Blog

Braktisen qytetarët. Institucionet përgjegjëse heshtin para kompanive celulare, tarifa të larta për të mbajtur numrin aktiv

Braktisen qytetarët. Institucionet përgjegjëse heshtin para kompanive celulare, tarifa të larta për të mbajtur numrin aktiv

Për qytetarët rimbushja e përmuajshme e telefonit në vlerën e 100 lekëve për të shtyrë afatin e skadimit të numrit është një paradoks dhe një shpenzim i papërballueshëm dhe i pakuptimtë. “Ka raste që nëse nuk e rimbush brenda afatit sepse mund të harroj ndonjëherë dhe kompania mi merr të gjitha paratë që kam në telefon”, rrëfen një qytetar në platformën “SINJALIZO” që kërkon të mbetet anonim.

Së bashku me të, edhe një tjetër me inicialet E. D. i mëshon të njëjtit problem duke radhitur vështirësitë  ekonomike nga njëra anë, e njëherazi domosdoshmërinë për të patur një numër telefoni .

Unë nuk i kam kushtet ekonomike për të paguar 500 lekë për çdo muaj për të shtyrë afatin e skadimit të numrit, pasi më përpara më duhet të siguroj gjërat bazike për familjen, si ushqimi, pagesën e ujit, dritat, tani na duhet të paguajmë edhe për telefonat për të shtyrë afatin e numrit. Më përpara nuk ka funksionuar kështu dhe as nuk lajmërohemi për ndryshimet që ndodhin. Vetëm e vërejmë kur nuk na funksionon më numri për të thirrur dikë, apo kur njoftohemi se nuk kemi kredit të mjaftueshëm për të bërë një telefonatë”, shprehet 43 vjeçari. Ai mendoi se zgjidhja do ti vinte nëse komunikonte me kompaninë telefonike dhe e vinte në dijeni për ngërçin.

Jam ankuar tek kompania por nuk më kanë dhënë asnjë zgjidhje, kam shkuar tek institucionet përgjegjëse, por as aty nuk kam marrë një zgjidhje”, shton edhe Besmiri, një student që jeton mes qerasë dhe kostove të përditshme që nga faturat e ujit, dritave dhe deri tek leksionet e fotokopjuara.

Qytetarët ankohen, por askush nuk i dëgjon

Problematikën dhe ankesat për çështjen e afatit të skadimit të një numri të thjeshtë me parapagesë e konfirmojnë edhe organizmat shtetërore, si edhe shoqatat ndaj mbrojtjes së konsumatorit.

Pranë zyrës së komisionit së mbrojtjes së konsumatorit ka patur një numër të madh ankesash nga qytetarët e thjeshtë në lidhje me problematikën e skadimit të numrit me parapagesë dhe çdo ankesë i është deleguar AKEP-it për zgjidhje”, u shpreh në një prononcim për ACQJ, Zyra e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, Ersida Teliti tregon për ACQJ se qendra ka marrë një numër të madh ankesash përsa i përket këtij problemi dhe se të gjitha këto ankesa i janë deleguar insitucioneve përgjegjëse. Por gjithashtu ajo thekson se sapo institucionet përgjegjëse kanë mbyllur hetimet, pasi nuk kanë mundur të provojnë pretendimet, kompanitë i janë rikthyer vendimmarrjeve të mëparshme.

Qendra ‘Konsumatori Shqiptar’ për gati më shumë se 5 muaj ka marrë një numër të madh ankesash në lidhje me konsumatorët që kanë një numër me parapagim përsa i përket pikërisht detyrimit dhe njoftimit që i është dërguar nga kompanitë celulare që nëse nuk paguajnë brenda një date të caktuar ose nuk rimbushin kartat, numrat e tyre do të skadojnë. Duhet theksuar se për këtë arsye në fillim të muajit maj, kemi vënë në lëvizje autoritetet dhe kompanitë përkatëse, pikërisht autoritetet përgjegjës si AKEP dhe Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit, i cili ia ka deleguar këto ankesa AKEP-it. Praktikisht nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorit një çështje e tillë dëmton të drejtat dhe interesat e tyre ekonomike, sepse rritja e çmimeve duhet të shoqërohet me rritjen e shërbimeve ose me ofrimin e shërbimeve të reja”, shprehet Teliti për ACQJ.

Ankesat e qytetarëve ndaj kompanive celulare na i konfirmon edhe një tjetër organizëm për mbrojtjen e konsumatorëve siç është “Mbrojtja të Konsumatorit Shqiptar”.

Drejtori i Ankesave pranë kësaj organizate, Hasan Stafa, shprehet se për këtë problematikë ka ankesë pothuajse çdo muaj, ku vetëm në muajin gusht 2021 ka pasur 39 ankesa nga qytetarët e thjeshtë.

