Blog

Bllokimi i aboneve të përgjithshme, përse nuk u llogaritën ata që janë në vështirësi ekonomike

Bllokimi i aboneve të përgjithshme, përse nuk u llogaritën ata që janë në vështirësi ekonomike

Me argumentin se do të riorganizojë dhe ristrukturojë shërbimin e transportit për shkak të ankesave të qytetarëve dhe monitorimeve të inspektorëve, bashkia e Tiranës njoftoi se nga qershori deri në fund të gushtit abonetë e përgjithshme do të hiqen. Nga kjo masë u tregua se do të përjashtoheshin abonetë për linja e veçanta që shiten normalisht, kurse për abonetë e përgjithshme, shtatori u pa si muaji kur do të rihidhen në shitje. Muajt qershor, korrik, gusht konsiderohen nga Bashkia e Tiranës si një periudhë gjatë të cilës do tu kërkohet operatorëve të transportit publik qytetas, rikthimi i kushteve të plota të ofrimit të shërbimit, sipas kushteve të kontratës duke ofruar shërbim të plotë me 100 përqind të kapacitetit të mjeteve në operim.

Por vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës i pritur me protestë, riktheu dhe njëherë në vemendje problematikat e transportit urban në Tiranë. Ndonëse problemet u ekspozuan më qartë gjatë pandemisë, për qytetarë, gjithçka lidhet me efektet financiare që shkaktohen në xhepat e tyre , por edhe cilësinë e këtij shërbimi.

Qytetarë në urban, Qershor 2021 Foto:ACQJ

Njëherë ngritën çmimin e biletës dhe të aboneve, tani na e heqin fare abonenë e përgjithshme, me shkakun se do e reformojnë transportin urban, por në fakt ka ndodhur e kundërta, kushtet janë përkeqësuar gjithmonë e më shumë”, kështu e nis rrëfimin e tij 50 vjeçari, Fatmir Sefa i cili për shkak të punës së tij si hidraulik është i detyruar të lëvizë nga një urban në tjetrin.

Heqjen e abonesë, Sefa nuk heziton ta quajë një dëm ekonomik, mbasi e detyron të paguajë biletë të dedikuar për çdo autobuz që merr.

Rrogën po e lëmë në abone, i bie që të punojmë për abone pasi unë duhet të blej tre abone, pasi ndërroj tre autobusë të ndryshëm në ditë për të shkuar në punë. Deri tani nuk kam blerë asnjë abone dhe ndërroj 6 herë në ditë urbanin, harxhoj 240 lekë në ditë për bileta. Nuk është çështje politike, kjo është direkt çështje xhepi”, e mbyll rrëfimin hidrauliku.

Edhe për Shpresa T., e cila punon si sanitare në dy vende të ndryshme të Tiranës, heqja e abonesë i kushton shumë, mbasi nga dita e parë e muajit qershor ajo është e detyruar të blejë dy-tre abone për të mbërritur në destinacion. Dhe sipas gruas, qytetarët nuk u përfillën ndonëse janë pjesë e komunitetit dhe duheshin konsulta me ta.

Unë punoj në dy vende të ndryshme si sanitare, dhe me duhet të shkoj nga njëri skaj në skajin tjetër të Tiranës. Aboneja e përgjithshme ishte më ekonomike, pasi e blije dhe lëvizje në çdo urban ndërsa tani unë jam e detyruar të blej 2-3 abone, pasi ndërroj 2-3 urbane në ditë. Me duhet të marr urbanin “e unazës”, të “Tiranës së re” dhe “Kombinatit”, tregon Shpresa.

Ashtu edhe si Fatmiri, edhe për Shpresësn, ndikimi në të ardhurat familjare është negativ.

Atë pak rrogë që marr, tani duhet që gjysmën ta lë për të paguar abonetë e linjave, pasi edhe duke blerë bileta çdo ditë nuk na del llogaria. Shpresoj që kjo që të hiqet sa më shpejt dhe të na rikthehen prapë abonetë e përgjithshme”, bën apel 53 vjeçarja.

