtën e informimit, Qendra për Gazetari Cilësore e pati të pamundur të marrë dhëna të plota mbi investimet në infrastrukturën publike në Tiranë për tetë vitet e fundit.

Ndonëse Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka ndërmjetësuar situatën dhe përfaqësuesit e Bashkisë janë zotuar disa herë se do të japin informacionet e kërkuara, situata ka mbetur e pazgjidhur.

Pas një komunikimi të vazhdueshëm, si me Komisionerin për të Drejtën e Informimit, ashtu dhe me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, të cilët kanë siguruar në mënyrë të vazhdueshme se informacioni i kërkuar do të vihet në dispozicion, në muajin e dytë të kalvarit, kjo e fundit ka paraqitur argumentin se i gjithë arkivi i këtij institucioni është venë në dispozicion të Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH për tu audituar, dhe për këtë arsye nuk mund të japë informacion të plotë për investimet deri në përfundimin e procesit.

Por në realitet, KLSH ka marrë në shqyrtim investimet e Bashkisë vetëm për tre vite, në një kohë kur Qëndra ka kërkuar informacion për investime të shtrira në dhjetë vjet.

Argumenti i përdorur rezulton të jetë një justifikim i Bashkisë për të mos lejuar transparencën për investimet.

Pavarsisht se Bashkia gjatë gjithë këtyre muajve ka penguar marrjen e informacionit duke përdorur taktika bllokuese dhe informacion të rremë, nuk rezulton që përfaqësuesit e saj të jenë penalizuar me asnjë gjobë administrative, siç parashikon ligji për të drejten e informimit.

Kalvari i kërkesës për informim

Në 1 Gusht të vitit 2018, Bashkisë së Tiranës ju kërkua përmes ligjit për të Drejtën e Informimit të bënte publike të gjitha investimet e kryera në infrastrukturë përgjatë tetë viteve të fundit, nga Qershori i vitit 2010 deri në Qershorin e vitit 2018.

Në të, u kërkuan informacione të përgjithshme, siç është vlera e secilit prej investimeve, dhe kohëzgjatja e punëve deri në përfundimin e plotë të veprave.

Bashkia e Tiranës nuk dha përgjigje për informacionin e kërkuar brenda 10 ditëve të punës sic e parashikon ligji, dhe më 26 Gusht, Qëndra për Gazetari Cilësore i kërkoi Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të ndërmjetësonte marrjen tij. Si pasojë e këtij ndërmjetësimi Bashkia solli brenda pak ditësh informacionin e kërkuar.

Por kalvari nisi pikërisht kur në fundin e muajit Tetor, Qendra përzgjodhi 25 nga këto investimeve në rrugë, blloqe urbane dhe kënde lojrash për fëmijët dhe i kërkoi Bashkisë informacione të detajuara për to.

Në kërkesën për informacion, Qendra kërkoi kontratat e lidhura me firmat të cilat kishin kryer punimet, si dhe ato të lidhura me mbikëqyrsin dhe kolaudatorin e punimeve. Gjithashtu u kërkua për secilin rast projekti fillestar i investimit dhe projekti përfundimtar i zbatuar nga firma fituese, për të kuptuar devijimet e mundshme nga ideja tek zbatimi i projektit. Garancia që firmat jepnin për ndërtimet e tyre ishte po kështu një element i kërkuar, për të kuptuar nëse ato mbanin ose jo përgjegjësi nëse punimet e bëra e humbisnin cilësinë brenda një kohe të shkurtër.

Bashkia Tiranë nuk e dërgoi brenda afatit informacionin e kërkuar dhe Qendra në Nëntor 2018, i kërkoi Komisionerit të ndërhyjë. Ky instititucion i kërkoi përmes një shkrese Bashkisë dhënien e informacionit të kërkuar brenda datës 21 Nëntor.

Në shkresën e firmosur nga Komisioneri, Besnik Dervishi citohet dhe ligji, ku refuzimi i një institucioni për të dhënë informacion dënohet me një gjobë nga 150,000 deri në 300,000 lekë.

Por Bashkia përsëri nuk e dha informacionin e kërkuar brenda afatit të vendosur nga Komisioneri dhe as ky institucion nuk e gjobiti Bashkinë për shkeljen e ligjit për tyë Drejtën e Informimit.

Pas ankesave të vazhdueshme nga Qendra, Komisioneri vendosi që në datë 6 Dhjetor të ndërmjetësonte një seancë dëgjimore mes dy palëve.

[pullquote]

Gjobat

Ligji për të Drejtën e Informimit u miratua në vitin 2014, duke sjell risi siç është e drejta e kërkuesëve për të marrë informacion jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij ligji, refuzimi i dhënies së informacionit, pasi është konsumuar dhe shkalla e ankimit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë

[/pullquote]

Në seance, përfaqësues të Bashkisë argumentuan se mosdhënia e një përgjigje për kërkesën e Qendrës kishte ardhur si pasojë e kohës së pakët në dispozicion për ta përmbushur atë. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë, çdo dosje e investimeve pas dy viteve nga realizimi, kalonte në një arkivë qendrore dhe për ketë arsye kërkohej kohë për tërheqjen e dosjeve.

Me konsesus të palëve, Komisioneri mori vendim për shtyrje të afatit të dorëzimit të dokumentave të kërkuara nga Qendra, deri në datën 26 Dhjetor 2018.

Por dy ditë përpara kësaj date, Bashkia e Tiranës përmes një letre, informoi Komisionerin dhe Qendren se ajo nuk mund të japë dokumentacionin e kërkuar deri në datën 16 Prill pasi e “gjithë arkiva e Bashkisë” i ishte vendosur në dispozicion KLSH-së për një proces auditimi.