“Ankesat më të shumta janë për ngritjen e çmimit për të shtyrë afatin nga 100 lekë në 200 lekë. Në momentin e përfundimit nëse konsumatorët harrojnë apo skanë mundësi financiare, lekët gjendje zerohen duke e vjedhur krejt hapur klientit dhe kemi pasur raste të vjedhjes deri në 2000 lekë. Këto ankesa vijnë për të tre kompanitë celulare”, thekson drejtori i Ankesave.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore monitoroi kompanitë celulare “One Telecommunications”, “Vodafone” dhe “Albtelecom” në lidhje me tarifat që kanë për shtyrjen e afatit të skadimit të një numri me parapagesë.

U vërejt se asnjë nga tre kompanitë celulare nuk i ka tarifat e njëjta për shtyrjen e afatit të skadimit të numrit me parapagesë.

Kompania “One Telecommunications” në Qershor 2021 ka njoftuar ndryshimin e vlefshmërisë së kreditit duke nënvizuar se për rimbushjet deri në 499 lekë, afati shtyhet me 30 ditë. Për rimbushjet deri në 1200 lekë, afati shtyhet me 45 ditë, për rimbushjet deri në 2000 lekë shtyhet afati me 60 ditë dhe për rimbushjet më shumë se 2.001 lekë shtyhet afati me 180 ditë.

“Çdo rimbushje e rrit vlefshmërinë e kreditit tuaj në varësi të afatit të vlefshmërisë që ka vetë rimbushja”, thuhet në njoftimin e publikuar në websiten zyrtar. Por ndonëse  në këtë njoftim thuhet se për rimbushjet nga 1.201 lekë deri në 2000 lekë shtyhet afati me 60 ditë, në fakt afati për rimbushjen e numrit të shtyhet vetëm me 30 ditë.

Ndryshe nga “One”, kompania “Vodafone” i ka tarifat më të larta për vlefshmërinë e kreditit.

Për rimbushjet deri në 499 lekë në Vodafone, afati të shtyhet me 30 ditë, për rimbushjet deri në 999 lekë, afati të shtyhet për 40 ditë, për rimbushjet deri në 2500 lekë, afati të shtyhet me 60 ditë dhe për rimbushjet me mbi 2500 lekë, afati të shtyhet me 90 ditë.

Por komplet ndryshe vepron kompania “Albetelecom”, e cila për një rimbushje të caktuar ajo të vlen nga 1 deri në 6 muaj, ndërsa numri të mbetet aktiv për 6 muaj. Detajet përmendin detyrimin e qytetarëve për të paguar nëse dëshirojnë një numër aktiv dhe të paskaduar.

1- Me rimbushjet 0 – 500 leke, vlefshmëria e rimbushjes do të jetë 1 muaj ndërsa statusi aktiv për 6 muaj.

2- Me rimbushjet 501 – 1000 lekë, vlefshmëria e rimbushjes do të jetë 2 muaj ndërsa statusi aktiv për 6 muaj.

3- Me rimbushjet 1001 – 2000 lekë, vlefshmëria e rimbushjes do të jetë 3 muaj ndërsa statusi aktiv për 6 muaj.

4- Me rimbushjet sipër 2000 lekë, vlefshmëria e rimbushjes do të jetë 6 muaj ndërsa statusi aktiv për 6 muaj”, thuhet në një njoftim në websiten e tyre.

ACQJ u interesua për të pyetur në lidhje me kontratat që firmosen por sipas kompanive celulare, për numrat e thjeshtë me parapagesë nuk egziston një kontratë e mirëfilltë, pasi vetëm plotësohen të dhënat personale të një abonenti dhe të jepet numri.

E vetmja gjë që iu njoftohet abonentëve është se ky numër ka një afat skadencë prej 12 muajsh, më pas nëse gjatë këtij afati, abonenti nuk ka kryer asnjë veprim rimbushjeje, numri i tij kalon pasiv.

Autoriteti i Konkurencës ping-pong me AKEP

Për këtë çështje ACQJ u interesua pranë Institucionit të Autoritetit të Konkurencës. Në përgjigjen zyrtare thuhet se në gusht të vitit të kaluar është marrë një vendim që i detyron kompanitë celulare të mos ndryshojnë afatin e paketave mujore nga 30 ditë. Por për çështjen më të rëndësishme atë të vlefshmërisë së numrit, Autoriteti i Konkurencës shmang përgjegjësinë duke drejtuar gishtin drejt Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Ju informojmë se Autoriteti i Konkurrencës ka marrë vendimin nr. 703, datë 06.08.2020 “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom” shpjegon ky institucion. Por megjithë këtë nuk ka asnjë konkluzion mbi kontrollin që kryhet ndaj shërbimit që kompanitë ofrojnë për qytetarin.

Ju bëjmë me dije se Autoriteti i Konkurrencës është në monitorim të sjelljes së operatorëve celularë. Përsa i përket vendosjes së tarifave dhe çmimit, organi kompetent për rregullimin e tregut të telefonisë celulare është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Konkurencës për ACQJ.

Por AKEP largon menjëherë përgjegjësinë, duke kujtuar se nuk ka për detyrë të riparojë problematikën. Së bashku me këtë argument, AKEP fton shoqatat dhe kompanitë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për një zgjidhje të përbashkët.

Vlefshmëria dhe kohëzgjatja e kartave celulare SIM me parapagesë, vendosjes së limitit të vlerës së rimbushjes, dhe afatet përkatëse nuk janë të rregulluara nga ligji nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si edhe aktet rregullatore akuale të nxjerra në zbatim të tij.  Kuadri ligjor dhe rregullator i komunikimeve elektronike në Shqipëri është i bazuar në direktivat përkatëse të BE-së, dhe nga shqyrtimi i praktikave më të mira në vendet e BE-së dhe rajonit rezulton se afati i vlefshmërisë së rimbushjeve të kartave SIM përcaktohet nga secili operator cellular, në bazë  të politikave të tij tregtare, dhe nuk është objekt i rregullimit nga kuadri ligjor apo nënligjor përkatës i komunikimeve elektronike në këto vende.  Lidhur me shqetësimin e ngritur për këtë çështje, AKEP inkurajon shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, si edhe të gjitha palët e interesuara për këtë çështje, për të gjetur ekuilibrat bazuar në praktikat më të mira tregtare, në rajon e më gjerë si dhe në bashkëpunim të ngushtë me operatorët celularë të identifikojnë mekanizmat e duhura për vendosjen e një kohëzgjatje të arsyeshme sa i përket vlefshmërisë së kartave SIM”, përgjigjet AKEP, për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Konsumatorët presin nga institucionet

Zgjidhja e këtyre problemeve është përgjegjësi vetëm e AKEP, pasi AKEP-i është institucioni i vetëm që merret me rregullimin e problematikave të telekomunikacionit në Shqipëri”, këmbëngul KMK. Ndërsa Drejtoresha e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” prek paketën ligjore që duhet rishikuar.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit ka vetëm dy dispozita që lidhen përkatësisht me kontratat sikurse është kontrata e shitjes dhe furnizimit me ujë, energji elektrike dhe telekomunikacion, nuk specifikon asgjë, vetëm thotë që furnizimi duhet të jetë i vazhdueshëm, i pandërprerë dhe duhet të ketë një përputhje ndërmjet cilësisë dhe çmimit dhe shërbimit por nuk specifikon çështjen e afatit të një skadimi të një numri të thjeshtë me parapagesë”, thotë profesoresha Teliti për ACQJ.

Me këtë shqetësim bashkohet edhe Rigels Xhemollari, i Qëndresës Qytetare, që konsideron se operatorët celularë nuk ofrojnë transparencë mbi shërbimet.

Sa i përket problemit të pagesës së skadencës, është një shpikje e operatorit për të zhvatur sa më shumë konsumatorin shqiptar. Është një praktikë e pa precedente, e pa shkruar në kontratën e hapjes së një  numri dhe e palogjikshme, pasi nuk mund të paguash për një  shërbim që nuk e përdor”, shprehet Xhemollari. Por pafuqia e institucioneve për rregullimin dhe monitorimin e tregut, është një tjetër shqetësim për Xhemollarin.

AKEP dhe Autoriteti i Konkurencës që janë institucionet përgjegjëse për rregullimin dhe monitorimin e tregut të telefonisë janë në hije dhe të pafuqishme”, e mbyll drejtori i Qëndresa Qytetare.

Çmimet më të larta se fqinjët

Po ashtu, kompanitë celulare në Shqipëri kanë edhe çmimet më të larta në krahasim me fqinjët si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në Kosovë, kompanitë celulare kanë tarifa të ndryshme me Shqipërinë, por më e ulëta është 1 euro për 10 ditë dhe më e larta është më shumë se 20 euro për 360 ditë. “Rimbushja 1 euro – 10 ditë, 2 euro – 20 ditë, 3 euro deri në 4 euro – 30 ditë, 5 euro deri në 9 euro – 60 ditë, 10 euro deri në 19 euro – 90 ditë dhe 20 euro dhe më shumë- 360 ditë”, këto janë tarifat në një kompani celulare në Kosovë dëshmon një qytetar i Prishtinës.

Po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, tarifat për shtyrjen e afatit të skadimit të një numri fillojnë nga 200 lekë deri në 4000 lekë. Por ndryshe nga Shqipëria dhe Kosova, në Maqedoninë e Veriut me rimbushjen e vetëm 200 lekë, afati i skadimit të numrit me parapagesë të shtyhet për 60 ditë. “200 lekë deri në 600 lekë – 60 ditë, 1080 lekë – 180 ditë, 1800 lekë– 360 ditë, 4000 lekë- 500 ditë”, këto janë shifrat e një kompanie celulare në Maqedoninë e Veriut. Sakaq ndonëse në Shqipëri, paga mesatare është më e ulët se dy vendet e lartpërmendura, çmimet e tarifave për shtyrjen e afatit të skadimit të një numri me parapagesë është më “e kripur’ se Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Shpërndaje