Nuk u llogaritën qytetarët

Drejtori i Ankesave pranë Mbrojtjes së Konsumatorit Shqiptar, Hasan Stafa tregon për Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore se me këtë vendim i është hequr mundësia jo vetëm kryeqytetasve, por qindra  qytetarëve që vijnë nga rrethet dhe kanë vështirësi ekonomike mbasi jetojnë me qera apo në zona periferike të Tiranës. Ndaj Stafa për të qenë sa më konkret flet me shifra.

Transportin publik e përdorin mbi 423 mijë banorë të Tiranës dhe hyrje daljet nga rrethet. Janë hequr rreth 146 mijë abone të përgjithshme. Janë penalizuar mbi 90 mijë punëtorë të subjekteve: fasoneri, call center, ndërtim, punonjës të shëndetit publik, policisë, student, nxënës. Mbi 70 mijë janë amvisa, punëkërkues, pensionistë dhe invalidë”, numëron efektet Stafa.

Sipas tij  edhe pse ka pasur një rritje të çmimit si të biletës, por edhe të aboneve si të linjave urbane, por edhe asaj të përgjithshme më shumë së gjysma e mjeteve të transportit publik nuk i plotësojnë standardet bazë.

Qytetarë duke pritur radhën për të hipur në urban, Qershor 2021; Foto: ACQJ

70% e mjeteve të transportit nuk plotësojnë standartet bazë, ulëset, ajrimi, distanca, kondicionerët. Çmimi është abuziv, pasi po zhvaten konsumatorët dhe është investuar fare pak. Ne do kërkojmë që konsumatorët të protestojnë, duke abondanuar udhëtimin, duke filluar me 2 ditë në javë, pasi heqja e abonesë kushton rreth 27% të të ardhurave nga xhepi i rrogës së punonjësve të sektorit privat”, e mbyll drejtori i Ankesave për ACQJ.

Nga ana e tij, heqjen e abonesë së përgjithshme, drejtori ekzekutiv i Qëndresa Qytetare, Rigers Xhemollari e shikon si një vendim të Këshillit Bashkiak në interes të bizneseve dhe operatorëve të transportit publik dhe jo në interes të qytetarëve. Sipas Xhemollarit është anashkaluar një hallkë e rëndësishme ligjore siç është dëgjesa.

Vendimi për heqjen e abonesë së përgjithshme nga qarkullimi për 3 muaj është një vendim me efekt financiar të drejpërdrejtë tek banorët e kryeqytetit, dhe si i tillë, u anashkalua një hallkë e rëndësishme ligjore si procesi i konsultimit publik. A janë dakort qytetarët, pse po hiqet aboneja përkohësisht dhe si ndikon tek procesi i ristrukturimit? 

Së dyti Këshilli Bashkiak ka një rol përfaqësues për të marrë vendime në interes të atyre që përfaqëson, pra të qytetarëve, në këtë rast Këshilli ka marrë një vendim me interes të pastër të biznesit dhe operatorëve të transportit publik, të cilët pritet të kenë një frymëmarrje financiare nga ky vendim për të vendosur të gjithë flotën e tyre në punë, por duke boshatisur xhepat e banorëve në mënyrë të përditshme dhe direkte”, shprehet Xhemollari.

Kosto të shumëfishta

Sakaq drejtuesi i Qëndresa Qytetare thekson se heqja e abonesë do të ketë një kosto të shumëfishtë në dëm të studentëve.

Për sa kohë në qarkullim nuk do të ketë abone të përgjithshme ose student, kostoja mbi qytetarët me të ardhura të pakta ekonomike dhe tek studentët do të jetë nga 3 deri në 6 fish më e lartë se me abone. Sot dikush që më parë përshkonte dy linja autobusi me abone të përgjithshme do të paguajë 3200 lek më shumë se paguante, ndërsa një student rreth 3800 lek më shumë, kosto të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e këtyre qytetarëve”, thekson drejtuesi i Qendresa Qytetare për ACQJ.