Ky vendim i njëanshëm i Bashkisë u aprovua dhe nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Por Qendra ju drejtua KLSH-së për tu informuar mbi afatet e auditimit të investimeve të Bashkisë. Për çudi KLSH i pohoi se vitet që ata po auditonin ishin vetëm ato 2016-2018 dhe jo investimet të cilat ishin kryer përpara 2016-s. Për më tepër, ky institucion garantoi se do të bënte të pamundurën që në asnjë rast mos të bllokohej e drejta për informim të publikut, për shkak të një procesi auditimi.

Të gjendur përpara situatës kur Bashkia nuk kishte treguar të vertetën, Qendra i kërkoi përsëri Komisionerit të veprojë. Përgjigja e marrë ishte se ky institucion e kishte kontaktuar Bashkinë, por kjo e fundit, përsëri ka refuzuar të japë informacionin e kërkuar.

Përmes një email të datës 18 Mars 2019, zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit ka njoftuar Qendrën se ky institucion ka kërkuar nga Autoriteti Publik/Bashkia Tiranë të rivlerësojë dhënien e informacionit të kërkuar sipas objektit te kërkesës, si dhe argumentet ligjore përkatëse brenda datës 15.03.2019.

Në përgjigjen e saj, Bashkia Tiranë ka theksuar se [sic] Ne lidhje me kerkesën e Z. Roden Hoxha, sikuse ju kemi sqaruar edhe me pare prane bashkise Tirane eshte duke u kryer Auditimi nga grupi i KLSH mbi te gjith procedurat e prokurimit dhe zbatimin e tyre. Per kete arsye deri ne 16.04.2019 date ne te cilen mbyllet procesi i auditimit, jemi ne pamundesi te leshimit te dokumentacionit zyrtar te kerkuar nga Z.Roden Hoxha pasi I gjith dokumentacioni I kerkuar eshte ne dispozicion te grupit te audimit.”.

Në këto kushte, Komisioneri është ndodhur tërësisht i pafuqishëm përballë Bashkisë Tiranë, dhe në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar kërkesat e Qendrës për ushtrimin e kompetencave të tij, që garantohen nga Ligji për të Drejtën e Informimit.

Zyrat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit

Zvarritje dhe mungesë ndëshkimi

Për Bashkinë e Tiranës nuk është hera e parë që pavarësisht mosdhënies së informacionit, ndaj përfaqësuesve të saj nuk aplikohen sanksione. Sipas një raporti të Qëndrës “Res Publica” publikuar në Janar 2019, kjo Bashki është një shkelëse përsëritëse. Gjatë viteve 2017 dhe 2018 kundër saj janë dhënë shatët vendime detyrimi për dhënie informacioni por nuk është vendosur asnjë gjobë.

“Fakti që ndaj Bashkisë Tiranë, Komisioneri mban një qendrim të butë, sugjeron që ai ndoshta nuk ka forcën e duhur të përballet me institucione që kontrollohen nga persona të rëndësishëm për forcën politike që dominon Kuvendin” theksohet në raport.

[pullquote]

Gjykatat

Kërkuesit e informacionit apo institucionet kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin e Komisionerit në Gjykatën Administrative. Ky proces zgjat mesatarisht tre vjet, duke llogaritur faktin se vendimi i shkallës së parë mund të apelohet. Nisur nga zvarritjet e mëdha që kjo sjell organizatat kërkojnë ndryshim në ligjin për të drejtën e informimit dhe atë mbi gjykatat amdinistrative, ku vendimet Komisionerit të kenë karakter ekzekutiv, ose ato të gjykatës së shkallës së parë për çështje të të drejtës së informimit të jenë të paankimueshme.

[/pullquote]

Gjatë vitit 2018, pavarësisht se tek Komisioneri janë paraqitur 755 ankesa përkundrejt institucioneve, ky institucion ka vendosur vetëm katër gjoba.

Sipas drejtuesit të kësaj qendre, Dorian Matlija, kjo qasje e Komisionerit prodhon pasoja përsa i përket zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit.

“Kjo sjell relaksimin e të gjithë institucioneve ndaj të cilëve kërkohet informacion, sepse tashmë e kanë mësuar se Komisioneri është i butë,” theksoi ai.

Sipas Matlijës, Komisioneri ka preferuar ti zgjidh çështjet me mirëkuptim, pavarësisht se ligji nuk e parashikon.

“Kjo praktikë sjell vonesa të tepërta në dhënien e informacionit dhe shmang sanksionet duke keqedukuar shkelësit përsëritës,” theksoi ai.

Raporti i “Res Publica” thekson se është alarmant fakti se institucionet gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin e kaluar, e kanë dyfishuar kohën e reagimit për plotësimin apo vënien në dispozicion të informacionit pasi subjektet kërkuese janë ankuar tek Komisioneri.

Vetë Komisioneri e ka tejkaluar afatin ligjor me afro 2,5 herë në vitin 2018, duke dhënë vendime për mesatarisht 54 ditë, duke krijuar zvarritje që i bëjnë institucionet të reagojnë edhe më

ngadalë.

Sot është data 9 Prill 2019. Pas më shumë se 5 muajsh nga dita e paraqitjes së kërkesës për informacion nga Qendra për Gazetari Cilësore, Bashkia Tiranë ende nuk ka dhënë informacionin publik të kërkuar, duke u justifikuar me auditime të paqena dhe bllokime të qëllimshme.

 

* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” që mbështetet nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane pwr Zhvillim dhe Bashkëpunim. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter