Blog

Dritëhijet mbi HEC-et në Librazhd/ Jeta rurale futet në “tub”, duke vjedhur perspektivën e zhvillimit

Dritëhijet mbi HEC-et në Librazhd/ Jeta rurale futet në “tub”, duke vjedhur perspektivën e zhvillimit

Togëzi është një ndër fshatrat ku u ndërtua hidrocentrali i parë në Librazhd. I ndodhur mes 2 HEC-esh, atij të Rrapunit 1 (degë e lumit Shkumbin) dhe Rrapunit 2 (Kuturman, fshat), pasojat e marrjes së ujit kanë krijuar një “shkretëtirë” jetësore, ekonomike dhe mjedisore. HEC-et kanë transformuar jetët e banorëve, si dhe kanë vrarë zhvillimin rural. Ndërtimi i hidrocentraleve në zonën e Librazhdit po shkatërron ekosistemin e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanice. Për më tepër kanë tharë një degë të lumit Shkumbin, duke lënë banorët e fshatrave përreth pa asnjë burim uji të pastër.

Dritëhije të dyshimta, të publikuara në media, mbi afera korruptive në dhënien e lejeve për hidrocentrale në Librazhd, kanë ndryshuar mënyrën e jetesës. Mungesa e ujit në fshatrat e Librazhdit për banorët është një sfidë që nuk kapërcehet lehtë. Hidroelektriciteti supozohet të jetë pjesë e zgjidhjes për mjedisin, por është bërë pjesë e problemit në Shqipëri. “Hidrocentralet janë krijuar pa studimet e duhura mjedisore, si dhe janë ndërtuar në zona të mbrojtura. Shpesh ato janë në pronësi të interesave private dhe individëve me lidhje të forta, të cilët po fitojnë shumë prej tyre”, – thotë eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti.

Na kanë marrë ujin. Kur duan, e lëshojnë, kur duan, e marrin e fusin prapë në central. Na e ka marrë greku. Uji që vjen i pijshëm, na vjen nga qyteti. Turp për ne që jetojmë në Togëz! Historikisht Togëzi ka pasur ujë të bollshëm. Tani na e ka marrë greku. Të lësh fshatin pa ujë…! Nuk kemi ujë për të vaditur tokat; edhe të dalim të pastrojmë jashtë pallateve, nuk pastrojmë dot ose do pastrojmë, do lajmë e do shpëlajmë me ujë të pijshëm dhe pastaj na vijnë faturat e kripura. Rrezikojmë ndonjë epidemi nga papastërtitë”, – thotë Lavdie Murraci, banore e fshatit Togëz. Në Togëz u ngrit hidrocentrali, HEC Rrapuni 3&4, si një investim i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në sektorin e energjitikës. Sipas një njoftimi për shtyp të Kishës Ortodokse, ky hidrocentral është ndërtuar si nismë dhe ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të Kryepeshkopit Janullatos.

C&S Energy sh.p.k., është kompania e krijuar për menaxhimin e kontratës koncesionare të formës BOT nr. 2854 rep., nr. 383 kol i datës 11.09.2009. Aksionerët janë Ekovepra sh.p.k., dhe C&S Construction sh.p.k. Ekovepra rezulton të jetë në pronësi të Energjia Ekologjike sh.p.k., dhe kjo e fundit në pronësi të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Kapaciteti i instaluar është 9.9 MW dhe një prodhim i parashikuar prej 42.9 GWh. Kompania ka ndërtuar një digë me lartësi 10 m mbi lumin Rrapun me 4 porta dhe me një volum prej 60 mijë m³. Liqeni i krijuar mbledh ujin nga lumi i Qarrishtës, përroi i Lunikut dhe përroi i Gurakuqit dhe e çon përmes tubacionit nën tokë drejt e në godinën e hidrocentralit. Godina ka 3 turbina Francis, 3.3 MW secila dhe kompania ka deklaruar se ka kryer 411.850 m³ gërmime dhe mbushje dheu. Por, sipas një raport-studimi për rastet e konflikteve ujore, të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri, nga organizata mjedisore EkoAlbania dhe Qendra Mjedisore në Shqipëri, HEC-i Rrapun 3&4 është pjesë e projekteve të kontestuara dhe i rankuar si shumë dobët nga OSHC për shkak të ndikimit mjedisor që ka sjellë.

“Aktorët vendorë kanë referuar një fenomen të ri, i dëshmuar edhe nga eksperti gjatë vizitave në terren, të ashtuquajturin “kolonializim i tokës”. Kompanitë koncesionare, pa asnjë dokument ose leje përkatëse, kanë uzurpuar një hapësirë të madhe territori dhe toke përreth komponentëve të hidrocentralit, si centrali, vepra e marrjes dhe tubacionet”, – vazhdon më tej raporti.

Lavdie Murraci, banore e fshatit Togëz

 

Rruga e ujit të pijshëm në tubacion që vjen nga Librazhdi për në fshatin Togëz
Ermir Muça, në shtëpinë e tij, me tubat e ujit në sfond

 

Ndërsa Ermir Muça, gjithashtu një banor i fshatit Togëz, na tregon parcelën e tij me gurë dhe dhé. “Nuk ka ujë, nuk ka asgjë. Këtu është tharë çdo gjë. Nuk kemi ujë për vaditje, na i ka nxjerrë tokat djerrë, pasi mungojnë kanalet vaditëse. Nuk kultivojmë dot asgjë. Nuk kemi jonxhë për bagëtitë. Për misrin, për grurin, as që bëhet fjalë. Është vështirë shumë. Unë nuk punoj më, përpara merresha me punë fshati. Tani me pensionin e nënës rrimë. Nuk e shoh këtu të ardhmen e fëmijëve të mi. Na kanë hequr perspektivën”, shton Ermiri me gjysmë zëri.

“Problem dimri, problem vera, që nuk ka ujë fare. Kanalet i vadisnim, kur akoma nuk ishte bërë centrali, tani ka hyrë buldozeri. Kemi humbur gjithë ato toka atje poshtë, në fushë. Qeveria ka bërë shumë gabim që na e ka shtuar varfërinë. Nuk kemi ku e vadisim, as jonxhën, as misrin. Duheshin vaditur, kur donin ujë të mbjellat. Kemi gjithë këto vite pa punuar tokat, o bir i nënës! Gjynah, jemi fshat pa fshat!”, – përfundon, duke ngritur shpatullat Fiqirete Çota, e cila është duke vaditur një parcelë të vogël te kopshti i shtëpisë me ujë të pijshëm nga Librazhdi.

Fiqirete Çota me tubat që marrin ujin e pijshëm nga qyteti i Librazhdit

 Ndërkohë, si pasojë e punimeve të atëhershme, kur një armatë me punëtorë dhe makineri të rënda punonte për infrastrukturën e ndërtimit të HEC-it, është dëmtuar ura që lidh disa lagje të fshatit Togëz me rrugën për në Librazhd. Shumë banorë ankohen dhe frikësohen për sigurinë e shëndetit të fëmijëve të tyre, kur shkojnë për në shkollë apo dhe për veten e punët e përditshme, ndërkohë që ata thonë se nuk ka pasur asnjë rregullim nga kompania përveçse riparimeve të pjesshme.

Na kanë plasaritur shtëpitë dhe na kanë dëmtuar urën, sa kemi frikë, kur kalojmë çdo ditë. Nga minat e hedhura, kur hapnin tunele, na dëmtuan shtëpitë. Vetëm disa punëtorë të fshatit, që patën muhabet me mbikëqyrësit grekë, morëm pará, nga 100 deri në 300 mijë lekë të vjetra. Ne të tjerëve na gënjyen dhe nuk na dhanë lekë për shtëpitë. U detyruam, i lyem e i riparuam vetë. Sa herë vjen vera, ne si fshat do shkojmë në bashki e do zihemi me kryetarin për ujin që na e kanë futur në tuba. Një vjen, një nuk vjen, një lë kanal, një nuk lë kanal, ky është problemi më madhor që kemi, uji. E kanë futur në tunel”, – thotë fermeri i zonës, Shyqyri Çota.

Fermeri Shyqyri Çota duke punuar

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore u interesua në Bashkinë e Librazhdit, ku na u tha përmes telefonit se këto leje janë në diskordancë pushtetesh dhe janë dhënë përpara vitit 2013, si dhe se kontrolli i zbatimit të lejeve nga HEC-et nuk është kompetencë e bashkisë, por e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT.

Organizatat mjedisore: Ndërtimi i HEC-ve, pa studiuar pasojat e së ardhmes

 Eksperti i mjedisit nga Klubi Ekologjik, Elbasan, Ahmet Mehmeti, tha se këto janë veprime flagrante nga njerëz që nuk i njohin ligjet mjedisore dhe shkatërrojnë të ardhmen e gjithë Shqipërisë. “Pasojat ekonomike të këtyre HEC-ve për komunitetin vendas janë të pakthyeshme.

Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi

Bëhet fjalë për ndërtime hidroenergjitike, që në plan të parë tregon se është energji e pastër dhe në rrugë të mbarë. Pra, po ndërtohen hidrocentrale në vende që plotësojnë kushtet dhe kanë të ardhura. Mirëpo, gjithmonë, kur ndërtohet një hidrocentral, duhen pasur parasysh edhe pasojat shoqërore, ekonomike, kulturore e ato të traditës në komunitetin ku po ndërtohet. Këto HEC-e nuk janë konsultuar e publiku nuk është pyetur”, – thotë Ahmeti.

Enxhi Albrahimi, inxhiniere Mjedisi nga Qendra Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, organizatë mjedisore në Librazhd, shton se më përpara flitej për dëmtimin e florës dhe faunës, por tani po dëmtohen jetët e njerëzve, duke shkaktuar pasoja të parikuperueshme.

Ndërsa Leonard Alliu, aktivist mjedisor te Nisma Për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin, shpjegon se, megjithëse janë bërë forume dhe aktivitete lobuese për ndërgjegjësim, kur vjen puna për të fituar pará, askush nuk i merr parasysh këto fushata sensibilizimi. “Shumë të rinj, studentë, duan të largohen nga këto fshatra dhe të mos kthehen më, por puna është se nuk kanë ku të shkojnë, pasi iu duket sikur tradhtojnë traditat dhe nuk i braktisin dot familjet e tyre”, – tha Leonardi.

Në Librazhd janë gjithsej 130 kontrata për ndërtime HEC-esh. Nëse kontratat do të zbatoheshin, siç janë shkruar, dy gjëra do të ishin të sigurta: e para, do të ruhej mjedisi, e dyta, banorët nuk do të donin ta braktisnin qytetin.

Në këtë shkrim renditëm reagimet e shoqërisë civile, zërin e ekspertëve, mungesën e ndërhyrjes së autoriteteve. Por, në mendje më kthehet Artani, 24-vjeçari nga Marinaj, që kishte pasion bujqësinë. Ai nuk ëndërronte të bëhej pjesë e Skuadrës së Ëndrrave, as t’i bashkohej ndonjë partie, por të ardhmen e tij e kërkonte jashtë fshatit. “Ujin, që na e ka falur natyra dhe Zoti, na e morën. Dhe pa ujë nuk mund të vaditësh toka dhe as të “ujitësh” ëndrra”, – ishin fjalët e tij.

Shpërndaje