Nisma qytetare

Menjëherë disa aktivistë të organizatës “Organizata Politike” kanë ndërrmarë një nismë për nënshkrimin e një peticioni për ndryshimin e këtij vendimi. Sipas aktivistit, Klodi Leka, ky reagim ka ardhur si një formë e të shprehurit të pakënaqësisë së qytetarëve për situatën ku ndodhet shërbimi i transportit publik.

Në fakt, nuk ishte thjesht ideja jonë, është një lloj pakënaqësie e gjithe dekadës së fundit mund të themi, të 10 viteve të fundit të qytetarëve me gjendjen e transportit publik në Tiranë, e cila sa vjen edhe agravohet dhe përkeqësohet dhe shpesh ka kosto si mendore si në profesion për punë, sa i përket qytetarëve. Edhe duke parë pakënaqësinë masive të qytetarëve me faktin se u hoq aboneja e përgjithshme, ndërmorëm këtë iniciativë si aktivistë për të nënshkruar një peticion, për t’ia dorëzuar Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj”, shprehet Leka.

29 vjeçari thekson se ka pasur një sensibilizim të madh të qytetarëve të thjeshte të cilët kanë reaguar në formën e tyre.

Në 5 ditë kanë firmosur rreth 8 mijë qytetarë, por presim që të shkojnë më shumë se aq, pasi ka pasur një sensibilizim të qytetarëve për ta firmosur. Janë rreth 220 mijë qytetarë që e përdorin në përditshmërinë e tyre dhe janë njerëz që me punën dhe aktivitetin e tyre e mbajnë në këmbë Tiranën. Nuk ka të bëjë vetëm me firmat, nuk është thjesht çështje numrash, është çështje e një ndjeshmërie të lartë sociale e cila prek shtresat më punëtore”, tha 29 vjeçari.

Sakaq Leka tregon se sa është kostoja ekonomike që shtohet me heqjen e abonesë.

Mesa kemi shikuar gjatë këtyre pesë ditëve, kategoria që e ka firmosur më shumë këtë peticion është ajo e sanitarëve, pasi ankesa e tyre është se tani që u hiqet aboneja, gjysma e rrogës iu shkon nëpër autobusa. Një tjetër kategori është ajo e punëtorëve të ndërtimit.

Nga një përllogaritje që kemi bërë, na rezulton se në një familje me tre persona, ku dy prindërit punojnë dhe fëmija i tyre është student, kostoja sociale shkon nga 4000 lekë deri 5000 lekë në muaj, duke u shtuar anëtarët e familjes edhe kostoja sociale rritet”, tregon Leka.

Çfarë ndodh me abonetë?

Në fundin e dhjetorit të vitit 2015, Këshilli Bashkiak mori vendimin për rritjen e çmimit e biletës së autobusit me 10 lekë, të rritjes së çmimit të abonesë së përgjithshme me 400 lekë, ndërsa aboneja e një linjë u rrit me 300 lekë. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, atë kohë e arsyetoi faktin e rritjes së çmimit të biletës pasi do kishte reformim dhe modernizim të transportit urban në Tiranë.

Madje në vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak theksohet se në linjat e transportit urban do të futet sistemi i biletimit në mënyrë elektronike.

Sistemi i biletimit dhe kartelave të pajtimit do të jetë elektronik. Në biletimin elektronik kategoritë e personave që përfitojnë udhëtime falas si dhe studentët do të pajisen me karta të personalizuara. Deri në aplikimin e sistemeve elektronike operohet sipas standarteve aktuale të biletimit dhe kartelave të pajtimit”, theksohet në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Biletë urbani, qershor 2021; Foto: ACQJ

Por nga një vëzhgim i thjeshtë në linjat kryesore urbane në Tiranë vërehet se kushtet janë të njëjtat si në vitin 2016, madje janë edhe përkeqësuar më shumë. Sistemi i biletimit elektronik mungon. Një tjetër premtim i madh i kryebashkiakut Veliaj ishte edhe zëvendësimi i autobusëve me ato elektrikë. Por faktet tregojnë krejt të kundërtën, madje kjo çështje është harruar fare.

 

Shpërndaje